Nevoja për një reformë të re territoriale

2 Gusht 2025, 17:45Blog TEMA
Nevoja për një reformë të re territoriale

Nga Namir Lapardhaja

Reforma territoriale e vitit 2014, e votuar më 31 korrik vetëm me votat e mazhorancës në Kuvend, e bojkotuar dhe pa pjesëmarrjen e opozitës së kohës, u paraqit në atë periudhë si një domosdoshmëri për modernizimin e administratës vendore, uljen e kostove ekonomike, reduktimin e personelit të tepërt dhe rritjen e efikasitetit në shërbime.

Sot, më shumë se një dekadë më pas, dështimi është pranuar më shumë se një herë edhe nga vetë Kryeministri Rama.

Reforma territoriale u nis për të kursyer para dhe për të vënë një kontroll më të mirë mbi territorin, ndërsa ajo që ndodhi është pikërisht e kundërta. Sot kemi një administratë vendore të fryrë tejmase, kostot për taksapaguesit janë rritur dhe shërbimet, në shumë raste, u bënë edhe më të largëta për qytetarët. Në vend të një administrate efikase, u prodhua një administratë obeze dhe vetëm në funksion të betejave elektorale.

Nga 284 njësi vendore u kalua në 61 bashki, në të cilat, siç u tha në atë kohë, do të konsolidohej shërbimi publik dhe do të shmangej abuzimi. Sot, kryetarët e këtyre bashkive nuk japin llogari, nuk mbajnë përgjegjësi dhe në shumë raste janë kthyer në “pashallarë lokalë” (!) me fuqi të pakufizuar.

Aksionet e fundit të IKMT-së në Theth dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, për të liruar hapësirat publike të zëna në mënyrë të paligjshme, flet qartë për dështim të një ndër arsyeve për të cilat u ideua dhe u votua reforma. Në shumë raste, njësitë vendore që do duhej të kontrollonin territorin janë bërë palë me shkelësit. Po ashtu, kërkesat e Ramës për dorëheqje të drejtorëve dhe nënkryetarëve të bashkive në rang vendi, janë, në një farë mënyre, edhe pjesë e pranimit publikt të dështimit në shumë raste të qeverisjes vendore.

Kështu që, ndonëse reforma u bë për të kursyer, kursimi nuk ndodhi; u bë për kontroll më të mirë të territorit, por terreni është sot më i pakontrolluar se më parë; u tha se do të kishte eficiencë, por eficienca s’ishte e mjaftueshme dhe zyrat e reja të administratës vendore prodhuan më shumë burokraci.

E vetmja “arritje” e reformës së re territoriale ka qenë kontrolli i votës, për shkak të një përqendrim të qëllimshëm të elektoratit dhe administrimi perfekt i pushtetit dhe votës në nivel vendor, mirëpo kjo nuk është reformë për qytetarin, por për partinë në pushtet.

Në kushtet e krijuara, nëse Partia Demokratike do të donte vërtet të ishte një forcë konstruktive, larg aventurave dhe betejave të kota, do të duhej të gjente rrugë dhe garanci ndërkombëtare për t'u ulur në tavolinë me mazhorancën dhe të rishihnin së bashku reformën territoriale, duke dëgjuar ekspertët e fushës dhe grupet e interesit. Vetëm mbi një reformë të rishikuar drejt dhe mbi parime të qarta për të bërë atë që është më e mira për vendin dhe qytetarët dhe jo atë që është më e mira për partitë politike, mund të ndërtohej edhe një Reformë Zgjedhore e re, që do t’i përgjigjej realitetit të sotëm demografik dhe ndarjes së re territoriale.

Kjo është ajo që i nevojitet vendit, jo përsëritje e një lufte politike për interesa personale, larg interesave të njerëzve, që në fund nuk sjell asgjë, por vetëm përsërit gabimet e së shkuarës. 

 

3 Komente

  1. V
    Veterani

    Po mendimi jot për reformën sa bashki mund të jenë?

    Përgjigjjuni
    1. S
      Stefan

      Dyzet bashki duhet te jen

      Përgjigjjuni
      1. V
        Vjosa

        Teritoret të ndahen ashtu si i kishte monizmi,sipas rretheve.26 rrethe -26 bashki.Kjo është ndarja më ideale .Për çdo rreth 3 deri në 4 deputet ,d.m.th.një numur llogjik për numrin e popullsisë.Sot me qindra deputet që si njef njeri marin pensione të larta pa dhënë a's kontributin më të vogël.Në bashkitë që do shkrihen ,bashkia e madhe (qëndrore ) do ketë një zyrë për probleme të përditëshme në shërbimtë qytetarve.Centralizimi nuk është negativ kur duhet.Reforma Z.k/Ministër është urgjente për një përqëndrim të problemeve të krijuara padrejtësisht.P.S.Shumë k/bashkish janë fare të pa aftë të cilët janë vendosur me tarafllëk .

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje