Duket sikur politikanët tanë zbulojnë çdo 1 maj se punëtorët ekzistojnë në këtë vend, vetëm për t'i harruar sërish të nesërmen. Ndërsa sot punëtorët në SHBA, Turqi, Filipine, Athinë e madje edhe në Prishtinë kanë njoftuar se do të zhvillojnë protesta, punëtorët në Tiranë do duhet të mjaftohen sërish me… urime në rrjetet sociale.
Flitet shumë çdo vit se si kjo ditë supozohet të jetë ditë protestash e jo feste, ku punëtorët të shtojnë presionin ndaj punëdhënësve dhe qeverisë për t’iu kujtuar të drejtat e harruara, por edhe se përmirësimi i kushteve të punës nuk është një proces i fundmë. Por, duket se e gjithë kjo ka pak rëndësi, pasi me gjithë diskutimet, shohim si përsëritet çdo vit e njëjta performancë, ku politikanë – nga më të rëndësishmit tek ata që ndoshta nuk i përfillin as të shtëpisë – nxitojnë të gjejnë punëtorë për t’iu shtrënguar duart. Dhe, meqë jemi tek momenti i fotografisë me shtrëngime duarsh, të bën përshtypje se uniformat e këtyre punëtorëve shkëlqejnë gjithmonë nga pastërtia. Dikur, për shkak të varfërisë, gjyshërit tanë i ruanin rrobat e tyre më të mira për ditën që do të iknin nga kjo botë, atëherë kur as rehatia e as bukuria e tyre nuk iu bënin më punë, përveçse – për besimtarët – të paraqiteshin sa më dinjitozë para Zotit. Punëtorëve sot duket se jua ruajnë uniformat e pastra dhe rrëzëllitëse, bashkë me veshjet e tjera të sigurisë, për ditën kur do të takojnë Perënditë e sotme të politeizmit kapitalist. Kjo përsëritet çdo vit në mënyrë aq identike, sa të lind natyrshëm pyetja se përse qeveritarët tanë mundohen kaq shumë për të gjetur imazhe të reja për të postuar çdo “1 Maj,” kur fare mirë mund të përdorin të disa viteve më parë. Shumica nga ne nuk e bën dot më dallimin se kur ka ndodhur ky apo ai takim.
Ironikisht, e gjitha kjo ndodh në një kohë kur debati ekonomik i ditës është humbja e fuqisë punëtorepër shkak të emigracionit. Sipas CENS 2023, Shqipëria regjistronte 2.4 milionë banorë, ndërsa në 2025 ky numër ra në 2.3 milionë. Është kryesisht pjesa më produktive e krahut të punës që është larguar dhe ikja është kaq e rëndë për ekonominë dhe biznesin, sa që i ka detyruar një pjesë të punëdhënësve të rekrutojnë punëtorë nga vende të treta. Kjo, jo vetëm për faktin se në Shqipëri nuk ka më njerëz që të punojnë, por sepse punëtorët e huaj në kushte të pasigurta janë më të lehtë për t’u shfrytëzuar.
Por, ndërkaq edhe ata punëtorë që mbeten këtu nuk është se marrin pjesë në progresin që shohin se i rrethon. Të dhënat nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave në raportin e dorëzuar pranë Kuvendit të Shqipërisë, tregojnë se për vitin 2025, depozituesit më të pasur – afërsisht 138.000 llogari të mëdha bankare – i rritën kursimet e tyre me 10.8%, me një balancë mesatare prej rreth 60.000 eurosh për llogari. Pjesa tjetër, 1.78 milionë depozituesit e zakonshëm – që mund të jemi unë dhe ti – panë një rritje prej vetëm 6.4%, me një balancë mesatare prej rreth 3.000 eurosh.
Diferenca në Shifra është e thellë dhe do duhej të mjaftonte për të treguar se, pavarësisht sipërfaqes së vogël në kilometra katrorë, Shqipëria ka mjaftueshëm hapësirë për të qenë dy shtete paralele: ata që e mundësojnë prosperitetin ekonomik të viteve të fundit dhe ata që e gëzojnë atë. Fakti që për të kuptuar sado pak pabarazinë na duhet të mbështetemi në të dhëna bankare, është një tjetër tregues se sa interes tregojmë ndaj punëtorëve. Mospatja e një njësie matëse për të llogaritur nivelin e varfërisë praktikisht tregon se kemi vendosur të mos e shohim atë, sepse po ta shihnim do duhej ta adresonim. Për rrjedhojë, hendeku që duket se vetëm thellohet, bëhet i dukshëm vetëm përmes të dhënave të mbledhura për të tjera qëllime dhe jo për të matur pabarazinë.
Duket sikur jemi të gatshëm të debatojmë gjithçka, nga mungesa e demokracisë në një parti që ka vendosur të kryejë vetëvrasje shumë kohë më pare, tek (pa)drejtësitë e sistemit të drejtësisë, që ditët e fundit kanë qenë të vetmet biseda që dominojnë titujt e lajmeve dhe valët e transmetimeve televizive. Ndërkohë hapësira për të diskutuar rreth humbjes së krahut të punës apo hendekut mes atyre që kanë dhe atyre që lihen pas, sa vjen dhe zvogëlohet, sikur këto të mos jenë problemet tona.
Por ndoshta e tillë është bërë çështja e punës në Shqipëri… Një mundësir për një operacion imazhi, ku punëtori, edhe në ditën e tij, duhet të jetë sfondi që zbukuron fotografitë e politikanëve.
O Bjordi, kot i bie përqark. Është fare e thjeshtë: Edhe qëmoti puntorët, ashtu, me varfërinë e tyre (puntorët të "varfër" kanë qënë gjithmon, por jo në pushtetin e tyre) e respektonin ditën e 1 majit; visheshin me rrobat më të reja që kishin, ato të mortit, siç i quan ti, mund të flasin dëshmitarët. Edhe sikur të ishte i matshëm niveli i pabarazisë dhe ai, në fakt, është i matshëm, duke parë mbivlerën që krijohet në këtë sistem politeizmi kapitalist, siç e quan ti, ç'do të duhej t'u thoshe punëtorëve në tryezat mediatike që kontrollohen nga ky sistem i qëllimshëm shumëpartiak, mos do t'u flisje për mbipunën që duhet të paguajnë në favor të pronarëve të masmedias dhe të ngjashmëri? Veshjet e punës dhe pagat në shoqërinë tonë nuk varen nga qeveritarët që shtrëngojnë duart me puntorët. Është ashtu, siç thua, askush nuk kujtohet për ta, veç këtë ditë; në mënyrë hipokrite. Ky është dukuri i përbotshme, nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Nuk duan organizime sindikaliste, se ato sjellin organizime politike, që dialektikisht do të kërkojnë ndryshimin politik të sistemit në favor të tyre. Ekzistenca e tyre do të bënte të dallohej ende ku i prodhuesve të të mirave materiale dhe shërbimeve dhe përvetësuesve të pabarabartë të të ardhurave prej tyre. Humbja e krahut të punës nuk ka të bëjë vetëm me nivelin dhe mënyrën e shfrytëzimit, qoftë ky i vogël apo i madh; shfrytëzimi është shfrytëzim, sido me qënë. Humbja e krahut të punës vjen në Shqipëri si rezultat, i përvetësimit më të madh të mbivletës dhe mbifitimit kapitalist, që e ka burimin tek prona private, jo mbi çdo pronë private(!), mbi mjetet e prodhimit. Këtë do të diskutojnë masmedia dhe kuvendi? Një utopi, njëjtë si të themi të kthejmë sistemin që kishim, kur puntorët vishnin rrobat e mortit(!), se ai e kishte mirë me puntorët. Po u bë njëra, për 75 vjet, që tu hiqej nga mendja njerëzve koncepti i qeverisë të puntorëve, "diktaturës" dhe po kërkon ta kthejmë prap "sllavo-komunizmin", siç e cilësojnë ca. Emigracioni është një fenomen i përbotshëm i puntorisë, për shkak të kushteve dhe rrethanave të jetës; puntori nuk ka atdhe, është internacional. Çfar të debatojnë masmediat: uljen e çmimeve, duke ulur taksat dhe tatimet? Po shteti, me se do të mbahet? Shëndetësi falas duam? Do jetë mirë. Po arsim falas dhe me nivel të lartë, po qe e mundur brenda sistemit, duam? Po, e po. Po një siguri të mirë, me ç'po fryn, e duam? E duam, e para, si patriotë të thekur që jemi. E po atëhete? Arëhete do të kthejmë sytë nga fitimi kapitalist, si pjesë e mbivlerës e përvetësuar në mënyrë private... Opa, vjen "bosi" i masmedias dhe e bllokon. Jo për çensurë, jo, jo, jo, jemi në demokraci dhe nuk do mos mund t'i propogandosh puntorëve të vërteta, por se nuk e ka në editorialet e tij këtë propagandë. Ke gjë për krimet e komunizmit kriminal, hajde, bujrum. Ne jemi për komunizmin jo kriminal, të zbuturin, aq, sa nuk dallon me grupimet e tjera berihajiste të sistemit që jemi, ndoshta pak me socializmin brenda sistemit, ndonjë kockë kapitaliste e stërmadhe, mjafton për ta. Imagjino, diskutojmë për punët e brendëshme të partive, a janë a s'janë demokratike, a është a s'është i ligjshëm, ligji i ligjit që kundërshton ligjin; një shvejkizëm i paparë: ç'më duhet mua se ç'bëj unë. Problemet e puntorëve janë të përbotshme njëlloj, or mik, kanë ekzistuar e do të ekzistojnë në botën e kontradiktës antagoniste midis punës dhe kapitalit dhe nuk gjejnë zgjidhje në sistemin ekzistues.
Fort I nderuari Źotëri! Ka nje tregues që matet prej Instat‐it: treguesi I varfërisê relative dhe absolute! Po ashtu ka dhe n̈jë tregues të pabarazisë që po ashtu matet prej të njëjtit institucion: koefiçenti Gini. Ju ftoj t'i konsultoni dhe analizoni, para se të shpreheni për te kundërtën. E kemi për detyrim moral para atyre specilaistëve që punojnë, dhe jo pak, për to, që tu konfirmojmë ekzistencën e veprës së tyre të punës përpara se të ndërtojmë veprën tone. Perndryshe të njëjtin fat do kemi: "ÇDO MBJELLÈSH DO KORRESH" d.m.th. askush nuk do njohë dhe flasë per veprën tuaj!