Qerrata Popull... (edhe njëherë për ata që thonë se "fajin e ka populli")

8 Maj 2026, 15:54Blog TEMA
Qerrata Popull... (edhe njëherë për ata që thonë se

Nga Adrian Thano

Një shkrim i gazetarit B.Andoni përdor figurën e Tajar Zavalanit për të treguar se, ndonëse fasada e Shqipërisë ka ndryshuar (gradaçelat, makinat luksoze, flamujt e BE-së), softueri ynë social dhe politik ka mbetur i bllokuar në një ngërç shekullor. Kritikat e Zavalanit të para 92 viteve për “popullin” tingëllojnë sikur janë shkruar sot.

Andoni vëren se Tirana e vitit 2026 duket si metropol, por reagimi ndaj korrupsionit apo ndryshkjes në pushtet të “udhëheqësve” mbetet si dikur anemik. “Nuk bëhet punë me këtë popull!” – thotë Andoni (përmes Zavalanit) duke e konsideruar këtë një lloj fataliteti historik shqiptar.

Dua të ndalem pak te narrativa “fajin e ka populli”. E kam thënë edhe herë të tjera se ky është një mekanizëm mbrojtës i elitave tona për të shmangur llogaridhënien dhe për të justifikuar dështimet e tyre në udhëheqje.

Për të dalë nga kjo narrativë, përgjegjësia duhet të zhvendoset tek ata që kanë mjetet, fuqinë dhe detyrimin për të bërë ndryshimin.

Një popull nuk është i keq apo i prapambetur biologjikisht. Njerëzit i përshtaten rregullave të lojës. Nëse sistemi ndëshkon të ndershmin dhe shpërblen atë që gjen rrugë të shkurtra, njerëzit do zgjedhin rrugën e shkurtër për të mbijetuar.

Problemi nuk është “brumi” i njerëzve, por kallëpi (institucionet) ku ata hyjnë. Le të marrim ​shembullin e emigrantëve. Pse i njëjti shqiptar kur shkon në Gjermani, bëhet qytetar i rregullt?

Të gjithë përmendin apatinë. Ashtu është nëse e sheh sot për sot, por apatia nuk vjen nga përtacia, por nga zhgënjimi i akumuluar. Kur për 35 vite shikon që rotacioni politik prodhon të njëjtat rezultate, populli nuk “fajësohet” pse nuk reagon. Ai ka hyrë në një gjendje mbijetese.

Nuk mundet populli të “vetë-organizohet” në vakum nëse klasa intelektuale dhe politike nuk ofron një vizion të besueshëm dhe të pastër. Andoni e prek këtë, por mund të shkohet edhe më tej. Tek ne, jo vetëm klasa e dështuar politike, por edhe shumë intelektualë e përdorin popullin si tabelë qitje për të fshehur faktin që ata vetë janë komprometuar me pushtetin për përfitime personale.

Është më e lehtë të thuash “populli nuk bën” sesa të thuash “unë nuk kam guxim të rrezikoj privilegjet e mia për të mbrojtur të vërtetën”.

Sjellja shoqërore është produkt i një investimi afatgjatë që e bëjnë ata që kanë pushtetin e mendimit dhe mjetet e tjera. Nëse shteti investon vetëm në beton dhe jo në edukim dhe kulturë, rezultati social pas disa vitesh është i parashikueshëm.

Nuk mund t’i kërkosh dikujt të sillet si qytetar evropian nëse ai rritet në një mjedis intelektual të tillë si yni. Populli është reaktiv, jo proaktiv. Ai i përgjigjet stimujve që i jep sistemi.

Ndaj le ta heqim “fajin e popullit” nga ekuacioni dhe të pushojmë së kërkuari “heroizëm” masiv nga njerëzit e thjeshtë që janë të zënë me mbijetesën. Të fokusohemi te mekanizmat që detyrojnë ndryshimin e sjelljes.

I pari është radikalizimi i meritokracisë. Problemi më i madh në Shqipëri është se anti-vlera është fitimprurëse. Kur njeriu i thjeshtë sheh se dikush që shkel ligjin pasurohet dhe tjetri mbetet në fund të rreshtit, ai e racionalizon shkeljen e ligjit si mjet mbijetese.

Duhen krijuar ishuj ekselence së pari në administratë dhe institucione ku suksesi varet 100% nga aftësia. Kur sistemi fillon të shpërblejë talentin, njerëzit do të investojnë te dija dhe jo te miku apo “lidhjet e forta”.

E dyta, është krijimi i një elite kritike që nuk flirton me pushtetin. Shtresa e mesme dhe ata që e konsiderojnë veten intelektualë duhet të pushojnë së qeni klientë të partive. Sot, shumë prej tyre heshtin sepse presin një projekt, një post, apo një favor.

A jemi në një rreth vicioz të përjetshëm? Jo. Dallimi sot me kohën e Zavalanit (1934) është informacioni. Sot, një i ri në një fshat të thellë ka të njëjtin akses në informacion si një bashkëmoshatar në Berlin. Ky brez i ri nuk besoj se e pranon më “fatin” si shpjegim.

Njerëzit ndryshojnë sjellje kur opsioni “i mirë” është më i lehtë se opsioni “i keq”. E di që po përdore fjalën ndershmëri, disa do kruhen sikur kanë morra, por nuk po flas për moral. Quhet Nudge Theory, është ndryshim sistemik. Shoqëritë nuk ndryshojnë kur njerëzit bëhen engjëj, por kur sistemi e bën ndershmërinë më fitimprurëse se pisllëkun.

Në një sistem të tillë pra, që ua bën, njerëzve, të vlefshme, ndershmërinë, eja ta shohim se çfarë del nga ky qerrata popull që paska qenë kaq i vështirë sa na i lodhi e na i këputi këta që e udhëheqin.

Kaq janë rraskapitur të shkretët sa nuk ikin gjallë nga kolltukët.

9 Komente

  1. N
    Nje i Moshuar

    Bravo , Adrian Thano te gjitha qendrojne ato te shkrimit ? Te vleresoj per gazetarin qe ben , i bije ne koke , llafi jot ne vesh te PERENDISE “

    Përgjigjjuni
    1. A
      Arb

      Shkrim objektiv. Mjafton të lexosh Djajtë e Dostojevskit, ose Balzakun tërësisht, për të kuptuar që janë elitat e korruptuara moralisht dhe financiarisht që lejojnë njerëz të tillë mediokër te udhëheqin. Asnjë njeri me dije larta nuk përçmon apo etiketon popullin e vetë për dështimin e elitave politike. Përkundrazi, janë vetë elitat që I lejojnë të bubërrojnë krimba të tillë, me konformizmi e tyre.

      Përgjigjjuni
      1. D
        Dhimitri

        Bravo Z. Thano!

        Përgjigjjuni
        1. s
          socio demokrat

          Bravo , z Adrian .Jeni ne gazetari profesioniste me kete shkrim , konstaton problemin por edhe jep zgjidhje.

          Përgjigjjuni
          1. N
            Nik

            Shumë shkrim i mirë, të lumtë Z. Thano!!!

            Përgjigjjuni
            1. G
              Gjergj Fishta I riu

              Ramiz Alia kur e dorzoi (!) me 1992 ja la radhen Intelegjences (Sali Berishes me shoke) qe i kishte edukuar mire(!) gjate qeverisjes me dore te hekurt. Sali Berisha me Fatos Nanon e Edi Ramen punuan qe pas tyre te mbizotroi intelegjenca e rrenuar ( nje cope dokument shkelqyer e fyell nga koka). E tani duket si ne dite per Diell se fajet i ka populli se ai po vuan e nuk reagon. Sot ka thirrje djathtas deri tek e djathta ekstreme e populli duhet t'i ngjitet asaj ne desheron te çlirohet pa lufte, ndryshe me vone do t'i duhet ajo qe kendohet dhe ne hymnin e Flamurit. Mbase ai qe beri Hymnin (Asdreni) e pati parashikuar se luftat nuk do te ndalen ne Shqiperi. Dite te mira as nuk do vine me per popullin se e kaqja e ushtruar nga borgjezia e lindur me baze hajdute, i ka kaluar limitet. I vetmi Hymn qe do na kerkoje dhe Bota ta rregullojme. Ndaj para se te rregullojme Hymnin, shfrytzojeni per here te fundit. Qeveria per ta lodhur popullin i ka lene Kanunin edhe Ligjin kurse populli duhet te shfrytzoi Hymnin qe ta detyroi Eliten te deklarohet kthjellet per cilen asht me thirrjen/ Kush asht Burre nuk friksohet/ Se s'munde te futemi ka kemi le/ vazhdone hymni, i pershtatur per klasen korruptive, dekadente qe na poshteroi dhe para Botes.

              Përgjigjjuni
              1. M
                Miku qe te do te miren

                Nje pyetje kam per gazetarin Thano.Perse i botoni shkrimet tuaja tek gazeta Tema,ne nje kohe qe ju jeni drejtues i nje gazete me emrin Dita !!

                Përgjigjjuni
                1. M
                  Miku qe ben sikur te do te miren po ta fut nga pra

                  E ka botuar edhe tek DITA or zoteri. Keta te TEMAs e kane robotuar me leje.

                  Përgjigjjuni
                2. ¿?

                  Problemi me i madh ketu nuk eshte a ka faj populli, apo nuk ka faj populli. Problemi ketu eshte se termi POPULL eshte nje emer kolektiv qe ne kuptimin e tij perfshin te gjithe pjestaret e nje kombi, a nje kombesie. Qe te mos e kompplikojme shume, ja psh POPULLI SHQIPTAR, perfshin edhe turmat e Saliut, edhe delet dhe patronazhistet e Edit, edhe katunaret e momlit edhe intelektualet e Tiranes, edhe Hoxhallaret e xhamise se Namazgjase, edhe Prihterinjte e te dy katedraleve, katolike e ortodokse, per te mos folur per ata pastoret e lloj lloj konfeksioneve qe mbine si kepurdhat mbas shiut pas vitetve 90. Ah, sot per sot perfshin edhe "kombin" bektashi deri sa te formohet shteti i bektashinjve kur "kombi bektashi" do te fitoje pavaresine nga kombi shqiptar. Tashti ne kete mish mash mund te hidhen edhe copa te tjera, nga ato pra qe euhen POPULL. A ka zot te percaktoje a kane te njejtin faj, apo te gjithe keta jane te pafajshem, apo ca faje i ka Saliu, ca te tjera i ka Edi. E kam fjalen qe te gjitha narrativat me POPULL jane spekullime pa ndonje dobi, vec me i dhane ajer gojes, sic thote nje pjesse e popullit shqiptar, qe mund te quhet edhe populli shkodran. Prandaj si me i dhane faj popullit, si mos me i dhane faj popullit, faji mbete si qyrku qe nuk i dilte per zot njeri.

                  Përgjigjjuni

                  Lini një Përgjigje