Mllefi, dinjiteti dhe hija e proletariatit të munguar

26 Nëntor 2025, 21:29Blog Bjorn Runa

Mllefi, dinjiteti dhe hija e proletariatit të munguar

“Do të keni diktaturën e proletariatit. E meqenëse këtu nuk keni ndonjë proletariat për të qënë, do të keni diktaturën e katundarëve, të rreckamanëve, të kaçakëve, të plebenjve, të skllevërve, që në atë fjalën e madhe ‘dinjitet i punës’ deri më sot kanë gjetur ngushëllim për mjerimin e jetës së përditshme, për acarin, urinë, sëmundjen, mushkonjat që u kanë thithur gjakun, për të sapolindurit që kanë dhënë shpirt sëmurë në djep, ndërkohë që ju, të gjithë ju, ose më mirë të gjithë ne, mësonim ski nëpër rezortet e Eurpës. Më në fund u ka ardhur dita.”

Teksa lexon “Të Poshtëruar” të autores Lea Ypi, përjeton hera-herës një lloj ndjesie vuajerizmi, sikur je duke vështruar dikë tek ecën në korridoret e një shtëpie, brendinë e së cilës mendonte se e njihte në majë të gishtave, por që befas zbulon se muret kanë ndryshuar pozicionin e tyre gjatë natës. Rrëfimi lëviz mes kujtimeve familjare, dosjeve të Sigurimit, kujtimeve gjysmë të vagullta dhe dokumenteve të keqarkivuara. Pesha emocionale e librit vjen pikërisht nga kjo lëvizje mes sigurisë dhe zbulimit; mes asaj çka arkivat pretendojnë se dinë dhe asaj që të gjallët vazhdojnë të mbajnë me vete, pa mundur t'i vënë një emër.

Ndoshta për këtë arsye mund ta gjesh veten, përkundër logjikës, të tërhequr nga një personazh, i cili zë  një hapësirë periferike në roman dhe që rrëfimi as e ngre si figurë, po as nuk arrin ta fshijë plotësisht.

Është paksa e sikletshme që, mes një historie kaq komplekse, të shkruash për Gustavin – jo vetëm një personazh dytësor, por edhe më pak simpatiku mes morisë së karaktereve që popullojnë rrëfimin e “Të Poshtëruar.” Një figurë gati-gati aksidentale, i cili fillimisht duket sikur hyn në roman padashje nga një tjetër libër dhe më pas nuk pranon të largohet. E megjithatë, libri e përgatit lexuesin në lidhje me mundësinë se e vërteta shpesh vjen nga skajet, periferia. Vetë arkiva është e tillë. Dokumentet e vendosura gabimisht në dosjen që Sigurimi ka përgatitur për Leman Ypin – gjyshen e Leas dhe personazhin kryesor të librit – i përkasin gjithashtu margjinave. Madje, edhe vetë historia e Lemanit, e rindërtuar dekada më vonë, merr jetë nga skajet e shkresave shtetërore. Struktura e librit na tregon ndër të tjera, se periferia nuk është kurrë bosh. Aty është vendi ku akumulohet pluhuri i historisë dhe ku logjika e pushtetit bëhet edhe më e dukshme, pasi mendon se aty nuk e sheh kush.

Në momentin e parë të prezantimit, Gustavi s’është veçse një pretendent i dështuar për t’u martuar me hallën e Lemanit, një burrë besnik vetëm ndaj komfortit dhe mundësive të biznesit që i dalin përpara. Për më tepër, vetëvrasja e bashkëshortes së tij të ardhshme – pasojë edhe e zbrazëtisë së tij emocionale – e kthen Gustavin në një figurë që duket sikur prish çdo gjë që prek. Por, ndërsa lufta hyn në fazën e fundit dhe vakuumi i pushtetit e shtyn Shqipërinë drejt rirenditjes së kategorive sociale përmes revolucionit, ai hyn sërish në rrëfim, për t’i ofruar Lemanit dhe bashkëshortit të saj ndihmë për t’u larguar nga vendi. Arsyetimi i tij nuk lidhet me ndonjë akuzë ndaj çiftit Ypi, të cilët sapo janë bërë prindër, dhe as ka ndonjë ndjenjë afeksioni apo besnikërie. Përkundrazi, ai arrin të artikulojë, sa me përçmim aq edhe me qartësi, diagnozën e rendit që pritet të vijë, duke parashikuar se klasa e re sunduese nuk do të lindë nga ndonjë ndërgjegje politike dhe as nga emancipimi kolektiv, por nga mllefi i akumuluar ndër dekada.

“Do të keni diktaturën e proletariatit. E meqenëse këtu nuk keni ndonjë proletariat për të qënë, do të keni diktaturën e katundarëve, të rreckamanëve, të kaçakëve, të plebenjve, të skllevërve, që në atë fjalen e madhe ‘dinjitet i punës’ deri më sot kanë gjetur ngushëllim për mjerimin e jetës së përditshme, për acarin, urinë, sëmundjen, mushkonjat që u kanë thithur gjakun, për të sapolindurit që kanë dhënë shpirt sëmurë në djep, ndërkohë që ju, të gjithë ju, ose më mirë të gjithë ne, mësonim ski nëpër rezortet e Eurpës. Më në fund u ka ardhur dita.”

Gustavi e përshkruan klasën punëtore shqiptare të kohës me një ashpërsi dhe cinizëm të tillë, që e vetmja përgjigje mund të ishte një grusht fytyrës. Megjithatë, cinizmi i tij nuk e fsheh ndjesinë se ai ka arritur të shohë para kohe tmerrin që do të ndodhë më pas  dhe që një vëzhgues më idealist, me gjasë nuk do ta kishte pikasur dot. Por, këtu unk duhet të ngatërrohemi. Gustavi nuk është as ithtar i liberalizmit, as mbështetës i fashizmit dhe as ndonjë luftëtar ideologjik i komunizmit. Ai thjesht arrin të vërejë se një proletariat të cilit i është mohuar arsimimi, institucionet dhe kultivimi i zakoneve qytetare, nuk mund të kthehet në subjektin emancipues të teorisë marksiste. Ky proletariat mundet vetëm të trashëgojë pushtetin ashtu siç trashëgohet një pajisje a vegël pune, funksionin e të cilës nuk ia kanë shpjeguar kurrë. Për rrjedhojë, ai do ta përdorë me të njëjtën përzierje frike dhe dyshimi, që deri në atë moment i ka siguruar mbijetesën.

Ky është dhe momenti më i madh i frustrimit për një lexues të majtë. Ndërsa këmbëngulim se proletariat e zotëron dinjitetin në mënyrë intuitive dhe ai nuk mund t’i fshihet nga kushtet materiale, historia e një sërë shtetesh periferike na tregon se dinjiteti kërkon kultivim dhe ky është një proces i avashtë, i cili varet nga shkolla, besimi shoqëror, institucionet publike dhe përvoja qytetare. Shqipëria, në momentin që Gustavi bën parashikimin e tij, nuk kishte asnjë prej këtyre. Proletariati që doli pas 1945-ës nuk ishte një klasë sociale që ishte ndeshur me gjendjen e vet përmes një përpjekje kolektive, por një shtresë, e cila u zgjua një ditë befas fitimtare, pa patur kurrë mjetet e nevojshme që i japin kuptim fitores.

Por, pyetja me të cilën ngelemi pas këtij leximi, rëndon sot shumë më tepër edhe se një dekadë më parë. Si të flasim për solidaritet me njerëz, të cilëve iu janë mohuar në mënyrë strukturore mjetet e nevojshme për të kuptuar botën politike në të cilën jetojnë? Si mund ta shmangim tundimin aq ndjellës për t’i romantizuar ata dhe njëkohësisht t’i rezistosh shtysës po aq të rrezikshme për t’i gjykuar? Një i majtë që ka patur akses në libra, orë të gjata dhe qeta për t’i lexuar, mundësi për të udhëtuar dhe për biseda të gjata rreth teorive politike nuk është domosdoshmërisht më i mirëpajisur nga ana morale krahasuar me ata, të cilët atë pak kohë të lirë që kanë patur në jetën e tyre, iu është dashur ta mbushin me orë pune  për të siguruar mbijetesën. E megjithatë, privilegji krijon një lloj distance që duhet pranuar, nëse do që diçka e sinqertë të të dalë nga buzët në lidhje me shoqërinë në të cilën jetojmë.

