GOTA

7 Maj 2026, 15:45Blog TEMA
GOTA

Nga Auron Tare

Para pak ditësh pata shkruar disa radhë për Pazarin e Gjirokastrës atë vend ku dikur rrihte pulsi i qytetit, por sot, ku fasada ruan pjesën historike, ndërsa dyqanet e vogla duken si Dugaja me mallra nga Lindja e Largët.

Si zakonisht, unë shkruaj për kënaqësinë time dhe të atyre që lexojnë. Mirëpo, shënimi im paska pasur edhe lexues të vëmendshëm nga administrata  dhe një njeri që e çmoj dhe që, për këtë arsye, meriton një përgjigje me shkruante

“Auron,pse e sheh gotën bosh? Ne kemi artizanë në Pazar.”

Dhe, për të më bindur, më dërgonte edhe fotografinë e një zonje të përkulur mbi avlëmend një figurë që, në çdo pazar normal, do të ishte simbol i një tradite të mbajtur gjallë e jo përjashtim i rrallë.

Unë, nga ana ime, nuk kam asnjë arsye të mohoj ekzistencën e këtyre njerëzve. Përkundrazi, Gjirokastra, si qyteti i të parëve të mi, zë një vend të veçantë tek unë, por pikërisht për këtë më dhemb kur kontrasti me atë që duhet të ishte e zakonshme sot është bërë përjashtim.

Duke qenë se nuk më pëlqen të flas me përshtypje, por me fakte vendosa të bëj një numërim të thjeshtë, duke ecur kalldrëmeve.

Në Pazarin e Gjirokastrës gjenden rreth 140 njësi tregtare (përfshirë edhe ato pas Prefekturës).

Prej tyre, me gishtat e dorës mund të numërosh: një qëndistare, një gurëgdhendës, një dru-gdhendës e gjysmë (gjysma nuk është e regjistruar ende), 3 zonja që merren me kostume dhe një zonjë tjetër me qilima.

Është edhe një vajzë e re, e cila mundohet të prodhojë sapun shtëpie, si dhe një zonjë mjaft e këndshme, e cila u bën vizitorëve kafen tradicionale të Gjirokastrës, të bluar në gur dhe të zier në rërë të nxehtë.

Kafene me karrige në rrugë, suvenire turke dhe kineze, si dhe një univers i pafund sendesh që nuk kanë lidhje me Shqipërinë, por mbajnë me “krenari” emrin e saj.

Mallrave që vijnë nga Kina e Turqia u është stampuar “Albania”  një ironi e hollë që askush nuk merr mundimin ta zhbëje.

Dhe kështu kthehemi tek miku im dhe tek “Gota”.

Ai shqetësohet se unë e shoh bosh.

Unë shqetësohem se dikush përpiqet ta quajë plot.

Sepse, nëse nga 140 njësi vetëm 8–9 kanë lidhje reale me artizanatin, atëherë kemi më pak se 6% traditë dhe mbi 90%  tregeti.

Por, përtej shifrave, problemi është më i thellë.

Pazari i Gjirokastrës nuk është thjesht një hapësirë për të shitur zhele të lira lindore. Ai duhet të jetë një institucion i kujtesës, një vend ku zanatet nuk ekspozohen si relike, por jetojnë si profesion.

Gota është bosh, pasi formula e administrimit të Pazarit, e cila ka dëshmuar se është një dështim i madh, edhe pse ka mbështetjen e Fondit Shqiptaro-Amerikan (AADF), që ka krijuar një lloj bordi administrimi me emrin TID.

TID, të dashur miq që lexoni, operon edhe në Pazarin e Korçës dhe të Tiranës, ku, as më pak e as më shumë, janë “tregje” me mallra vulgare dhe pa asnjë lidhje me traditën e njohur të artizanatit shqiptar.

Ky TID i Fondit Shqiptaro-Amerikan, i mbështetur edhe nga bashkitë respektive, por edhe nga Ministria e Turizmit dhe Kulturës, të cilat kanë detyrë jo vetëm funksionale, por edhe morale, duhet të krijojë hapësirën dhe mbështetjen për lulëzimin e artizanatit shqiptar.

Ndërkohë që TID shitet si sukses, në thelb nuk prodhohet asgjë në fushën e administrimit.

As një ide e vetme serioze për të kthyer turizmin në vlerë monetare për vendasit.

Dhe kjo është ndoshta ironia më e madhe, ndërsa turistët shtohen në Pazar, autenticiteti tradicional pakësohet.

Në një vend me pak fantazi, kjo do të ishte një mundësi e artë,

të hapeshin shkolla artizanati, të tërhiqej rinia, të krijohej një markë e vërtetë “Made in Albania”, që të mos ishte vetëm një etiketë, por edhe një vlerë e madhe ekonomike për qytetin.

Do të mjaftonte pak dashuri dhe pak vullnet.

Por, siç ndodh shpesh, Ministria e Turizmit dhe Kulturës, AADF, bashkitë dhe të tjerë kanë zgjedhur zgjidhjen më të lehtë, Fasadën.

Dhe kështu, për ta mbyllur bisedën me mikun tim.

Po, i dashur mik,  Gota nuk është bosh por ka disa pika uji në fund të saj.

Por kur një pazar historik si i Gjirokastrës, që duhet të jetë Burim, kthehet në një curril vere me pika, atëherë nuk kemi të bëjmë me një gotë gjysmë bosh.

Kemi të bëjmë me një gotë që askush nuk do ta mbushë.

8 Komente

  1. R
    Rruga e Dibres

    Auron ke shume te drejte ! E vertete qe Gota ka vetem "disa pika uji" !! Pushteti lokal duhet te gjeje menyren per te nxitur dhe stimuluar biznesin e artizaneve vendas ! Rruga e Dibres

    Përgjigjjuni
    1. D
      Dire Straits//.///////

      Artikull pa vlere per standartin e Temes......Saliu nuk eshte brenda ne artikull....atehere hiqini vizen dhe hidheni ne kosh !!!!!

      Përgjigjjuni
    2. O
      Opozitar

      Jo vetem Gjirokastra por e gjithe Shqiperia eshte ne duart e matrapazeve qe shesin mall te shpifur kinez apo turk pa asnje lloj cilesie. Patjeter qe ka edhe njerez te zanatit, po hajde e merre vesh kush i zanatit e kush jo, kush eshte vendas e kush mundohet te ta shes sapunin per djath. Edhe ata qe jane vertet te zones dhe profesionist nuk ja dalin dot me ndeshmeri dhe ta shesin mallin kinez si te tyre.

      Përgjigjjuni
      1. N
        Nik

        Veçanërisht në Gjirokastër , po të bëhej para me artizale të vendit , do ishte dyndur me prodime vendi . S’të falë njeri para andejë , e dim . Futu nëpër restorante dhe të dalin nga hundët qifqitë , pse , sepse shiten . Malli që shitet e kënaq Gjirokastritin , nostalgjia e të larguarve nuk mbush kuletat më të famëshme të Shqipërisë

        Përgjigjjuni
        1. K
          Komandat

          Po normal qe shiten pjatat tradicionale por ketyre biznesmenve ne shqiperi ju duhet hap koka ne dysh qe ende te shohin me habi kur ju thua dua birre, vere apo edhe leng frutash te zones. Edhe ujin ta sjellin Italian se ju duket cilesor. Ndersa ka ende idioter qe insistojne te vendosin emrat e kafeneve e restoranteve te huaj. Nje idiotsi e papare megjithese ka shembuj plot qe njerezit nuk duan kopje te rendomta italiane, greke,turke apo kineze por vleresojne traditen dhe vecantine e kultures se vendaseve. Bjeru o Auron, beju nenat se e meritojne. Aty ku ke te drejt, ke te drejt.

          Përgjigjjuni
        2. E
          ENTSOE

          Hajde ne proteste, te shoh Zhupa dhe ne 2059 te bej zv minister tek Kultura Popullore dhe Sporti Popullor!!!!

          Përgjigjjuni
          1. C
            Cfurku

            Nuk të hyn në pune hiri traditës kur s'je ne gjendje të mbash zjarrin ndezur. Nuk kemi aq shume histori sa kërkon të kesh aq tradite.

            Përgjigjjuni
            1. A
              Asd

              Eh mer Auron, ti e di shume mire qe mungojne mundesite. Kjo eshte Shqiperia e sotme dhe kaq eshte Gjirokastra. Ndryshe nga artizanet ne gjithe boten perendimore, qe merren me traditat dhe manifestimin e tyre ne kohen e lire*, artizanet e pazarit kane dale ne treg per te nxjerre diten e punes; jo nje dite cfare do, por diten e radhes. Nese nuk shesin jane te vdekur. Ke ndonje propozim konkret se si te dalin nga ky qerthull? *Ne itali, gjithe kontradat, veshjet, shpatat, kuajt, parzmoret, presepet, kaloresit, ngjarjet etj prezantohen dhe shfaqen nga qytetare te apasionuar, inxhiniere qe vishen si gladiatore, apo teknike komputerash qe simulojne kuadratet romake (me shpenzimet e tyre). Çfare pret nga gjynahqare pa pune qe shesin mullinj, qilima dhe flamure te blere lire ne tregun turk?

              Përgjigjjuni

              Lini një Përgjigje