Kur historia nuk i pret të vonuarit - A kemi një plan B?

2 Maj 2026, 21:15Blog TEMA
Kur historia nuk i pret të vonuarit - A kemi një plan B?

Nga Kristaq Xharo


Në një botë ku aleancat lëkunden dhe secili ndjek interesat e veta, Ballkani mbetet një hapësirë e ndjeshme. Shqiptarët nuk mund të mbështeten vetëm te besimi tek të tjerët; ata kanë nevojë për institucione të forta, diplomaci të kthjellët, ekonomi të qëndrueshme dhe një kulturë strategjike.

Historia nuk na dënon për vonesën; ajo vetëm na paralajmëron për pasojat e saj. Kur të mëdhenjtë luftojnë për lavdi dhe të vegjlit për të mos humbur, pyetja mbetet: a kemi një plan ‘B’?

Me mbi 130 konflikte të hapura në botë, disa të drejtpërdrejta mes shteteve e të tjera që rrezikojnë të marrin flakë, koha jonë ngjan sërish me një horizont të errësuar. Lufta është pranë Europës, aleancat nuk duken më të patundura, ndërsa interesat lëvizin me shpejtësinë e stuhisë. Në këtë peizazh të pasigurt, shtetet e vogla përballen me një sprovë të vjetër: të lexojnë kohën përpara se ajo t’i godasë. A do të arrijmë t’i kuptojmë kthesat e historisë me mendim, vizion dhe forcë të brendshme, apo do të mbetemi në pritje derisa të tjerët të zgjedhin për ne?

Historia jonë moderne, që nga Vestfalia e vitit 1648, ngjan shpesh me një udhëtim të mundimshëm mes zgjedhjeve të gabuara, vonesave dhe mbërritjes pa kohë, përherë pa një plan B. Jo çdo humbje shfaqet me zhurmë; disa hyjnë në fatin e një kombi si heshtje, si mundësi e humbur, si derë e historisë që mbyllet pak çaste para se ne të mbërrinim. Për ne, vonesat kanë më shumë të bëjnë me mungesën e ndjeshmërisë strategjike, me dobësinë e kulturës shtetformuese dhe me paaftësinë për të parashikuar kohën, sesa me fatin e thjeshtë.

1878 – Treni i humbur për Berlin

E humbëm trenin për Berlinin, jo sepse mundësia na iku, por sepse mbërritëm me vonesë. Fqinjët erdhën herët, me projekte nacionale, me harta të ngjyrosura, plane dhe mbështetje diplomatike. Ne u shfaqëm të paorganizuar dhe pa një zë të fuqishëm në sallat e ftohta të Bismarkut. Lidhja e Prizrenit u themelua vetëm tri ditë para Kongresit të Berlinit. Ishte një zgjim i madh i vetëdijes kombëtare, por një reagim ndaj rrezikut, jo një strategji e ndërtuar me durim dhe largpamësi. Kostoja ishte e rëndë: trojet shqiptare u trajtuan si plaçkë diplomatike. Berlini na la një mësim të hidhur: e drejta pa organizim dhe forcë mbetet e pambrojtur.

1912 – Pavarësia, e fundit në rajon

Shpallja e Pavarësisë ishte heroike dhe themelore, por erdhi kur të tjerët kishin ecur përpara me dekada. Shqipëria hyri në lojën ballkanike kur ndarja e rajonit po përfundonte. Pavarësia, edhe pse një fitore historike, nuk mund të rikthente padrejtësitë e mëparshme dhe çmimi ishte i lartë. Prej asaj kohe, Ballkani ka ndryshuar më pak nga sa duam të besojmë; planet dhe orekset e vjetra shpesh thjesht kanë ndërruar gjuhën. Në një rajon ku krizat riciklohen, nuk mjafton të zgjedhësh drejt; duhet të zgjedhësh edhe në kohë.

1913- ’14, 1939 - Luftërat që nuk i zgjodhëm

Në Luftërat Ballkanike, Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, shqiptarët shpesh u gjetën më shumë si objekte sesa si subjekte të historisë. Të vonuar në shtetformim, me institucione të brishta dhe me pak fuqi mbrojtëse, ne shpesh u vendosëm në rrugën e interesave të huaja. Mësimi mbetet i hidhur: në një botë ku aleancat lëkunden dhe interesat ndryshojnë shpejt, kombet e vogla rrezikojnë të mbeten hapësira ndikimi.

1945 – Shqipëria në Luftën e Ftohtë

Në këtë periudhë, hapësira për zgjedhje të lira ishte e kufizuar. Historia e vendosi Shqipërinë brenda kufijve të ngushtë të një rendi bipolar. Edhe brenda atyre kufijve, pa ndërtuar institucione moderne, pa hapur gradualisht rrugët e zhvillimit dhe pa krijuar kapacitete të qëndrueshme, dilema e një shteti të vogël mbeti: të mbijetojë pa humbur identitetin. Kostoja e vonesës nuk u ndje menjëherë, por mbeti gjatë në strukturën e shtetit dhe psikologjinë shoqërore.

1990 – Demokracia e vonuar

Pas vitit 1990, Shqipëria hyri në epokën e lirisë, por mbartte mbi supe vonesat e vjetra: pa përvojë demokratike, pa ekonomi të konsoliduar dhe pa institucione të gatshme për tranzicionin. Zgjedhjet politike u bënë, por ndërtimi i shtetit mbeti pas, partitë u shndërruan më shumë në instrumente pushteti sesa në shkolla qeverisjeje, dhe ekonomia u hap më shpejt sesa rregullat e forcimit. Kriza e vitit 1997 ishte shpërthimi brutal i kësaj vonese.

1999 – Kosova: zgjedhje e drejtë, vonesë në përgatitje

Lufta e Kosovës tregoi se shqiptarët mund të jenë në anën e duhur të historisë, me solidaritet, dhimbje dhe dinjitet. Por edhe atëherë, kriza na gjeti me vonesat e vjetra mbi supe: shtet të dobët, kapacitete të kufizuara dhe peshë më të vogël nga sa kërkonte momenti. Moralisht ishim të lartë, institucionalisht dhe fuqimisht jo gjithmonë. Edhe kur zgjedhja është e drejtë, vonesa në ndërtimin e forcës së brendshme e zvogëlon peshën e saj.

Reflektim dhe vizion strategjik

Sot, dilemat mbeten hapur. Vonesat tona rrjedhin nga zgjedhje të gabuara, ose nga mungesa e strategjisë shtetformuese. Por pyetja vendimtare është për të tashmen. Në një botë ku aleancat lëkunden, Ballkani mbetet i ndjeshëm, dhe shqiptarët nuk mund të mbështeten vetëm te të tjerët. 

Një shtet i fortë është baza e çdo strategjie kombëtare

Së pari, Shqipëria duhet të ndërtojë institucione të qëndrueshme, të reformojë sistemin gjyqësor dhe të modernizojë administratën publike, në mënyrë që vendimet strategjike të mos mbeten letra të zbrazëta dhe vendi të mos mbetet pas në marrëdhëniet rajonale dhe ndërkombëtare.

Nevojitet diplomaci aktive dhe mençuri gjeopolitike. Në një Ballkan të ndjeshëm dhe ku aleancat lëkunden, shqiptarët nuk mund të mbështeten vetëm te miqtë historikë. Një diplomaci e fuqishme, partneritete rajonale dhe pjesëmarrje aktive në organizata ndërkombëtare janë mënyra për të siguruar influencë dhe për të shmangur rreziqet e lëkundjes së aleancave. Për më tepër, kjo përfshin negociata energjetike, projekte të infrastrukturës dhe bashkëpunim multilateral që i japin vendit një zë real në rajon.

