Post mortum: Fatos Nano nuk është një ish  

1 Nëntor 2025, 10:10Blog TEMA
Post mortum: Fatos Nano nuk është një ish   

Nga Luan Rama

Nuk qe e vështirë ta shquaje ndër të tjerët që Fatos Nano ishte ndryshe. 

U përpoq t’i imponohej kohës së vet, duke ofruar modelin e politikanit kurajoz e largpamës, edhe pse jo gjithmonë ia doli. 

Mbase qe i vetmi politikan i kohës së përmbysjes, kur të tjerët që u përfshinë në politikë, improvizuan duke e mësuar atë përgjatë rrugës.

Sfidant, por edhe i bindur që kishte zgjedhur të bënte më të vështirën, Fatos Nano mori përgjegjësi kur shumë të tjerë që u ftuan para tij nuk guxuan dhe kur të gjithë donin të largoheshin sa më shpejt nga pushteti.

Ai zgjodhi të jetë në krye jo për karrierizëm, po për qytetari.

Në atë kapërcyell epokash, kur gjithçka që ofrohej ishte zymtësi pa asnjë grimë horizont, Fatos Nano e shpëtoi të majtën, sepse diti të ndërtojë ekipin e besimit dhe ta shndërrojë besimin në shpresë. 

Është e pabesueshme se si ia doli të mbajë gati 80 mijë nga anëtarësia e PPSH, duke i motivuar në rrugën e re të ndryshimit, ndërkohë që ishte rreziku që shumësia e tyre t’i kundërviheshin, madje ta shpallnin edhe tradhëtar.

Në krye e bashkë me një grup intelektualësh, nga më të zotët e vendit në profesionet e tyre, ai e shpëtoi të majtën shqiptare, duke instaluar për herë të parë dy mekanizma të vetëdemokratizimit të partisë: fraksionet dhe dorëheqjen.

Fatos Nano qeverisi me parti. Për fat të keq, nuk u ndoq si model dhe ndodhi që Shqipëria pas tij gjithnjë e më shumë të qeverisej me klane dhe kasta të qarkullueshme.

Ai bëri "aleancë" me publikun dhe shpartalloi vendimet e mbyllura në parti, duke e kthyer debatin në metodë.

Ndryshimin dhe modernizimin e partisë dhe jetësimin e demokracisë brenda saj, Fatos Nano e shihte si kushtin e parë të rëndësishëm për ndryshimin dhe modernizimin e shoqërisë shqiptare dhe për qeverisjen demokratike të vendit. 

Kredoja e tij politike ishte gjithëpërfshirja, ndërsa motoja e qeverisjes ishte: “të lëshojmë pushtet, për të bërë shtet”.

Pa Fatos Nanon, Partia Socialiste nuk do të mund të bëhej ajo që u bë.

Ai këmbënguli dhe nguliti protokollin e shtetit, të nëpërkëmbur përgjatë viteve të përmbysjes; ktheu sjelljen shtetërore në zyrat e përfaqësimit. 

Ideoi dhe u çeli udhë reformave të mëdha dhe e shtyu ekonominë e vendit në hullitë e tregut të lirë, duke këmbëngulur në respektimin e rregullave dhe parimeve të konkurencës dhe të transparencës.

Ngriti në kult respektin per vlerat e eurosocializmit duke perdorur dijen e fituar dhe te vetëfituar. 

Rrezikoi me të gjitha mjetet e dijes: edhe me ironinë, sarkazmën e qesendisjen, por gjithnjë larg banalitetit, me elegancën dhe finesën e një intelektuali të rendit të parë.

Fatos Nano ishte unik. 

Dhe i tillë mbetet. Nuk pati e as ka të ngjashëm. Askush nuk e mbërriti dhe as e tejkaloi dot më pas standardin që ai vendosi. 

Ai është si ata rekordmenët e mëdhej në garat e atletikës, rekordet e të cilëve edhe pse kanë kaluar disa dekada, nuk i ka thyer dot askush.

Prandaj Fatos Nano nuk është një “ish”. 

Për të asnjëherë nuk u tha ish-kryetari i Partisë Socialiste, edhe pse pas tij erdhi një kryetar tjetër në krye të saj. 

Ai qe gjithmonë dhe gjithmonë do të mbetet Kryetari Historik i Partisë Socialiste.

Lamtumirë KRYETAR i dashur!

(Në foto: në një nga seancat e gjyqit politik kundër F. Nanos, mars 1994).

6 Komente

  1. M
    Martini

    Por, Edi Rama po e mban PS 16 vjete ne pushtet.

    Përgjigjjuni
    1. a
      anti25642654censurë

      po dhe putini,e noriega,shumë më gjatë se naltgjatësia e tij!!martin,a thua tua kalojë këtyre të dyve naltmadhnia ynë??

      Përgjigjjuni
    2. N
      Na ktheu dy herë Berishën në pushtet!

      Po mor Luan po. Por na e ktheu dy herë Berishën në pushtet. Në vitin 1991 kur Partia Socialiste fitoi të parat zgjedhje pluraliste në vend, ai tha:"Prapë për ne po votojnë këta budallenj"! Dhe më 2005 ia dorëzoi përsëri pushtetin Berishës me shpresën se do bëhej president. Ishte me kulturë dhe vizion, por kishte edhe shumë vese të ndyra. Llogarit: më 1997-tën populli ishte duke e vrarë Sali Berishën, ai e shpëtoi. Korrupsioni i tij ishte aq marramendës sa që ua solli njerëzve në maj të hundës dhe ata risollën në pushtet atë që e kishin dëbuar me armë! Aq sa e gjithë bota u çudit. Kështu mor Luan!

      Përgjigjjuni
      1. M
        Moshatar me FAtosin

        Luan ti ishe një nga ata që e tradhëtuan Fatos Nanon për pushtet. Nuk flas për Ilir Metën që sot do të ishte i nderuar në PS. E di pse arritët këtu ju? Sepse keq më vjen ta them po të gjithë ratë në kurthin e ngritur nga truri i Monikës, ajo donte të ishte mbi të gjithë, edhe mbi Ilirin e pranonte me gojën e saj. Ti Iliri, Monika etj ishit brezi që ju hyri vetja në qejf dhe e kishit mendjen te pasuria. Ju nuk i afroheshit dot Fatosit, ai ishte rritur mirë, kurse ju në skamje… Ti ishe student e vidhje shokët, Monika po ashtu kurse Iliri ishte mendjemadh i lindur dhe mendonte se vetëm ai dinte. Ju fshatarët megjithse u bëte me pasuri vezën e Fatos Nanos nuk e bëtë dot, ngel fshatarë.

        Përgjigjjuni
        1. B
          Bureto

          Pas Sa-leh Berishës ky duhet të ishte i dyti që do duhej të mos fliste sot për Nanon. Jo pse Luan Rama iku prej tij dhe iu bashkua Ilir Metajt, i cili me fraksionin LSI që doli nga PS, u bë një nga shkaqet se pse pas vitit të zi 1997, rierdhi në pushtet "fatkeqësia kombëtare", por sepse më e pakta ky shkrim bie erë hipokrizi.

          Përgjigjjuni
          1. a
            anti25642654censurë

            kot nuk i thonë,"kur të qan ai që të ka futur thikën pas shpine!?është për VK!"!tosi pati budallallëqet e tij,por në krahasim me këta brrashnjarë!?mund ta bëjmë shënjtor sot!!deri më sot ka qënë i vetmi që i ka treguar shqiptarëve se mund të pranosh dhe humbjen dhe të luftosh për një fitore të ardhëshme!!kush e ka pranuar humbjen përveç tij??

            Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje