Pse demokracia në vetvete nuk ka rezultuar zgjidhje? 

12 Gusht 2025, 15:29Blog TEMA
Pse demokracia në vetvete nuk ka rezultuar zgjidhje? 

Nga Adrian Thano

Burrit në videon që shoqëron këtë shënim (video është marrë nga rrjetet sociale), 34 vjet më parë i thanë se liria është e shenjtë. I premtuan se nëse hiqte dorë nga diktatori, nga hekurat e sistemit autoritar, do shijonte demokracinë, begatinë, dinjitetin njerëzor.

I dhanë një çelës pa derë. Një premtim pa përmbajtje. Tri dekada e gjysëm pas rrëzimit të regjimit komunist, vendi i tij akoma endet në paradhomën e Europës si një fëmijë i padëshiruar.

Sepse demokracia në vetvete nuk është zgjidhje. Është vetëm një mjet. E varur nga kultura, nga shkalla e emancipimit, nga niveli i drejtësisë dhe institucioneve. Pa këto demokracia bëhet një mashtrim i bukur për të legalizuar vjedhjen dhe zhvatjen.

Popujve u hiqet diktatori që të bien në prehrin e një elite tinzare rrufjanësh, që nuk i shtyp me tanke, por i shkatërron me emigrim, me cinizëm, me zhgënjim, me përjashtim. Nëse disa shoqëri nuk janë gati për të qenë të lira – jo sepse nuk e duan lirinë, por sepse nuk kanë ende strukturat për ta përballuar atë – çfarë është më shumë krim: T’u imponosh një demokraci të rreme, apo një diktaturë të keqe?

Ndoshta, ndoshta, ka ardhur koha të mos flasim më fare për “demokraci apo diktaturë”, dy fjalët që i dashurojnë kaq fort marifetçinjtë tanë të llogoreve. Le të flasim për dinjitet njerëzor, barazi reale dhe rend të drejtë. Pa to, çdo sistem, çfarëdo emri t’i vendosim, është farsë.

Paradoksi më therrës i “lirisë” së sotme është se të thonë: fol lirshëm. Por pasojat vijnë në mënyrë të heshtur, të padukshme, tinzare, nga një rrjet “jo i diktaturës”, por po aq efektiv, i ndëshkimit dhe izolimit.

Në diktaturë e dije: ka gjëra që nuk duhen thënë. Ishte shkruar, ishte ligj. E quanim censurë. Ishte e dhunshme, por e drejtpërdrejtë. Kufijtë ishin të dukshëm. Sot kufijtë janë të padukshëm, të rrëshqitshëm, të vendosur nga një sistem ku kontrolli vjen përmes varësisë ekonomike, klientelizmit, opinionit publik të komanduar dhe frikës për të mbetur vetëm.

Diktatura të ndëshkonte, por nuk të gënjente. A nuk është më e ndershme të dish kufijtë dhe t’i sfidosh me guxim, sesa të të gënjejnë me “liri”?

Ja një pyetje e thjeshtë: Përse asnjë deputet nuk guxon sot të kritikojë kryetarin e partisë edhe kur ky vret dhe mburret me vrasjen? Kur nuk e bën dot ky kapedani me rrogë të lartë dhe status të lartë publik, si do e bëjë një i papunë? Një punonjës i administratës që jeton me frikën e një firme largimi? Një gazetar pa kontratë? Një aktivist pa mbështetje?

Kur një “parlament i popullit” nuk ka kurajon të vrasë autokracinë në qeverisje si mund t’i kërkojë popullit të mos votojë një vrasës? Një opozitë që nuk ka kurajon të vrasë autokracinë brenda vetes si mund t’i kërkojë popullit të vrasë diktaturën që ka mbi supe?

Kur flet me koqe arrash në gojë “elita politike” që i ka të gjitha, si mund t’i kërkohet popullit të mos ketë frikë? Kur shet shpirtin dhe dinjitetin “elita e parasë” që i ka të gjitha, si mund t’i kërkohet fukarait të mos shesë votën?

Në këtë klimë, censura nuk ka më nevojë për ligje: njerëzit vetë-mbyllen. Vetë-shurdhohen. Vetë-fshihen. Shpërblimi i shkon hipokrizisë, jo guximit. Kur liria bëhet grackë, dhe fjala kthehet në rrezik të padukshëm, nuk jemi më të lirë — jemi vetëm më të nënshtruar.

Dhe ndoshta, më të manipuluar se kurrë më parë./ Gazeta Dita

VIDEO (marrë nga rrjetet sociale):

Lojtës Videos
 

2 Komente

  1. V
    Vlora

    Komplimente!! Therres dhe i vertet Me mir nje regjim që të tregonte saktë vijat e kuqe, sesa kjo demokraci që të mashtron se nuk ka asnjë. Sepse nje popull që nuk i njeh kufijtë realë, nuk di as ti sfidoj Dhe një popull që nuk guxon të flasë, është një popull që ngadalë po mëson të heshtë. Përgjithmonë.

    Përgjigjjuni
    1. A
      Ana

      Nuk besoj se eshte nje perfundim per te qare... Edhe me kementuasin si me siper nuk jam shume dakord: Per mendimin tim Demokracia si sistem politik, ligjor, institucional, ekonomik dhe shoqeror - ose, ne kuptim te gjere Kulturor, eshtr Proces i gjate ne kohe, shume i gjate. Pasi te gjithe elementet e mesiperme duhet te ecin se bashku. Qe kjo te ndodh, nuk merr veten Piken e nisjes, dmth renien e Diktatures... sa gjate marrin ato elemente. Madje edhr kur jane ngritur e konsoliduar ato vijojne rrugen e persosjes...asnjehere nuk thuhet Po, kjo eshte pika me e larte. Edhe Zvicra me te vertet demokratike, ka 300 apo 400 vjet dhe ndeshet me shume probleme....etj. se eshte teme e gjate.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje