
Nga Nju Jorku, Marko Caka
Erdha, pashë dhe ika. Siç vijnë zakonisht ata që ende kanë sy për të parë dhe nerva për të mos u mashtruar. Pashë atë që kisha lënë, sepse realiteti nuk ka lëvizur askund. Por nuk pashë atë që kisha ëndërruar, sepse në Shqipërinë e sotme ëndrrat përdoren kryesisht si dekor fushatash. Ato janë pjesë e skenografisë politike, jo e jetës së përditshme.
Shqipëria që më doli përpara nuk ishte një vend në transformim, por një skenë e lodhur, e mbuluar me drita festive, sikur të ishte marrë përkohësisht me qira për xhirime propagandistike. Sikur varfëria të ishte thjesht problem ndriçimi. Sikur mjaftonin dritat për të zhdukur errësirën sociale.
Ky iluzion u rrëzua brutalisht me përmbytjet që përfshinë pothuajse gjithë vendin. Ato treguan edhe një herë se fatkeqësitë në Shqipëri rrallëherë janë thjesht natyrore. Shtëpi të përmbytura, rrugë të shkatërruara, lagje të tëra nën ujë, jo sepse reshjet ishin të jashtëzakonshme, por sepse kanalizimet nuk janë ndërtuar kurrë siç duhet, lumenjtë nuk janë mirëmbajtur dhe planifikimi urban është sakrifikuar për përfitime afatshkurtra dhe imazh politik.
Përmbytjet nuk zbuluan një përjashtim, por zbuluan realitetin. Ato ekspozuan një shtet që investon më shumë në fasadë sesa në infrastrukturë, më shumë në propagandë sesa në parandalim. Kur uji ngrihet, ngrihen edhe pasojat e dekadave të neglizhencës.
Shqipëria flet vazhdimisht për “madhështi” dhe “zhvillim”, ndërkohë që jeton me një kompleks inferioriteti kronik. Pra, mjafton vetëm një fatkeqësi natyrore dhe gjithçka del në sipërfaqe, sepse bonifikimi dhe menaxhimi i ujërave ose nuk janë bërë kurrë, ose ekzistojnë vetëm në letra.
Do të doja, ta doja Shqipërinë si SHBA-në ku jetoj. Por atje madhështia nuk fillon me zbukurime dhe nuk mbaron me slogane. Realiteti nuk ka nevojë për grimin e festave për të fshehur rrudhat e pabarazisë.
Këtu dëshira është luks, ndërsa realiteti është borxh, por një borxh që trashëgohet brez pas brezi. Shqipëria ime është ende shumë larg asaj që shitet në vitrinën politike. Jo gjeografikisht, por moralisht.
Mediat e mëdha janë shndërruar në kronikanë oborri. Jo për të mbajtur pushtetin përgjegjës, por për t’i shërbyer atij. Ato transmetojnë jetën e politikanëve me një devotshmëri që do ta kishin zili edhe regjimet autoritare klasike. Asnjë pyetje e pakëndshme, asnjë bezdi. Vetëm reportazhe të lëmuara për “vizion”, “sukses” dhe “transformim”. Ndërkohë, qytetarët e zakonshëm, janë ata që dhanë votën dhe besimin, shpesh nën kushte varfërie dhe verbërie, por mbeten figurantë në fund të kronikës, nëse përmenden fare.
Qendra e Tiranës i ngjan gjithnjë e më shumë një Times Square-i të keqkopjuar. Drita që verbojnë për të mos lejuar shikimin përtej tyre. Një qendër e shkëlqyer për turistët dhe kamerat, ndërsa periferitë mbeten po aq të harruara sa dekada më parë. Sot ato nuk janë më thjesht të varfra, por janë bërë të padukshme.
Një elitë e re e mban këtë prapaskenë të mbyllur me vetëdije. Sepse luksi në Rolling Hills, Kodrat e Diellit apo Gjirin e Lalëzit humbet çdo kuptim po t’u hapet perdja. Kjo elitë, e prodhuar nga një sistem i korruptuar, sot shitet si imazh suksesi dhe jep leksione për “sipërmarrje” dhe “rrugë drejt pasurisë”, gjithmonë kundrejt një pagese, gjithmonë pa shpjeguar pikën e nisjes.Një elitë që mat zhvillimin me restorante luksoze dhe kulla, ndërsa qytetarët matin muajin me ditë.
Si mund të flasësh për “boom ekonomik” kur komunitete të tëra mbijetojnë me borxhe, kredi informale dhe dërgesa nga diaspora? Si mund të flasësh për zhvillim kur përmbytjet shkatërrojnë shtëpi dhe biznese që nuk kanë asnjë rrjet sigurie? Si mund të flasësh për mirëqenjë kur përmbytjet shkatërrojnë jetën e atyre që tashmë janë në kufijtë e mbijetesës?
Pashë edhe një kryeministër që ka zbuluar formatin më të sigurt të pushtetit, monologun e paketuar si dialog. Në podcastin e tij ftohen vetëm ata që e admirojnë, ata që i shërbejnë narrativës. Kritika nuk hyn në studio, sepse do t’i prishte akustikën e lavdërimeve. Kur pushteti flet vetëm me veten, demokracia kthehet në podcast, ndërsa realiteti mbetet jashtë mikrofonit.
E gjithë kjo Shqipëri e ndriçuar, e kuruar, e filtruar, më ngjan me një shtëpi të bukur nga jashtë, por me themele të krisura. Një vend që investon më shumë në fasadë sesa në dinjitet, më shumë në propagandë sesa në drejtësi, më shumë në imazh sesa në njeriun.
Prandaj erdha, pashë dhe ika. Jo nga mungesa e dashurisë, por sepse dashuria kërkon sinqeritet. Dhe aty ku realiteti mbytet nga dritat, apo nga ujërat, sinqeriteti është viktima e parë.
Erdha, pashë… dhe ika sërish. Jo si akt braktisjeje, por si akt mbijetese morale.
E sakte, vetem me nje kusht: kur shikon mendja jote vetem problemet, anet negative, dhe behen krahasime me SHBA, 250 vjet shtet demokratik. P. S. Kur Isha ne New York, dhe mora Subway, kur me pare Isha ne Gjermani, thash : bota e trete... Apo kur hyra ne Harlem.. apo Harlem , harrova nuk eshte I SHBA?!?!!
Ana edhe mua me la pa fjale metrona e Nju Yorkut. Mu duken si banjot publike te Tiranes , para viteve 90
Rruga e mbare
Mark; ERDHE, PE DHE IKE ! NA FIKE !
Caka, ja ke futur si kau peles. Shqiperia mund te kete mijera probleme, por SHBA po rreshket drejt carjes perfundimtare te saj, me keq se Shqiperia. Shqiptari paguan per 1 1 apartament, nga €200-700 ndersa ti per te njejten kubature paguan nga $1300-3000 e mos me shume. Ne Shqiperi per 1 1 ti paguan nje takse qesharake, ne SHBA ti paguan nga $3000-10000 takse shtepie ne nje vit. Nje shqiptar paguan $700 full coverage siguracion per makinen e tij, ndersa ti paguan nga $1700-3500 gjashtemujorin. Ti paguan takse makine minimumi $350 per nje makine 15-17 vjet te vjeter, shqiptari paguan $30 ose hic. E pra mo Caka, pordha e madhe gris breket e veta dhe jo te tjetrit.
Mire e thua po ce do qe njerezit vazhdojne dhe ikin. Pastaj mos thuaj vetem si jane shpenzimet. Thuaj dhe parate qe behen aty duke punuar.
Kujt i mora 'leje' qe ika ???? O TE CMENDUR Duhen plane per zhvillim dhe permirsim,,, por jo NDALIM ! As regjimimimkomunist nuk ka ndalu 100% largimin Duhen programe konkrete... Po Italia po afron shtepi 1 Euro...ne disa rajone... DUHEN VENDOSUR TAKSA TE LARTA PER SHTEPITE DHE PRONAT E PA SHFRYTEZUARA !
Parate?! I gjen ne rruge ne SHBA.
Ike se...
Edhe une ne NEW YORK jetoje po ky miku do jete nga ata 41% qe jetojne me ndime sociale qe ja paguan shtepine shteti dhe ushqimin me tollon dhe i japin $ 400. Une e paguaj qerane $3000 dhe jo brenda ne siti, siti eshte shume me shtrenjte!
Qènkë rëndë zoti Mark! Futi naj kokërr, të bahesh esëll!
Po mirë bëre që ike o Marko, kujt i plasi menderja ? Edhe unë ndenja një muaj te vëllai në Nju Jersi dhe numuronja ditët kur do kthehesha . Nëse dikush kërkon të provojë internimin, ndoshta i del llogaria dhe e provon çdomethënë Amerikë . Im vëlla jetonte në një periferi të qytetit me vila e shtëpi private , në mez kalonte një superstradë që e ndante më dysh këtë vëndbanim . Ai dhe gruaja punonin larg , njëri një orë e tjetri një ore e gjysëm me makinë . Iknin qe me natë e ktheheshin më darkë . Unë i ziu merresha me nipin 6- vjeçar , e çonja në shkollë dhe e merrja . Për ndonjë bar, që në Shqipëri e kam poshtë pallatit , te vëllai as që bëhej fjalë, më i afërt i gjysëm ore me makinë dhe po gjysëm ore edhe supermarketi . Internim i vërtetë . Punë sa të duash, edhe dollarë sigurisht, jeta mizerje, punë, gjumë, stres . Kjo është Amerika . NUK KA SI EVROPA .
Kam dhe nje mendim tjeter per ate Z Mark, mos e ka derguar organizata Vatra e z Hilmi Berisha qe te shikoje gjendjen dhe te mar nga nje lek tek Saliu per keto qe shkruan!
Amerika ka me shume probleme se sa Shqiperia ne kete kohe. Ngjarjet e fundit me Venezuelen, Minesoten* apo kercenimet per Groelanden, Meksiken apo Kanadane nuk parashikojne kohe te mira. E ftoj autorin te vizitoje Los Angeles in, dhe te shikoje mijera te pastrehe ne çadra te pastrehesh ne qender te qytetit. Shqiperia eshte ne rrugen e duhur, po e lufton korrupsionin dhe po e ngren mireqenien.
Ta shpifin keta si puna e ketij Markos. Edhe ia bejne naften vendit te tyre, edhe bejne sikur u digjet xhani per te dhe japin mend si mund te behet ky vend. Qe ikin, mire bejne; eshte e drejta e cdonjerit te kerkoje nje jete me te mire. Por te na lene rehat ne te tjereve, qe e kemi ndare mendjen te rrime ketu ose nuk kemi mundesi te ikim. Dhe, nese nuk japin ndonje ndihme per te qene, te pakten te mos na shesin mend; nuk besoj se ka njeri nevoje per mendte e tyre.
Mire qe ke ikur, shume nga konstatimet tuaja jane jo te sakta.