Nga Frrok Çupi
Kjo që po ndodh me Aleks Nikën është e kundërta e asaj që ndodhi me Konstandinin dhe Doruntinën: Ndërsa Konstandini u ngrit nga varri për të marrë motrën e gjallë të martuar diku ‘male kaptuar’, familja e Aleks Nikës është e gjallë; ajo sjell Aleksin nga Bulevardi fatal, deri në Strasburgun e Europës së largët.
Lajmi që erdhi nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, u duk se solli vetë Aleksin e gjallë. Gjykatat e vendit nuk kishin guxuar kurrë të jepnin drejtësi. Gjykata e Europës i kërkon shtetit shqiptar që gjejë vrasësit e ‘djalit, burrit dhe babait’ që u vra nga qeveria duke protestuar për Drejtësi.
Aleks Nika mbeti i vrarë në protestën e 21 janarit 2011 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”; bashkë me 3 të tjerë u shënuan 4 dëshmorë që ‘askush nuk i deshi, përveç familjeve të mbetura gjallë’.
Në radhë të parë morën mbi vete urrejtjen post- vdekje nga nënkryeministri i kohës, Ilir Meta.
Nënkryeministri ishte kapur duke vjedhur para të gjithëve 700 mijë euro nga fondi publik dhe me një bllok ‘të zi’ ku shënoheshin shumat e ardhshme dhe armiqtë që do të eliminoheshin. Meta i kapërceu ‘shtatë malet’ dhe u bë president i Republikës, por Aleksi dhe 3 të tjerët nuk mundën të lëvizin më nga aty ku ranë.
Së dyti, Aleksi mori mallkimin e gjykatësve dhe të gjykatave:
Ata që u paguan për të mos dhënë drejtësi ata u lutën për ‘humbjen’ e Aleksit. Të tjerët, të pazotë për të mallkuar autorin e vjedhjes, mallkuan fatin pse nuk ishin ata që të përzgjidheshin si ‘të afërm të fajtorit’. Të gjithë gjykatësit e kanë mallkuar. Aleks Nika u kthye në ‘hije të Bankos pas Makbethit’: O unë mbi varr e ju të shkoni, o nuk ka rrugë tjetër.
Mallkimin më të egër kundër të vrarëve e lëshoi kryeministri i 21 Janarit, Sali Berisha. Edhe sikur njëmijë herë t’i jepet rasti, do të bënte të njëjtën gjë që bëri në 21 Janar, deklaroi shpejt. Berisha fshehu provat e krimit të vrasjes nga qeveria, sulmoi prokurorin dhe policinë, çmontoi serverët dhe regjistrimet me vrasjen… Nga zyra e tij kishte vendosur katër armë snajper, gishtin e vet në shtjekëz; ‘njërin prej tyre në kokën e kryetarit të opozitës PS’.
E Drejta u varros në të tilla zgavra, saqë kurrë nuk do të shfaqej ‘Konstandini’. “Ç’është ky dhè që ke mbi shpatulla, vëlla’, e pyeti motra Doruntina? “Pluhur i rrugës, motër!’, tha dhe kalëroi për të mbajtur besën para nënës. Tani drejtësia për Aleks Nikën ka marrë peshën e Besës.
Pse, vallë, vdekja e Aleksit u jep shpresë të gjallëve kur fiton Drejtësia?
Drejtësia edhe pas vdekjes ka fuqinë që të na kthejë drejt të shkuarës ku janë fshehur krimet. Vendi ynë kishte fatin e keq që ia falsifikuan Demokracinë dhe të Drejtën, në vend të saj i ofruan korrupsion e vrasje. Madje lëshuan fjalë se ‘Drejtësia nuk shikon nga krimet pas’. Në këtë rrugë nuk do të ishin zbuluar as Berisha, as Meta…
Drejtësia pas vdekjes i jep viktimës dinjitetin e merituar. Shikoni sot portretin e familjarëve të Aleksit?! Reflektohet më shumë hapësirë dhe shpresë. Qeveria që e vrau, e quajti Aleksin herë ‘protestues i paligjshëm’, herë ‘shkelës i perimetrit të godinës’, herë ‘i vrarë me stilolapsin e shokut’. Ndërsa tani, veç disa orë pas Drejtësisë së Strasburgut, Aleksi ngrihet më lart se vetë shteti që e vrau.
A do të dënohen fajtorët?
Nëse nuk do të dënoheshin, shoqëria nuk kishte më ku të dilte. Dënimi i autorëve i jep rrugë paqes mes nesh, të gjithëve- mes nesh.
Me Aleksin mund të nisë ripajtimi ynë.
Mirë thanë...
ALEKSI I GRIKË MANATISË DHE ALEKSI I EKSARKIES TË ATHINËS Shënuar një vit, dy vjet, tre vjet, pesë vjet, tetë vjet… më parë… Rishënuar në përvjetorin e gjashtë… për të vazhduar në të shtatin, të tetin, të nëntin… në pafundësinë e një heshtje që vret… Rishënuar sot më 15 nëntor 2023 një ditë pasi Gjykata e të Drejtave të Njeriut e shpalli Alks Nikën njeri të vrarë nga shteti i Berishës… Nga Abdurahim Ashiku, Gazetar, Athinë Aleksandër i quajnë të dy, Aleks i thërresin… babai, nëna, motrat, shokët, miqtë… I pari është nga Grikë Manatia e Lezhës, fshat në të cilin në vitin 1962, kur isha student, pata pi një kafe siç dinë ta pjekin e shtrojnë njerëzit e mirë, në ditë të mirë. I dyti, Aleksi i Eksarkies është nga Athina, kryeqytet i vendit nga e ka prejardhjen fjala “demokraci”, fjalë që na vjen nga më se tremijë vjet jetë njerëzore. I pari, Aleksi i Grikë Manatisë ishte i papunë, baba i tri vajzave dhe vëlla i katër motrave… Oh sa lot, oh sa dhimbje!… I dyti, Aleksi i Athinës ishte nxënës shkolle, katërmbëdhjetë pranvera parë e shijuar. Ishte bir i një familje të mesme greke. I pari, Aleksandri i Lezhës doli në demonstratë për të kërkuar punë për të mbajtur gjallë familjen e tij, vocërraket që zgjatnin duart si zogjtë në fole… I dyti, Aleksandri i Athinës, doli të shëtisë në lagjen Eksarkia me moshatarët e vet, shëtitje pafajësie fëmijësh në gëzim e hare… I pari, Aleksi i Lezhës mori një plumb në kokë nga policia e shtetit, një plumb që ka një autor me emër e mbiemër… I dyti, Aleksi i Athinës mori një plumb rikoshetë nga një polic që shtiu në tokë për të treguar forcën e shtetit në lëngatë… Për të parin, Aleks Nikën nuk do të ketë drejtësi, nuk do të ulet njeri në bankën e të akuzuarit… Gjashtë vjet kaluan… Për të dytin, Alexandros Grigoropoulos u zhvillua një gjyq. Polici, edhe pse e mbajti grykën e revolverit në tokë, u dënua me burgim të përjetshëm… Për të vrarët nga plumbat e shtetit demonstruesit bënë një mullar të madh me lule të freskëta në vendin ku derdhën gjakun, lule që dora vrasëse i fshiu me fshesën e frikës deri në palcë për tërë natën… Në Eksarkia, vendin ku u vra pesëmbëdhjetëvjeçari grek, çdo ditë, edhe pas kaq vitesh, do të gjesh lule të freskëta… Dhe jo vetëm lule… Për Aleksin e Greqisë u dogj Athina, u zhvilluan zgjedhje të parakohshme. Për të, në kujtim të tij, prej asaj kohe, çdo vit, në ditën e vrasjes, zhvillohen demonstrata të dhunshme, digjet Athina. Edhe sivjet, pas kaq vitesh dhimbje, pati lëvizje, demonstrata, protesta… * * * …Të hënën e parë të janarit, pas gjashtë muaj bojkoti të pakicës… u mblodh Kuvendi i Shqipërisë. U mblodh dy ditë përpara se Aleksandri i Lezhës, vet i katërt, të mbushte katër vjet përgjakje të paparë në kohë dhe hapësirë, në historinë e Shqipërisë; ditën me diell, nën vëzhgimin e objektivëve fotografikë e televizivë, drejtpërdrejt, me zë e figurë… U mblodh dhe vendosi të ngrejë një komision kuvendar për “Serverin e Tatimeve”… Ironi e madhe e kohës. Për vrasjen e katër demonstrueseve paqësorë me shënjestër të drejtpërdrejtë e plumb në ballë e në zemër u hesht dhe vazhdon të heshtet për shuarjen e “serverit” të kryeministrisë, dëshmitarin me zë dhe figurë të urdhërdhënësve të vrasjes së shekullit?!!! Për një “shpullë” në mjedise të mbyllura të Kuvendit opozita shqiptare në Kuvend gjashtë muaj brodhi të gjitha qytetet e Shqipërisë dhe kryeqytetet e Evropës së bashkuar me flamurin “Na kanë rrahur”… “Shpulla” është në gjykatë, prej muajsh flitet e shkruhet… ”I ra, s’i ra!?” si në meselenë e bishtit të dhelprës…”E lagu, s’e lagu!?” Prej vitesh Aleksandi i Lezhës, vet i katërti, kërkon drejtësi, kërkon që ata që morën shënjestër ndaj jetës së tyre, ata që urdhërua vrasjen e tyre të gjykohen… Në Athinë, për një plumb rikoshetë, polici fajtor u dënua me burgim të përjetshëm… Në Shqipëri, për vrasjen e katër vetëve dhe plagosjen e shumë të tjerëve, askush nuk është ulur në bankën e të akuzuarve, askush nuk është dënuar. As ata që tërhoqën këmbëzën e kallashnikovit, as ata që urdhëruan “zjarr…”. Aleksin e Lezhës, vet i katërti, partitë politike dhe shoqëria shqiptare i kanë harruar… Aleksin e Athinës, çdo vit, në ditën kur plumbi i mori jetën në moshën më të bukur të fëmijërisë, e përkujtojnë me demonstrata të fuqishme që nisin në vendin ku e vranë dhe pushtojnë sheshet qendrore të kryeqytetit grek… Andej ku kam lindur unë dhe ku kam kaluar vitet më të gjata të jetës sime në Atdhe, për vrasjen ka një fjalë të urtë… “Për të tërhequr këmbëzën e patllakes duhet një pendë qe…”
Apologji e sakte e dhimbjes dhe zemrimit.
Brilante!
Mos dil me se na e shpife!
Na plasi.... se ju shpif nje te shpifuri si ty legen materniteti.
Ju lutem mos harroni Mesila Doden me deklaraten e saj prej psikopateje, qe donte ti varte protestuesit tek palmat e kryeministris. Vk
Respekte Frok.
Respekte Abdurrahman. Bravo!...