Përpara shumë dekadash spektatorët e shfaqjeve të ndryshme në kinema apo teatër besonin gjithçka që ndodhte në skenë. Madje shanin, fyenin dhe shtinin me armë mbi aktorët që luanin rolet që nuk u pëlqenin. Ziheshin e rriheshin për vdekje njëri me tjetrin.
Por sot???...
Në një shoqëri ku komunikimi është bërë më i shpejtë se mendimi dhe opinioni shpesh zë vendin e fakteve, shpifja, intriga dhe urrejtja po fitojnë gjithnjë e më shumë terren. Ajo që dikur konsiderohej sjellje e dënueshme, tani është shndërruar në një "argëtim" publik, që shpesh kalon pa pasoja. Por përse ndodh kjo? Përse disa njerëz gjejnë kënaqësi në baltosjen e tjetrit? Përse disa njerëz gjejnë kënaqësi në fyerjen e të tjerëve pas një ekrani? Çfarë e shtyn dikë të kthehet në një "hero" të mesazheve pa emër?
E para dhe ndoshta më e thella arsye është mungesa e sigurisë dhe vetëvlerësimit. Kur dikush nuk ka ndjesinë e mjaftueshmërisë për veten, ka tendencën të shkatërrojë vlerat e të tjerëve për të ndjerë një lloj superioriteti të rremë. Shpifja bëhet një mjet për të "zvogëluar" e “goditur” të tjerët, që në kontrast të rremë “të rrisë” veten.
E dyta, është kultura e thashethemeve, e cila në shumë vende, përfshirë edhe vendin tonë, është ngulitur thellë në përditshmëri. shumë e përdorin shpifjen dhe intrigën si mënyrë për të ndjerë njëfarë përkatësie. Nga kafenetë e lagjes deri te rrjetet sociale, gjuha shpesh përdoret për të përçarë, jo për të ndërtuar. Intriga nuk është më thjesht një skenar telenovelash turke, por një realitet që shfaqet në forma të ndryshme – nga insinuatat e padëmshme deri te përpjekjet e qëllimshme për të shkatërruar reputacionin, karrierën deri edhe jetën personale të dikujt. Grumbullimi rreth një thashethemi, një lajmi të rremë apo një sulmi të organizuar ndaj dikujt, krijon një ndjesi komuniteti të sëmurë. "Ne" kundër "atij", "asaj", apo "atyre". Ky lloj solidariteti negativ është i rremë, por i fuqishëm për ata që ndihen të papërfshirë, të padëgjuar apo të pavlerësuar në jetën reale.
Së treti, jetojmë në një epokë ku shpesh vlerësohet më shumë sensacionalizmi se sinqeriteti. Një lajm i rremë, një akuzë e pabazë, apo një koment ofendues, marrin më shumë vëmendje sesa një e vërtetë e thjeshtë dhe e ndershme. Kjo krijon një cikël të rrezikshëm ku urrejtja përhapet, jo sepse njerëzit janë natyrshëm të ligj, por sepse shoqëria e shpërblen atë me klikime, komente dhe vëmendje.
Së katërti, anonimiteti krijon një ndjesi false lirie. Kur dikush nuk duhet të mbajë përgjegjësi për fjalët apo veprimet e veta, ndjesia e kontrollit moral fillon të zbehet. Njerëzit ndihen më të fuqishëm kur nuk shihen, nuk gjykohen, dhe nuk përballen me pasojat e asaj që thonë. Ata ndihen "të sigurt" për të nxjerrë jashtë inatet, komplekset dhe xhelozitë e tyre me një mesazh, një koment, një insinuatë.
Në këtë realitet, shpifja dhe mesazhet anonime nuk janë më thjesht devijime individuale; ato janë bërë pjesë e një kulture të heshtur dhune, që tolerohet, injorohet dhe madje edhe argëton të tjerët.
Ky shpërthim kanibalësh që gjen kënaqësi në urrejtje, anonimitet, intriga e shpifje...
...“Le të godasë i pari ai që nuk ka mëkatuar ndonjëherë!” tha dikur Jezu Krishti dhe qëndroi në mes të Maria Magdalenës dhe turmës së vetëemëruar ndëshkuese të saj...
Dhe atëherë të gjithë i lëshuan gurët përtokë, pasi reflektuan...
“Get a life!” do të thosha sot. Në vend që të skandalizoheni nga shkopi në syrin e vëllait apo shokut tuaj, nxirrni më mirë traun nga syri juaj! Dhe shikoni jetën! Kapni jetën! Shijojeni jetën!
Por ky nuk është një shpjegim që justifikon. Përkundrazi, është një thirrje për reflektim. Është momenti të kuptojmë se kënaqësia që vjen nga dëmtimi i tjetrit nuk është gjë tjetër veçse një shprehje e dhimbjes së brendshme. Është një formë e vuajtjes së papranuar që shfaqet në mënyrën më të shëmtuar.
Atëherë, çfarë na mbetet për të bërë?
Të mos heshtim përballë shpifjes. Të mos bëhemi konsumatorë të intrigës. Të refuzojmë të lexojmë, të shpërndajmë apo të komentojmë mbi gjëra që vijnë nga burime të errëta dhe pa identitet. Dhe mbi të gjitha, të kuptojmë se fjalët kanë peshë, edhe kur janë të shkruara në një ekran celulari.
Në fund, duhet të pyesim veten: çfarë shoqërie duam të ndërtojmë? Një shoqëri që shfryn zemërimin mbi të tjerët, apo një komunitet që kërkon të kuptojë, të falë dhe të përmirësojë veten? Shpifja, intriga dhe urrejtja mund të duken të kënaqshme në moment, por ato nuk ndërtojnë asgjë. Ato shkatërrojnë, jo vetëm të tjerët, por edhe vetë njeriun që i përdor.
Zgjedhja është e secilit prej nesh. Të mos e ushqejmë më këtë urrejtje – as me fjalë, as me heshtje. Ose bëhemi pjesë e zërit që ndërton dhe shëron, ose i nënshtrohemi heshtjes që lejon urrejtjen të zërë vendin e së vërtetës. Dhe nuk ka anonimitet që e fsheh përjetë fytyrën e vërtetë të një zemre të helmuar.
Bukur, analizë që duhet, por të tilla duhet të ketë në vazhdimësi jo vetëm nëpër gazeta e portale por ato duhet të mbulojnë banakët televiziv që ja u kanë marrë frymën gazetar mediokër idhujt apo të komanduar nga politikan që nga goja e tyre dalin fjalët krimi, vjedhje, vrasës etj dhe asnjë fjalë për zhvillimin, pozitiven, punën e përditshme rezultateve si në shtet e në privat. Shkrimet për një shoqëri pozitive dhe të shëndos sidomos për të rinjtë duhet të jenë një trajnim fillestar për vazhdimësinë, ku të sqarohet qartë që tek ne mbizotron krimi, korupsioni e të tjera plagë apo pozivitetja për të ardhmen e saj.
Bukur është kur fillon nga vehtja, prandaj në teori është bukur , po nuk e di me këtë frymë z. Lapardhaja a e ka analizuar gjuhën e tij kur shkruan, kur denigron figurën e kryetarit të Qeveris? Prandaj hidhe gurin e parë kundër mëkatit tënd e të të besoj në ato që shkruan.