Posterat e Këlliçit: "Dy duar për një kokë!"

4 Maj 2023, 09:00Blog Nga Fatos Hoxha

Posterat e Këlliçit: "Dy duar për një

I keni parë posterat e Belind Këlliçit?

E keni kuptuar mesazhin?

Belo në këto zgjedhje na kërkon që të votojmë për duart e tij, sepse në këto zgjedhje ai vetëm duart ka. Kokën nuk e ka të tijën.

Koka është e Berishës.

Në këto zgjedhje, po votuat për duart e Belindit, duart e tij do merrni. Duart e tij dhe kokën e Sali Berishës.

Unë e quaj të sinqertë mesazhin elektoral të Belindit. Zbulues.

Ai vlen jo vetëm për Belindin, por vlen për të gjithë kandidatët e Foltores.

Në këto zgjedhje Foltorja nuk konkurron për fitore. Përndryshe votën e këshillit nuk ia falte Ilir Metës.

Të ndash votën e mbështetësve, t’u bësh thirrje atyre që të votojnë parti të tjera do të thotë të çorodisësh mbështetësit, t’i largosh nga ngjyrat e tua tradicionale, t’i ftosh drejt pazareve, t’i mërzitësh, t’i zhgënjesh, t’i detyrosh të braktisin procesin, do të thotë t’i hapësh rrugën humbjes.

Ata që njohin historinë e zgjedhjeve, analistët, e kuptojnë këtë që po them. Sali Berisha e di këtë që po them.

Të përçash partinë, t’a sulmosh atë në çdo hap, të denigrosh dhe kompleksosh lidershipin, të mbyllësh rrugët e bashkëpunimit dhe të besh aleancë me kundërshtarin tradicional, të shpifësh e pështysh vrer për eksponentët e partisë, kandidatët, bashkëpunëtorët e mbështetësit e tyre, të trajtosh si armiq e të shitur pjesëtarët e familjes politike, ndërkohë që puthesh në buzë me eksponentët më në zë të krimit e të korrupsionit, të mallkosh e të përbuzësh çdo vlerë e ideal që i përket grupit do të thotë të ngjallësh tek grupi dëshpërim, panik, e pafuqi, do të thotë të largosh demokratët nga procesi, do të thotë t’i hapësh rrugën humbjes.

 


Sali Berisha nuk kërkon të fitojë zgjedhjet, sepse e di se ky është mision i pamundur. Atij i duhen 4, 5 apo 8 karakolle që t’i përdorë në “luftën” e tij kundër Superfuqisë.

I duhen karakollet edhe për t’u mbrojtur nga sulmi i Drejtësisë.

Ai as nuk e fsheh objektivin për këto zgjedhje.

Ai i ka zgjedhur vetë kandidatët e Foltores të tillë, komandantë karakolli.

Nuk ka zgjedhur burra e gra me mbeshtetje e reputacion, profesionistë të zot a qytetarë shembullorë, njerëz të ndershëm e që ngjallin besim, personalitete me vizion e autoritet.

Ka zgjedhur badigardë, që vlerën e vetme kanë besnikërinë e verbër ndaj tij, njerëz besnik ose të lidhur me fije të padukshme pengu me familjen e tij, ose me ushtarët e familjes në botën e nëndheshme.

Ka zgjedhur duar, por që s’kanë kokë.

Berisha po u kërkon demokratëve në këto zgjedhje të mos votojnë PD, të mos votojnë kandidatët e saj.

Ai po u kërkon demokratëve votën për duart e Belindit dhe shokëve të tij, që pastaj ata të mbrojnë kokën e Berishës.

Unë besoj se demokratët e kanë më kollaj të votojnë në këto zgjedhje me duart e veta për të mbrojtur kokën e vet.

Rruga më e sigurtë është që të votojnë PD dhe kandidatët e saj, sepse aty kanë investimin e vet politik.

Investimi i vet politik është koka që duhet të mbrojnë.

2 Komente

  1. U
    Ushtari.

    O Belo jo duart te ngresh ti por edhe kemmbet e ke te humbur davane.Belo ka nje shprehje popullore "nuk lahet muti ne shurre " ose " cte mbjellesh do korresh " Erdhi koha e te korrurave pir as kashten ske per te mare se edhe ajo vlen per dicka tjeter. Belo ne dt 15 maj gjej ndonje vend nga PL se tek Berisha ti nuk puth me.Mbaje parasysh kete sugjerim per te miren tende e kam do me kujtosh me dt 15.

    Përgjigjjuni
    1. P
      Per komentuesit e zellshem dhe te paduruar.

      Rrofte FOLTORJA dhe ZAGARET !

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje