Përtej 'të keqes më të vogël', pse sistemi politik ka hyrë në rrugë pa krye?

1 Mars 2026, 11:00Blog Nga Alban Daci

​Në teatrin politik shqiptar, akti i fundit po zgjatet pafundësisht në një agoni që po thith çdo grimcë shprese për ndryshim real. Prej dekadash, skena dominohet nga dy aktorë që, ndonëse bërtasin me skëndërbeizëm kundër njëri-tjetrit, luajnë në fakt sipas të njëjtit skenar të vjetër të rrotacionit të pushtetit dhe ruajtjes së privilegjeve.

Por, po sikur zgjidhja të mos ishte ndërrimi i radhës i këtyre aktorëve, por rishikimi i të gjithë sistemit? Paradoksi i madh i lirisë sonë sot mund të jetë pikërisht ky: Shqipëria do të ishte më reale në kërkesat e saj nëse nuk do të kishte fare një opozitë formale, sesa të lëngojë nën një imazh ku të dyja palët perceptohen si dy anët e të njëjtës monedhë.

​Sot, opozita shpesh nuk shihet si një alternativë, por si një element që, dashje pa dashje, shërben si mburojë për pushtetin. Ajo është "gogoli" i përshtatshëm që qeveria e përdor sa herë i duhet të trembë të pavendosurit me makthin e të shkuarës apo me figurat e ricikluara.

Duke mbajtur peng hapësirën e kundërshtimit, partitë aktuale shërbejnë si një valvul shkarkimi që e kanalizon zemërimin organik qytetar drejt betejave sterile për vula e stema. Ky dualitet e ka vendosur shqiptarin para një ultimatumi poshtërues: të zgjedhë gjithmonë "të keqen më të vogël", duke e vrarë kështu në embrion çdo projekt për një të mirë të përbashkët.

​Nëse ky model opozitarizmi do të pushonte së ekzistuari dhe skena do të mbetet bosh, do të ndodhte diçka transformuese: qeverisja do të mbetej e vetme, sy më sy me qytetarin e thjeshtë. Pa një "armik" tradicional për t'ia faturuar dështimet dhe pa "ndërmjetës" politikë që menaxhojnë pakënaqësinë, përgjegjësia do të bëhej e pashmangshme. Kur nuk ka më një seli partie pas së cilës mund të fshihet debati, pushteti e humbet alibinë e tij kryesore. Në atë vakum politik, reagimi nuk do të ishte më një marshim me regji qendrore, por një presion qytetar që buron nga nevoja dhe dinjiteti i mjekut, studentit apo tregtarit që nuk pranon më të jetë tifoz i një karrigeje, por aksioner i shtetit të tij.

​Rishikimi i strukturave aktuale nuk duhet parë si fitore e një pale, por si një proces pastrimi, një Tabula Rasa që do të detyronte shoqërinë të lindte lëvizje të reja e organike. Nuk bëhet fjalë për të kërkuar monizëm, por për të thyer simbiozën ku pozita dhe opozita ushqejnë njëra-tjetrën në kurriz të një populli të lodhur. Realiteti është i thjeshtë: asgjë e re nuk mund të mbijë aty ku hapësira është zënë nga modelet e vjetra që nuk prodhojnë më shpresë.

​Vetëm kur të mos ketë më një "të keqe më të vogël" ku të mbështetet si patericë, qytetari shqiptar do të gjejë më në fund forcën për të kërkuar llogari ndaj sistemit. Mundësia e një ndryshimi real nuk fillon te rotacioni i radhës, por te refuzimi i një modeli që e mban peng vendin në emër të një opozitarizmi fasadë.

4 Komente

  1. G
    Gērmuçi Berisha

    Ishte akti fundit qē do kryente Berisha me vilēn pasi e priste makina tijē menjēher pas arritjes sē qēllimit.

    Përgjigjjuni
    1. D
      Dy lindor islamo-komunist.

      Ed Ram Turk hajdut Erdogani dhe Saliu Gerdeci, me njerzit e tyrë janë kancer për Shqiprinë... Sepse janë islamo komunista lindor, me mentaliteti primitiv barabar, hajdutesh, sundimtaresh dhe kaqë.

      Përgjigjjuni
    2. O
      Oficeri dulles

      Ju kam thene disa here ne komente,kjo eshte nje opposite artificial e Ramiz Alise.PD te dali jashte ligjit si terroriste dhe Ben vaki qe ata te kotecave te pulave mund qe te krijojne nje parti natyrale dhe opozite e vertete

      Përgjigjjuni
      1. H
        Haka Tekizoti

        Më në fund Daci ka kuptuar diçka, se deri dje mbronte këtë opozitën që sot e quan formale. Por, zgjidhja që propozon është thjesht një fantazi me gjasa të pamundshme, prandaj, më mirë le të bëjë një tërheqje të vogël pas dhe të bëjë thirrje në oborrin e SHQUP-it, të çlirohen nga haletë e vjetra, të gjejnë ndonjë idealist që do vendin për të dashur veten pa hile përpara atyre që do t'i besojnë e do ta ndjekin për përmbushjen e misionit.

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje