Në dukje, gjithçka nisi me naftën. Por në thelb, protesta e fermerëve këto ditë nuk është thjesht për një subvencion të hequr. Është për një ndryshim që nuk është kuptuar.
Qeveria hoqi skemën e naftës dhe e zëvendësoi me një mekanizëm të ri: 10% të TVSH-së, të kthyer në para për çdo faturë të deklaruar nga fermeri që shet prodhimin e tij. Një lëvizje që synon formalizimin e bujqësisë. Një hap drejt transparencës. Një përpjekje për të lidhur ndihmën me prodhimin real.
Por në terren, kjo është përkthyer në revoltë.
Pse?
Sepse për shumë fermerë, nafta ishte konkrete, e prekshme, e menjëhershme. Ndërsa skema e re kërkon diçka tjetër: faturë, dokument, deklarim. Kërkon hyrje në një sistem që për ta është ende i huaj. Dhe këtu lind përplasja: jo mes fermerit dhe shtetit, por mes realitetit dhe reformës.
Ironia është se, në shumë raste, përfitimi nga 10% i TVSH-së mund të jetë më i madh se subvencioni i mëparshëm për naftën. Pra, financiarisht, fermeri mund të dalë më mirë. Por kjo nuk ka arritur të kuptohet.
Dhe kur informacioni mungon, vendin e tij e zë frika.
Duke ndjekur protestat që fermerët patën disa ditë më parë, ajo që bie më shumë në sy nuk është vetëm zemërimi, por pasiguria. Shumë prej fermerëve nuk e kanë të qartë si funksionon skema e re, si përfitohet prej saj dhe çfarë duhet të bëjnë konkretisht. Dhe kjo nuk është një akuzë ndaj tyre. Është një realitet.
Realiteti i tyre është një ditë e gjatë në tokë, larg burimeve të informacionit apo shpjegimeve të detajuara mbi politikat publike. Ky hendek informimi krijon pasiguri dhe rezistencë ndaj çdo ndryshimi.
Por ka edhe një pyetje që nuk thuhet me zë të lartë: a ishte gjithmonë nafta e subvencionuar e përdorur vetëm për bujqësi?
Skema e vjetër kishte një dobësi të madhe, mungesën e kontrollit. Dhe kjo hap dyshime të arsyeshme se një pjesë e saj mund të jetë përdorur edhe për qëllime të tjera, përfshirë automjetet private. Në këtë kuptim, ndryshimi nuk është vetëm ekonomik, por edhe një përpjekje për të mbyllur abuzimet.
Por edhe një reformë e drejtë, nëse nuk shpjegohet, kthehet në problem.
Dhe problemi nuk ndalet vetëm tek nafta. I njëjti hendek informimi shihet edhe në mënyrën si fermerët zgjedhin pesticidet apo plehrat kimike. Shpesh fermerët nuk zgjedhin produktet e duhura, ose varen nga këshilla të pakontrolluara nga farmacitë bujqësore. Kjo ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e prodhimit dhe në sigurinë ushqimore.
Kjo tregon se bujqësia shqiptare nuk ka vetëm nevojë për para. Ka nevojë për dije.
Në këtë kontekst, përgjegjësia nuk mund të mbetet vetëm tek qeveria. Edhe vetë fermerët duhet të përshtaten me kërkesat e reja të tregut dhe të ekonomisë formale. Por një rol kyç duhet të luajnë edhe organizatat civile dhe institucionet mbështetëse. Trajnimet në terren, sesionet informuese të drejtpërdrejta në fshatra dhe një komunikim më i thjeshtë e praktik mund të bëjnë diferencën mes refuzimit dhe pranimit të reformave.
Në fund, debati për naftën nuk është thjesht një çështje subvencioni. Ai është një reflektim i përplasjes mes një modeli të vjetër mbështetjeje dhe një përpjekjeje për modernizim dhe formalizim.
Sqarimi eshte i sakte por zonje ne fjal nuk cek ceshtjen e problemit. Cmimet e produkteve do jene ma te larta per konsumatorin dhe me pak konkurrente ne rajon sepse do kushtojn me shum te prodhohen. Subvenconimi i naftes te ishte menagjuar me mire ishte menyra e duhur por ne Shqiperi asgje nuk zbatohet sipas ligjit. Qeverria duhet te gjej mekanizma te tjer per ta formalizuar bujqesine.
Nafta e subvencionuar ishte ndihmë diretkte dhe e nxiste punën në bujqësi. Nëse prodhimi nuk shitet , nëse kushtet atmosferike ndikojnë për keq tek prodhimi, këtyre faktorëve u shtohet edhe çmimi I naftës. Pasiguria që përballet fshatari nuk e nxit por e frenon aktivitetit bujqësor. Shto këtu edhe politikat subvencionet e shteteve fqinjë për bujqësinë e tyre . Fshati jonë është I dështuar qysh në nisje.