Me gjithë mungesën e taktit dhe elegancës, Gustavi ndihmon për ta bërë dukshme këtë distancë. Ai e pikasi herët që mllefi do të kthehej në forcë politike, jo për shkak të ndonjë afërsie me njerëzit e përjetonin atë ndjesi, por sepse kishte jetuar mjaftueshëm në skajet e shoqërive në rënie, për të mund t’i dalluar shenjat e asaj që do të vinte në Shqipëri. Ata të cilët pas luftës do të ktheheshin në subjekte të revoluconit socialist, ishin në fakt njerëz të sfilitur nga vite të gjata mundimesh, improvizimi dhe zhgënjimi. Edhe pse iu ishte premtuar dinjitet, atyre nuk iu qenë dhënë kurrë kushtet e nevojshme që dinjiteti të hidhte rrënjë në jetët e tyre.

Dhe teksa lexon këtë pasazh të shkurtër, këtë parashikim shqetësues, nuk mund të mos mendosh për Shqipërinë e sotme. Sërish përballemi menjë popullsi, për shumicën e të cilës mundësitë vijnë duke u pakësuar, edhe pse mekanizmat mund të kenë ndryshuar. Analfabetizmi po përjeton sërish rritje me një ritëm që nuk trondit më askënd, pasi është aq konstant, saqë të gjithë jemi mësuar me të. Pabarazia vazhdon të rritet, duke na shfaqur thuajse hapur pasigurinë e të ardhmes. Shumica prej nesh ndiejmë që vendimet merren diku tjetër – larg nesh, në hapësira ku me gjasë nuk do të shkelim kurrë – për projekte që nuk na përkasin. Çfarë mund të lindë nga një peizazh i tillë veç mllefit të heshtur, që nuk se ku të zbrazet? Mllef që lëviz mes bisedash në kafene, komente online dhe tërheqjes nga jeta publike. Mllef që rritet valë-valë në hapësira ku shteti duket se mungon dhe ku institucionet nuk janë më pronë e përbashkët e jona.

Edhe pse kjo atmosferë nuk është një përsëritje e botës me të cilën Lemani përballet në libër, pesha emocionale duket mjaft e njohur. Mllefi shumëfishohet aty ku dinjiteti premtohet dhe nuk materializohet. Por, dinjiteti nuk mund të mbijetojë pa arsimim, pa institucione që i shohin njerëzit si pjesëmarrës dhe jo si spektatorë.

“Të poshtëruar” na tregon se, ndonëse jetët mund të keqinterpretohen, mund të keqarkivohen, ato sërish mbartin të vërteta që hedhin dritë mbi të tashmen. Ndërsa paralajmërimi i Gustavit, i shpallur pa shumë takt, na kujton se sa të e brishtë mund të jetë një shoqëri kur themelet e saj kanë në bazë privimin.

Ky personazh dytësor shndërrohet kështu në bartës të një paralajmërimi që kapërcen faqet e librit, për të na treguar se ç’ndodh kur mllefi mbush hapësirën e lënë bosh nga mungesa e imagjinatës politike. Sot, Shqipëria ka mbërritur një moment ku paralajmërimi i Gustavit tingëllon sërish i kohës, jo sepse historia ka tendencë të përsëritet, por sepse lë pas trajta që rishfaqen kur themelet e jetës publike krisen.

