Rroftë Spaku, poshtë Spaku!

24 Shkurt 2024, 19:22Blog TEMA
Rroftë Spaku, poshtë Spaku!

Nga Skënder Minxhozi

Protesta e 20 shkurtit ka lënë një buzëqeshje të sforcuar në fytyrat e të gjithëve në PD “e madhe”, atë të Berishës. Të atyre që rrinë me stoicizëm të rrugica çdo ditë të javës, por edhe të rishtarëve të “grupimit të mesit” të cilët po zbulojnë ndjesinë e bukur të rrahjes së shpatullave nga militantët teksa i shohin rrugës apo në oborrin e partisë. Përtej përmasave dhe qëndrueshmërisë së protestës, kuadrati i opozitarëve me Berishën në krye, po këndojnë “fitore” për faktin që partia e mitingjeve ju rikthye më në fund shesheve, duke dalë për disa orë nga rrugica klaustrofobike “e Salës”.

Çeshtja është se entusiazmi që sjell një protestë si ajo e 20 shkurtit, i ngjan atij shiut të bekuar të gushtit në mesin e një stine të thatë e përvëluese. Është i rrëmbyer, sjell me vete ujë, gurë e drunj, por zgjat pak, shumë pak. Vërshimi rreshtet, toka plasaritet sërish dhe të duhet të bësh llogaritë me thatësirën që djeg e përvëlon çdo fije bari. Kjo është metafora që prodhoi protesta e 20 shkurtit për opozitën e bashkuar. Një bashkim i habitshëm ku mungoi edhe Meta, edhe Mediu edhe të tjerët, e ku u duk kalimthi Jorida Tabaku, ndërkohë që të rikthyerit “e mesit” qëndronin gjithë ndrojtje e habi mes njerëzve (me përjashtim të Gazit, i cili i ka idetë e qarta në krah të Flamurit)!

Protesta vetëm sa e devijoi paksa vëmendjen nga sfida e parë e madhe e PD së bashkuar. Asaj sfide që ka si pengesë të pakalueshme dy gurë kilometrikë të frikshëm në rrugën drejt zgjedhjeve: SHBA dhe SPAK.

Ata që sot duartrokasin fort për bashkimin e opozitës, por bëjnë sikur bezdisen kur pyeten për modalitetet, parimet bazë dhe mënyrën sesi do të funksionojë ky bashkim, e dinë shumë mirë se afrimi i deputetëve të Partisë Demokratike tek rrugica e Berishës është një operacion me shumë të panjohura. Një listim mekanik emrash që besojnë dhe ndjekin filozofi të ndryshme për vetë PD dhe për fatin personal të Berishës, por edhe për çeshtje të mëdha të kohës sonë që kanë të bëjnë me interesin e vendit dhe të ardhmen e tij.

E panjohura më e parë e ngjizjes së këtij konglomerati që deri dje anatemohej mes vetes me fjalët më të rënda, është ajo e qëndrimit ndaj Amerikës dhe “pjellës” së saj, drejtësisë së re. Përtej Presidentit e Kryeministrit të vendit, Blinken në Tiranë takoi vetëm  prokurorë e gjyqtarë. E pra sot gjysma e PD, ose më saktë Rithemelimi, e ka hedhur në gjyq Amerikën pasi kjo i shpalli non grata shefin politik. Kjo gjysëm mallkon përditë nga rruga Altin Dumanin e Sokol Sadushin, duke i quajtur grup kriminal e duke i shpallur armiq e të shitur tek Edi Rama.

Në anën tjetër, po sot gjysma tjetër, grupimi i mesit (sa qesharak duket tani ky term), vijon të deklarojë mekanikisht se përkrah aleancën strategjike me SHBA dhe rolin e pozicionin e drejtësisë së re në luftën kundër korrupsionit (dmth kundër pallateve të dhëndrrit të Berishës, do të thoshte një mendje cinike). Ky grupim tenton të ulet njëherësh në dy karrige, të pijë në dy nëna dhe në dy burime. Një alkimi e pasinqertë që nuk e besojnë të parët ata që kanë vendosur veten në këtë rol të sikletshëm.

Të thuash “Rroftë Spaku” dhe “Poshtë Spaku” njëkohësisht do të thotë të kafshosh gjuhën e të mjegullosh trurin, të hutosh e gënjesh votuesin tënd, por edhe të shkuarën tënde, atë që ke mbrojtur publikisht vetëm pak kohë më parë. Të jesh edhe me Berishën, edhe me Amerikën njëherësh është sa hipokrite, aq edhe qesharake. Gazmend Bardhi s’do të duhej të pranonte as të ulej pranë Flamur Nokës pas atyre që ka thënë për të vetëm pak muaj më parë (pasi u mor me Babin e Zenit). Në fakt është po kaq e dyshimtë dhe e shëmtuar sesi vetë Noka pranon t’i bjerë Shqipërisë kryq e tërthor me Bardhin në krah, për të festuar “bashkimin”, pas atyre që ka dëgjuar nga goja e këtij të fundit.

Martesa të tilla me kontratë brenda PD-së së copëzuar nuk kanë në themel as edhe më të voglin parim apo vullnet të pastër për të çuar opozitën drejt pushtetit. E dinë se duke u bashkuar, vetëm shtojnë numrin e humbësve, e dinë se votat e Doktorit të çojnë në Parlament, por jo në pushtet. Të tilla martesa pa dashuri kanë për bazë vetëm interesat vetjake të protagonistëve. Një mandat, një strehë e përkohshme për t’u ndjerë pak më i fortë dhe i faktorizuar, një akt “trimërues” për të krijuar iluzionin e fuqisë së rreme, i cili është po kaq i dështuar në perspektivë, sa edhe humbja në vetmi.

Janë bërë bashkë sepse po afrojnë zgjedhjet. Altin Dumanin e urrejnë të gjithë njësoj!