Nga Ermal Peçi
SPAK nuk lindi si luks institucional. Ai ishte një domosdoshmëri politike dhe shoqërore në një vend ku për vite me radhë pandëshkueshmëria kishte marrë formën e një kulture. Në një realitet ku pushteti politik dhe drejtësia shpesh janë ndërthurur në mënyrë të rrezikshme, krijimi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ishte një përpjekje për të thyer këtë simbiozë.
Për herë të parë u krijua një mekanizëm që synonte të godiste pikërisht aty ku sistemi kishte dështuar më shumë: tek korrupsioni në nivele të larta dhe tek lidhjet mes politikës dhe krimit. Në këtë kuptim, SPAK nuk është thjesht një institucion drejtësie, por një instrument për të rikthyer besimin publik. Sepse në Shqipëri, problemi nuk ka qenë mungesa e ligjeve, por mungesa e zbatimit të tyre ndaj “të fortëve”.
Por krahas kësaj nevoje, për vite me radhë ka ekzistuar një paradoks i heshtur në sistemin tonë të drejtësisë: masa më e rëndë e kufizimit të lirisë, arresti me burg, është përdorur si zgjidhje e zakonshme. Jo si përjashtim, por si refleks. Një praktikë e ndërtuar mbi komoditetin institucional, ku dyshimi shpesh barazohej me fajin dhe paraburgimi shndërrohej në një dënim të parakohshëm.
Vendimi i fundit i Gjykata e Lartë e Shqipërisë vjen si një ndërhyrje e vonuar, por e domosdoshme. Kolegjet e Bashkuara vendosin një standard të ri: arresti me burg nuk mund të jetë më zgjedhja e parë, por e fundit. Një vendim unanim që, më shumë sesa një interpretim ligjor, është një korrigjim i një mentaliteti të rrënjosur.
Në thelb, Gjykata kërkon diçka të thjeshtë, por që ka munguar: arsyetim real. Jo formulime të përgjithshme, jo vendime të kopjuara, por analiza konkrete për çdo individ. Çdo kufizim i lirisë duhet të mbështetet mbi prova dhe nevoja të qarta, dhe barra për këtë i takon prokurorisë.
E vërteta është kjo: paraburgimi në Shqipëri nuk ka qenë gjithmonë një masë sigurie. Shpesh ai është përdorur si mjet presioni, si një instrument i lehtë në mungesë të një hetimi të plotë apo të një strategjie të mirëfilltë akuze. Burgjet janë mbushur me njerëz që ende nuk janë shpallur fajtorë, por që kanë vuajtur pasojat e një sistemi që shpesh ka ngatërruar shpejtësinë me drejtësinë.
Vendimet e gjykatave, sado të rëndësishme, nuk mjaftojnë nëse nuk shoqërohen me ndryshim real në praktikë. Rreziku më i madh është që ky standard i ri të mbetet në letër, ndërsa në sallat e gjyqit të vazhdojë rutina e vjetër.
Koha ka treguar se drejtësia nuk matet me sa shpejt burgos, por me sa drejt vendos. Ky vendim është një kujtesë e fortë: liria nuk është privilegj që jepet nga shteti, por një e drejtë që kufizohet vetëm kur është absolutisht e domosdoshme dhe gjithmonë e arsyetuar deri në detaj.
Nëse kjo frymë zbatohet, atëherë kemi bërë një hap drejt një drejtësie më të drejtë. Në të kundërt, do të mbetemi në të njëjtin rreth vicioz, ku burgu është përgjigjja më e lehtë për pyetjet më të vështira.
Në thelb të këtij debati qëndron një parim jo thjesht juridik, por njerëzor: dinjiteti i individit. të drejtat e njeriut nuk janë luks për kohë të qeta dhe as pengesë për drejtësinë në kohë të vështira. Ato janë kufiri që ndan shtetin e së drejtës nga arbitrariteti.
E drejta për liri, prezumimi i pafajësisë dhe e drejta për një proces të rregullt ligjor nuk janë nocione abstrakte. Janë garanci konkrete që çdo qytetar, pavarësisht akuzës apo pozicionit, të mos përballet me pushtetin në mënyrë të pabarabartë.
Pikërisht për këtë arsye, instrumente si Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut vendosin standarde të qarta: kufizimi i lirisë duhet të jetë proporcional, i arsyetuar dhe i domosdoshëm. Çdo devijim nga këto parime nuk është thjesht shkelje procedurale, por cenim i vetë themeleve të demokracisë.
Në këtë prizëm, lufta kundër korrupsionit nuk mund të justifikojë anashkalimin e të drejtave. Përkundrazi, sa më e fortë të jetë goditja e shtetit, aq më i fortë duhet të jetë respekti për individin.
Në fund, një drejtësi që nuk respekton të drejtat e njeriut rrezikon të humbasë legjitimitetin e saj dhe një drejtësi pa legjitimitet, është thjesht pushtet.
*Ky shkrim është pjesë e projektit “PRODEMOCRATIA”, një partneritet mes INSTITUTIT PASHKO dhe Media MAPO, për të analizuar zhvillimet e demokracisë shqiptare.
SPAK, aty ku duhet të vihet rend e drejtësi por SPAK nuk po funksionon për atë që është themeluar prandaj duhet të shkoj për SKRAP. Ky institucion e i DREJTËSISË është kthyer në Institucion PA DREJTËSIE. Aty ngritën akuza e jepen dënime e burgosen të pafajshmit dhe MBROHEN Kriminelët si Salih Karaxhiqi me 58 Dosje penale kundër shtetit dhe kombit. Pra nuk dënohen fajtorët por hetohen e dënohen ata që zhvillojnë e forcojnë vendin dhe demokracinë në Shqipëri.
Shkrim për të kaluar rradhën. Pra me shumë 'ujë' dhe llafologji kur për ta thënë gjithë atë çfarë ka dash me thënë autori, mund ta bënte më thjesht dhe më shkurt.