Për partitë tona mendimi ndryshe është “cilësi e borgjezisë”

3 Maj 2026, 20:15Blog TEMA
Për partitë tona mendimi ndryshe është “cilësi e

Nga Fitim Zekthi

Kryeministri Rama tha se mund ta përjashtojë nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste Elisa Spiropalin për qëndrimet e saj kritike në Facebook në lidhje me qeverisjen. Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha nuk lejon të kandidojë për kryetar partie ish-deputetin Ervin Salianji, anëtaren e Këshillit Kombëtar Alesia Balliu dhe përkrahësen e tij kryesore gjatë fushatës së Foltores në vitin 2021 dhe 2022, Evi Kokolari.

Kryeministri Rama e ka bërë të qartë se nuk do të lejojë zëra që kritikojnë Partinë Socialiste brenda saj. Ai në një farë mënyre ia arriti qëllimit dhe askush nga grupi parlamentar socialist apo qindra anëtarët e Asamblesë Socialiste nuk ka thënë asgjë për mënyrën se si ai qeveris, se si Partia Socialiste mbrojti në inkoherencë të plotë me qëndrimet e mëparshme zëvendëskryeministren Balluku. Ish-kryeministri Berisha ka kohë që e cilëson Ervin Salianjin të vetëpërjashtuar dhe e akuzon atë për lidhje me krimin e organizuar apo për veprime në shërbim të qeverisë.

Është e qartë se ish-kryeministri Berisha kërkon të mos lejojë askënd brenda grupit parlamentar dhe brenda qindra anëtarëve të Këshillit Kombëtar që të kritikojnë atë apo të kenë një mendim ndryshe nga ai mbi PD, rrugën që duhet të ndjekë apo mënyrën se si duhet të sillet.

Edhe ai si Rama, ndoshta edhe më shumë, ia ka arritur qëllimit. Askush nuk thotë asgjë.
Cass Sunstein, një profesor i të drejtës në Universitetin e Çikagos, është përpjekur të kuptojë pse grupet e ndryshme shoqërore, vetë shoqëritë, mund të arrijnë dhe të bëhen fundamentaliste. Ai ka shkruar një libër “Pse shoqëritë kanë nevojë për mendim ndryshe” të ngjeshur me terma profesionalë dhe gjetje shkencore për këtë gjë.
Ai ka studiuar mijëra vendime të gjykatave të Apelit në SHBA.

Trupat gjyqësore të gjykatave të Apelit përbëhen nga tre gjyqtarë. Sunstein ka vënë re se në rastet kur trupa gjyqësore ka qenë e përbërë nga dy gjyqtarë liberalë dhe një konservator apo nga dy gjyqtarë konservatorë dhe një liberal, vendimet e shumicës janë shumë më të moderuara se sa kur trupa gjyqësore është e përbërë nga tre liberalë apo tre konservatorë.

Sunstein, duke analizuar të gjitha mendimet e shumicës dhe pakicës në trupat gjyqësore, thotë se dy gjyqtarët e shumicës ndikohen nga opinioni i gjyqtarit të pakicës dhe thuajse në çdo rast e moderojnë qëndrimin e tyre.
Në rastin kur trupa përbëhet nga tre gjyqtarë liberalë ose konservatorë, opinioni është shumë radikal. Ai ka vënë re se opinioni i tyre bëhet gjithnjë e më radikal në mungesë të një opinioni ndryshe. Terrorizmi dhe dhuna, thotë Sunstein, janë pasojë e mos-tolerancës së mendimit ndryshe.
Shtypja e këtij mendimi çon në zhvlerësimin e fakteve apo argumenteve të tjera dhe bjerr vendimmarrjen.

Duke marrë në shqyrtim dëshirën e individëve për t’iu përshtatur grupit, vendimmarrjen dhe prirjen e pjesëve të grupit për polarizim, Sunstein thotë se një shoqëri e lirë nuk lejon censurën dhe i lë hapësirë mendimit ndryshe.
Moslejimi i mendimit ndryshe e bën një grup të bëhet vazhdimisht e më radikal dhe të humbasë gjithnjë e më tepër kontaktin me faktet.
Tifozët e futbollit, për shembull, janë një provë e fortë. Ata kthehen në trupë monolite, rrinë me njëri-tjetrin dhe nuk pranojnë asnjë argument mbi ekipin kundërshtar.

E njëjta gjë ndodh edhe me terroristët apo radikalizmat e tjerë. Në këtë mënyrë talebanët bëhen gjithnjë e më talebanë, mbështetësit e ISIS-it bëhen gjithnjë e më fundamentalistë dhe anëtarët e një grupi apo një partie zbresin gradualisht në autoritarizëm dhe totalitarizëm.
Ata që kanë një mendim ndryshe janë ata që rezistojnë, ata janë vitalë për shoqërinë, thotë Sunstein, i cili përmbyll idenë e tij duke thënë se vetëm kështu do të shpëtojmë nga fundamentalizmi dhe çdo ide apo realitet tjetër totalitar.

Në Shqipëri kjo shtypje e mendimit ndryshe ka prodhuar një lëngatë të gjatë dhe të vazhdueshme. Dëshmi është kjo sjellje në PD dhe PS sot, dëshmi është mënyra se si në rresht të gjithë deputetët e PS dhe të PD në parlament jo vetëm i thonë gjërat në linjën e Ramës dhe të Berishës, por i përsërisin ato gati në një lloj duke ardhur në një trajektore gjithnjë e më të ashpër.

Dëshmi është parlamenti, apo edhe kandidatët për anëtarë të FRESH-it. Një nga promovuesit më të thekshëm të kësaj mënyre të vepruari është kryeministri. Ka dhe shumë të tjerë.
Kryeministri nuk pranon asnjëherë një kritikë, nga askush. Disa kohë më parë, kur vendi shihte përditë të shpërthenin bomba me telekomandë, ai shprehej “se rendi është vendosur dhe se këmba e krimit në polici është hequr. Vrasja me bomba është larja e hesapeve para se të bien në duart e policisë që iu është qepur këmba-këmbës”.
Në një rast tjetër u shpreh se “gjendja e lartë e kriminalitetit është vetëm në mendjet e gazetarëve”.
Në lidhje me kritikat që i bëheshin ose bëhen nga mediat, ai flet për kazan. Denoncimet për trafik me avionë i quante mushkonja.

Në Partinë Demokratike ndodh e njëjta gjë. Për PD-në, Salianji duhet të jetë patjetër një njeri që ndihmohet nga krimi, nenet e statutit nuk janë mirë nga kritikët, SPAK është SKAP-i etj. Kjo gjuhë dhe ky stil tenton të prodhojë një lloj individi politik i cili vetëm përforcon atë që dëgjon dhe grupi ku rri ose grupi të cilit ai i përket përforcon pandalur atë që thotë kryetari.
Për ta ekziston vetëm një mendim, vetëm ai që shprehet nga kryetari. Ky individ hyn në zinxhirin që përmend Sunstein, radikalizohet edhe më dhe përhapet te gjithë grupi, ndaj ne vëmë re thirrje të vazhdueshme pro kryetarit dhe sulm ndaj kujtdo që kritikon. Një ideolog i Partisë Komuniste në Bashkimin Sovjetik tha dikur se mendimi ndryshe është cilësi e borgjezisë. Kështu duket sikur e shohim edhe tek ne.

Këto janë sëmundjet më të mëdha të një shoqërie, sëmundje të cilat shkatërrojnë çdo liri, nëpërkëmbin çdo të drejtë dhe e kthejnë në karikaturë demokracinë liberale.
Këto sëmundje kanë prodhuar fashizmin, komunizmin dhe çdo formë tjetër totalitarizmi.
Politika jonë sot ka potencialin të prodhojë totalitarizma mjaft të shëmtuar, pavarësisht se konteksti e bën të duket i pamundur.

Marrë nga Mapo.al

4 Komente

  1. O
    Oficeri dulles

    Medicine ndryshe quhet ne programing e partise kur Harton nje ligj a per nje ceshtje parimi po dhe atehere vendos vota . Jo kur zihesh me kolegun a me kryetarin pse vure ate dhe Jo mua

    Përgjigjjuni
    1. .
      .....'

      Pak gjatë, për një mendim ndryshe të mendimit ndryshe. Komunizmi psh, që të mos vërtitemi kot me totalitarizma e regjime njëpartiake, është mendim ndryshe dhe ka fazat që i përgjigjen dialektikës historike të zhvillimit shoqëror dhe nuk është as ideologji mbretërore, as borgjeze, as fashiste, dhe as anarkiste. Ç'duhet të bëjë komunizmi për të realizuar zgjidhjen e kontradiktës antagoniste midis punës dhe kapitalit, sipas pikpamjes tënde gjeniale, mbështetur në gjykatat e varura "liberale" apo "konservatore", apo dhe të përzjera, ku mendimi liberal dominon për mirë, të dhënjes së gjykimit? Kur edhe në shtetin e tyre ("komunist" - Kubë, psh) ndërhyhet me të gjitha mënyrat radikale për ta çbërë, nga ata me mendim ndryshe? Kur organizohen bllokada anti mendim dhe veprim ndryshe. Po, mendimi ndryshe liberal-demokrat është pikpamje e borgjezisë të vogël për të mbijetuar në përleshjen ndryshe të sistemeve të ndryshme, brenda sistemit të tyre borgjez, është tautologji e përjetësimit të sistemit që jemi ndaj atij ndryshe. Kush i dëgjon këta me mendim ndryshe për zgjidhjen e fatkeqësisë të pronës private të mjeteve të prodhimit që sjell shfrytëzimit të njeriut nga njeriu? Bëhen bashkë liberalë dhe konservator vetëm për ndonjë thërrime, por jo për të lëshuar pushtetin politik atje ku "janë pjekur kushtet". Vetëm pushteti politik e jep një mundësi të tillë. Presioni bëhet i madh: i madh bëhet edhe totalitarizmi politik, aq sa i madh bëhet edhe presioni politik i mendimit ndryshe, që përpiqet të mos e dëgjojë dhe kthehet nga demokraci ndryshe në diktaturë ndryshe. Nuk flas këtu për mbretërira të trashëgueshme, terrorizmit dhe radikalizmi fetare, fashiste, ushtarake apo fisnore. Sistemet ndërtohen mbi ligje sipas mendimit politik ndryshe; shkelja e tyre, apo përpjekja për ti rrëzuar ato, me fjalë apo me vepra, shkakton reagime të njëjtë, edhe pse sistemet politiko shoqërore janë krijuar sipas mendimeve ndryshe dhe mund tu vëmë etiketa nga më mostruozet. Është lehtë ta marrësh pushtetin, thuhet në mendimin politik, por është e vështirë ta mbash; dhe kjo vjen nga mendimi ndryshe. Mendimi ndryshe nuk është aq metafizik, sa na e paraqet autori, biem në një spirale dialektike që hëm i jep të drejtë dhe hëm jo, duke ju kthyer në bumerang, kur spiralja shkon në krahun tjetër të gjykimit; ndaj mora që në krye një sisyem politik antagonist, ndryshe dhe i luftuar, prishur dhe anatemuar nga mendimi ndryshe i kundërshtarit. Duhet gjykuar se cilat kushte e lindin mendimin ndryshe, çfar synon dhe sa dëgjohet, që e detyron të radikalizohet, pra të bëjë politikë me mjete të tjera: të dhunës. Nuk di të ketë liberal që ta përkrahë mendimin ndryshe të një ithtari të një sistemi ndryshe (komunizmit) dhe t'i tregojë atij se si ta ndërtojë rendin ndryshe në mënyrë liberale, duke u munduar të zgjidhë kontradiktat antagoniste të shoqërisë dhe të lirojë punën nga kapitali pa diktaturë dhe me tribuna "demokratike". Ka shumë për një autor që gjithnjë shfaqet në masmedia, pa njohur thelbin filozofik të trajtimit të problemit, por shfaqet me mendime metafizike të autorëve që shkruajnë sipas porosisë. Dy fjalë për partitë dhe mendimi ndryshe në to. Partitë janë bashkim vullnetar i njerëzve me pikpamje të njëjta, jo ndryshe, dhe kanë një status që rregullon jetën e brendëshme të saj. Ekzistojnë sa kanë antarësi. Ato parashikojnë edhe demokraci mes anëtarëve, kritika, autokritika, dhënje llogarie dhe kërkesë llogarie, mendime të ndryshme për mbarëvajtjen e punës në partinë e tyre, por jo mendim ndryshe që prek themelet e bashkimit vullnetar; vendimet merren sipas mendimit zotërues dhe quhen punë të brendëshme të partisë (nuk dalin jashtë në shtyp). Kur lejon fraksionet (mendim ndryshe) dhe vendimet merren sipas fraksionit mbizotërues. Nëse partia nga manija liberale e dëgjimit dhe vendimmarrjes të mendimit politik ndryshe, për të mos u rebeluar (pra sjell rebelim nëse nuk dëgjohet, e drejta e rebelimit, sipas autorit, por ky të mos jetë radikal, ekstremist, komunist, etj) të çdo rrobaqepësi, këpucari, filozofi, historiani, arkeologu, ekonomisti, juristi, - atëhere nuk do të kishim një parti, por një shportë me karavidhe që në emër të mendimit ndryshe do të bridhnin nga t'u donte qefi; e si u konkludim në mendimin ndryshe!? Në Kinë kemi një sistem njëpartiak, por po e zhvillon dhe e përparon vendin e tij edhe pse ndoshta nuk e pranon mendimin ndryshe, veç asaj që ka marrë vendim në kongreset apo asambletë e saja komuniste. Megjithatë, shteti me mendim ndryshe i përtej oqeanit nuk e sheh "me sy të mirë" dhe të bëjë si ajo ("monisti") edhe ky, se ajo prodhon me kosto më të lirë dhe rendiment më të lartë. Ka frikë nga vërtetësia e shprehjes së kahershme, se do të triumfojë ai sistem që ka rendiment më të lartë, që veç të tjerave vjen nga çlirimi i punës. Nga mendimi ndryshe liberale thuajse e gjithë ekonomia e botës është kthyer në shoqëri rentjere dhe presin gojëhapur se kush do të punojë, që ti ushqejë. Mendimi tënd ndryshe, o zotëri është i thjeshtë, kur ky shfaqet sipas ideve komuniste është sëmundje, kur ky mendim ndryshe shfaqet në përjetësim të kapitalizmit është vaksinë. Hajde mendim ndryshe hajde; tipik mikroborgjez (fjala mikroborgjez nuk është "shpikur" nga komunistët, sa për sqarim, ata e kanë përdorur në kuptimin që u duhet). Këta, mikroborgjezët, e sjellin fashizmin nën terma populiste e sociale, kur nuk e mbajnë dot pushtetin, këta aktivizon kapitali i madh se janë më të manipulueshmit dhe më të babëzitur pas pushtetit; blihen dhe shiten lehtë.

      Përgjigjjuni
      1. F
        Foni

        Shoku ".....", se çfarë është komunizmi, për ne që gjysma e jetës na kaloj nën aplikimin praktik të tij, unë do perifaroj një ish mikun tim, i cili nuk jeton më, që thoshte: "Komunizmi nuk është asgjë më shumë se një regjim, i cili pasi i jep njeriut vetëm një kokërr ulliri, i fut në prapanicë një shishe gjysëm litri dhe dhe i kërkon me forcë t'a mbushi me vaj."

        Përgjigjjuni
        1. F
          Foni

          Korigjim :"Perifrazoj"

          Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje