Nga Ervis Iljazaj
Një aspekt shumë i rëndësishëm në reformën zgjedhore e zë edhe sistemi zgjedhor, ose më saktë mekanizmi që kthen votat në mandate, dhe të gjitha efektet që ka ai në sistemin politik të një vendi.
Për sistemin zgjedhor aktual që ka Shqipëria, atë proporcional rajonal ka shumë kritika nga ekspertë, shoqata, apo faktorë të ndryshëm të jetës publike. Kritikat janë të gjitha të drejta, sepse sistemi zgjedhor që ka Shqipëria aktualisht nuk është nga më të mirët e mundshëm. Por, rreth kësaj çështjeje në debatet publike janë krijuar disa mite të rreme, të cilat nëse nuk adresohen siç duhet i bëjnë dëm debatit dhe zgjidhjes që i duhet vendit në këto momente. Mite të cilat kryesisht po ngrihen nga partitë e reja.
E para, nuk ekziston asnjë sistem zgjedhor perfekt. Prandaj, debatet që një sistem apo një sistem tjetër është në mënyrë absolute zgjidhja për Shqipërinë, janë debate absurde. Asnjë sistem zgjedhor nuk është totalisht i mirë, apo totalisht i keq. Sistemet zgjedhore kanë dy funksione kryesore. Të sigurojnë përfaqësimin politik të një shoqërie dhe të garantojnë një qeveri të qëndrueshme. Sepse, demokracia përveçse përfaqësim duhet të jetë dhe vendimmarrje.
Në të kundërt, nuk ka asnjë vlerë procesi i garës në një demokraci. Në këtë kuptim, sistemet proporcionale garantojnë më shumë përfaqësimin politik, ndërsa ato mazhoritare më shumë qëndrueshmëri të qeverive. Për këtë arsye, shumë vende demokratike mundohen të korrektojnë sistemet e tyre me qëllim që të garantojnë të dyja funksionet që ka një sistem zgjedhor. Aq më tepër absurde janë debatet për një sistem zgjedhor që të kthejë të gjitha votat në mandate. Kjo është një tjetër kritikë e pakuptimë që i bëhet sistemit zgjedhor aktual që ka Shqipëria, kryesisht nga partitë e vogla.
I vetmi sistem i mundur që kthen të gjitha votat në mandate është ai proporcional kombëtar pa prag, por që praktikisht nuk aplikohet në asnjë vend për faktin se fragmentizon në mënyrë të skajshme jetën politike. Por, më shumë sesa sistemi zgjedhor, ndikon në sistemin politik sjellja e partive politike. Shembulli më i mirë për të kuptuar rëndësinë e sjelljes politike pavarësisht sistemit është Shqipëria. Para 2008-ës kur kemi patur një sistem zgjedhor miks, ku 100 deputetë zgjidheshin me mazhoritar, parlamenti shqiptar kishte më shumë parti se sa tani që kemi një proporcional. Të gjithë e kujtojmë fenomenin e ‘’Dushkut’’, ku në një zonë elektorale dolën shumë deputetë, pikerisht për sjelljen e forcave politike.
E dyta, sistemi zgjedhor, megjithëse një instrument dhe reformë shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe që duhet të ndryshohet, nuk është shpëtimi i demokracisë shqiptare. Nëse mendojmë në këtë mënyrë, atëherë vetëm sa do t’i hidhet hi syve shqiptarëve për t’i thënë që ja ku e gjetëm ilaçin e të gjitha sëmundjeve të demokracisë në Shqipëri. Problemi i vërtetë i demokracisë shqiptare janë vota e lirë, institucionet e pavaruara, sidomos një pushtet gjyqësor i pavarur, apo ndërtimi i shtetit të së drejtës në tërësi.
E treta, thuhet shpesh që ky sistem zgjedhor ka rritur ndjeshëm pushtetin e kryetarëve të partisë duke instaluar kryetarokracinë. I gjithë ky konstatim është mëse i vërtetë, por problemi i personalizimit të politikës është më i gjerë se kaq, dhe nëse fokusohemi vetëm te sistemi zgjedhor për të zgjidhur këtë problem jemi në rrugë të gabuar. I vetëm sistemi zgjdhor nuk mund të evitojë kryetarokracinë. Problemi i vërtetë është funksionimi dhe organizmi i partive politike.
Është pikërisht transformi i partive politike drejt personalizimit dhe pushtetit të kryetarëve që ka krijuar kryetarokracinë. Prandaj, në këtë drejtim më shumë se sa një sistem zgjedhor ndryshe, duhet një reformë për ligjin organik të partive politike, duke filluar që nga organizimi, funksionimi dhe financimi i tyre. Me këtë ligj që kemi sot për partitë politike, ato kanë misione publike, por funksionojnë me logjikë private. Çështja e funksionimit të brendshëm të partive është çështje që duhet të na përkasë të gjithëve, dhe jo vetëm anëtarëve të tyre, pasi ato kanë një rol shumë të rëndësishëm në rendin kushtetues shqiptar.
E katërta, një nga problemet kryesore të politikës shqiptare sot është kriminalizimi i saj. Mirëpo, sistemi zgjedhor nuk e zgjidh një çështje të tillë, ose më saktë nuk mjafton për ta zgjidhur atë. Një nga arsyet se përse u ndryshua sistemi zgjedhor në Shqipëri në vitin 2008, ishte pikërish shmangia e të fortëve që u futën në politikë nëpërmjet sistemit mazhoritar që kishim para sistemit aktual. Historia tregoi që ky sistem jo vetëm nuk e shmangu këtë fenomen, por e thelloi atë.
