Ka një ide që tingëllon moderne, madje edhe demokratike në sipërfaqe: që çdo shqiptar, kudo që ndodhet, duhet të ketë të drejtën të votojë nga vendi ku jeton. Është një ide që ushqehet nga ndjenja e përkatësisë, nga realiteti i emigrimit masiv dhe nga dëshira për të mbajtur lidhjen me vendin e origjinës. Por demokracia nuk është vetëm çështje ndjenjash. Ajo është, mbi të gjitha, një arkitekturë përgjegjësie.
Në këtë kuptim, çështja nuk është nëse diaspora duhet të ketë të drejtë vote. Ajo e ka, dhe askush nuk e vë në dyshim këtë. Pyetja reale është se ku dhe si duhet të ushtrohet kjo e drejtë, në mënyrë që të mos dëmtojë vetë parimet mbi të cilat mbështetet demokracia.
Vota nuk është thjesht një shprehje vullneti individual. Ajo është një mekanizëm që lidh vendimmarrjen me pasojat. Qytetarët votojnë për qeveri që më pas vendosin për taksat, shërbimet publike, arsimin, shëndetësinë dhe rendin juridik etj. Votuesit janë pikërisht ata që jetojnë çdo ditë me këto vendime. Kjo është kontrata e pashkruar e demokracisë: pjesëmarrje në këmbim të përgjegjësisë.
Kur kjo lidhje dobësohet, sistemi është deformuar.
Një qytetar që jeton prej vitesh jashtë Shqipërisë, qoftë në Detroit, Milano apo Londër, nuk përballet me të njëjtat realitete që përjeton një qytetar në Tiranë apo në Kukës. Ai nuk përdor spitalet publike shqiptare, nuk varet nga infrastruktura e brendshme, nuk paguan taksa dhe nuk ndikohet drejtpërdrejt nga politikat që prodhon vota e tij. Megjithatë, nëse voton nga jashtë, ai merr pjesë në përcaktimin e këtyre politikave.
Kjo krijon një problem që nuk është vetëm teorik. Është një pabarazi midis atyre që vendosin dhe atyre që mbajnë pasojën e vendimeve.
Ky problem bëhet edhe më i dukshëm kur shihet përmes përvojave personale që shumë familje shqiptare i njohin mirë. Ka një brez të tërë fëmijësh që kanë lindur në Shqipëri, por janë larguar prej saj në moshë shumë të vogël. Për ta, Shqipëria nuk është një realitet i përditshëm, por një kujtim i zbehtë ose një ide e trashëguar: vendi i gjyshërve, i pushimeve verore, i rrëfimeve familjare. Edhe më tej, ka fëmijë që lindin jashtë, nga prindër shqiptarë, regjistrohen në gjendjen civile të Shqipërisë dhe mbajnë shtetësinë shqiptare pa e përjetuar kurrë realisht jetën në atë vend.
A duhet që këta qytetarë, të cilët nuk kanë një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me sistemin ekonomik, juridik dhe social të Shqipërisë, të kenë të njëjtën peshë vendimmarrëse si një qytetar që jeton çdo ditë me pasojat e politikave publike? Kjo nuk është një pyetje emocionale; është një pyetje thelbësisht politike dhe etike.
Mbrojtësit e votës së diasporës nga jashtë shpesh sjellin si shembull Shtetet e Bashkuara, ku qytetarët mund të votojnë nga kudo në botë. Por ky krahasim bëhet pa analizuar kontekstin e plotë. Qytetarët amerikanë, pavarësisht se ku jetojnë, janë të detyruar të raportojnë të ardhurat e tyre në Internal Revenue Service dhe në shumë raste të paguajnë taksa federale. Pra, ekziston një lidhje e vazhdueshme juridike dhe fiskale me shtetin. Vota e tyre nuk është e shkëputur nga përgjegjësia; ajo është e lidhur me një sistem që i konsideron ende pjesë aktive të kontratës shtetërore. Gjithashtu, amerikanët që votojnë jashtë vendit shpesh e bëjnë këtë përmes mekanizmave të kontrolluar institucionalisht, si votimi në ambasada apo përmes sistemeve të verifikuara të dërgimit të votës, që kufizojnë ndjeshëm mundësitë për manipulim dhe abuzim.
Në rastin shqiptar, kjo lidhje është shumë më e dobët ose inekzistente për shumicën e diasporës. Nuk ka një detyrim të përgjithshëm për raportim global të të ardhurave, nuk ka një sistem të plotë të integrimit fiskal dhe shpesh mungon edhe një ndërveprim i rregullt me institucionet shqiptare. Transplantimi mekanik i modelit amerikan në këtë rast nuk është argument.
Shembuj të tjerë ndërkombëtarë tregojnë pikërisht këtë kujdes. Disa vende europiane vendosin kufizime kohore për votën nga jashtë, duke e lidhur atë me kohëzgjatjen e qëndrimit jashtë vendit. Të tjera krijojnë zona të veçanta përfaqësimi për diasporën, në mënyrë që ndikimi i saj të jetë i strukturuar dhe proporcional. Këto modele nuk synojnë përjashtimin, por ruajtjen e ekuilibrit demokratik.
Është edhe një aspekt tjetër, më pak i diskutuar por po aq i rëndësishëm: cilësia e vendimmarrjes. Demokracia funksionon më mirë kur votuesit janë të informuar dhe të përfshirë. Një qytetar që jeton në Shqipëri ka akses të drejtpërdrejtë në realitetin politik dhe social. Ai sheh, përjeton dhe reagon në kohë reale. Një qytetar jashtë vendit shpesh mbështetet në një përzierje lajmesh, perceptimesh të ndërmjetësuara dhe kujtimesh të së shkuarës.
Distanca krijon një filtër. Dhe kur vendimmarrja kalon përmes këtij filtri, rreziku i keqkuptimit të realitetit rritet. Nostalgjia zëvendëson analizën.
Në planin politik, rreziku bëhet edhe më konkret. Vota e diasporës nga jashtë mund të shndërrohet në një objektiv të lehtë për mobilizim emocional dhe manipulim elektoral. Pa një prani fizike dhe pa një verifikim të fortë të kushteve të votimit, procesi bëhet formal. Përvoja e zgjedhjeve të kaluara ka treguar se votimi në distancë, sidomos përmes postës, shoqërohet me probleme serioze: vonesa në shpërndarje, humbje ose mosmbërritje të zarfeve, pasiguri në identifikimin e votuesit dhe mungesë transparence në zinxhirin e dorëzimit. Më shqetësuese është hapësira që krijohet për fenomenin e votimit familjar apo kolektiv, ku një individ mund të plotësojë dhe të dërgojë disa fletë votimi për anëtarë të tjerë të familjes, duke cenuar drejtpërdrejt parimin e votës së lirë dhe individuale. Është ironike ta krahasosh këtë lloj votimi me atë që bëhet në Shqipëri, ku çdo votuesi i ngjyhet gishti me bojë që të mos votojë dy herë.
Një aspekt tjetër problematik është shtrirja e veprimtarisë së partive politike shqiptare në diasporë. Në shumë raste, kjo veprimtari nuk kufizohet në organizim komunitar apo informim, por shndërrohet në eksport të drejtpërdrejtë të konflikteve, ndasive dhe retorikave përçarëse të politikës së brendshme. Në vend që diaspora të mbetet një hapësirë bashkimi dhe identiteti të përbashkët, ajo fragmentohet sipas vijave partiake të importuara nga Shqipëria. Madje, në disa raste, aktivitetet politike të partive shqiptare në vende të huaja bien ndesh me legjislacionin vendas, i cili kufizon ose rregullon ndërhyrjen e subjekteve të huaja në jetën politike lokale. Kjo krijon jo vetëm tensione brenda komuniteteve shqiptare, por edhe probleme juridike në raport me shtetet pritëse.
Për mendimin tim, zgjidhja për votën e diasporës është e qartë. Ajo është vendosja e një standardi të drejtë: nëse diaspora dëshiron të marrë pjesë në zgjedhje, ajo duhet ta bëjë këtë në Shqipëri. Ky nuk është një kufizim; është një kërkesë që rikthen lidhjen midis votës dhe realitetit. Është një mënyrë për të siguruar që vendimmarrja të bëhet nga ata që janë të gatshëm të angazhohen konkretisht, jo vetëm simbolikisht.
Sigurisht, ka përjashtime të arsyeshme. Një student që ndodhet përkohësisht jashtë vendit, një diplomat në shërbim apo një qytetar që për arsye objektive nuk mund të udhëtojë, nuk duhet të humbasë të drejtën e votës. Por këto janë përjashtime që konfirmojnë rregullin, jo argumente për ta përmbysur atë.
Ka edhe modele alternative që mund të eksplorohen siç është përfaqësimi i dedikuar për diasporën, ose forma të kufizuara votimi për ata që ruajnë lidhje të forta ekonomike dhe ligjore me vendin. Por ideja që çdo qytetar jashtë territorit duhet të votojë pa asnjë kufizim, sikur të ishte fizikisht i pranishëm në Shqipëri, nuk është një zgjerim i demokracisë; është një riformatim i saj pa reflektuar mbi pasojat.
Në fund të fundit, demokracia nuk është vetëm përfshirje mekanike. Është një ekuilibër midis përfshirjes dhe përgjegjësisë, midis të drejtave dhe pasojave. Shqipëria, si çdo demokraci tjetër, duhet ta ruajë këtë ekuilibër me kujdes.
Diaspora shqiptare është një pasuri e çmuar. Ajo ka ndihmuar vendin në momente vendimtare dhe vazhdon ta bëjë këtë. Por pikërisht sepse roli i saj është kaq i rëndësishëm, mënyra se si ajo përfshihet në procesin politik duhet të jetë e menduar mirë.
Të votosh për një vend do të thotë të marrësh pjesë në jetën e tij reale, jo vetëm në kujtesën apo në shpresën për të. Dhe kjo kërkon më shumë se një fletë votimi; kërkon praninë, përballjen dhe përgjegjësinë që vetëm territori mund ta imponojë.
Vetem nje pergjegjesi is Diaspora, te na heqe qafe dhe te mos mbijne me keto horra!
Jorgo, nuk shkulet kollaj bari i keq. Shqipëria me ta është gjithmonë shtatzenë.
Kundër argument( thjesht për diskutim, pasi jam dakort në ato çfarë thua). Ke shprehur mendimin se një emigrant shpesh herë nuk përballet me realitetin dhe realitetin e " merr" ndërmjet mediave ose nga 10-15 ditë që vjen këtu. Shumë i saktë pretendimi por; a thua se ne që jemi këtu e shprehim votën sipas realitetit?! A del Zaloshnja në çdo zgjedhje apo sondazh dhe na thotë që 75% të votuesve as ndërrojë parti e as mendje. E vetmja mënyrë që e zgjidh mishmashin politik dhe atë zgjedhor është: - Programi qeverisës prezantohet të paktën tre muaj para zgjedhjeve. - Çohet në gjykatë për vulë ( thjesht që kemi të drejtën e revokimit të mandatit qeveritar e jo për ndonjë "aprovim" gjyqësor ) - Nuk mund të ndryshojë në asnjë rresht. - Ndryshimi i programit çon direkt në revokim mandati qeverisës. Vetëm kjo metodë e zgjidh problemin dhe e bën votuesin me " intelektual" si dhe e vë përpara përgjegjësive inviduale dhe shoqërore. Gjithashtu dhe që është më e rëndësishme se " intelektualiteti i zgjedhësit", kjo mënyrë i bën partitë që kërkojnë pushtetin të jenë njëmijë herë më të kujdesshme dhe shumë e shumë më demokratike në përbërjen e tyre të brendshme. Kaq e thjeshtë është...haaaa
Parashtrim i drejtë e i logjikshëm.
Dakort. Më përpara ne televizion kam degjuar nje idè qe per mua eshte e drejte, qe diaspora te votoje per Disa Vende në Kuvend , p.sh nqs kuvendi i shqiperis ka 80-100 perfaqesues(qe mjaftojne per 1.4 miljon) , disa perfaqesues te jenë per diasporën, sa perfaqesus? Kete nuk di ta them
Z. Gëllçi, problemet e trajtuara qëndrojnë...... Por më vjen keq që ju nuk keni konceptin kush quhet DIASPORË...... Dhe po ta kishe këtë koncept nuk do të përdorje termin Vota e Diasporës por ashtu siç e ka ligji......... Vota e shtetasve shqiptarë me banim jashtë vendit........ Djali im është 35 vjeç.... Jeton e punon në Gjermani... Sipas ligjit të mëparshëm gjerman, ai mori shtetësinë gjermane dhe la atë shqiptare. Pra është shtetas gjerman. Nuk është shtetas shqiptar...... A është ai diasporë?..... Sigurisht që është... Por atij nuk i lejohet të votojë në Shqipëri, pikërisht se nuk e ka shtetësinë shqiptare.... Po shqiptarët e Amerikës dhe vendeve të tjera të larguar kushedi që kur, kanë shtetësinë e vendit ku jetojnë dhe nuk e kanë atë shqiptare , a janë diasporë? A mund të votojnë ata nëse dëshirojnë?...... Ja pra që termi Vota e Diasporës nuk duhet të përdoret. Mund të thuhet vota e emigrantëve. Por jo Diasporë..... Ose siç e ka ligji..... VOTIMI I SHTETASVE SHQIPTARË ME BANIM JASHTË VENDIT.