17 Komente

  1. D
    Dea

    Kam vërejtje të përgjithshme si për romanin e Lea Ypit, ashtu edhe për leximin që i bën Bjorn Runa. Si romani, ashtu edhe recensioni, e lexojnë historinë e Shqipërisë socialiste përmes një skeme të thjeshtuar psikologjike: mllefi i shtresave të varfra, pa arsim dhe pa institucione qytetare, kthehet në burim të diktaturës. Ndërsa dështimi i projektit socialist shpjegohet me “proletariatin e munguar”. Në këtë skemë historia humb statusin e saj si proces strukturor kompleks dhe reduktohet në një metafizikë morale: gjithçka varet nga një “masë” e poshtëruar, që sapo merr pushtetin, e përdor domosdoshmërisht në mënyrë të verbër dhe destruktive. Fjalia skandaloze e Gustav-it: “do të keni diktaturën e katundarëve, rreckamanëve, plebenjve, skllevërve…”, nuk është thjesht cinizëm borgjez. Ajo përmban një moralizim klasor brutal, ku të varfrit nuk shihen si klasë historike, por si lloj antropologjik i prapambetur. Problemi nuk është aq me ekzistencën e këtij personazhi në roman (letërsia ka të drejtë të vërë në skenë çdo lloj zëri), por me mënyrën si recensioni duket se e trajton fjalën e tij pothuaj si gjetje të saktë historike. Zëri i një personazhi oportunist shndërrohet, pa filtrin kritik të duhur, në paralajmërim “profetik” për Shqipërinë e djeshme dhe të sotme. Kjo gjë krijon një konfuzion metodologjik sepse përzihen tri nivele të ndryshme: zëri i personazhit, zëri i tekstit letrar dhe zëri i historisë reale. Aty ku duhej të kishim një analizë profesionale të funksionit të Gustav-it në strukturën narrative, të raportit të tij me instancën rrëfimtare dhe me ironinë e mundshme të tekstit, ne marrim më shumë një ese politike të gatshme, ku romani shërben si ilustrim i një teze tashmë të formuluar: “nuk pati proletariat të qytetëruar, atëherë pasoja është vendosja e diktaturës së plebejve”. Edhe vetë ideja e “proletariatit të munguar” përdoret në mënyrë pseudo-marksiste. Vërtet që Shqipëria nuk pati proletariat klasik industrial si Anglia apo Gjermania. Por nga ky fakt nuk rrjedh automatikisht se pushteti i dalë nga Lufta ishte thjesht “hakmarrje e katundarëve të egër”. Aty mungon krejt analiza e aparatit të partisë komuniste, e mekanizmave të centralizimit të dhunës, e importit të modelit sovjetik/jugosllav, e luftërave të brendshme për pushtet. Kategori të mëdha si “proletariat”, “dinjitet”, “shoqëri periferike” lëvizin në tekst pa u varur asnjëherë fort në truallin konkret historik. Po kështu, mënyra si trajtohen dinjiteti dhe institucionet ka një frymë të fortë liberale paternaliste. Thuhet, në thelb, se proletariatit i munguan shkolla, institucionet dhe zakonet qytetare, prandaj nuk mund të bëhej subjekt emancipues. Në këtë vizion, dinjiteti vjen nga lart, nga shteti dhe institucionet, dhe jo edhe nga poshtë, nga format e vetëorganizimit, nga kultura popullore, nga praktikat konkrete të rezistencës së të nëpërkëmburve. Kjo e zhvesh shtresën e poshtëruar nga çdo racionalitet i vet. Ajo mbetet vetëm “trup mllefi” që duhet kultivuar prej të tjerëve. Paralelja që bëhet më pas me Shqipërinë e sotme (analfabetizmi funksional, pabarazia, mungesa e imagjinatës politike) nuk është vetvetiu e pavlefshme, por mbështetet mbi të njëjtin skemë psikologjizuese: mllefi pa strukturë, “popullsia e zhgënjyer” pa analizë të vërtetë të formës aktuale të kapitalizmit periferik, të kapjes së shtetit, të oligarkisë, të emigracionit masiv. Kështu, metafora e mllefit zë vendin e analizës konkrete të raporteve të sotme të pushtetit. Si përfundim, do të thosha se kemi të bëjmë me një lloj papjekurie teorike, si te romani, ashtu edhe te recensioni: ligjësitë historike subjektivizohen, klasat shndërrohen në karaktere morale, dhe letërsia përdoret më shumë si pretekst për një tekst editorial, sesa si objekt analize estetike dhe strukturore. Pikërisht këtu humbet ajo që do të pritej nga një lexim vërtet profesional: ndarja e qartë ndërmjet diskursit fiksional, diskursit ideologjik dhe analizës historike.

    Përgjigjjuni
    1. Z
      ZigZag

      Bukur Dea. Ndonjehere komenti vlen me shume se shkrimi. Mendimi im personal per Lea Ypin eshte se ajo e trajton historine si safari. Ka nje grup shume te qarte lexuesish te huaj qe do te shetise dhe argetoje duke i çuar neper qoshe ku ata ndihen mire.

      Përgjigjjuni
      1. S
        Sadiu

        Shumë mirë, afër realitetit se përkryerje të paktën tek ne nuk mund të gjesh shpejt.

        Përgjigjjuni
        1. D
          Dea me transparente

          Dea, ke folur vec me gjuhe katedre, qe sic duket dhe punon: Se pari, detyra e intelektualit te vertete dhe te formuar, eshte, qe gjerat jo te thjeshta, tja paraqese lexuesit , ne nje gjuhe te thjeshte, dhe jo arsyja e mos arsyes time, ma dobeson kaq shume arsyen….Se dyti komunizmi apo diktatura e proletariatit, historikisht doli e deshtuar,nje tragjedi e vertete historike kombetare.Dhe vecanrisht ketu tek ne: Ku udheheqja komuniste mbas gjysem shekulli perbehesh vec nga saldatore, puntor, shofer, mjelse, karrocier etj.Fshatari dhe puntori vendoste mbi intelektualin.Ndryshimet shoqerore me revolucione, shkaktojne gjakderdhje masive dhe ndryshime drastike te dhuneshme. Ndryshimet shoqerore, duhen bere vec nepermjet EVOLUCIONEVE, ku fiton logjika e idese dhe jo vendosja me dhune e sistemit tjeter.

          Përgjigjjuni
          1. Z
            ZigZag

            Fshataret dhe punetoret kishin celesat e kashtes gjate regjimit stalinist. Ishin aparatçiket e medhenj dhe te vegjel neper zyra qe i merrnin vendimet. Prandaj punetoret u ngriten kunder regjimit ne 90-91n. Fshataret s’kishin fuqi te ngriheshin se mezi tretet buka e misrit.

            Përgjigjjuni
            1. D
              Dea

              Këtë që thoni ju, kam kërkuar edhe unë: vërtetësi historike, duke e argumentuar përmes formës. Po ju kujtoj pjesën e fundit, rilexojeni: "Si përfundim, do të thosha se kemi të bëjmë me një lloj papjekurie teorike, si te romani, ashtu edhe te recensioni: ligjësitë historike subjektivizohen, klasat shndërrohen në karaktere morale, dhe letërsia përdoret më shumë si pretekst për një tekst editorial, sesa si objekt analize estetike dhe strukturore. Pikërisht këtu humbet ajo që do të pritej nga një lexim vërtet profesional: ndarja e qartë ndërmjet diskursit fiksional, diskursit ideologjik dhe analizës historike."

              Përgjigjjuni
            2. D
              Devolliu

              Brilante analiza ! S’me besohet qe po e lexoj ketu !

              Përgjigjjuni
              1. D
                Dea

                Unë "këtu" në profesion kam qenë me dekada, por jo tek "Tema"; jam i orinetuar tërësisht tek shtypi shkencor. Me sa më thonë shpesh kolegët, analizat dhe studimet e mia nuk mund të kenë rënë ndonjëherë më poshtë. Ju falënderoj pa masë, si lexues i nivelit të lartë që jeni, apo më shumë se kaq!!

                Përgjigjjuni
            3. D
              Dishepull i Balzakut, Hygoit, Tolstoit etj.

              Nuk dua te flase per romanin e Ypit dhe as per recencen mediokre te Bjornit. Nje perpjekje te lavderueshme per keto ka bere Dea. Vetem se dua t'i kujtoj znj. Ypi (por edhe Bjornit), qe edhe katundaret, rreckamanet, kaçakët, plebejte dhe skllevërit jane njerez, homo sapiens, per te cilet letersia serioze e humane shfaq empati e keqardhje, por kurrsesi mllef e perbuzje. Pasi per gjendjen e tyre te mjeruar, nuk mund te fajesohen vetem ata vete, por me shume te tjeret, "qe mesonin ski neper bote".

              Përgjigjjuni
              1. A
                Andreas

                Aq sa lexova do te thoja turp per kete liber, turp per autoren, turp per kete lepiresin e radhes...

                Përgjigjjuni
                1. K
                  Kazani

                  Në fakt këto janë mllefet e Lea Ypit. Që edhe pse duket se ka sukses vazhdon ende me kanaçet e "Kokës së Kollës" dhe me histori të realizmit socialist. Jo thjesht për të qenë e sukseshme ppr se thjesht i ka ngelur sahati në 1945... Çfarë thotë Gustavi është se sibe mendon Lea dhe familja e saj. (Gjithësesi janë histori që duket se bota ka uri ende dhe që në fund te fundit shesin).

                  Përgjigjjuni
                  1. T
                    Teuta

                    Kjo lea është një idiote e paskrupullt,që për tu bërë e njohur ,shkon në çdo ektrem ,sipas parimit,mjeti arësyeton qëllimin.Kamë lexuar në nje nga shkrimet e saja, ku ngjarja ndodhë në kohën e lufës në Kosovë .Ato dite ndodhë masakra e Reçakut dhe TV buçisnin nga nga ajo që ndodhte në Kosovë dhe kjo lea,as që përmen gjë për këtë,por entuziazmohet me babain e sajë i cili feston me gjithë potencialin e tijë në ballkon,fitoren e zrvena zvezdes së Beogradit…Kjo lea ëshë një axhami e dhënë mbas famës,por kjo është e përkohshme ,shpejt do i kthehet në bamerang.

                    Përgjigjjuni
                    1. S
                      Sadiu

                      Runi ti edhe pse mund të jesh i ri ose afër mesos, por jeton më mëndësi të paktën dy shekuj më parë dhe duket që në mendime je mjeran dhe të veshura si reckaman dhe më e keqja Lea ta ka thithur lëngun e trurit dhe të ka ngel i thatë prandaj dhe analiza tënde për momentet që po kalojmë është në thatsirë të plotë, pra është i vyshkur drejtë rënjes së gjetheve. Ajo Lea edhe ka të drejtë, por në fakt edhe e suksesëshme por edhe e vuajtur nga trutë. Vuajti gjyshi dhe gjyshja, duke u ndëruar sistemi asaj familja i krijoji kushte maksimale dhe e meritoj por sot që ajo në fakt është dikushi nuk duhet të merret me të vdekurit, nuk duhet të merret me manifakturat(apo me qënë se jeton tek vëndëlindja e tyre), por duhet të shikoj përpara si Mira e Inteligjencës Artificiale që për vëndin e saj po kontribon që të ecin me shpejtësi përpara. Ajo kontriboj tek Diella, Lea e kupton këtë por ti Runi nuk e di sa i aftë je për këto punë, por të dy me "diellën" tuaj kërkoni të ktheni shoqërinë tek dylbit e Kopernikut dhe nuk po dalloni dotë teleskopët e këtij fillim shekulli. Duhen kontribute progresi se për këtë kërkohet mëndje e kualifikuar dhe specifike, pa për regresin nuk ka problem ai të çon tek mushkonjat dhe tek "katundarët shumë kollaj dhe shumë shpejt, të paktën lexoni për piramidat e 1997 dhe kujtoni kur e kanë ditëlindjen fajdet.

                      Përgjigjjuni
                      1. A
                        Antifa

                        sa i ngjashem qe eshte gustavi me ludovikun.......

                        Përgjigjjuni
                        1. d
                          doriani tirane

                          lea eshte e mbushur me mllef ndaj librin nuk ja lexojne

                          Përgjigjjuni
                          1. L
                            Linza

                            Si Lea, si ai recensuesi jane dy plehra te mbushur me mllef. Kush e beri luften kunder pushtuesve te vendit moj debile? Kush derdhi gjaku pet liri more te pa cipe? Perse ofendoni njerezit pavaresisht kush jane. Te tjerat i ka thene Dea ne komentin e saj. Perfundimi: mire ja u bene ata ‘leckamanet’ mbas lufte!

                            Përgjigjjuni
                            1. T
                              Turreci

                              O Tema përse me keni bllokuar o tubit e Mavrisë

                              Përgjigjjuni

                              Lini një Përgjigje