Sa ndryshon në Shqipëri përkatësia fetare bazuar në bindjet personale nga ajo origjinale familjare?

8 Janar 2025, 10:29Blog Nga Eduard Zaloshnja

Sa ndryshon në Shqipëri përkatësia fetare bazuar në

Shkrimtari/studiuesi i mirënjohur Bashkim Shehu dhe statisticieni Eduard Zaloshnja kryen në fund të vitit 2024 studimin më të thellë deri më sot për nivelin e besimit fetar në Shqipëri, mbështetur nga fondacioni gjerman Konrad-Adenauer-Stiftung (KAS). Studimi u bazua në anketimin e 820 banorëve 18 vjeç e sipër, të intervistuar nga 30 anketues profesionistë të shpërndarë proporcionalisht në të gjithë vendin (studimin mund ta lexoni të plotë duke klikuar këtë link: https://www.kas.de/sq/web/albanien/titujt/-/content/studim-statistikor-mbi-besimin-fetar-ne-shqiperi-1

Rezultatet kryesore të studimit:

• 59% e të anketuarve deklaruan se, bazuar në bindjet personale (pavarësisht nga prejardhja familjare), besojnë plotësisht në ndonjë fe të caktuar. Ndërkaq, 56% e të anketuarve besojnë në fenë e origjinës familjare (shihni në tabelën më poshtë përqindjet për secilën fe).

• 21.7% e të anketuarve deklaruan se shkojnë të paktën një herë në muaj në kishë/xhami/teqe/etj.

• Vetëm 6.8% e të anketuarve mund të konsiderohen thellësisht besimtarë të fesë që deklarojnë se besojnë, përcaktuar nga përgjigjet pozitive për të gjitha pyetjet në vijim: shkojnë të paktën një herë në javë në kishë/xhami/teqe/etj.; mendojnë se gjërat në botë ndodhin nga vullneti i Zotit; mendojnë se njeriu është krijesë e Zotit; mendojnë se, me vdekjen e njeriut, shpirti i tij vazhdon të jetojë në botën e përtejme; mendojnë se, në varësi të të mirave apo të këqijave që bën njeriu në jetë, shpirti i tij mund të shkojë në Parajsë ose në Ferr.

• Të anketuarit që rregullisht agjërojnë/mbajnë kreshmë përbëjnë 22.2% të numrit të përgjithshëm.

• Brezi i vjetër (65 vjeç e sipër), i cili e ka përjetuar periudhën para se të ndalohej feja, ka përqindjen më të lartë të atyre që shkojnë të paktën një herë në muaj në kishë/xhami/teqe/etj (23.5%), ndërsa brezi i mesëm (40-64 vjeç), i cili u formua gjatë asaj periudhe, ka përqindjen më të ulët (19%).

• Pothuaj gjysma e atyre që nuk besojnë në asnjë fe të caktuar shkojnë, megjithatë, në kishë/xhami/teqe/etj. me shpresën se një gjë e tillë mund t’i ndihmojë për problemet e tyre jetësore/shëndetësore, dhe mbi gjysma e jofetarëve që shkojnë në kishë/xhami/teqe/etj. deklarojnë se ekzistojnë raste kur kjo i ka ndihmuar ata ose të njohur të tyre.

• Pothuaj 40% e të anktetuarve kanë kryer ose dinë që prindërit apo gjyshërit e tyre kanë vazhduar të kryejnë fshehurazi rite fetare në periudhën kur kjo dënohej penalisht.

• 79% e të anketuarve deklaruan se nuk e kanë problem që një pjesëtar i familjes (përfshirë dhe veten) të martohet apo të bashkëjetojë me dikë nga një familje me prejardhje fetare të ndryshme; një martesë/bashkëjetesë të tillë kanë realisht 21.6% e të anketuarve të martuar/bashkëjetues.

• Vetëm 75% e të anketuarve besojnë në të njëjtën fe (ose, përkatëasisht, nuk besojnë në asnjë fe) sikurse baballarët e tyre dhe 72% sikurse nënat e tyre. Ndër të martuarit/bashkëjetuesit, vetëm 69% besojnë në të njëjtën fe (ose, përkatëasisht, nuk besojnë në asnjë fe) sikurse bashkëshortët/bashkëjetuesit e tyre.

• Gjasat e dikujt me nënë që beson/te në ndonjë fe të caktuar janë 6.27 herë më të mëdha se të dikujt me nënë që nuk beson/te në asnjë fe të caktuar, kur të gjitha karakteristikat e tjera i kanë të njëjta. Në rastin e babait, ky koeficient është më i ulët: 4.2.

Konkluzionet kryesore të studimit:

• Besimi fetar vazhdon të jetë mjaft i përhapur në Shqipëri, me një përqindje besimtarësh përafërsisht sa ajo e Europës Perëndimore.