Shumë e drejtë! Sipas ligjit diaspora nuk voton. Votojnë emigrantët.
Shkrim i drejte, diaspores duhet ti vendosen kuota per deputet. Duke jetu ne Amerike e njohur Shqiperine nga FB nuk mund te jesh realist. Plus percarje e panevojshme per diasporen kur te gjithe ja kane dalur me sakrifica. Voten e diaspores nuk mund ta blesh por mund ta manipulosh me propagande.
Shkrim plotësisht i argmuentur.
Kur thuhet diaspor,behet fjale per gjithe shqiptaret e larguar ne shekuj.Fjala,arbereshet,arvanitet apo te tjere qe krenohen me prejardhien e tyre ,quhen diaspore.Por,askush nga ata nuk ka te drejte vote.Edhe shqiptaret e emigruar pas 1990-tes qe kane lene shtetesin shqiptare (sipas kushteve ku jetojne) nuk kane te drejte vote.Te drejte vote kane dhe duhet te kene te gjithe emigrantet qe jane larguar ne keto vite (pas 1990-tes).Per ata ,shteti Shqiptar duhet ti evidentoj ku jetojne dhe te krijoi kushte te favorshme qe ata mund te votojne.Keta emigrante nuk quhen diaspore por shtetas te Shqiperise.Eshte detyre e shtetit qe te afroj sa me shume shqiptaret emigrante,sidomos femijet e lindur jashte Shqiperise,per njohje e saj dhe mundesit qe krijon.
Shkrimi nuk paraqet vetëm një rast, që Diaspora të ketë përfaqsuesin e vet në Kuvend, sikurse po përpiqen t’a bëjnë disa persona për llogari të tyre. Të larguarit mund të votojnë vetëm partitë që janë në Shqipëri, të cilët janë të mjaftueshëm, madje me tepricë. Arsyeja është se Diaspora nuk është e organizuar dhe mendimet janë të ndryshme, e cila e bën të pamundur që të ketë përfaqsuesin e vet në Kuvend. Cilido që pretendon që do të përfaqsojë Diasporën, e bën për qëllime personale karrieriste dhe nuk duhet lejuar.
CIla diaspore? Ka diaspore qe ka mare neneshtesi te huaj ( domethene eshte betuar te mbroj interesat e vendit qe i ka dhene nenshtetesine) . Ka diaspore qe eshte jashte Shqiperise perkohesisht ( studente, pune me kontract, leje qendrimi te perkoheshme) dhe qe mendon te kthehet ne Shqiperi. Nese behet fjale per te paren do te thote se Shqiperia do te vendose fatet e saj nga njerez qe nuk jane Shqiptare ( deri sa jane betuar te mos mbrojne interesat e SHqiperise por te nje vendi te huaj) Nese behet fjale per te dytet, sa jane ata dhe sa vlere ka votimi i tyre? Shqiperine nuk e bejne te huajt ( diaspore apo jo) Shqiperine e bejne Shqiptaret ne Shqiperi. Ne fshataret duhet te mesohemi te mos votojme kur nuk kemi per ke te votojme. Ne fshataret po e vrasim Shqiperine me voten per ate me te keqe me vogel. Saliu eshte i keq por Edi eshte me keq apo Edi eshte i keq po Saliu me i keq dhe votojmeper te keqen me te vogel Nese jane te keqinj atehere MOS VOTONI. Mos vota jone na jep ne te drejte te ankohomi/protestojme dhe i jep nje te treti shprese se ne mund ta votojme ate (dhe jo Edin e Saliun apo Meremen), nese ai/ajo eshte jo i/e keq/e.
Edhe un mendoj qe vota jone si emigrant te mos jete percaktuesep Le te jete onorifike si e ka italia per mergaten e vete ne amerik argjentin Per shembul itali e greqi te zgjedhin ta zem nga dy dhe te tjeret nga nji Kurse ne shqiperi te zgjedhin pjesen dermuese