Dhe e fundit, thuhet shpesh që ky sistem zgjedhor pengon përfaqësimin politik të forcave apo lëvizjeve të reja politike që kërkojnë të garojnë për të fituar konsesus popullor. Ky është gjithashtu një mit i rremë. Nëse një lëvizije e re politikë ka vizon, ka moral dhe krijon besueshmëri te qytetarët, nuk ka sistem zgjedhor në botë që ta ndalojë për të fituar konsensus dhe të përfaqësohet në parlamentin e Shqipërisë. Ajo që ndalon një forcë të re, është natyra klienteliste e votuesit shqiptar, apo kultura për të shitur votën. Mirëpo, fatkeqësisht këtë kulturë antidemoraktike nuk e shmang dot një sistem zgjedhor. /MAPO.al/
* Ky shkrim është pjesë e projektit 'PRODEMOCRATIA, një partneritet mes INSTITUTIT PASHKO dhe media MAPO, për te analizuar zhvillimet e demokracisë shqiptare.
Do te ishte normale qe populli te mos votonte me per deputet por vetem per kryetaret e partive.Sipas perqindjes qe marrin emerojne dhe deputetet.Kursehen dhe paret
Shoku! Partite jane burimi fillestar I demokracise! Kreytarokracia partiake eshte thelbi I deshtimit te demokracise ne Shqiper. Sepse kryetaret kane statusin te krijojne listat ( te brendeshme apo jashte listes) dhe per pasoje kercet 300 000 euroshi qe konfirmoi znj. Kryemadhi dje! Dua te theme qe kryetaret e partive jane kucedra te burimit te demokracise, dmth miratojne elementet qe do jene deputet dhe vehten KM apo President. Pra pa filluar zgjedhjet ato jane te lancuara nga " kryetar te ndershem" . Kjo nuk ndodh! Pse nuk adoptohet sistemi partiak amerikan qe Kryetari I Partise per kohen qe ka kete funksion ka funksion noteri nuk lejohet te behet President apo Guvernator? Ai eshte thjeshte nje person qe identifikon deshiren qofte edhe te anetareve te thjeshte me ambicje dhe I therret ne fushen e mejdanit, ku anetaret e thjeshte vendosin. Pyetja a do pranonte Berisha apo Rama e te tjere qe ca te tjere te udheheqin fushatat bashke me Kryetarin, dhe ne rast fitoreje keta do jene Km apo Presidentet e mbas ketyre zgjedhjeve? Ky eshte problemi. Cbllokoni partite nga kryetaret, gjeni mundesine qe keta Kryetar te kene pozicion politik apo legislative ( psh senator) dhe shihni cfare ndodh. Besoj se ky model I sistemit partiak ne Shqiperi eshte pengesa kryesore e mosrealizimit te demokracise ne kyt vend.
Shqiperia ka 1000 probleme qe edhe sikur te kishte nje dakortesi apsolute per zgjidhjen e tyre, duke qene vend i vogel dhe deficitar ne zhvillimin historik, e kemi shume te veshtire. Por sot problemi me imediat dhe me i rendesishem edhte problemii zgjedhjeve te lira e te ndershme. Pa u zgjidhur ky problem , jo vetem nuk do bejme hapa perpara por situata ne Shqiperi do perkeqesohet deri ne shperberjen tone si komb. Ne nje diktature klasike sic ishte fashizmi apo komuniszmi ishte e " natyrshme"te mos kishte zgjedhje, madje ishte edhe ne kushtetute qe PPSH eshte forca e vetme udheheqese, por ama ajo parti i trajtonte te gjithe pak a shume njelloj, si per pune, per shkollim per punesim ne administrate, per strehim dhe ne te gjitha aspektet e jetes, nuk e ndante popullin ne dy kampe , kurse ne demokraci kur partia ne pushtet perdot fuqine e shtetit per te mbajtur pushtetin, kete pushtet e perdor kunder popullit opozitar per te favorizuar votuesit e saj sic ndodh aktualisht ne Shqiperi duke pamundesuar jetesen e tyre ne atedheun e vet dhe duke i detyruar te emigrojne diku tjeter me qellim qe votuesit e saje te jene shumice. Keshtu qe zgjedhjet ne vend qe te jene nje feste e demokracise kthehen ne varremihese te saj. Asnje sistem apo kod zgjedhor nuk garanton zgjedhje te lira e te ndershme, kjy eshte nje iluzion qe mundohet ta transferoje barren e pergjegjesise per zgjedhje te lira . Zgjedhjet e lira e te ndershme nuk po vuajne nga elemente teknik sic eshte kodi apo sistemi por nga vullneti politik i mazhorancave per te mbajtur pushtetin me ane te forces e mjeteve te shtetit dhe mbi te gjitha nga vullneti i munguar i opozites e popullit opozitar per ti mospranuar si dhe popullit socialist qe i gezohet zgjedhjeve farse duke menduar se do perfitoje nga pushteti i partise se tyre.Nuk e di nese Shqiperia do te arrije ndonjehere te beje zgjedhje te lira e te ndershme por e di se deri sa te vije ajo dite institucionet do jene ilegjitime, partia ne pushtet do taperdore shtetin per tua pamundesuar jeten popullit opozitar, kombi do thelloje percarjen deri ne antagonizem, shpopullimi do marre permasa edhe me apokaliptike dhe ardhacake nga lindja do mbushin hapesirat bosh te lena nga shqiptaret duke i kthyer shqiptaret pakice ne vendin e tyre. Cili pushtues ka pasur qellime me te mrapshta se sa kaq?