Skraparlliu shekullor Qemal Bego dhe Xhevahir Asllani në Mollas të Sulovës…

5 Nëntor 2023, 18:15Blog Kristo MËRTIRI

Skraparlliu shekullor Qemal Bego dhe Xhevahir Asllani në Mollas të

                        Pranë Stadiumit kombëtar që njerëzia e thërret ende me emrin e ndritur të heroit Qemal Stafa, në një apartament të thjeshtë, gjatë fundtetorit befas gurgulloi një gëzim e mall i vecantë. Ashtu lehtë e pa zhurmë, gurgulloi edhe kënga partizane për lule djemtë e vajzat e nënave që falën jetën e tyre në lule të jetës. E falën për Lirinë dhe Demokracinë e Atdheut të robëruar. Nuk ishte thjesht sebep a festë intime familjare. 97 vjecari Qemal Bego(gati vërsnik me simbolin e pavdekshëm të Ditës së Dëshmorëve), priti e përcolli disa Pasardhës Veterani të Kryeqytetit. Në vigjilje të 79 vjetorit të Brigadës së X Sulmuese Partizane ! Brigadë që bashkë me formacione të tjera cliruan Shijakun, Durrësin e Tiranën tonë të dashur. Derdhën gjak e jo fjalime kundër okupatorëve nazifashistë dhe sahanlëpirësve të tyre. Derdhën gjak e hodhën rrënjë në themelet e historisë sonë kapakkuqe ! Por ish partizani 17 vjecar nuk e la deri këtu surprizën e paharruar…

                        Të nesërmen në mëngjes, veshi kostumin dhe u nis me këmbë. Kryqëzohej me studentët që shkonin nëpër audirorë. I qeshte nuri duke u capitur ngadalë e krenar buzë Bulevardit  me emrin më të bukur në botë: Dëshmorët e Kombit. Shkoi në selinë e Komitetit Kombëtar të Veteranëve e Pasardhësve. Takoi e përqafoi mjaft shokë e miq, duke i ftuar në lokalin tepër modest, në katin e parë. “Sot do futen vetëm duart e mija në xhep…Hajdeni të kuvendojmë e të gëzojmë, të kujtojmë të vdekur e të gjallë nga Brigada ime,nga Batalioni e Kompania ime !”. Kaq tha Qemal Bego skraparlliu dhe ca caste iu rrëmbushën sytë dhe zemra. Shtatlart e me kokën lart. Selia e Komitetit, kjo vatër e pashuar atdhetarie e patriotizmi, u ndez shpejt nga  bisedat gëzimplote rreth filxhanit të kafesë e ndonjë gote rakie a birre. Pa ceremoni zyrtare e pa salltanete luksoze, por me zemra që rrahin natyrshëm për mëmëdhenë. Larg interesave meskine. Larg cicmiceve e grahmave për kolltuqe e poste të pamerituara. Me idealizëm të kulluar ! Vërshuan urime pa fund për Brigadën dhe përfaqësuesin e saj dinjitoz, të urtë e të mencur, shekullorin e papërkulur, Heroin e Punës së djeshme nëpër Skrapar, Berat e Lushnjë. Vecse në ugaret dhe shtëpitë e Kutallisë, në ish Urën Vajgurore e në Myzeqe, rrëfimet për këtë burrë nuk kanë të sosur. Sot e gjithë ditën. Rrëfime për njeriun punëtor, korrekt e aspak qaraman. Se emri i mirë dhe nderi nuk blihen e as shiten në Pazar. Ish luftëtarët e Batalioneve “Riza Cerova”, “Tefik Lapani” e “Ajet Xhindole”, Qemalin e njohën dhe e respektuan pa vënë brisk në faqe. Por edhe fshatarët e luginës së Shkumbinit, kur do të kapërcehej me cdo kusht lumi i egërsuar nga shirat e vjeshtës së fundit në robëri. Pushtuesit nazistë po linin Elbasanin dhe iu sulën Rrogozhinës. Nuk mund të harrohen as luftimet në Kashar-Vorë-Shijak. A e dini sa partizanë të moshës 14-17 vjecare kishte Brigada ? 30 djem e vajza si yje ! Ra Alush Grepcka, komisari i Batalionit të Dytë. Ra komandanti i Kompanisë, Hasan Vëseshta. Ranë trimat Jorgji Greku, Qani Malinati, Avni Prishta, Shyqyri Faslliu. Ranë me Shqipërinë në sy e në zemër. Ndërsa bashkëluftëtari i tyre, Hajdar Tafa, do të mbetej lapidar 6 vite më vonë, gjatë asgjësimit të një bande kriminelësh në Fan të Mirditës. Ra po në Nëntor…

