Nga Ardi Stefa
Politika shpesh përçan dhe vendimmarrja publike perceptohet si monopol i pak duarve.
Për këtë arsye iniciativa e kryebashkiakut Dredha për krijimin e Këshillit Konsultativ “Miqtë e Vlorës” është një lajm i mirë dhe një risi që meriton vëmendje dhe mbështetje të gjerë. I konceptuar si një tryezë mendjesh, përfaqësuesish nga bota publike, kulturore, akademike, ekonomike e shoqërore, brenda dhe jashtë Shqipërisë, ky forum synon të krijojë ura mes qytetit dhe atyre që kanë një lidhje emocionale, profesionale apo historike me Vlorën.
Emërtimi “Miqtë e Vlorës” nuk është vetëm simbolik. Ai mishëron një frymë bashkëpunimi që i tejkalon dallimet partiake dhe interesat personale. Bëhet fjalë për një strukturë joformale por me peshë publike, që do të ushqejë qeverisjen vendore me ide, këshilla dhe propozime konkrete për zhvillimin urban, turizmin, kulturën, trashëgiminë, arsimin, infrastrukturën dhe sipërmarrjen. Më shumë se një organ formal, ky këshill është një hapësirë për ata që duan të japin, pa kërkuar gjë në këmbim, përveç mundësisë për të parë Vlorën të lulëzojë.
Pikërisht për këtë arsye, duhet përshëndetur edhe qëndrimi i opozitës në Këshillin Bashkiak, e cila votoi pro kësaj nisme të Ermal Dredhës.
Në një kohë kur përplasjet në Këshillin Bashkiak dhe më gjerësisht në Vlorë kanë qenë permanente dhe më të zakonshme se konsensusi, ky gjest është një sinjal i shëndetshëm politik që duhet vlerësuar: kur ka ide të mira për qytetin, duhet të jemi të gjithë bashkë.
Mbështetja e opozitës nuk është vetëm një shprehje vullneti të mirë, por një shembull për t’u ndjekur: politika duhet të dijë të heqë dorë nga protagonizmi kur në qendër është interesi i përbashkët.
Në vend të rrëfimeve të zakonshme për ndarje, personalisht shpresoj që “Miqtë e Vlorës” të ofrojnë një narrativë të re: bashkim.
Në vend të përjashtimit, përfshirje.
Në vend të heshtjes së atyre që kanë ç’të thonë, një ftesë për të folur.
Kam besimin e shpresën se është një ftesë e sinqertë, e hapur dhe pa paragjykime, e cila u drejtohet të gjithëve: akademikëve, artistëve, mjekëve, sipërmarrësve, të rinjve dhe të moshuarve që duan të kontribuojnë.
Vlora nuk ndërtohet vetëm nga bashkia. Ajo ndërtohet në radhë të parë nga vlonjatët, nga ata që e duan dhe nga secili që ka zemrën, mendjen dhe kohën për ta bërë më të mirë.
Në këtë frymë, mbështetja ndaj kësaj nisme nuk është luks politik, por detyrim qytetar.
Dhe nëse ka një mesazh që duhet përsëritur, është ky: Vlora nuk ka nevojë për më shumë përçarje, por për më shumë miq.
Dhe miq që dinë të bëhen bashkë.
Lini një Përgjigje