Nga Mateo Spaho
Shteti po shndërrohet në lojtarin kryesor të ekonomisë, duke ngushtuar hapësirën për sipërmarrjen private dhe konkurrencën e lirë. A po shkon Shqipëria drejt një tregu të kontrolluar, ku balanca mes lirisë dhe pushtetit anon gjithnjë e më shumë nga qeveria?
Përmes krijimit të ndërmarrjeve të reja publike, shoqërive aksionare me kapital shtetëror dhe strukturave hibride që operojnë si biznese, por që kontrollohen nga qeveria, po ndërtohet një model që ngre pikëpyetje të forta mbi të ardhmen e konkurrencës dhe lirisë ekonomike në vend. Ky fenomen nuk është thjesht një ndryshim teknik në mënyrën e menaxhimit të sektorëve të caktuar. Ai prek drejtpërdrejt raportin mes shtetit dhe tregut, mes pushtetit dhe sipërmarrjes, dhe në fund, mes kontrollit dhe lirisë.
Tradicionalisht, shteti ka pasur rol rregullator: vendos rregullat e lojës, garanton konkurrencën dhe ndërhyn vetëm kur tregu dështon. Por zhvillimet e fundit tregojnë një zhvendosje të qartë nga ky rol drejt një pozicioni aktiv si pjesëmarrës në treg. Krijimi i ndërmarrjeve si kompani sigurie siç është “Illyrian Guard”, struktura për menaxhimin e rrugëve me pagesë siç është EKORR, apo subjekte në sektorë strategjikë si mbrojtja dhe infrastruktura siç është KAYO, pa folur për tentativën për të hapur një bankë tjetër shtetërore (a thua se nuk ka mjaftueshëm banka private!). Kjo dëshmon për një shtet që nuk mjaftohet më me mbikëqyrjen, por kërkon të operojë vetë. Në teori, kjo mund të justifikohet me nevojën për efikasitet, kontroll më të mirë të aseteve publike dhe realizim më të shpejtë të projekteve.
Por në praktikë, lind një pyetje thelbësore: çfarë ndodh kur shteti bëhet konkurrent i vetë qytetarëve të tij? Një nga parimet themelore të ekonomisë së tregut është konkurrenca e lirë dhe e ndershme. Por kur një ndërmarrje shtetërore hyn në treg, ajo nuk është një aktor si të tjerët. Ajo ka avantazhe strukturore siç janë aksesi më i lehtë në financim publik dhe bankar, mbështetje institucionale dhe politike si dhe një rrezik më të ulët falë garancive të shtetit. Në këto kushte, bizneset private përballen me një disavantazh të dukshëm. Ato duhet të operojnë në një treg ku një nga konkurrentët ka “mburojë” shtetërore. Kjo jo vetëm që shtrembëron konkurrencën, por dekurajon investimet dhe inovacionin, produkt ky i fundit që ka ditur ta krijojë gati vetëm privati! Për një sipërmarrës të vogël apo të mesëm, hyrja në një treg ku shteti është lojtar i drejtpërdrejtë mund të jetë një betejë e humbur që në fillim.
Nga administratë në korporatë: një ndryshim formal apo real?
Një tjetër element i rëndësishëm është forma ligjore e këtyre ndërmarrjeve. Shumë prej tyre krijohen si shoqëri aksionare (sh.a.) ose me përgjegjësi të kufizuar (sh.p.k.), duke u paraqitur si entitete fleksibile dhe moderne. Por kjo ngre një dilemë: a janë këto realisht kompani që operojnë sipas logjikës së tregut, apo janë thjesht institucione publike të maskuara si biznese? Nëse ato vazhdojnë të ndikohen nga vendimmarrja politike, nëse bordet emërohen mbi baza politike dhe nëse mungon transparenca e plotë financiare, atëherë forma juridike mbetet një fasadë. Në thelb, kemi të bëjmë me një zgjerim të shtetit, jo me një reformë të tij.
Zgjerimi i ndërmarrjeve shtetërore sjell një tjetër rrezik: përqendrimin e fuqisë ekonomike në duart e shtetit. Kur një pjesë gjithnjë e më e madhe e sektorëve kyç kontrollohet nga struktura publike, hapësira për sektorin privat ngushtohet. Ky fenomen mund të çojë në atë që ekonomistët e quajnë “kapje e tregut” nga shteti. Në këtë situatë, vendimmarrja ekonomike nuk udhëhiqet më nga kërkesa dhe oferta. Në një afat të shkurtër, kjo mund të japë rezultate të dukshme, si projekte të mëdha infrastrukturore apo ndërhyrje të shpejta në sektorë strategjikë. Por në afat të gjatë, rrezikon të dëmtojë dinamizmin e ekonomisë dhe të ulë produktivitetin. Kryeministrat kështu bëhen “Mbretër”.
Liria ekonomike në tkurrje
Liria ekonomike nuk është një koncept abstrakt. Ajo lidhet drejtpërdrejt me mundësinë e individëve për të hapur biznese, për të konkurruar dhe për të krijuar vlerë pa pengesa të padrejta. Kur shteti zgjerohet në treg, kjo liri fillon të kufizohet. Jo domosdoshmërisht përmes ligjeve të drejtpërdrejta, por përmes një mjedisi ku konkurrenca bëhet e pabarabartë dhe ku mundësitë zvogëlohen. Një treg i lirë nuk është thjesht një treg pa rregulla, por një treg ku rregullat zbatohen njësoj për të gjithë. Kur shteti është edhe rregullator edhe lojtar, ky parim vihet në pikëpyetje.
Qeveria shpesh argumenton se krijimi i ndërmarrjeve shtetërore synon rritjen e efikasitetit dhe kapërcimin e burokracive. Në disa raste, kjo mund të jetë e vërtetë. Ka sektorë ku ndërhyrja e shtetit është e domosdoshme, sidomos kur bëhet fjalë për shërbime publike ose siguri kombëtare.
Por problemi lind kur kjo qasje shtrihet përtej këtyre sektorëve dhe bëhet normë. Kur shteti hyn në fusha ku tregu mund të funksionojë normalisht, atëherë ndërhyrja nuk është më korrigjuese, por dominuese. Në terren, bizneset shpesh përballen me një realitet më kompleks: procedura të pabarabarta, akses të kufizuar në tregje dhe një klimë ku konkurrenca nuk është gjithmonë e ndershme. Në Shqipëri, në veçanti, bizneset e pranojnë hapur se detyrohen të paguajnë me çmimin e korrupsionit ato qe janë të drejtat e tyre e që i marrin si ndere.
Shqipëria ndodhet përballë një zgjedhjeje të rëndësishme. A do të ndjekë një model ku shteti vazhdon të zgjerohet si aktor ekonomik, apo do të forcojë rolin e tij si garant i konkurrencës dhe rregullator i paanshëm?
Historia ekonomike tregon se ekonomitë më të suksesshme janë ato që kanë arritur të balancojnë rolin e shtetit me lirinë e tregut. Një shtet i fortë nuk është ai që kontrollon gjithçka, por ai që krijon kushtet që qytetarët të shfrytëzojnë lirinë e tyre ekonomike. Zgjerimi i ndërmarrjeve shtetërore në Shqipëri nuk është thjesht një çështje administrative. Ai është një tregues i drejtimit që po merr ekonomia e vendit. Kur shteti zmadhohet, hapësira për iniciativën private zvogëlohet. Dhe kur kjo ndodh, liria ekonomike, një nga shtyllat e zhvillimit dhe demokracisë – fillon të dobësohet.
Sfida nuk është të eliminohet roli i shtetit, por të përcaktohen kufijtë e tij. Sepse në fund, një ekonomi e shëndetshme nuk ndërtohet mbi dominimin, por mbi lirinë.
Ky shkrim u botua si pjesë e projektit “Lista Liberale – Monitoring Democracy and Free Market Economy in Albania”, i zhvilluar nga Instituti PASHKO në bashkëpunim me Media MAPO.
U bë i treti shkrim rradhazi ky që kërkon që shteti të vihet në shërbim të pasunarëve të rinj dhe oligarkëve. Në një ekonomi kapitaliste ku të pasurit bëhen gjithmonë e më të pasur dhe të varfërit gjithmonë e më të varfër, detyra kryesore e shtetit mbetet shpërndarja e pasurisë. Me anë të taksave apo rrogës minimale.