                        Në Karbunarë të Myzeqesë, ka 79 vite që vendosen kurora e tufa me lule të freskëta te sheshi ku u krijua Brigada. Veteranë e pasardhës nuk e humbasin toruan nëpër dallgët e pista të Polit(h)ikës pa moral. Dhe nuk është vetëm shekullori Qemal Bego që mbron historinë, Luftën e shenjtë Antifashiste Nacionalclirimtare. Janë mijëra e mijëra Pasardhës me thinja e pa thinja, të rinj e të reja, nipër e mbesa nga Jugu në Veri, me parti e pa parti, që janë e do të jenë të lidhur përjetësisht me të rënët e kombit “për një Botë të Re” pa shtypës e të shtypur. Janë mijëra familje e fise që kanë derdhur gjak e sakrifica për këtë Shqipërizën tonë hallemadhe. Lum kush i nderon këto monumente të gjalla të historisë !

                        Lakmia, sidomos në ekonominë e tregut, të bën të lig, -thonë shpesh nëpër krahinën e Sulovës.

                        1997-ta zezonë, vec hatarave të tjera, shkatërroi pa mëshirë edhe muzetë e minimuzetë në qytete e fshatra, lapidarë e memorialë, buste heronjsh dhe shtëpitë baza te të Luftës së Dytë Botërore kundër nazifashizmit. Sa shumë baltë e pluhur u hodh nga pinjollët hakmarrës e inatcorë të shërbëtorëve të pushtuesve ! Pinjollë faqezinj që cuditërisht ngjitën shkallët më të larta të pushtetit vendor e lokal dhe deri në tempullin e Demokracisë, në Parlament. Veteranët e ish komunistët e ndershëm u kërcënuan deri me hanxharë e litarë. Paradoksi ulëritës : Gjithnjë në emër të Lirisë !? Një abuzim llahtarë me shtyllat e Shtetit të së Drejtës. Mirëpo, e drejta e vërtetë dërmon hekur ! Dhe amanetin e të rënëve nuk e tret dheu. Këtë e dinë mirë në Mollas, në qendër të Sulovës. Prandaj u ka hije fjala. Pa bubullima e zhurmë, pa frikë e pëshpërimë, Xhevahir Asllani me shokë i hyri një pune jo pak të mundimëshme, guximtare e frymëzuese. Në katin e parë të Shkollës së Bashkuar “Osman Gjini” gjen edhe dy dhoma të reja, të bukura e plot stenda ku gjëmon historia krahinore dhe ajo kombëtare. Nxënësit kanë kohë që lëndën përkatëse e zhvillojnë atje, ballë për ballë me fotot, shifrat e faktet. Mësojnë e fiksojnë episode të gjalla trimërie e atdhetarie për 15 fshatrat e Sulovës e më gjerë. Që nga shkolla e parë shqipe që u cel mbi një sheull më parë edhe në këto troje buzë lumit Devoll. Troje lavdimbuluar. Mësojnë për bashkëfshatarët tashmë yje të pashuar që luftuan deri në Vishegrad, Prishtinë, Tetovë e kampe përqëndrimi, në Therepel, Gziq, Mirditë e Kukës. Mjaft kryeqytetas të sotëm, ndoshta nuk e dinë ende se Dita e Clirimit të Tiranës erdhi edhe nga gjaku i 4 Dëshmorëve nga Mollasi, ish partizanë në Brigadën e Parë Sulmuese. Emrat dhe vepra e tyre kanë hyrë në këngë e ligjërime, në dasmat dhe gëzimet e sulovarëve. Nga brezi në brez. Ashtu sic i këndojnë aq ëmbël krahinës së tyre të dashur. Një nga këta këngëtarë është edhe Xhevahiri, që Luftën Antifashiste Nacionalclirimtare nuk e heq kurrë nga goja e zemra. Për dy dhomat muze të pajisura me mencuri e dashuri, për përgatitjen e tyre të plotë, ai nuk calltisi nëpër zyra për fonde a tendera. Me shpenzimet e veta realizoi edhe një ëndërr personale, duke bashkëpunuar ngushtë jo vetëm me Veteranët por edhe me Familjet e Dëshmorëve. Të tillë idealistë fjalëmbajtës janë të rrallë në këto kohëra të trazuara. Ndaj u heqim kapelen ! Sic bëri Kastriot Hadëri, nipi i 3 Heronjve nga Labëria, që i dhuroi ca vargje shpirti publikisht dhe e puthi në ballë Xhevahirin…

                        Të premten, nuk ishte rastësi e rëndomtë seminari përgjithësues nga Kryesia e Komitetit Kombëtar të Veteranëve e Pasardhësve të LANC “Nderi i Kombit”. U mblodhën nga Tirana, Elbasani, Cërriku, Gramshi, Lushnja, Kucova, Peqini, Rrogozhina etj. Erdhën dhjetra veprimtarë e përfaqësues të Familjeve të Dëshmorëve e vendalinj nga Mollasi. Erdhën të nderonin atë punë model për veten dhe të tjerët. Sepse shembulli praktik udhëheq, nxit e frymëzon për hapa të rinj. Larg fjalimeve pa brumë e për lumë, që ushqejnë përgjumjen ose euforinë boshe. Mësimi që jep Xhevahiri me shokë, flet vetë e më tepër se qindra raporte e fjalime burokratike, të ndryshkura e hipokrite  . Se politikanët ngjiren e cirren, fryhen e cfryhen nëpër kolltuqe, pa diskutuar hic as për resurset e Agroturizmit dhe të Turizmit në krahinën e mrekullueshme të Sulovës, për njerëzit e urtë e punëtorë të mëdhenj në atë nahije. Po ekranet televizivë ? I ka mbytur e përmbytur Polit(h)ika sherrxheshë e pa veshë ndaj njerëzisë ! Nuk kanë nge të dalin nga Unaza kryeqytetase, nga oborret partiake e të gjykatave të mbushura plot me kamera e mikrofonë. Një kakofoni e frikëshme që transmeton live cdo brockul liderësh e analistësh të pafre, mbirë nëpër studio vezulluese e shurdhuese. “Na morën frymën kronikat partiake, gjyqësore e policore !”, më thoshte i pezmatuar dje një kolegu ynë i vjetër. Taksapaguesit hapin sytë të cmeritur e vështrojnë si të shushatur. Fytyra e Shqipërisë pluraliste nuk është e nuk mund të jetë surrati i 4 a 5 politikanëve nëpër ekrane e gazeta, duke banalizuar edhe transmetimet pa pikë profesionalizmi. Dëmtohet shteti, por coroditet e toksifikohet edhe shoqëria. Ngjarjet historike lihen “përtej Urës së Qabesë” ! Edhe kur kujtohen rrallë, vendin e bisedës “me kripë” e zë balta mallkimtare, pa cituar dosjet, arkivat, muzetë dhe kujtimet e cmuara të veteranëve. Përshembull, më tregoni një televizion privat (përvec RTSH-së), që jep herë pas here filma artistikë a dokumentarë për Rezistencën Antinazifashiste. Trëmben nga pinjollët e bashkëpunëtorëve të okupatorit ? Apo edhe këta të fundit vazhdojnë të përdoren për biznes politik e ekonomik, duke mbajtur në dorë flamurin e telikosur të “antikomunizmit” kallp ?!...