• Numri i atyre që mund të konsiderohen thellësisht besimtarë është relativisht i vogël, krahasuar me numrin e përgjithshëm të besimtarëve, gjë që vërehet sot edhe në ndonjë vend europian me histori diametralisht të kundërt në raportin e shtetit me fenë.

• Ateizmi shtetëror jo vetëm që nuk e arriti qëllimin e çrrënjosjes së fesë, po edhe nuk solli ndonjë ndryshim të madh në këtë drejtim. Besimi fetar, me sa duket, është një nga shtresat më refraktare të botës së brendshme të njeriut përballë dhunës politike.

Krahasimi i përgjigjeve për dy nga pyetjet më të rëndësishme ndër 60 që ishin gjithsej në pyetësor:

Sa ndryshon në Shqipëri përkatësia fetare bazuar në

 

 

4 Komente

  1. K
    Kauri

    PSH ,,,NJE ORTHODHOKS ,,BESON APO NUK BESON NE KRISHT ,,,SHKON APO NUK SHKON NE KISHE ,,,AI KUR VDES ,,,ARKIVOLI FUTET NE KISHE ,,,BEHET LITURGJIA PER TE NDJERIN ,,DHE MBI VARR I VIHET KRYQI GREKORTHODHOKS ,,,,DHE MYSLYMANI QE NUK VETE NE XHAMI ,,MYSLYMAN ESHTE PRAP ,,,DHE KUR VDES ,,HOXHA I LEXON KURANIN ,,DHE NE XHAMI DHE PARA VARRIT ,,,,DHE MYSLYMANI BEKTASHI PO ASHTU ,,,DERVISHI I LEXON KURANIN NE TEQE ,,,

    Përgjigjjuni
    1. D
      Dashi

      ×kaurin . Po çlidhje ka ortodoksi shqiptar me kryqin greko- ortodoks ? Pse kryqin e quan greko-ortodoks , grekët e kanë shpikur ? Shqiptarit kur vdes i vihet në varr kryqi ortodoks , kaq dhe ky kryq nuk ka lidhje fare me grekun . Pse grekët e kanë bërë ortodoks shqiptarin ?

      Përgjigjjuni
      1. ~
        ~} @

        Më saktë " kaur " do të thotë i pa feë . Si i thuhet , të një tjetëre dore , bij të një nëne . Ja si s'ës t'onë dhe i ja nis ; si t'm'a thonë : T'Anastasit , të Ilias , të Mios të Stefanit . A janë ata si , ata ? Jo ! Janë , as si nuk i quajnë , ata , - goro , jo nasasllarë , jo Iliallarë , jo mihallarë , jo stefollarë . Gorot , janë dorë tjetër . Për emër të shenjët - Jani - si dje ; i janĕ tjetër dorë . Dora i Dorës s'ës tonë . Ja si thanë ja si thonë e ja si nuk u tha me sa dimë ; ç'i shkrova .

        Përgjigjjuni
        1. A
          Ati Ishte

          Qëkur shikon se ateist nga origjina e familjes janë 0%, ky sondazh mund të quhet i dështuar ose i kryer më mënyrë jo profesionale....... . Qëndroni tek 6.8% i besimtarëve, kaq janë besimtarë në Shqipëri.... . Të tjerët nuk besojnë, ose vetëm deklarojnë për tifozllëk se janë besimtarë të kësaj apo asaj feje...... . Shif në kremtimet që bëhen në kisha për krishtlindje apo pashkët.... . Të paktën 30% e atyre që shkojnë, janë të besimit mysliman..... . A mund të quhen besimtarë muslimanë këta..... . Jo. Këta feja islame i bën lanet, apo i mallkon.... . Dhe ajo se heqja e fesë nga regjimi totalitar, nuk pati efekt, nuk është aspak e vërtetë......... Në Shqipëri, nuk ka tolerancë fetare, siç përpiqen të bëjnë propagandë. Por në Shqipëri nuk besojnë..... . Ndryshe të thuash tolerancë dhe ndryshe harmoni...... . Kjo e fundit mbase qendron, dhe në Shqipëri më shumë se kudo martohet i krishteri me myslimanen dhe anasjelltas..... . Po ti mund të kishe bërë pyetjet:- Sa herë në ditë falesh? A shkove në kishë, xhami këtë të diel, po të dilën tjetër, dhe do të shikoje që mund të kishte 3 api 6 muaj pa shkuar. ... . Pra ne kemi tifozë të një feje, por jo ultras që shkojnë më stadium.( kishë, xhami). Pra duke qëndruar tek 6.8%, rreth 93% e popullsisë në Shqipëri, nuk besojnë në asnjë fe, përderisa nuk ndjekin asnjë rit fetar.

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje