
Lea Ypi, pa shumë zhurmë por me shumë domethënie, duket se i dha jetë një thënieje të vjetër të Faik Konicës, e cila vazhdon të tingëllojë si një diagnozë e pashëruar: “Shqipëri, të kam ndjerë… s’më kuptove asnjëherë.” Një fjali që, më shumë se ankesë personale, është bërë epitaf i çdo përpjekjeje për ta thënë të vërtetën pa e mbështjellë me fjongo patriotike.
Historia përsëritet me një përpikmëri ironike. Intelektuali flet, shoqëria mbyll veshët, kritika artikulohet, turmat ndihen të fyer, pasqyra ngrihet përballë realitetit dhe reagimi është klasik: thyhet pasqyra, jo imazhi. Lea Ypi nuk bëri gjë tjetër veçse foli qartë dhe pikërisht këtu qëndroi “faji” i saj.
Në Shqipëri, të mendosh thellë është luks, të analizosh është dyshim, ndërsa të mos përkëdhelësh mitet kombëtare konsiderohet tradhti estetike. Prandaj Konica mbetet aktual jo sepse koha nuk ka ecur përpara, por sepse mentaliteti ka ngecur në vend. Nga Konica te Ypi, distanca historike është e madhe, por refreni është i njëjtë: Shqipëria dëgjon, por nuk kupton; lexon, por nuk pranon; duartroket vetëm atë që e lë të flejë rehat në iluzionin e vet.
Në fund, Lea Ypi nuk u largua nga Shqipëria, Shqipëria u largua nga vetëdija për veten. Dhe Konica, nga shekulli i tij, vazhdon të buzëqeshë hidhur, jo sepse kishte të drejtë, por sepse ende ka.
Lea Ypi, me qëndrimin e saj publik dhe largimin nga Shqipëria, nuk zbuloi asgjë të panjohur për këdo që ka lexuar qoftë edhe një faqe histori shqiptare. Ajo thjesht rikujtoi një rregull të vjetër kombëtar: sinqeriteti nuk pritet me debat, por me dyshim, mendimi kritik nuk dëgjohet, por etiketohet dhe kush nuk e përkëdhel sedrën kolektive, shpallet problem.
Ironia qëndron në faktin se faji nuk iu faturua kurrë hapur shoqërisë, por gjithmonë individit që guxon të flasë troç. Në narrativën tonë të zakonshme, nuk është populli që refuzon pasqyrën, por pasqyra që paska “gabim këndin”. Lea Ypi nuk u largua sepse ishte shumë radikale, por sepse ishte tepër e qartë. Dhe qartësia, në Shqipëri, është shpesh më e padurueshme se gënjeshtra.
Një nga pikat më të debatueshme të mendimit të saj është ideja se tirania nuk është vetëm politike, por edhe mendore. Në librat “Të lirë” dhe “Të poshtëruar”, ajo tregon se sistemi nuk funksionon vetëm përmes dhunës shtetërore, por edhe përmes formimit të mendjes, gjuhës dhe pritshmërive. Liria, në këtë kuptim, nuk humbet vetëm kur të merret, por edhe kur ke frikë ta mendosh. Ky këndvështrim zhvendos përgjegjësinë nga pushteti abstrakt te përvoja individuale dhe kolektive, një zhvendosje që shoqëria shqiptare ende nuk e përballon lehtë.
Ajo dëshmoi edhe një herë se shqiptarët nuk kërkojnë histori që të zgjojnë, por histori që të mpijnë: rrëfime narkotike, mite të buta, versione të ëmbëlsuara të vetvetes, ku faji është gjithmonë diku jashtë dhe kurrë brenda. Në këtë teatër kombëtar, intelektuali pritet të jetë anestezist, jo kirurg. Dhe kush insiston të operojë pa anestezi, përfundon jashtë sallës.
Në Shqipëri, figurat që mendojnë përtej momentit zakonisht lexohen keq në momentin kur flasin. Fan Noli, Ismail Kadare dhe Lea Ypi (ndonëse nuk ka staturën e Nolit dhe Kadaresë) nuk janë të pakuptuar sepse janë “të vështirë”, por sepse shoqëria shqiptare ka pasur gjithmonë vështirësi të dëgjojë zërat që nuk i përkëdhelin mitet e saj.
Fan Noli: Një lider përpara kohës së vet, i keqkuptuar nga të gjithë
Rënia e qeverisë së Fan Nolit nuk ishte thjesht rrëzimi i një kabineti, por dështimi dramatik i një përpjekjeje për ta nxjerrë Shqipërinë nga mesjeta politike. Qeveria e tij u shemb sepse guxoi të mendonte përpara një shoqërie që ende jetonte me instinktet e vjetra të beut, bajraktarit dhe tregtarit të frikësuar nga çdo ndryshim.
Fan Noli erdhi në pushtet me një program që për kohën ishte tronditës: shtet ligjor, reformë agrare, arsim modern, shkëputje nga klientelizmi feudal dhe orientim drejt Perëndimit demokratik. Por Shqipëria e vitit 1924 nuk ishte gati për një revolucion institucional; ajo ishte mësuar me pushtete personale, jo me institucione, me privilegje, jo me barazi para ligjit.
A ishte Noli i keqkuptuar nga shqiptarët? Pa dyshim. Për shumicën e popullsisë, fjalori i tij politik ishte i huaj. Ai fliste për demokraci, moral shtetëror dhe përgjegjësi publike, ndërsa shoqëria kërkonte rend, bukë dhe një dorë të fortë që të mbante ekuilibrin mes kaosit dhe mbijetesës. Në këtë hendek mes vizionit dhe realitetit, Noli mbeti i vetëm.
A ishte ai më i përparuar se populli i vet? Në shumë aspekte, po. Noli përfaqësonte modelin e intelektualit modern europian, të formuar jashtë, me një ndjeshmëri sociale dhe kulturore që tejkalonte horizontin politik të kohës. Por përparësia intelektuale nuk përkthehet automatikisht në fuqi politike. Ai kishte ide, por nuk kishte aparat; kishte vizion, por jo mekanizma force për ta mbrojtur atë.
A ishte Fan Noli komunist? Kjo akuzë ishte më tepër një armë politike sesa një përshkrim ideologjik. Noli nuk ishte komunist në kuptimin doktrinar të fjalës. Ai nuk kërkoi diktaturën e proletariatit, as shpronësime revolucionare sipas modelit sovjetik. Ai ishte një reformator demokrat me prirje sociale, i frymëzuar nga modelet progresiste perëndimore, jo nga bolshevizmi lindor. Por në një shoqëri ku çdo ide për drejtësi sociale shihej si kërcënim, Noli u etiketua lehtësisht si “i majtë ekstrem”.
Në thelb, qeveria e Nolit ra sepse u përball me një aleancë të heshtur: elitën ekonomike që humbiste privilegje, klasën politike që rrezikonte pushtetin dhe një shoqëri që ende nuk kishte ndërtuar vetëdijen qytetare për të mbrojtur ndryshimin. Fan Noli nuk u rrëzua sepse gaboi në ide, por sepse Shqipëria nuk ishte ende gati për to.
Historia sot e lexon Nolin jo si një dështak, por si një paralajmërim: një komb që nuk kupton intelektualët e vet modernë, i shtyn ata drejt izolimit dhe i zëvendëson me autoritarizëm. Dhe ndoshta pyetja e vërtetë nuk është pse ra Fan Noli, por pse Shqipëria vazhdon ende të ketë frikë nga figura si ai.
Ismail Kadare: Shkrimtari i madh i keqkuptuar
Një nga paradokset më domethënëse të jetës kulturore shqiptare është qëndrimi i asaj që quhet “e djathta”, por edhe i një pjese të ish-të përndjekurve politikë, ndaj Ismail Kadaresë. Ata e pranojnë pa hezitim si shkrimtar të madh, madje si figurë themelore të letërsisë shqipe, por njëkohësisht e kritikojnë si “produkt” apo “përfitues” të komunizmit. E vlerësojnë në publik, por punojnë kundër tij në prapaskenë. Ky është një lojë e hapur me dy standarde, që flet më shumë për krizën tonë morale sesa për figurën e Kadaresë.