Historia tregon se drejtimi në momente kritike kërkon forcë reale për të mbrojtur interesat kombëtare. Forcat e armatosura duhet të modernizohen, të pajisen me teknologji të avancuar dhe të trajnohen për operacione të përbashkëta me aleatët. Bashkëpunimi i ngushtë me NATO-n dhe partnerë rajonalë është çelësi për të parandaluar pasojat e vonesave historike.

Një ekonomi e fortë është mbështetja kryesore për institucione dhe diplomaci efektive. Shqipëria duhet të diversifikojë ekonominë, të investojë në energji të ripërtëritshme dhe infrastrukturë, si dhe të integrohet më thellë në tregjet rajonale dhe evropiane. Vetëm kështu vendi mund të ketë peshë reale dhe të mos mbetet i varur nga zgjedhjet dhe interesa të huaja.

Pa një kulturë strategjike që kupton rëndësinë e zgjedhjeve në kohë, institucionet dhe ekonomia nuk mjaftojnë. Edukimi për sigurinë kombëtare, vetëdija historike dhe pjesëmarrja qytetare duhet të zhvillohen në të gjitha nivelet. Vetëm kështu shqiptarët mund të jenë jo vetëm të drejtë në qëndrime, por edhe të përgatitur për të vepruar në momente kritike, duke shmangur përsëritjen e vonesave historike.

Historia nuk dënon vonesën, por paralajmëron; veprimet në kohë dhe planifikimi strategjik janë çelësi për të mos u vendosur gjithmonë nën zgjedhjet e të tjerëve. Kur të mëdhenjtë luftojnë për lavdi dhe të vegjlit për të mos humbur, pyetja mbetet: a kemi një plan ‘B’?

*Kristaq XHARO, ish-kolonel i Forcave të Armatosura, lektor për Çështjet e Sigurisë në Universitetin Europian të Tiranës. Ky shkrim u botua si pjesë e  projektit “Lista Liberale – Monitoring Democracy and Free Market Economy in Albania”, i zhvilluar nga Instituti PASHKO në bashkëpunim me Media MAPO.

7 Komente

  1. A
    Aron

    Fleme gjume akoma. Kur te na vije perseri tek krevati murtaja, zgjohemi, por nuk do kemi mundesi te ngrihemi. Ja sesi e solli koha dhe ne kete moment greku me ndihmen e disa fraksioneve ne Amerike jane duke shtrire edhe me shume ndikimin e tyre dhe pa iu dridhur qerpiku fare perfaqesohen me flamurin e nje republike autonome fantazme te "Vorio-Epirit" neper aktivitete, dhe institucionet tona flene gjume. Fatkeqsia jone eshte se ne kemi njerez neper institucione qe nuk kane as shtylle kurrizore, por nuk jane as te pergatitur sic duhet qe ti pergjigjen ketyre koherave, apo cdo kohe. Jo me kot kemi humbur shumicen e territorve dhe popullsise, dhe nuk ka mbaruar akoma saga. Si udheheqesia, edhe e ashtequajtura "elite" jane pa nivel. Vetem nqs na shpeton mergata(diaspora) dhe Perendia.

    Përgjigjjuni
    1. .
      ...

