Përse kombet shkojnë në luftë…

30 Prill 2026, 11:20Blog TEMA
Përse kombet shkojnë në luftë…

Duke kërkuar një përgjigje në raftin e librave...

Nga Kristaq Xharo


Raftet e librave për luftën shpesh e lënë në hije paqen, sikur historia të jetë më shumë rrëfim përplasjeje sesa bashkëjetese. Pikërisht për këtë, pyetja “përse kombet shkojnë në luftë?” bëhet thelbësore: jo sepse mungojnë përgjigjet, por sepse janë aq të shumta sa rrezikojnë të na duken bindëse. Kërkimi në libra, nga Thucydides te Carl von Clausewitz e deri te John Mearsheimer, është përpjekje për të dalluar mes shpjegimit dhe justifikimit, sepse vetëm kështu mund të kuptojmë jo thjesht pse ndodh lufta, por pse jo rrallë vazhdon të na duket e arsyeshme. Duke rendur në libra, arsyet riformulohen, edhe pse lufta mbetet e njëjtë… vetëm justifikimet bëhen më moderne.

Në Antikitet, Sun Tzu, në The Art of War (shek. VI–V p.e.s.), sugjeron, në formë parabolike, se lufta fitohet para se të nisë një ide që përshkon kohën nga fushëbetejat e Lindjes së Largme deri në akademitë moderne të Perëndimit. Pothuaj në të njëjtën kohë, në botën greke, Thucydides, në Historia e Luftës së Peleponezit (shek. V p.e.s.), e thotë në mënyrë therëse e pa zbukurime: “Të fortët bëjnë çfarë munden, të dobëtit vuajnë çfarë duhet.” Dy civilizime të ndryshme, por një e vërtetë e përbashkët: forca dhe perceptimi i saj peshojnë më shumë se çdo ideal.

Edhe pse shekujt kalojnë, logjika mbetet e pak ndryshon. Gati dy mijë vjet më vonë, Carl von Clausewitz, në veprën madhore On War (1832), e përkufizon luftën si vazhdim të politikës me mjete të tjera,  një formulim i ftohtë, por tronditës në thjeshtësinë e tij. Pikërisht kjo qartësi i dha veprës një jehonë të jashtëzakonshme, duke e kthyer në një gur themeli të mendimit strategjik global; një ide që ka kaluar përtej librave, është bërë pjesë e gjuhës së politikës dhe vazhdon të rezonojë si një ligj i pashkruar i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Më pas, në shekullin XX, përpjekja për ta shpjeguar luftën merr një formë më të ftohtë dhe më të organizuar. Kenneth Waltz, në Man, the State, and War (1959), vendos një kornizë analitike që ndan shkaqet e luftës në tre nivele: individi, shteti dhe sistemi. Një mënyrë mendimi, që i jep rend kaosit të historisë, duke e kthyer luftën nga një shpërthim emocionesh në një fenomen që mund të analizohet, krahasohet dhe, të paktën në teori, të kuptohet. Pikërisht kjo qasje strukturore i dha librit një jehonë të thellë dhe afatgjatë, duke udhëhequr për dekada studimet strategjike, një kujtesë se pas çdo konflikti qëndron jo vetëm një moment, por një sistem i tërë arsyesh që e bëjnë atë të mundur...

Gati në të njëjtën kohë, vjen Barbara Tuchman, në librin The Guns of August (1962), që tregon se si Lufta e Parë Botërore nuk ishte rezultat i një vendimi të vetëm, por i një zinxhiri vendimesh të vogla të gabuara, apo të qëllimshme, që askush nuk i ndali në kohë. Një libër, rrëfim bestseller, që fitoi Çmimin Pulitzer dhe ndikoi edhe në mendimin e në mënyrën se si liderët e Luftës së Ftohtë e kuptonin rrezikun e përshkallëzimit. Nëmënyrë ironike, për mjaft analistë dhe liderë në perëndim, situata që po kalon sot bota i përngjan, në mënyrë shqetësuese, asaj para Luftës së Parë Botërore.

Më pas, vjen goditja e John G. Stoessinger, në librin WhyNations Go to War (1974), që e kthen vështrimin nga sistemi te njeriu, duke na kujtuar me një thjeshtësi të dhimbshme se luftërat nuk lindin vetëm nga sistemet, por edhe nga gabime të vogla, por fatale të perceptimit: kombet nuk shkojnë vetë në luftë… janë liderët, që duke lexuar keq realitetin, i shtyjnë drejt saj (luftës). Ndoshta pikërisht kjo e vërtetë njerëzore i dha librit jehonë aq të madhe  duke qartësuar se përtej çdo teorie, lufta mbetet gjithnjë një histori njerëzish.

Në të njëjtën frymë, Robert Jervis, në Perception andMisperception in International Politics (1976), shpjegon se shtetet nuk reagojnë më shumë ndaj realitetit, por ndaj mënyrës si e interpretojnë atë ku një keqkuptim i vogël mund të shndërrohet në arsye për një konflikt të madh. Pikërisht kjo ide i dha librit një jehonë të qëndrueshme në studimet e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke u bërë një referencë klasike që rikujton se shpesh, lufta fillon jo nga ajo që është, por nga ajo që mendohet se është...

Në fund të shekullit XX dhe fillim të shekullit XXI, analiza bëhet më e ftohtë. John Mearsheimer, në The Tragedy of GreatPower Politics (2001), argumenton se në një botë anarkike, përgatitja për më të keqen është zgjedhja më racionale, por kur të gjithë mendojnë njësoj, tensioni kthehet në sistem. Pikërisht kjo qasje e drejtpërdrejtë i dha librit një jehonë të gjerë në studimet e sigurisë, duke e bërë një nga referencat më të diskutueshme dhe më të qëndrueshme të realizmit modern.

Christopher Clark, në The Sleepwalkers (2012), e përshkruan fillimin e Luftës së Parë Botërore si një marshim somnambulësh: liderë që ecin drejt katastrofës me sy hapur, por pa vetëdije të plotë. Një metaforë që tingëllon historike, derisa kupton sa aktuale mbetet. Nuk është rastësi që Angela Merkel e rekomandoi këtë libër në mënyrë publike, si një thirrje-kujtesë tëheshtur për rrezikun e përsëritjeve të vlerësimeve të gabuara, që fillimisht duken të arsyeshme derisa bëhen të pakthyeshme.

Atëherë, përse kombet shkojnë në luftë? – Përgjigjet janë të plota, të larmishme, të hershme dhe të kohës, por më tepër se ato, bota rend drejt alibive të luftës. Ndoshta, sepse dinë ta shpjegojnë aq mirë sa ta bëjnë të duket e nevojshme: për nder, për siguri, për paqe, arsyeja më elegante për një tragjedi. Çdo luftë nis si e fundit dhe mbaron si një premtim i pambajtur. Dhe këtu një dilemës edhe më e hidhur: Nëse i lexojnë vendimmarrësit librat për luftën, i lexojnë si shpjegime apo i përdorin si manuale? Sepse, nëse do t’i merrnin seriozisht, ndoshta do të ndaleshin, ndërkohë që historia përsëritet, ndoshta sepse besohet se këtë herë do të jetë ndryshe. E më pas: a do të mjaftojnë ndonjëherë librat për ta ndalur luftën, apo janë vetëm mënyra më elegante për ta shpjeguar pasi ka ndodhur?

Dhe për vende të vogla si Shqipëria... Për vendet e vogla, këto libra nuk janë thjesht teori të ftohta, por histori që lexohen me një ndjesi të lehtë ankthi. Sepse në rreshtat e aty ku Thucydides flet për fuqinë dhe John Mearsheimer për tragjedinë e saj, ato e gjejnë veten më shpesh në anën e atyre që duhet të përshtaten, jo të imponohen. Për to, lufta nuk është kurrë një ide abstrakte apo një debat akademik, por një rrezik real që mund të trokasë pa paralajmërim. Ndaj çdo faqe që flet për keqkuptime, si te Robert Jervis, apo për gabime njerëzore, si te John G. Stoessinger, lexohet si një alarm: sepse një gabim i madh për një fuqi të madhe mund të jetë vetëm një episod, por për një vend të vogël mund të jetë fat.

Ndryshe nga fuqitë e mëdha që e projektojnë konfliktin, të vegjlit shpesh e përjetojnë atë si gjeografi. Ata nuk zgjedhin gjithmonë vijën e frontit – shpesh e gjejnë atë duke kaluar përmes tyre. Dhe pikërisht këtu qëndron drama e tyre: të jetojnë në një botë që nuk e kontrollojnë, por që duhet ta kuptojnë më mirë se kushdo tjetër. Në fund, për vendet e vogla, këto libra nuk mësojnë si të fitohet lufta, por si të mbijetohet mes saj… dhe ndoshta, me pak fat dhe shumë mençuri, si të qëndrohet larg saj.

*Kristaq XHARO është ish-ushtarak trajnuar në WEST POINT ACADEMY, Lektor për Çështjet e Sigurisë Ndërkombëtare në UET.

 

9 Komente

  1. K
    Komentuesi modest

    Kur vendi është në luftë, thirren të varfrit dhe fëmijët e tyre për ta mbrojtur. Dhe kur lufta mbaron, thirren zyrtarët dhe bijtë e tyre për të ndarë plaçkën. (Mahmoud Darwish)___________________ Mesazhi është kritik ndaj pabarazisë shoqërore dhe hipokrizisë së pushtetit: Ata që sakrifikojnë më shumë (të varfrit) nuk janë ata që përfitojnë. Elitat shmangin rrezikun gjatë luftës, por përfitojnë pas saj.

    Përgjigjjuni
    1. B
      Bureto

      Qysh nga antikiteti e deri më sot, Xharo na sjell shume autore te cilet kane analizuar luften, dhe brenda tyre gjejme edhe mjaft citime apo perkufizime iteresante per luften. Diku kam lexuar, e thene nuk di nga cili, edhe nje perkufizim per luften, që te pakten mua më shte dukur më konçizi, njeherazi dhe më i thjeshti per ta shpjeguar atë: "Lufta, mjeti i vetëm per të pastruar nevojtoret e paqes!".

      Përgjigjjuni
      1. M
        Murgu

        Në një kuptim tjetër, lufta është përplasje e grupimeve të mëdha të njerëzve për shkak të pamundësisë të plotësimit të kërkesave gjithnjë në rritje të shoqërisë (shkaku ekonomik është themelori për shpërthimin e luftrave, prej nga rrjedh edhe politika). Drejt: lufta është vazhdim i politikës me mjete të tjera. Që në shpërnguljet e para masive të paraardhësve tanë ("indigjenë"), për shkak të mbarimit të rezervave ushqimore të gatshme në natyrë ata nisën të luftojnë për zona influence (zona me rezerva ushqimore), me grupimet më të hershme të atyre viseve, duke u zbuar përfundimisht, ose u asgjësuar njëra palë; më vonë nuk i ashjesonin, por i kthenin në një farë kapitali njerëzor: skllevër. Pra, nevoja për ekzistencë, për shkak të mosplotësimit të kërkesave: një herë frutat, një herë burimet e ujit, kafshëve etj; në fillim në grupe të vogla "fisnore", ngulimesh, fshatrash, mbretërish primitive, e me rradhë, sipas një rrjedhe historike, deri në ditët e sotme. Teoritë e tjera, se dikush ishte i çmendur, dikush kishte keqkuptuar dikë, apo se na paska parë yjet e paska realizultuar në keqkuptimin e realitetit, etj, si lëto që çojnë deri në individualitete lufte, duke harruar ndikimin politik që solli në krye këta infividualitete; këto nuk janë shkaqet, por sebepe, pse shtetet shkojnë në luftë, duke shpalosur me apo pa dashje, jo arsyet objektive dhe dialektike të luftrave në kuptimin materialist të tyre, por bëhen apologjenj të rrastësive dhe probabiliteteve të shpërthimit të tyre prej "të fuqishmëve" - të mëdhenjve, që kërkojnë ose nënështrim, ose shkatërrim të "të dobtëve" - të vegjëlve. Ndryshe, siç predikimet fetare: të bariut të mirë me delet e buta dhe dhitë e egra malit, që i mbledh duke u lëshuar qentë. Pra "të mirët" që vënë në zap "të ligjtë", dhe këta, të ligjtë, i përcaktojnë të mirët se kush janë, kur vetë të ashtuquajturit të mirë, mund të jenë të ligj dhe anasjellta. Ndaj luftrat kanë kategorizime, që përcaktojnë llojin dhe krahun e luftrave. Nga ana tjetër, është e vërtetë, që "fati" i të vegjëlve mbetet në dorë të të mëdhenjve, nga vullneti politik i tyre, por gjithsesi, shkaku i luftërave nuk është madhësia apo vogëlsira e një shteti, por politika e rrjedhur nga ekonomia; është kolonizimi për arsye ekonomike: lëndë të para, kapital njerëzor (skllevër), treg, etj. Gjithsesi, lufta është një marrëdhënje shkak-pasojë dialektike që tregon se nuk jemi shkëputur ende nga egërsia (sidomos pas ndarjes së shoqërisë në klasa, që e thelluan atë) prej nga kemi evoluar prej dhjetra mijë shekujsh.

        Përgjigjjuni
        1. B
          Bravo Xharo!

          Kisha nje perceptim krejt tjeter, per Xharon, kur shkruante, per historite e kaluara ketu, por me kete shkrim, prezantohet, si nje studius i vertete historik i shkaqeve te luftrave. Dhe do te shtoja, qe luftat, jane ne naturen e njeriut, qe kane lindur dhe vazhdojne bashke me te. Eshte ajo qe thote shkrimtarja italiane Elsa Morante: Historia, nje skandal i vjeter, sa vet bota.

          Përgjigjjuni
          1. F
            Fshatari

            Xharoja na tregoj se ka lexuar shume libra. Mire ka bere. Por ka haruar nje liber shume me rendesi pa lexuar. Ate te historise se njerezimit qe nga njeriu u shpellave e deri sot tek njeriu i internetit. Nuk eshte nje liber i vetem, por analize e gjithe librave per qeniet e gjalla e per njeiun . Ai liber na tregon se lufta eshte pjese e natyres njerezore ( ne fakt eshte pjese e gjithe qenieve te gjalla) Arsyeja ( jo justifikimi) eshte gjithmon i njejte. Sa me shume te mira materjale per individin ( kur luftojne dy vete) , familjen e tij ( kur luftojne dy familje) , krahinen e tij ( kur ka lufte mes krahinave) , kombin e tij ( lufte mes shteteve) . Per kete benin lufte kafshet para historike, per kete benin lufte njerezit e shpellave, per kete behet lufte mes qeneve, per kete behet lufte mes njerezeve me internet. Kombet e vogla jane ato qe ne histori kane humbiur lufterat dhe jane zvogluar ( jo zgjeruar) deri ne humbje si komb. Per keto shtete e vetmja forme qe mund tu jape shans te mbijetojne ne lufte eshte NEUTRALE ( te qendruarit larg luftes) deri sa te zhvillohen e fuqizohen qe te perfitojne nga lufterat.( lexoni historine 700 vjecare te Zvicres si shembull) Kombet e vogla qe kane hyre ne lufte ne krah te nje fuqie te madhe gjithmon ne fund ( me fitoren ose jo te kesaj fuqie) kane perfunduar me te dobet e me te vegjel, deri ne zhdukje. Kete histori kishin ne mendje themeluesit e pavarsise se kombit Shqiptarme 1912 kur shpallen "...nje Shqiperi me vete, te lire e te mosvarme ( a neutrale) "

            Përgjigjjuni
            1. G
              Gjergj Fishta I riu

              Kjo nuk asht lufte e re. Asht vazhdim i luftes se Dyte Boterore. Demokracia me diktaturen e majte thyen fashizmin. U perpoqen: jo bashkegzistence paqsore, jo lufte e ftohte, jo ndryshim i sistemit komunist, ato ne nje menyre apo tjeter e ruajten qellimin e teknokracise (strategjine) ne ish vendet komuniste, duke e zevendesuar klasen komuniste me intelegjencen qe kishte edukuar gjate qeverisjes me dore te hekurt. Tani popujt e boshtit, sebashku me demokracite e luftes se dyte, duhet te ndeshen me diktaturat komuniste apo teknokracite e tyre dhe te ringrene boten njerzore nje polshe (demokratike), ndryshe, ne rast se vonon (!) komunistet do kendojne kengen e diktatoreve komunist: Internacionale do jete bota e re. Pra do ta fitoi demokracia apo diktatura internacinaliste. Kjo asht çeshtja. Perplasja asht e pashmangeshme, vetem ne rast se ish diktaturat dorzohen pa lufte dhe Curçilli (çurçilli) mbetet nje strateg, i taktikes se tij ne luften e dyte dhe duhet rivlersuar per nuhatjen e tij ne thellsine e se ardhmes. Ne rast se do shkrehen armet e renda(!) ai del nje hiç, njerzimi do paguaj perkrahjen qe ai i dha Stalinit dhe instaloi diktaturat komuniste ne gjysmen e Europes. Demokracia do ta fitoi po m'varet me çlloi çmimi.

              Përgjigjjuni
              1. .
                ..

                Po ç'thua mor derdimen Fishta i leshit, autori i shkrimit thotë pse hyjnë kombet në luftë, ti thua pse hyjnë klasat në luftë. Shko një herë mëso se ç'janë kombet, shtetet, klasat, dhe përse e zhvillojmë luftën ato; pastaj mëso se ç'është "diktatura" - "demokracia", kur të mësosh se ç'është shteti, dhe se pse e zhvillojnë luftën ato, pastaj shkruaj për klasën komuniste (që nuk ka), për Çërçillin, për Stalinin, për luftën e parë, për luftën e dytë, për Trampin etj në këtë lëmi. Pse, kjo e reja a nuk të duket pak si kryqëzatat e Papëve në mesjetë?, autori thotë shkaqet, shkaqet e futjes së kombeve (jo të komunistëve, fashistëve, demokratëve, diktaturave, etj) në luftë, o lum Dom Mark Gjergj Fishta i riu. Sa klasë shkollë ke, ë? I ke nja katër? Janë çështje të thella këto, or Dom, nuk i thonë as Dhiatrat, as letrat e Fishtës, or taj. Lëri profesorët të na ndriçojnë.

                Përgjigjjuni
                1. E
                  Eno

                  Or taj po se pari veri nje emer vehtes ne vend te 2 pikave, se keshtu ne rreshta te jep pershtypjen e nje koke te madhe akademike, se dyti or taj gjithsecili ka mendimin e veht, qe jo domosdoshmerisht duhet te jete i njejte me tendin dhe qe duhet respektuar dhe se treti mbushu me fryme njehere pergjate rrjeshtave se do te kthjellohen me mire idetë per te mos shkruar nje koment te tipit BASTARD

                  Përgjigjjuni
              2. P
                Putin Hitler Putler

                Sepse kanë në krye budallenjtë!

                Përgjigjjuni

                Lini një Përgjigje