Në diskursin zyrtar, Kadare quhet “gjeniu letrar”, “zëri shqiptar në botë”, “kandidati i përhershëm për Nobelin”. Por sapo biseda kalon nga lavdërimi formal te analiza politike, nis relativizimi: pse nuk foli hapur? pse nuk u rebelua? pse botohej kur të tjerët burgoseshin? Pyetje që në dukje kërkojnë drejtësi historike, por në thelb shpesh shërbejnë për të ndërtuar një alibi morale për dështimet kolektive.
Ish-të përndjekurit politikë kanë arsye reale për dhimbje dhe zemërim, por problemi lind kur dhimbja shndërrohet në kriter estetik dhe moral absolut. Në vend që të lexojnë veprën si një akt rezistence të koduar dhe të rrezikshme, shumëkush e gjykon Kadarenë me standardin e tribunës politike, jo të shkrimtarit. Letërsia e tij nuk kërkonte të rrëzonte regjimin me thirrje, por ta çmontonte atë nga brenda, duke zbuluar mekanizmat e frikës, mitit dhe bindjes së verbër.
E djathta shqiptare, nga ana tjetër, ka vuajtur nga një kompleks i vjetër: mungesa e figurave kulturore universale. Kadare është shumë i madh për t’u mohuar, por edhe shumë i pavarur për t’u përvetësuar plotësisht. Prandaj ai mbetet figurë e papërshtatshme: nuk mund të rrëzohet, por as të pranohet pa kushte. Kështu lind hipokrizia: në skenë vlerësim, në prapaskenë sabotim.
Rasti i letrave anonime kundër kandidaturës së tij për Nobelin është kulmi i këtij absurdi. Një shoqëri normale do ta kishte parë një nominim të tillë si sukses kombëtar, pavarësisht polemikave. Në Shqipëri, përkundrazi, u aktivizua refleksi i vjetër i vetëshkatërrimit: nëse është i yni, duhet ta rrëzojmë, nëse shkëlqen shumë, duhet ta errësojmë. Jo për parime, por nga frika se mos dikush del mbi mesataren morale të turmës.
Në fund, ky dyzim nuk është konflikt me Kadarenë, por konflikt me veten. Pranimi i tij i plotë do të kërkonte një ballafaqim të ndershëm me komunizmin, me bashkëfajësinë, me heshtjen dhe me zonat gri të historisë sonë. Dhe kjo është ende shumë për një shoqëri që preferon të flasë me zë të lartë për viktimat, por me zë të ulët për përgjegjësitë.
Pse shqiptarët e përdorin Kadarenë si “scapegoat” ose dashi i kurbanit? Një lexim psikologjik i një zakoni kombëtar
Sa herë shoqëria shqiptare ngec në vetëanalizë, një emër del përpara si mburojë dhe shënjestër njëkohësisht: Ismail Kadare. I madh sa për t’u admiruar, i vetëm sa për t’u fajësuar. Në vend që të shërbejë si pasqyrë, ai shpesh kthehet në “kurban simbolik” për mëkatet kolektive të një shoqërie që heziton të përballet me veten.
Pse Shqipëria refuzon Nolin, Kadarenë, Ypin dhe përqafon Zogun, Hoxhën, Berishën, Ramën, Metën?
Shqipëria ka një paradoks të vjetër dhe kokëfortë: ajo dyshon ndaj mendimtarëve dhe adhuron sundimtarët. Refuzon figurat që problematizojnë ndërgjegjen dhe përqafon ata që e thjeshtojnë realitetin në emra, flamuj dhe pushtet. Fan Noli, Ismail Kadare dhe Lea Ypi nuk janë refuzuar sepse janë të huaj për Shqipërinë, por sepse janë shumë kërkues ndaj saj. Ndërsa Ahmet Zogu, Enver Hoxha, Sali Berisha, Edi Rama apo Ilir Meta pëlqehen pikërisht sepse i përshtaten një kulture politike që kërkon autoritet, jo reflektim.
