Nga Shlomo Ben-Ami
Demokracitë dhe diktaturat kanë qëndrime shumë të ndryshme ndaj luftës. Ndërsa konflikti i dhunshëm ishte qendror për ideologjitë që ndihmuan në përjetësimin e regjimeve totalitare të viteve 1930, demokracitë shkuan në luftë me këto regjime vetëm si mjet i fundit.
Në mënyrë të ngjashme, regjimet arabe në Lindjen e Mesme bashkëkohore e kanë shpallur hapur prej kohësh qëllimin e tyre për të zhdukur Izraelin, ndërsa Izraeli është angazhuar vetëm në luftëra të domosdoshmërisë absolute.
Pra, kur kryeministri Benjamin Netanyahu e mban Izraelin të zhytur në luftëra të zgjedhura, mund të dilet në përfundim vetëm se vendi nuk është më demokracia që pretendon të jetë.
Lufta e vazhdueshme e Izraelit në Gaza filloi si një përgjigje e justifikuar ndaj masakrës së rreth 1,200 izraelitëve nga Hamasi më 7 tetor 2023. Por konflikti shpejt degjeneroi në një orgji dhune të pamatur, vuajtjesh civile dhe krimesh të hapura lufte.
Siç konfirmoi së fundmi një hetim i thelluar nga The New York Times, Netanyahu mund t’i kishte dhënë fund gjakderdhjes në disa momente vendimtare, me mbështetjen e plotë të një ushtrie që nuk shihte asnjë avantazh nga më shumë dhunë. Por, çdo herë, ai zgjodhi të vazhdonte luftën.
Ky vendim ishte tërësisht në shërbim të vetvetes: Netanyahu donte të përjetësonte pushtetin e tij – dhe të mbrohej nga gjykimi për akuza të shumta për korrupsion.
Qeveria e tij e brishtë e koalicionit varet nga mbështetja e fanatikëve fetarë fashistë, që do të kënaqeshin vetëm me një fitore të plotë izraelite – një qëllim i pamundur – dhe pushtimin e pacaktuar të Gazës.
Pra, për të qëndruar në pushtet, Netanyahu ka penguar negociatat për armëpushim, duke vonuar kështu lirimin e pengjeve izraelite të mbajtura nga Hamasi. Kur u arrit një marrëveshje, Netanyahu e shkeli atë.
Çmimi i cinizmit të Netanyahut ka qenë i tepruar. Gaza ka duruar një krizë të rëndë dhe në përshkallëzim humanitare, ndërsa qindra ushtarë të rinj izraelitë kanë vdekur dhe mijëra të tjerë janë plagosur – shumë të gjymtuar për jetë.
Për më tepër, Netanyahu ka shkatërruar shanset e Izraelit për të siguruar një marrëveshje historike paqeje me Arabinë Saudite, që do të shënonte fundin praktik të konfliktit shekullor arabo-izraelit.
Megjithatë, nga perspektiva e Netanyahut, strategjia e tij për Gazën ka qenë një sukses i jashtëzakonshëm.
Ai ka parandaluar një hetim shtetëror mbi përgjegjësinë e tij për masakrën e vitit 2023, megjithëse kaloi vite duke lehtësuar financimin e Hamasit nga Katari dhe duke injoruar alarmet e Inteligjencës para sulmit.
Dhe ai ka arritur të ndalojë gjyqin e tij për korrupsion.
Por ky është vetëm fillimi: Netanyahu tani mban më shumë pushtet se çdo kryeministër i mëparshëm izraelit dhe po e përdor atë për të zëvendësuar zyrtarët e lartë ushtarakë dhe të Inteligjencës me aleatë e besnikë.
Ai është gati të ketë sukses në rrëzimin e “armikut” të tij të fundit të mbetur, Prokurorit të Përgjithshëm të hapur Gali Baharav-Miara, si pjesë e përpjekjes së gjatë të Qeverisë së tij për të dobësuar autoritetin dhe pavarësinë gjyqësore.
Ndërkohë, izraelitët po përmbyten me bombastikë patriotike, në një përpjekje për të shkëputur vëmendjen nga erozioni i demokracisë së tyre.
Shumë nga taktikat e Netanyahut ngjajnë me ato të përdorura nga presidenti rus Vladimir Putin, që kur ai nisi pushtimin e tij të plotë të Ukrainës në vitin 2022. Ashtu si Netanyahu, Putini ka përdorur konfliktin për të forcuar kontrollin e tij mbi pushtetin. Dhe, ashtu si Netanyahu, Putini ka hedhur poshtë mundësitë për t’i dhënë fund luftës me kushte të favorshme.
Nëse Putini do të kishte pranuar një armëpushim disa muaj më parë, Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, do t’i kishte dorëzuar atij në mënyrë efektive të gjithë tokën ukrainase që Rusia ka pushtuar që nga ajo kohë gjatë pushtimit.
Por Putini dëshiron më shumë!
Ai dëshiron që Rusia të gëzojë sovranitet mbi të gjithë Ukrainën lindore (përveç Krimesë), me atë që ka mbetur nga Ukraina, duke u bërë një “shtet neutral” i çarmatosur.
Dhe ai dëshiron që NATO të tërhiqet drejt perëndimit, në mënyrë që Kremlini të mund të rimarrë “sferën e saj të ndikimit” të mëparshëm. Ai nuk do të kënaqet me asgjë më pak.
Putini dhe Netanyahu kanë diçka tjetër të përbashkët: ata janë të përkushtuar për të izoluar elektoratet kryesore politike nga efektet e luftërave të tyre. Putini e kujton mirë se si një numër në rritje i viktimave në Afganistan ndihmoi në bindjen e elitave sovjetike për të braktisur regjimin.
Kjo është arsyeja pse ai ka shmangur rekrutimin në shkallë të gjerë (dhe i ka mbajtur klasat e mesme urbane të Rusisë dhe elitat burokratike larg fushëbetejës), duke mbajtur një ushtri të madhe me kontrata e të rekrutuar, në këmbim të pagesave masive, nga provincat më të varfra të Rusisë.
Ndërsa viktimat ruse në Ukrainë po rriten ndjeshëm, shifrat e sakta është e pamundur të dihen me siguri; media ruse sigurisht që nuk po i raporton ato.
Në Izrael, ekziston një shprehje: Bnei Brak, shtëpia e komunitetit më të madh ultra-ortodoks të vendit, është “e lirë nga funeralet ushtarake dhe nënat e pikëlluara”.
Netanyahu u sigurua për këtë duke garantuar përjashtimin e burrave ultra-ortodoksë nga shërbimi ushtarak.
Meqenëse fraksionet ultra-ortodokse janë çelësi i mbijetesës së koalicionit të Netanyahut, ai gjithashtu ka zgjeruar në mënyrë drastike subvencionet e bollshme që i mundësojnë këtij komuniteti të ndjekë një mënyrë jetese parazitare, edhe pse Izraeli përpiqet të mbulojë kostot e luftërave të tij kundër Hamasit, Hezbollahut, Huthitëve dhe Iranit.
Putini dhe Netanyahu janë të kujdesshëm që t’i mbulojnë qëllimet e tyre të vërteta me ideologji. “Rusia e përjetshme” është e bllokuar në një konflikt të përhershëm me një Perëndim të shthurur, të vendosur ta shkatërrojë atë dhe shteti hebre i rrethuar përballet me kërcënime ekzistenciale nga të gjitha anët, jo më pak nga Hamasi.
Të dy udhëheqësit i krahasojnë armiqtë e tyre me nazistët.
Realiteti, megjithatë, është shumë më i zymtë. Rusia dhe Izraeli janë të bllokuar në luftëra të pafundme zgjedhjeje, secila e mbështetur nga cinizmi dhe interesi vetjak i një njeriu.
Në të dyja rastet, dekadenca e rendit ndërkombëtar “të bazuar në rregulla”, që lindi nga hiri i Luftës së Dytë Botërore, i ka lejuar ata të vazhdojnë.
Shlomo Ben-Ami, një ish-ministër i Jashtëm izraelit, është nënkryetar i Qendrës Ndërkombëtare për Paqe të Toledos dhe autor i librit “Profetët pa nder: Samiti i Kampit David 2000 dhe fundi i zgjidhjes me dy shtete” (Oxford University Press, 2022)
Lini një Përgjigje