Një gjykim pamfletik ekstremisht ndryshe: Jo shteti dominon tregun, por shteti konkuron në tregun e lirë, si çdo pronar privat: shoqëria, publikja konkuron; këtu duket forca e sistemit, ndryshe ka rënë dhe mbahet nga politika. Ekonomia kyç e një vendi duhet të jetë në duart e shtetit. Si konkuroka shteti me shtetasit e vet; shteti konkuron me privatin (si person juridik, jo si person fizik) me zotëruesit e mjeteve të prodhimit, si zotërues i fondeve publike: monetare dhe kapitale të ngurtësuara; nuk është e thënë veç nga artikullshkrues si ty, që shteti të mos ketë në zotërim monopole që kanë të bëjnë me mbrojtjen, shërbimet publike,.. publike, mo etj. Është konkurent, jo nga favoret që mollois në këtë traktat të libertatizmit, por se shteti punon me kosto dhe realizon punë dy deri tre herë më lirë se privati, dhe ruan nivele normale të çmimeve (madje punon me kosto dhe i bën mjaft të leverdisëshme punët e veta; nuk ka as zavalen e tenderave të fryrë dhe korrupsionit, me çrrast). Atje ku nuk ka ofertë - kërkesë, nuk duhet lejuar sektori privat (mbrojtja, psh); mund të bëhet edhe me mercenarë mbrojtja, por timonin ta ketë shteti dhe pagesat të bëhen me kontrata të veçanta, pa bosa në mes. Është vërtetuar dhe vërtetohet çdo ditë, që sapo një aktivitet kalon më dorë të privatit çmimet rriten katastofisht, pa ndonjë efekt të shtuar shërbimi, përkundrazi. Nuk ka pse i besohet privatit "sektori i madh" energjetik, uji i pijëshëm, akset kryesore të rrugëve (strategjike) me pagesë, industria ushtarake, shërbimet bashkiake dhe shtetërore, investimet publike etj. Të gjitha këto shërbime janë më të efektshme dhe më të lira kur i merr përsipër shteti. Gjëja më e thjeshtë: një roje në institucionin ku punoni kushton më lirë ta paguash në organikën e institucionit apo në shoqëritë e sigurimeve private, që veç pagës do të duhet të paguash edhe bosin e shoqërisë, pra dyfish. Me tërë këtë që na thure, po na thua se shteti (vet zot vet shkop) është më efektiv se privati dhe më konkurues, edhe për shkak të favoreve që ka. Po atëhere ç'na duhet privati nëse shteti është me gjithë këto kushte të favorshme, ndaj dhe privati nuk konkuroka dot? Duhet të shkojmë drejt lirësimit apo drejt shtrenjtimi? Pse mo, ekonomia e tregut të lirë na duhet që të pasurohen ca në kurriz të ca të tjerëve, me fondet publike? Epo na rruat ekonomia e tregut kur konkurencën e ka fasadë dhe gjithnjë e më shumë shtrenjton ekonominë. Në kushte të barabartë tregu, a prodhon dot privati më lirë? Sikur të aplikoheshin njëlloj kushtet teknologjike të punës dhe shpenzimeve të drejtpërdrejta, përfshi dhe taksat, me normën e fitimit që kërkon privati, prodhimi do t'i dilte gjithsesi më i shtrenjtë sesa në shtet dhe, rrjedhimisht i paleverdisshëm për privatin. Kështu!. E gjithë puna është tek fitimi që synon të realizojë me patëdrejtë, ose me të drejtën e tij të tregut të lirë, por pa shtetin konkurrent. Sikur çdo degë ekonomike të kishte krahas shtetin konkurrent, tregu do të qe të paktën 50% më i lirë. Tradicionalisht shteti ka patur rrol rregullues, por kjo i përgjigjet ekonomisë të vogël, jo asaj të madhe dhe strategjike. Shteti ndërhyn në treg, por varet nga karakteri që ka shteti dhe kujt i shërben. Shteti vendos sanksione, shteti zbaton rregulla protektoratin për mallra dhe kapitale, shteti vendos taksa diskriminuese ndaj të tretëve etj. Por shteti zhvillon dhe korrupsionin (nëpërmjet privatit, për fondet publike), se kështu ruhet pushtei politik i privatit, etj: duke nderruar vetëm kalorësit, jo kali dhe të pasurit bëhen më të pasur dhe të varfrit më të varfër me "fondet e tyre publike". Pse çka nëse preket raporti midis shtetit dhe tregut, unë nuk e shoh shqetësim shtohet dhe një konkurent që frenon "libertatizmin" ekonomik, mos privati bën vezën e kuqe, përderisa shteti e konkuron?. Hë, nëse është i zoti, le ta konkurrojë shtetin, me rendiment, psh, me rritje të ofertës nëpërmjet çmimeve konkurruese më të ulta, që sjell rritja e rendimentit, ose me cilësi. Dikur, krahas tregut shtetëror ekzistonte edhe tregu privat; "konkuronte", malli i shitej se ishte i freskët, megjithëse qe më i shtrenjtë. Ja pra, nuk duhet të ketë "qofte tek daja", o privat mafishia qaramani, dhe t'i vënë lakun në fyt dynjasë. Është shtrenjtë privati, or zotni! Ekonomia e tregut shquhet për konkurencë të lirë dhe të ndershme, thua; të tillë nuk ka. Vetrregullimi i tregut deri tashti ka treguar se tregu sa ka ardhur dhe është shtrenjtuar (merren vesh bosët mes tyre), sidomos në drejtim të mjeteve të jetesës: (ushqime - shërbime) dhe strehimit, që janë tërësisht më dorë të privatit! Zgjerimi i hapësirave ekonomike të shtetit nuk ngushton ato të hapësirave private, përkundrazi, e detyron privatin të zgjerohet në hapësira të reja dhe jo fort të lehta për t'i kapur, duke u hequr edhe mundësinë e korruptimit të administratës për të shkuar në drejtimin që i takon të shkojë, por jo duke zëvendësuar shërbime që mund t'i bëjë shteti vet. Po sikur t'i numërojmë degët që kollandrisen nga tregu i lirë privat dhe që shteti po "i zvogëlon" iniciativën e lirë private: ndërtimi, privat; turizmi, privat; veshmbathje tregti-fasoneri, privat; tregtia, mobilimin: pajisjet ekektroshtëpiake; të gjitha llojet e tregtisë; mirëmbajtja, aeroportet, shërbimi telefonik dhe mobile; portet, bujqësia, industria nxjerrësh, përpunuese etj, private! Ku ndërhyn shteti dhe po i merr frymën ekonomisë liberale të tregut? Pse nuk e prish konkurencën shërbimi spitalor, shëndetsor apo arsimor? Apo edhe ky shërbim të jetë privat i gjithi, që të themi se jemi në një kapitalizëm të vërtetë të ekonomisë të lirë dhe të ndershme të tregut dhe t'u shërbehet kush ka: bejlerëve dhe agallarëve modern. Të vejë thika deri në palcë, se nuk ka vajtur ende nga shushunjat e kërkes-ofertës. Jo, jo; shteti në konkurencë me privatin në kushte të barabarta ringu; rregulloren e bën parlamenti. E kemi provuar një herë "çekut e bardhë" dhe "terapinë e shokut", të pasuksesshëm kudo ku u zbatua. Një kapitalizëm shtetëror do të qe më i drejtë në këto kushte, ku bota është kaq e turbullt. Të kuptoj, si pjesë e studimit "Lista libetale" të institutit Pashko. Sidoqoftë edhe ju do të ushqeheni me ylefenë e propagandës së "Çekut të Bardhë", Ideatorit të dështimit më të madh ekonomik të Shqipërisë, që e çoi në greminë shtëpinë e vjetër (që vuante veç për pak kozmetikë), pa ndërtuar shtëpinë e re, duke e shpënë vendin në pikë të hallit.
Akoma nuk kanë kuptuar këta “teoricenë” se përse u shkatërua ekonomia shqiptare pas vitit 1990, ku ekonomia nga e centralizuar nga Shteti u liberalizua në private! Kur pyeta një Profesor perëndimor në vitin 1992 në se duhej privatizuar e gjitha, më përgjigj me shprehjen që edhe në amerikë nuk është e gjitha private. Në bazë të teorisë së Tregut thuhet që Shteti nuk duhet të privatizojë firmat që operojnë monopol dhe që mungon konkurenca sepse dëmtohen konsumatorët. Pra shkurt, Shteti duhet të mbrojë konsumatorët, ndërsa privati shikon vetëm fitimin edhe kur dëmton konsumatorët dhe konsumatorë jemi të gjithë përfshi artikullshkruesin!
Zoteri, Me kete artikul te ka ngelur ora ne viti 1992. Ne qoftese ke ide propozo si ulet çmimi i karburanteve, i ushqimeve apo banesave. Se po te mos i kishte braktisur totalisht shteti yne keto tregje nuk do ishte kjo disbalance midisë pagave dhe çmimeve. Nje shembull i vogel nje çifte me rroga mesatare 60.000 lek, do blej nje shtepi i duhet 50 vjete qe te likujdoi kredin. Kjo eshte ekonomi per Ju!!!
Mire se u kujtova, ky artikull mos eshte ndonje tip presioni mbi ata fshataret e Qeverise, qe u jepni ca lek e beni ligje qe privati te fitoi miliona euro, si ato ligjet toka 1 euro, investitor stategjik, apo kodin doganor etj. Se eshte nje artikull pa sense fare.
O PALLE , SHTETI PO HYN KRYESISHT NE MBROJTJE DHE ELEMENTE TE SIGURISE KOMBETARE.......OSE KUR NUK KA KONKURRENCE....KJO BILE BEHET MEQE PO I TEPROJNE CA PARA DHE SHTETI PO INVESTON SIC BERI ME AI......E MIRA MURATIT...REZULTATI QE GJUHA SHQIPE TANI ESHTE BERE PJESE E AI KUDO NE BOTE....
O pioner i Gramozit, ate çekun e bardhe ku ta kesh! Ketu problemi eshte qe shteti po delegon funksione kyçe te nje vendi sovran tek nje dore pasanikesh me PPP-ra e konçesione.