Noli, Kadare dhe Ypi përfaqësojnë traditën e mendimit kritik. Ata nuk ofrojnë zgjidhje të shpejta, por pyetje të vështira. Noli fliste për etikë shtetërore dhe përgjegjësi qytetare në një shoqëri që kërkonte shpëtimtarë. Kadare analizoi frikën si mekanizëm kolektiv, jo si aksident historik. Ypi flet për lirinë si proces të dhimbshëm vetëdijeje, jo si slogan tranzicioni. Këto figura kërkojnë një shoqëri që mendon, jo që bindet.
Në anën tjetër, figurat që Shqipëria ka pëlqyer dhe ricikluar vazhdimisht janë figura pushteti. Zogu, Hoxha, Berisha, Rama, Meta, pavarësisht dallimeve ideologjike, ndajnë të njëjtën logjikë: personalizimin e shtetit. Ata nuk kërkojnë qytetarë kritikë, por ndjekës. Nuk ndërtojnë institucione që funksionojnë pa ta, por sisteme që varen nga prania e tyre. Dhe kjo përputhet në mënyrë perfekte me një shoqëri të lodhur nga pasiguria, që kërkon “dorë të fortë” dhe narrativë të thjeshtë.
Arsyeja kryesore e këtij refuzimi është psikologjike. Mendimtarët e vërtetë nuk ofrojnë alibi morale. Ata nuk na thonë se fajin e ka gjithmonë dikush tjetër. Përkundrazi, ata sugjerojnë se tirania, dështimi dhe tranzicioni i pafund janë edhe produkte të mentalitetit tonë kolektiv. Ky mesazh është i padurueshëm për një shoqëri që e sheh veten kryesisht si viktimë të historisë.
Ka edhe një arsye kulturore: Shqipëria nuk ka ndërtuar një traditë respekti për intelektualin kritik. Intelektuali pranohet vetëm kur shërben si dekor i pushtetit ose si justifikim ideologjik. Noli u ceremonializua, por u neutralizua. Kadare u adhurua, por u relativizua. Ypi u sulmua, sepse ende nuk mund të kontrollohet. Ndërsa politikanët pëlqehen sepse janë të lexueshëm, të konsumueshëm dhe të përsëritshëm. Disa vetëquhen disident, vetëm se përkëdhelin mitet kombëtare.
Në thelb, Shqipëria nuk refuzon individë, refuzon modelet që ata përfaqësojnë. Refuzon qytetarin autonom dhe përqafon liderin dominues. Refuzon pasqyrën dhe zgjedh mitin. Derisa kjo të ndryshojë, vendi do të vazhdojë të prodhojë më shumë sundimtarë sesa mendimtarë, më shumë tifozë sesa qytetarë, dhe më shumë histori pushteti sesa histori vetëdijeje. Dhe ky është refuzimi më i madh që Shqipëria i bën vetes.
Që Shqipëria të kuptojë dhe të vlerësojë figura si Fan Noli, Ismail Kadare dhe Lea Ypi, duhet të ndodhë më pak një ndryshim politik dhe më shumë një kthesë mendore. Këta autorë nuk kërkojnë adhurim, por pjekuri qytetare. Ata nuk flasin për pushtet, por për përgjegjësi; jo për fitore, por për vetëdije.
Asnji nga tre emrat që përmend duke shtuar dhe Faik Konicën nuk mund të krahasohen me Shqipërinë… si nocion shoqëror piksëpari të katërt janë shqiptarë pjesë e Shqiprisë dhe jo kundërshtarë të saj … të tjerat janë fjalë fjalë e vetëm fjalë.
Noli psh ishte i pafuqishëm pasi nuk qe në gjëndje të fillonte një reformë agrare apo ti premtonte anglezve konçensione për naftën e pazbuluar ende. Kështu dhe Lea nuk ka asnjë kontribut real në shoqërinë shqiptare … Ismaili êshtë shkrimtari më i vlersuat e lexuar nga shqiptarët…
bravo, te vertetat rendojne,por i bejne mire njeriut, te shpresojme tek 20 vjecaret se edhe te rinjte tek 30 vjec nuk e duan analizen por aktrojne per te ecur perpara respekt
Konica paskesh qene zot qe e paska kuptuar vetveten dhe Shqiperia jo!
Lol, po vërtet qenke Lolo, lolo në kuptimin popullor, ndryshe idiot. Sëmundjen tënde nuk ka zot që ta shëron.
Z. Artan, Nuk te njoh por shkrimi jot eshte fantastik. I ke bere nje skanim origjinal realitetit shqiptar. Cudia eshte se nuk ndryshojme ose me mire nuk mesojme nga gabimet e deshtimet por i perseritim pa u ndalur.... .
Miremengjes, artikull i shkruar qarte. Te gjithe kunder Leas. Pse?!?!. E fundit Lea eshte me intelektuale, mendon ndryshe, ka formimin e dukur akademik dhe mbi te gjitha i perket fisnikerise te formuar ne shekuj e te masakruar nga diktatura. Do ishte fat te ishte Lea ne Shqiperi, por nuk eshte! Po te ishte do kishte perfunduar ne qoshe, pse jo dhe e prozvaldur nga llumi i shoqerise. Ne te duam po u bere pjese e lojes, ne te kundert te zhysim 10 pashe nen dhe.
Analize perfekte ..!
Per gazetarin : Pse e ngateron figuren e Enver Hoxhes me keta te perdhosurit hajdute kriminel dhe shkaterus te vendit ? Ai bashke me popullin ndertoj Shqiperine zhduku analfabetizmin injorancen me nje fjale e zhvilloj Shqiperine , I dha emer ? Shqiperia pas clirimit ka qene nje fshat i madh Ska nevoje te numeroj veprat, jane thene e sterthene , deri sa erdhi 90- nje dore e forte kriminale e saliut i shkateroj te gjitha bashke me banden ? Sa per zogun ka shume per te folur menyra si iku dhe si doli zot vatanit , vodhi floririn dhe cau feren per nje jete me te mire me pasurine e ketij populli ? Durresi u mbyte ne gjak : “bjeri Mujo Ulqinaku gjer ne gju vajti gjaku”? Vijme ke Lea Ypi e rjeshton me Fan Nolin apo Kadarene ??? Znj ypi duhet te ritet edhe ca , me pare duhet te kuptoj teorine e vete ta kuptojne dhe fillozofet e rinje pastaj te hidhet tek POPULLI ? Lea Ypi ka ngele ke teoria e gjyshit vete per tu pasuruar me ane te atyre shkrimeve , asgje tjeter nuk i intereson per kete popull ...!!!! Emrin e znj Ypi nje muaj kemi qe po e degjojme , eshte si puna e sali berishes qe brenda nates u shndrua nga sekretar partie ne kryetar te PD- se dmth nga i majte ekstrem ne i djathte ekstrem ? Keto pergjigje jepi popullit se kush ishte Noli apo Kadare populli e njef mire historine dhe nuk te hedh kollaj ne plera ...!!!!
Fiks. Shoqëria shqiptare nuk merr përgjegjësi, por kërkon individë, diktatorë. Ne vetëm llapim, nuk ngrihemi për ato gjëra që mendojnë të drejta, i presim gjërat nga individë të caktuar dhe pastaj merremi gjithë ditën e gjithë jetën me këta individë dukeni përkrahur apo sulmuar. A jemi ngritur ne në ndonjë protestë që kërkon dënimin e krimeve të qarta të Saliut? Asnjëherë. E kundërta ka ndodhur. Ne jemi vetëm në pritje çfarë do bëjnë individët. Pa folur për gjëra të tjera morale.
"Rregull i vjetër kombëtar": sinqeriteti nuk pritet me debat, por me dyshim, mendimi kritik nuk dëgjohet, por etiketohet dhe kush nuk e përkëdhel sedrën kolektive, shpallet problem???? "Rregull i vjetër kombëtar"????????? Thjesht konsiderate e neveritshme nga autore te pakten te neveritshem.