
Letrat e Goran Bradiqit: Mbi një propagandist të qeverisë së Sllobodan Millosheviqit që tani përfaqëson Serbinë si ambasador në Bern.
Nga Enver Robelli
Goran Bradiq është ambasador i Serbisë në Bern. Prejse është emëruar në këtë post (më 2019), Bradiq e ushtron para së gjithash një veprimtari, të cilën, me sa duket, e njeh mirë: përhapjen e propagandës! Në shënjestër i ka sidomos gazetarët (si autorin e këtyre radhëve), të cilëve u dërgon letra të gjata deri në pesë faqe dhe në të cilat si një robot përsërit propagandën serbomadhe të viteve ‘90, të “stolisur” me manipulime të reja.
Në shënjestër të gospodin Bradiqit janë edhe politikanët zviceranë, të cilët përkrahin pavarësinë e Kosovës, të cilët kanë ndikuar që Zvicra përmes ambasadorit të saj në OKB të përmendë – për herë të parë - në Këshillin e Sigurimit pavarësinë e Kosovës si opsion të vetëm dhe të cilët edhe sot angazhohen për Kosovën.
Bradiq nuk ndalet. Së fundi, siç mora vesh, i kishte shkruar një deputeti socialdemokrat një grumbull gënjeshtrash mbi historinë e konfliktit të Kosovës. Për të kursyer nervat e lexuesve nuk do të citojmë këtu nga letrat e Goran Bradiqit, të cilat tingëllojnë si ditari (“dnevniku”) i RTS-it në vitet ‘90, të cilin e moderonte Millorad Komrakovi.
Goran Bradiq është i mllefosur dhe arsyeja, mes tjerash, gjendet te një shkrim i botuar në gazetën “Tages Anzeiger” më 2019, me rastin e emërimit të tij si ambasador i Serbisë në Bern. Atëkohë, gazeta e prezantoi Bradiqin në një faqe, por jo siç e kishte pritur. Një koleg imi, i cili në fund të viteve ‘90 ka raportuar mbi luftën në Kosovë dhe terrorin serb ndaj popullit të Kosovës, tregoi në tekst se si Bradiq - si atashe për shtyp në Ambasadën e Serbisë në Vjenë - ua bënte jetën ferr gazetarëve perëndimorë, të cilëve nuk u lëshonte viza për të shkuar në Jugosllavinë e atëhershme të cunguar.
Qëllimi i këtij ndëshkimi burokratik ishte i qartë: gazetarët nuk duhej lejuar të arrijnë në Kosovë dhe të raportojnë nga atje. Bradiq merr vesh nga propaganda dhe manipulimet, sepse para se të bëhej propagandist me letra në shërbim të shtetit serb, ka qenë korrespondent i agjencisë serbe të lajmeve TANJUG, edhe kjo kampione e antigazetarisë.
Kur gazetarët shkonin në zyrën e Bradiqit në Vjenë për të dorëzuar formularin për vizë, ai ua tregonte ndonjë artikull që nuk i kishte pëlqyer. Artikulli zakonisht ishte i nënvizuar me ngjyrë të kuqe. Sa më shumë nënvizime, aq më të vogla shanset për të marrë vizë. Bradiq e pyeste gazetarin: “Si mund ta quani presidentin tonë diktator?” President ishte diktatori Sllobodan Millosheviq. Në kohën kur Bradiq ishte atashe për shtyp në Vjenë, shkrimtari austriak, Peter Handke, i njohur si propagandist serb, mori dhuratë një pasaportë jugosllave (serbe) për të kryer udhëtimet e tij “hulumtuese” në Jugosllavi. Sa u përket “hulumtimeve” të Handkes: ato kryesisht koncentrohen në kafehane të provincës serbe, me shumë raki dhe këngë nga turbo-folku i famshëm e famëkeq serb, ku lartësohen krimet dhe poshtërohen viktimat.
Megjithatë, nuk duhet nënçmuar veprimtarinë e Goran Bradiqit. Një ves i propagandistëve është këmbëngulja e tyre në përhapjen e propagandës. Pas shumë vërtitjeve me letra, diku ata gjejnë një fole. Momentalisht propaganda serbe në Zürich e ka gjetur adresën: te revista e djathtë “Weltwoche”. Aty shkruan tekste Predrag J. Markoviqi, “historian” nga Beogradi dhe funksionar i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), pra partisë së Millosheviqit. Këtë informatë “Weltwoche” nuk e bën publike, Markoviq prezantohet vetëm si historian.
Së fundi ish-politikani Christoph Mörgeli nga partia e djathtë populliste SVP shkroi se më 6 qershor katër të rinj me flamur shqiptar paskëshin bërë fotografi, paskëshin treguar gishtin e mesëm dhe paskëshin fyer para Ambasadës së Serbisë në Bern. “Këtë rast e kanë regjistruar kamerat e sigurisë”, shkruan Mörgeli. Athua Mörgeli ka qasje në regjistrimet e kamerave të sigurisë të Ambasadës së Serbisë në Bern? Kjo mbetet pyetje mjaft interesante.
Sanija Ameti, një politikane liberale zvicerane, e lindur në Bosnjë dhe e rritur në Zvicër, të cilën Mörgeli e atakon shpesh, pra Sanija Ameti para disa muajsh deklaroi atë që me gjasë e mendojnë jo pak njerëz në Zvicër: revista “Weltwoche”, sipas Ametit, “është kolona e pestë e Vlladimir Putinit në Zvicër”.
Në përgjithësi Mörgeli duket se ka problem me gra – më konkretisht me gra të mençura. Atij, për shembull, nuk i pëlqen se si raporton për Zvicrën korrespondentja e gazetës gjermane “Süddeutsche Zeitung”. Brenda një viti Mörgeli e ka përmendur Kosovën në 26 shkrime, gati 26 herë - negativisht. Kur s’merret me Kosovën, merret me etiketim të grave që kanë mendim dhe që e thonë mendimin e tyre.
Robelli ...Robelli !! Nisa ta lexoj kete shkrim tuajin por e ndalova leximin qe ne fillim ne frazen ,citoj: " Bradiq - si atashe për shtyp në Ambasadën e Serbisë në Vjenë - ua bënte jetën ferr gazetarëve perëndimorë, të cilëve nuk u lëshonte viza për të shkuar në Jugosllavinë e atëhershme të cunguar." Po mire more Robelli qe kur ...e deri kur vizat ne ambasada i japin atashete per shtyp ???!!!!!! Vizat me sa dime kane te drejte ti japin vetem konsulli ose persona te caktuar ne varesi te MUP-it , dhe mbi te gjitha (kete e kam nga eksperienca ime personale ,ku jam perballur vete me kete problem) ne ate kohe qe flet ti ndoshta dhe tani te tere kerkesat per viza kalonin nen "siten" e MUP-it dhe ambasada nuk kishte gje ne dore po mos aprovohej nga ministria e brendeshme !!! Ndersa ti na genjen e perseris na genjen qe vizat i pasker pasur ne dore atasheu per shtyp i ambasades dmth nje SKERBYTHJE !!!!! Robelli ti mundet te keshe merira personale me personin dhe eshte e drejta jote te hakmerresh por jo me kesi rrenash ....jo per gje por na ul neve si lexues te Tema-s shume poshte ne nivelet e alifmatrakut .
O ti "konsull,, ia fute kot, me që je pa post të falet. Ata që quhen "ateshe,, në ambasada jan të gjithë agjent të policive sekrete e japin llogari tjetër kund. Konsujt dhe ambasadorët hedhin vetëm firmat.
Ti mor zotni pervec se je injorant je edhe harbut e arrogant, po, sepse ne pergjithesi gezetaret ne ato kohera per te marre nje vize nuk mbanin rradhen tek sekretari i konsullates (mbasi konsulli nuk merret me sportelin) por komunikonin vetem me atashehun e shtypit me te cilin kishin njohje e kontakte pune!
O Konsul mu..merre me permbajtjen dhe jo me vizat.Vizat ne komunizem i jepshin te besuarit e UDB….
Ky Konsulli pa post paska verejtje dhe na qenkesh ekspert se si e kush i dhenkeshin vizat ne Zvicer dhe se nga eksperienca e tij personale nu na qenkesh ambasada e mbushur me spiune e agjente serbe qe vendoste se kush do te merrte viza per te vizituar ish Jugosllavine. Duket qe ketij konsulli pa bole qe ploteson detyre e tij konsullore , nuk i ben pershtypje se, njelloj sipas modelit te ish ministrit te propogandes se Milloshevicit Vucic qe sot eshte President i Serbise, me mijera ish zyrtare te devotshem te Kasapit te Ballkanit, Miloshevicit, sot kane poste kyce ne qeverine, ushtrine, administraten dhe sherbimet inteligjente serbe. Dhe jane pikerisht keta zyrtare pergjegjes dhe egzekutues te politikave genocidiste e fashiste te ish Jugosllavise dhe te Serbise se sotme qe jane shkaktaret e gjendjes ne Mitrovice dhe shperthimeve te dhunes atje nga bandat kriminale dhe shoket e armeve te Vucicit. Ky edhe eshte thelbi i shkrimit te Robellit. Dhe, nese te ka mbetur ndonje pike gjaku shqiptar, o Konsull pa Bole, ne thuaj reflektimin tend per kete realitet, dhe mos u merr me hierarkine se kush i jepte vizat ne Zvicer. Cdo njeri me dy fije njohuri se eshte se jane ambasadat qe gelojne nga specialistet e sherbimeve intetligjente qe ndjekin, mbledhin dhe informojne strukturat perkatese vizedhenese se kush i ben fresk politikave dhe propogandave te qeverive perkatese dhe kush jo, pra edhe se kujt i duhet dhene viza dhe kujt jo.
E vlerësoj analizën e z. Robelli në këtë artikull, si edhe në artikuj të tjerë. Vetëm për ngjyrim, më ra ndërmend që Amasador i Republikës së Shqipërisë para do kohe ka qenë edhe shoku Mehmet Elezi. Me sa duket Konfederata qenka e predestinuar të mikpresë diplomatë propagandista kamunista të thekun. Ç'a me bo z. Enver, ata e kanë në gjak propagandën. Për dhe me të jetojnë.