      Një mendim ndryshe nga ajo e z. Xharo. Nuk gjykohet historia e shkuar me mëdtë e të tashmes, as e ardhmja. 1.Kush ishin ata "të tjerët", që në kushtet e sapo të "belbëzuarit të autonomisë", siç ne dhe formuam Lidhjen e Prizrenit, kur fuqitë e mëdha vendosën flotën në Ulqin, u paraqitën me harta me ngjyra në Kongresin e Berlinit? Berlini, i detyroi shqiptarët të përbashkohen veri jug, duke i bërë të ndërgjegjshëm kombëtarisht në mënyrë institucionale, si do të qenë të organizuar kur ishin të ndarë ndër vilajete, të ndryshme të pushtuar nën perandorinë Osmane. Nuk ishim shtet ne, as si Greqia, as si Serbia, e as si Mali i Zi, që të kishim ca oficerë si ju e të bënin harta të bukura e shumëngjyrëshe. Kush ishte treni që humbëm, kur ne, nuk e dinim fare që kishte tren dhe, kërcënimet, patriotët tanë i mësonin nga gazetat dhe jo nga kanalet diplomatike të konsoliduara. Mirë që arritën të mblidheshin edhe tre ditë para sepse ajo ishte nisma e unitetit kombëtar të munguar. Shqipëria nuk ekzistonte, e jo më të priste në stacion trenin apo të vraponte që ta zinte. Dihet se si u soll Perandoria Osmane ndaj Lidhjes. Po edhe Bismarku i trenit, na quajti "shprehje gjeografike" kur prej shqiptarësh banohej një pjesë e mirë e Ballksnit", sikur të mos e dinte(!). Nuk ishim ne, por Perandoria Osmane përdori tokat e saj kufitare me fqinjët e saj, si plaçkë tregu; në kufi ishin tokat shqiptare dhe fqinjët plotësuan një pjesë të egos së tyre. 2. Historike shpallja e pavarësisë, por kjo qe më shumë proklamative se sa edhe territoriale. Deri në 1913 një pjesë e mirë e Shqipërisë së sotme ishte e pushtuar nga fqinjët. Cili ishte treni që humbëm, derisa u ftilluan ata të trenit dhe të gjenin kompromiset mes tyre, që të na linin kaq diell sa kemi sot. Deri në 1920-të, s'dinim ku ishim dhe Oksidentin e shihnim me dylbi. Ja pra, e hodhëm në det 'talianin, ç'të bënin tjetër ata që u hodhën mbi tela, kur u erdhën haberet (se ç'ishte dikush që i denoncoi traktatet e fshehta të këtij trenit, ndaj popujve të vegjël, pasi vetë doli nga lufta e ndryshoi sistemin politik në vendin e vet), se treni që donin të hipnin me 'talanin brëna, na e kishin prap me hile ata që kishin hipur në tren para 1878-ës dhe e kishin ngrënë fjalën për kufijtë e 1913-ës. Bot e bot ne që të hipnim, e hiç ata. Nuk na qasnin, se kishin të tjera nijete. E ta katandisen Shqipërinë copë-copë: ca me italianin, ca me austriakun, ca me francezin, e ca me të tjetë; të gjith në trenin që kishte ndaluar e po përlesheshin brenda në vagonët e trenit, se kush të zinte më shumë vend. Ne, bëj të hipnim dhe ata, hiç, derisa ranë rehat ata të trenit dhe ndanë vagonët, por ne, hë, hë, gjëkundi, na kishin lënë në katër rrugët. Jo se s'donim ne, as se ishim vonuar, ne aty ishim, por nuk donin të na merrnin, se u duheshim ndonjëherë, ashtu, të pa hipur në tren, si mall këmbimi. 3. Të vonuar në shtet formim, të vonuar që nuk zumë trenin, gjithandej të vonuar, thua, si refren kur nuk merr parasysh kushtet dhe kohëzgjatjen e shtetformimit, të një shteti të ri dhe pa ndonjë përkrahje të dukëshme në arenën ndërkombëtate, zhvilluar në vlajete të ndryshme me shekuj. Kur në 1920-ën, u formësuam për herë të parë si "shtet modern": 8 vjet pas pavarësisë e amullisë të shkaktuar nga treni i zallamahisë evropiane. Por s'mbaron me kaq, gjithë kohës me traktate të fshehta të të mëdhenjve, në favor të shteteve që kishin krijuar vetë rreth 100 vjet më parë: me mbretëri më të vogla se kombi shqiptar. 4. Pas 1945 shteti shqiptar konsolidoi pozitat e veta ndërkombëtare, që nga çlirimi i vendit me forcat e sakrificat e veta duke e vendosur veten në krahun e duhur të historisë dhe deri në mbrojtjen territoriale të vendit, duke gjetur aleatë që e përkrahnin përpjekjen e saj për ruajtjen e integritetit territorial dhe zhvillimin e vendit drejt shtetforminit dhe forcimit të ekonomisë, aleatë që përputheshin edhe në aspektin ideologjik (iu bashua këtyre që kishin denoncuar traktatin e fshehtë të Londrës, njëzet e kusur vjet më parë), siç nga krahu tjetër ishte ai, treni i Berlinit i vitit 1878, që më vonë do të quhej treni "demokratik", brenda të cilit ishte vendosur qetësia, se i ruheshin këtij trenit tjetër "diktatorial", por pa pretendime teritoriale mes pasagjerëve dhe pa pompozitete të veçanta, se pasagjerët ishin puntorë dhe fshatarë si trenistët dhe konduktorët. Kishin frikë se i hante buba, por grekut, ata të trenit "demokratik", që në luftën e dytë botërore, ja kishin taksuar jugun e Shqipërisë deri në Vjosë, në mos deri në Shkumbin. Po tashmë Çeçoja kishte biçak, se nga e kishte gjetur, po priste dhe therte. Nuk u lëshoi atyre të trenit të Berlinit të 70 viteve më parë, as një milimetër territor, madje u mori edhe Sazanin. Edhe një përpjekje që bëri fqinji jugor, i shpartalloi dhe i mori përpara, por kishte oficerë të dalë nga lufta, jo si ca që na bëjnë hartime e tregojnë trenin, që s'na qas kështu siç jemi, por që po detyrohet, nga frika se po u vjen lufta tek dera. Dhe këtë rradhë nuk është shaka, kur edhe trenisti po i lë, se s'ka takat ta ngasë më trenin se është rënduar mjaft. Në këtë periudhë (pas 1945), jo nuk, por ndërtoi një shtet më të fortë nga ç'duhet, një ekonomi të fuqishme nxjerrësh, përpunuese, madje kishte dhe me cikël të mbyllur, një bujqësi të përparuar dhe një administratë funksionale dhe demokratike nga baza në qendër, brenda përcaktimit kushtetues dhe ligjeve të shtetit. Pa le ushria, një korracë e vërtetë, o ish-kolonel i "Forcave të Armatosura". Nejse, ju e dini më mirë: më mirë kështu, siç na kanë orientuar këta aleatët e rinj: se jemi më të lehtë për të vrapuar e kapur trenin! Ata të vjetrit që na armatosnin për të mbrojtur veten (se si dihej), e kishin gabim dhe habitem se si me një ekonomi aq të dobët mbanim një ushtri aq të madhe. Edhe Zogut, pak ushtarë i la Pashiçi, sa s'mbrohej dot dhe ja mbathi i ziu, duke lënë popullin të bënte sikur të mbrohej me ç'mundte. Me siguri ndonjë mëndje e ndritur e udhëzoi "Shqipërinë demokratike" të pas '90-ës të shkatërronte të gjithë mbrojtjen dhe t'i flakte gjith arsenalin ushtarak, se ishte i "vjetër", apo kërkonte mirëmbajtje. Pse mo zoti oficerë, organizatat ndërkombëtare do të na mbrojnë ne në orën 0.00 h? Po plumbi, gjylja, dinamiti, të vret, o zoti oficer, i vjetër a i ri qoftë; po përdorin çifte(!) (armë pa vjaska, o zoti oficer. Po ç'patën me ato që nuk kërkonin bukë. Dikur në "diktaturë", fqinjët dërgonin diversantë që t'i shkatërronin; ne i shkatërruam vetë! Ishte shtet i dobët, pa kapacitete të qendrueshme thotë ish oficeri liberal. Mirë, mirë, po shtet më të qendrueshëm se ai i diktaturës së proletariatit, a ka? Shtet diktatorial, mo. Shumëpartiak është më i paqëndrueshme, si qeverisje. Qëndrueshmërinë ja jep jetëgjatësia e funksionimit të shtetit nën një sistem ekonomiko shoqëror. Atëhere duhej plani "B" për ne si shtet i vogël dhe lëvizëm në teh të thikës, nga Jugosllavi, tek BRSS, nga BRSS, tek Kina popullore dhe kur u vunë më rrezik interesat e vendit, i braktisëm, por përsëri nuk na pranuan në trenin "demokrat" ashtu siç ishim, dhe pse në atë tren na priste e njëjta gjë; vazhdonte Betlin 1878! Nuk ka plan "B" për të vegjlit si kanë ardhur punët. Të mëdhenjtë nuk po mund të mbrojnë veten dhe kanë plane ekspansioniste për njëri tjetrin, e jo më për ne të vegjlit, organizatat ndërkombëtate nuk po i dëgjon më kush, e disa aleanca janë në shpërbërje dhe të pafuqishme ndaj traktateve dy e disa palëshe, që po sajohen. Nuk ka më konkurencë mes sistemeve politike të ndryshme që të mbajë unitetin mes palëve në dy trena të ndryshëm. E hodhën në erë atë trenin "diktatorial", nuk ju mbarua benzina, siç thonë këta të trenit që ka mbetur dhe që nuk dihet do të na marrë a jo, kanë mbetur vetëm ca hibride tek tuk, por jo si ai treni tjetër "i kuq" i pas 1945-ës. Është vetëm, por çorap brenda, si në 1878, 1913, 1914, 1918, 1939, 1941, e tash, pas viteve 2000. Plani i vetëm joni sot për sot është vetëm brenda Perandorisë Evropiane të Perëndimit, nëse nuk ka një shpërbërje si ajo e Lindjes! "Forcimi i institucioneve demokratike" është një sebep për të të mos përfshirë dhe mbajtur varur, se nuk i dihet, sebep për të mos të të hipur në tren. Toidhjo, do të thoshte fqinji jonë jugor, që ka kohë në atë tren dhe na ka kollofitur një pjesë të mirë të territorit, dhe që do të paraqitet përsëri me harta me lulka në komisione dhe ne përsëri nuk do të kemi oficerë që të na i bëjnë tonat me lulka, se bëjnë artikuj pas berihait dhe siç ja kërkojnë institutet, duke gjykuar flesh si politikanë, jo si profesionistë objektiv.

      Përgjigjjuni
      1. f
        five company

        Plani B ne rend kronografik ( rrjedhoje e ngjarjeve), nuk mund te hartohet pa sheshuar ose rrafshuar konflikte e A. Me informacionin qe disponoj, dekada e fundit thelloi dhe beri me te qarte dhe te dukshen ate " vije te holle dhe te padukshme" te Shqiperise qe trajtohet si nje placke lufte dhe mall pa Zot... Vija e holle dhe padukshme por qe ka ekzistuar me vite u kthye ne nje kufi, i qarte dhe dukshem per keto ndarje. Nje kufi me ngjyre te kuqe ku shiritat e merive te vjetra u kthyen me plote fuqine e tyre ne moscenim te interesave konfliktuale qe perfaqesojne. Dhe ku jemi me planin B : " Do not cross the Red line"!!!

        Përgjigjjuni
        1. N
          Niku

          Më i mirë se sa një plan B është që shqiptarët të bashkohen për një qëllim dhe të përballojnë situatat që krijohen. Është fakt që shqiptarët humbasin energji për çështje politike duke u grindur me njëri tjetrin. Shikoni Kosovën dhe do të kuptoni sa sa e vërtetë është kjo. Shikoni Berishën dhe PD-istët që veprojnë në kundërshtim të interesava të Shqipërisë gjoja se janë kundër Ramës! Kujtoni vitin 1997 dhe kuptoni virusin shqiptar për të shkatëruar Shtetin e tyre! Të tjerët veprojnë ndryshe, janë të bashkuar, kundra interesave të shqiptarëve! Shikoni Maqedoninë e Veriut se si shqiptarët luftojnë njëri tjetrin dhe sllavo maqedonët po heqin edhe gjuhën shqipe. Pra shkurt, plani B më is mirë është bashkimi i shqiptarëve për një qëllim dhe mbrojtje të interesave të Shqipërisë.

          Përgjigjjuni
          1. C
            Celo

            Vet autori pranon vonesat historike ne Shtjellimin e vet,Dmth jemi te vonuar si shoqeri dhe si Popull ky eshte fakt..Por ka nje dallim Ne kohet primitive Deri ne renien e komunizmit Ishim te vonuar prej Injorances dhe Jo NGA Mosdeshira .Sot injoranca ka Rene ose eshte bere opsionale, dhe Dija eshte demokratizuar,dhe cdokush mund te beje analiza te sakta mbi prova dhe fakte qe Jane aty,per te kuptuar çfarë ka ndodhur dhe si mund te behet me mire por kjo nuk mjafton.Te mo's harrojme qe 35 vjet demokraci.jane Mjaft.Pergjegjsia per deshtimin tone Shoqeror eshte shumeplaneshe,,e askush nuk mund te shfajsohet.por sidomos ne Nivel elitar Aty qendron Fajtori me I Madh,nuk ka me alibi te deshtimin per arsye te padijes.Sot deshtimi eshte thjesht Mosdashje.Per kete arsye Elitat e sotme e Kane hak te digjen ne Turren e Druve ,Madje Jo tamam aty ,sepse aty u dogjen Iluministet ne koherat e Injorances.Keta sot DUHET te digjen ne Ferr ,sepse keta Mundin,keta Dine por keta nuk Duan.E pra te mo's duash progresin dhe mirqenien e vendit tend ,eshte mekati me I madh I atyre qe drejtojne.Autori rreket te ndihmoje se si vendi DUHET te behet me mire me planet B,C,D,apoE.Kot e ke Zoteri,ketu nuk eshte se nuk e dine,keta thjesht nuk duan,,Edhe fakti qe ti shkruan ne Gazete,tregon se askush nuk degjon ,Prandaj ti Kerkon te Amplifikosh shqetesimin Duke perdorur ,gazeten .Kot e ke,nuk eshte ceshtja ketu,keta thjesht nuk Kane veshe Dhe Po s pati vesh bertit Sa te duash.Por nuk degjohesh.Sepse shoqerise I mungon nje mekanizem force qe ta percjelle shqetesimin e Saj direkt Tek Elita Vendimmarrese duke I kerkuar llogari ASAJ ne Emer te progresit te munguar ,dhe Jo ti tregojne si behet Sepse edhe Ata qe iu besuam fatet e vendit ne Dore kete gje bene,Na mbushen mendjen me gazeta,Artikujt,emisione relevizive,Takime elektorale e dere me dere qe KJO BEHET keshtu dhe Une do ta bej,Ok,Po ja qe prape ketu jemi Sepse 35vjet democraci Jane shume.Arsyej perse nuk ka ndodhur progresi dhe mirqenia ne Jeten e qytetarit Tani nuk ka me rendesi ,por fajin e kemi vete Ne dhe demi eshte Tani bere.Ai qe turperoher NGA deshtimi braktis vendin dhe iken ,ai qe nuk e ka problem rri ketu dhe e ha Turpin me buke.Kete vend nuk e shpetojne me Artikujt kete vend e shpeton Rruga ose Mesia i Ri

            Përgjigjjuni
            1. A
              Asnjë shpresë

              Nuk ka më asnjë shpresë. Mos u lodhni kot. Që pas 1990-tës shkatërruam gjithçka: ekonominë; ushtrinë, arsimin, shëndetësinë. Shkurt shtetin. Gjysma e shqiptarëve e kanë braktisur vendin, e qeverisur nga disa shpellarë. Rama nuk e bën dot javën në Shqipëri pa gjetur një pretekst për të ikur jashtë vendit. tani ndodhet në Berlin për ekspozita personale, nesër në Jerevan të Armenisë për "politikë të madhe". Po kthehemi në një fast food apo restorant gjigand duke përfituar nga bukuritë natyrore të vendit. Por edhe këtë vend nuk dimë ta mbajmë pa e bërë pis. Thjesht jemi popull koti, me qeveritarë nga më të poshtrit që mund të bëhen, duke filluar nga i çmenduri me kartelë i Viçidolit. Po patën mëshirë për ne mund të na mbajnë, ndryshe mund të na copëtojnë përsëri. Shqipëria e sotme është Shqipëria e oligarkëve, që e kanë mjelur dhe vjelur këtë vend. Nuk është Shqipëria ime apo e fëmijëve të mi. Ndofta do ishte mirë të pushtoheshim nga ndonjë vend më i përparuar se ne vetë. Meqë vetë nuk dimë as të bëjmë shtet, as të vetqeverisemi. Dhe ua kam ndaluar rreptësisht fëmijëve të mi të luftojnë apo të bien dëshmorë për këtë vend. Me një fjalë e ka marrë ferra uratën.

              Përgjigjjuni
              1. B
                Bureto

                Mendoj se si shkrimi ashtu dhe disa nga komentet shprehin një shqetësim që mua më duket më shumë hipotetik se sa real. Me këtë nuk dua të them se duhet "të flemë" rehat, se për të rivendikuar pjesë të territorit nga ajo që rëndom quhet "Shqipëria Londineze", dhe që fqinjtë i lakmojnë, nuk ka ndonjë rrezik nga jashtë. Këto qenë njëherë e një kohë, pra para pavarësimit të Shqipërisë. Jo se sot nuk janë, por më shumë janë kërcënim që ne mos pretendojmë territoret që banoheshin e banohen nga shqiptarë, që qysh nga Berlini (1878), Parsi (1920) dhe Jaltë(1945), përfundimisht ua dhanë dge ua njohën fqinjve, pra kur të mëdhenjtë bënë pazar në dëm të shqiptarëve dhe në dobi të fqinjve tanë, në veri dhe jugë, por që ishin njëherazi aleatë strategjikë të tyre (janë ende), respektivisht rusëve posaçërisht Serbia dhe franko-britanikëve posaçërisht Greqia. Teza: Harrojini ato që u muarrëm! Nëse bëni dhe një hap në dëm të interesave tona, atëhere prisni reagimin. Dhe ata përgatiten vazhdimisht për këtë. Po ne? Sigurisht që përkundër përpjekjeve tona politiko-diplomatike, për të mbrojtur të drejtat kombëtare të shqiptarëve në territoret e "pushtuara", duhet të tregojmë se këto nuk do të rreshtin, por pa shkuar në ndryshimin e kufijve ekzistues, të cilat hëpërhë janë tabu. Përjashtim u bë vetëm më rastin e Kosovës, dhe jo nga be por nfa "borxhlinjtë" që siç asokohe k/m britanik Toni Bler për të argumentuar sulmin e NATO-s, në pranverë 1999, deklaroi: "U korregjua një padrejtësi historike!", duke nënkuptuar me këtë atë të Konferencës së Ambasadorëve në 1913 në Londër, ku Shqipëria u përgjysëmua. Dhe kjo sipas pikpamjes time, me dhimbje duhet thënë, nuk ndryshon më. Prova e kësaj është L.I bot. ku Shqipëria e dobët sa më s'kish (han pa porta), u pushtua nga fuqitë ndërluftuese, të Antantës dhe Boshtit, por në fund të saj, fitues e humbës, të gjitha u tërhoqën dhe përfundimosht Konferenca e Paqes në Paris, përfundimisht njohu kufitë e vitit 1913. Sigurisht orekset vazhdojnë, por ato si gjithmonë sebep kanë atë që thonë elbansallinjtë: "Mos më cyt, mos të të cys!?". Gjithsesi, edhe pse anëtar të NATO-s, duhet të jemi të përgatitur për çdo skenar të zi, qoftë ai dhe hipotetik, sepse shqiptarët kurrësesi nuk duhet të harrojnë që, "uji flé, hasmi s'flé!".

                Përgjigjjuni

                Lini një Përgjigje