Tre arsye për brengë(nga zgjedhjet e parakohshme)

4 Maj 2026, 16:10Blog TEMA
Tre arsye për brengë(nga zgjedhjet e parakohshme)

Nga Veton Surroi

Ndonëse lista e arsyeve për brengë është më e gjatë po i shënoj tri prej tyre që marrin hapësirë madhore, që janë prodhuar në këta katër muajt e vitit dhe për të cilat mungon një konstatim i përbashkët në hapësirën publike:

1. Mungesa e konsensusit në një moment kritik global
Jetojmë në një botë që po përjeton ndryshimet më dramatike prej rënies së Murit të Berlinit. Në një moment të tillë, partitë politike do të duhej të zgjidhnin konsensusin në vend të garës. Ka munguar vullneti për konsensus; ka fituar vullneti për garë zgjedhore.
Qytetari i Kosovës ka arsye të jetë i brengosur kur gara partiake vihet mbi interesin e vendit.

2. Relativizimi i Kushtetutës në procesin e ndryshimit të saj

Më 5 mars 2026, Kuvendi i Kosovës diskutoi amendamentet kushtetuese për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit të Repbulikës në bazë të propozimit të presidentes Osmani. Nisma mund të ketë pasur shtytje politike apo emocionale, por nuk kishte mbështetje të mjaftueshme procedurale dhe as konsensus politik. U bë shpejtë e shpejtë , brenda disa orëve, diçka që nuk i ndodhë as nismës më të parëndësishme legjislative. Megjithatë, Kuvendi e legjitimoi këtë proces, duke ulur pragun e seriozitetit për një çështje të rëndësisë parësore siç është ndryshimi i Kushtetutës.

Qytetari i Kosovës ka arsye të jetë i brengosur kur institucionet më të larta i qasen me joseriozitet aktit themelor të shtetit.

3. Normalizimi politik i shkeljes kushtetuese

Më 6 mars, presidentja e vendit shpërndau Kuvendin, duke bërë shkeljen më të rëndë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës deri më tani. Ky akt u vlerësua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës si i pambështetur në Kushtetutë, pra pa efekt juridik, por kjo nuk evitoi efektin politik, ngase një veprim i këtillë nuk mori dënimin unanim të sferës publike e të partive politike në veçanti.

Qytetari i Kosovës ka arsye të jetë i brengosur me lehtësinë me të cilën një shkelje kaq e rëndë u legjitimua politikisht nga një pjesë e spektrit politik dhe nuk mori një dënim të qartë dhe të përbashkët.
Nëse këto tri zhvillime mbeten pa një reflektim të përbashkët dhe pa një vijë të qartë ndarëse mes të pranueshmes dhe të papranueshmes, atëherë zgjedhjet nuk do të jenë zgjidhje, por vazhdim i krizës me mjete të tjera. Demokracia nuk matet vetëm me faktin që votohet, por me respektimin e rregullave mbi të cilat votohet. Dhe pa një konsensus minimal mbi këto rregulla, pra mbi kufijtë e pushtetit, mbi rolin e Kushtetutës dhe mbi seriozitetin e institucioneve çdo cikël zgjedhor rrezikon të prodhojë të njëjtën që kemi sot.

3 Komente

  1. N
    Nik

    Z. Surroi bën analiza të mira por në këtë shkrim fatkeqësisht vetëm analizë për shkaqet e krizës në Kosovë nuk ka!!!

    Përgjigjjuni
    1. P
      Per dardanet pro-serbe te sotit

      Veton Surroi i ka vo milionat pasuri me mbeshtetje te Serbise, e tash po ndihmon Kurtin ta shbejne 100% pararesine e shtetit te ri qe ka mbetur gjysmak. Treshja Kurti-Gervalla-Surroi e kane kthye defacto Kosoven nen Serbi, kete here as jo si krajine autonome. Por kete tre tradhtare te ceshtjes kombetare kane te drejte ne nji pike, ate qe si pjese e Serbise Kosova do futet ne BE pa pritur, pa menduar, e pa u perpjekur hiq fare.

      Përgjigjjuni
      1. g
        ghjgh

        Por te pakten ne Kosove ka zgjedhje, ndera ne Shqiperi qytetari eshte i brengosur se nuk zgjedhje por vjedhje. Vjedhja e zgjedhjeve ne Shqiperi eshte faktori vendimtar i qeverisjes se korruptuar, i dyfishimit te administrates, i nepotiszmit, i rushfetit, i pervetsimit te pronave, i arrogances se pushytetit, i shpopullimit te vendit serpse pushteti nuk buron me nga vota dhe prandaj nuk i trembet votes cfaredo te beje. Pushteti e di se populli nuk eshte i afte ta rrezoje as me force pasi jo vetem qe populli shqiptar eshte mesuar me mijeravjecar ne roberi por eshte edhe i percare pasi gjysma e tij perfiton nga pushteti ne kurriz te pales tjeter. Kjo eshte aresyeja pse Shqip[eria po shkon keq e me keq dhe shumica e atyre qe kane mbetur thurin plane se si te largohen sa me pare.

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje