Tallja me moshën dhe… vdekjen

13 Janar 2024, 17:33Blog TEMA
Tallja me moshën dhe… vdekjen

Nga Josif Papagjoni

Tallja me moshën e vjetër dhe vdekjen është, sidoqoftë, e natyrshme për të rinjtë, pra dhe për mua kur isha i ri: “Akoma jeton ky?!” Cinike, por kështu kam menduar jo pak herë. Të rinjtë, nga vetë rëndesa e lehtë e viteve mbi shpinë, doemos edhe nga ambicia për hapësirë, pse jo edhe nga tepria e testosteronit, kanë një farë armiqësie të heshtur ndaj të vjetërve, që u bëjnë hije. Tinëz, duke tradhtuar sjelljen etike dhe morinë e dorgmave morale të bashkëekzistencës dhe respektit ndaj të vjetrit, në thelb ata janë varrëmihësit e tyre. Kjo temë është eterne. Këtë vit kanë ikur shumë të afërm, miq e shok të mi. Facebook-u nganjëherë më duket si një varrezë e madhe a një shtyllë ku ngjiten afishet e njerëzve të vdekur. Ne të vjetërit mallëngjehemi dhe shkruajmë lavde për të ikurin. Veçse kur i ndjeri ka qenë gjallë, jo rrallë kemi qenë kundërshtarët e tij, rivalë, nuk e kemi dashur me shpirt. Shtiremi si ish miqtë e ngushtë të tij, derdhim trishtim, lavde, mallëngjim.

Ah, na këputet shpirti! Ndofta kjo vjen nga falja, i vdekuri s’ka ç’bën më, s’është më një rival a konkurrent. Por ndofta vjen dhe nga një frikë e strukur brenda teje se ja, iku filani por rruga është shkurtuar tmerrësisht edhe për ty. Vdekja është një kujtesë e tmerrshme. Është thënë mijëra herë se sa është gjallë njeriu i ngratë më shumë pret furtuna mërish, përçmimesh, çvlerësimesh, minimizimesh, mohimesh dhe kur ikën nga jeta vërshojnë valët trrallisësë të mitizimeve e hyjnizimeve të vonshme. Por i vdekuri nuk i dëgjon, as i shijon ato. Kjo nuk është vetëm shqiptare, por sjellje njerzore kozmike.

Këtu më poshtë dua të vijoj me një përsiatje, pjesë e një libri në sirtar.

...E krodhi veten rishtazi në misterin e të përtejmes. U zymtua. Mendja i brodhi në ecejaket e pazgjidhura të jetë-vdekjes. Nuk e kishte pasur frikë ikjen nga kjo jetë. Kishte bërë shpesh humor me të. I ishte dukur si një portë ku do shuhej dhe do gjente Hiçin Absolut, Asgjënë e lumtur, Kundaskundin e tij të dashur. Aspak të frikshëm. Diç që mund t'i vinte natën me një flakërimë në tru, sa fragmenti i sekondës. Sa bukur dhe ëmbël do të ishte. Siç e thoshte dhe populli i mençur: “Në kokë e në gropë!” Ishte partizan i autanazisë. Nuk do ta donte fundjetën i shtrirë në krevat, i paralizuar, i paaftë për vetveten apo i shastisur nga skleroza. Mjafton një gjilpërë dhe kaq... Gjithë stërmundimi dhe raskapitja tënde për të mbajtur në ajër një emër të mirë, katandisej në një përqeshje, ku gjithçka e mirë dhe e bukur zhdukej dhe mbetej në kujtesë lëtyra dhe përqeshja.

Nuk ishte një Noti Llambraqi që i shfaqej ikona e Shën Marisë dhe i thoshte: “Deti do të të shpëtojë, Noti!” Shpesh kujtonte miqtë e tij të penës dhe të artit, qe tash ishin në ajritë’ e amëshimit. Ndonjëherë habitej me ndonjërin prej tyre, makthin që ai kishte pasur për të qenë mepatjetër i “pranishëm” në mjediset letrare artistike; të mbetej një emër zjarri, i dukshëm, madje imponues, kudo. Po tani, ku ishte? Kush të kujton, miku im? Askush. Ke shkuar në Kundaskund... Dhe e para gjë që ia befi në mendje ishte: “Ji modest, o njeri, mos deliro! Se kush je, le ta bëjnë të tjerët, njerëzit, opinioni, koha, mbase vetë e madhërishmja vdekje!”

Sa shumë njerëz kishte, edhe mbi 80 vjeç, që vuanin pavëmendjen e medieve, shtypit, forumeve, mbledhjeve, partive, që rastësisht a qëllimisht i “harronin”. I harronin apo ishin harruar vetë ata, hajde gjeje. Sa vështirë ishte në gjallje që njeriu të pranonte se po fashitej, se po shuhej pak nga pak, se po bëhej i pavëmendshëm për të tjerët, se ishte kthyer në një barrë e cung të tharë. Kishte një lloj qesëndie kur shihte njerëz që çfarë s’bënin, edhe në faqet e facebook-ut, për të thënë: “Unë jam i rëndësishëm! Unë jam “vlerë” kulturore artistike e kombit. Unë jam mendjehapës, një rilindës i madh! Unë kam këtë e atë titull, dekoratë. Unë kam botuar kaq kile libra, kam krijuar kaq kile piktura, kam bërë kaq kuintalë filma në Youtub, kaq ton reportazhe, kaq ton partitura, kaq...” Sa e vështirë qenkesh që kësi tipash delirantë të largoheshin në paqe nga kjo jetë.

Në heshtje. Të përplotësuar dhe pranues në atë heshtje të sinqertë. Sepse jeta fillon dhe mbaron vetëm tek ata. Mua më tmerron qejfi i shumëve për të tundur tutje-tëhu gjithfarë çertifikatash e diplomash prej letra bakalli, marrë diku në ca periferi, humbëtira e fshatra shtetesh të vegjël të Ballkanit, siç bëjnë ca tipa gati të sëmurë duke u dëshmuar si “shkrimtarë ndërkombëtarë”, që përkthehen e lexohen ngado. Të vjen të tallesh me ata që mbajnë nëpër sirtarë kurora kartonësh e “hekurishtesh”, fituar po njësoj nëpër ca kinse “festivale ndërkombëtare” qytezave e fshatrave të Ballkanit.

Ju qofshi! - shpërvoli buzët ai. Pse nuk e pranonin ikjen vallë, hyri mëpastaj në trojet e paradoksit, pse e quanin një hata zëvendësimin e natyrshëm të brezave? Apo i kishte përkëdhelur vëmendja e dikurshme, shpesh e rrejshme nga tarafet, postet, klanet, xhepat e pushtetit? Ku janë gjithë këta pushtetarë të djeshëm rrethuar me përkëdheli e servilizma pa fund? Ku janë gjithë ata që e mbanin veten si “artistë të shquar”? Po ata me para të shumta, makina e shtëpi luksi?

E pra, duhej të mësohet më në fund se kjo jallane jetë rridhte e rridhte papushim, se çdokush bëhet pjesë e të panevojeshmes, e të padobishmes, se nuk mund të ishte më përherë një katedër a “foltore”, një dikush që të tjerët duhet ta shihnin ende me adhurim, gojëhapur për kontributin e tyre të “pazëvendësueshëm” për Kombin, Popullin, Atdheun dhe dër, dër, dër... Fjalë, imzot, fjalë, do t’u thoshte Hamleti këtyre Pollonëve të bezdisur e mendjengushtë të lavdisë në një trumbë bretkosash. Shikoni se çfarë deliri shfaq një ish pushtetar me emrin Sali Berisha, duke dalë në dritaren e një shtëpie dhe duke recituar një panegjerikë personale, si të ishte një hero mitik?! Sa qesharake! Sikur pa të, bota vdes, shpresa vdes, jeta vetë vdes.

...Teksa nata po bie dhe gëlltit relievet, ai u përsiat edhe pakëz për ngjarjen madhore të njeriut: Pasvdekjen. Dhe tha me vete: “Duhet porositur ndonje kartë e shkrim për vlerat e larta në gjallje, siç bënte Vurkua i Çajupit të komedia e tij brilante “Pas vdekjes”. E njihte mirë Andon Zakua këtë huq të njerëzve, ndonëse kishin kaluar njëqin e kusur vjet. Eh, sa Adha-mut kishte kjo jetë! Sa mirë do të qe, për paqen e gjithsecilit, që të bëheshim sadopak një Çajup, të shpotitnin sadopak të rëndomtët dhe rëndomtësinë. Ouuu, e lodhi kjo ecejake e trurit. Ah sikur të kishte një fat të bardhë dhe t'i ndodhte siç thoshte i mençuri popull: “Top dhe në groooooo.” Por nuk arriti ta shqiptonte të plotë fjalën. E zuri gjumi...

16 Komente

  1. D
    Devolliu

    Brilant , shkrim i bukur plot vërtetësi , filozofi , realitet e dakordësi .

    Përgjigjjuni
    1. B
      Bravo Korça

      Falemnderit Josif, shumë bukur I ke trajtuar dyzimet dhe animet morale dhe etike. # Devolliu: vetëm ne lexojmë e komentojmë në këto shkrime...të tjerëve ia ka rrëmbyer mëndjen dhe mbyllur syrin politicka ...

      Përgjigjjuni
    2. Q
      Qamil Mali

      Josie Papagjoni njeriu I mire me te gjitha cilesite e mira per njeriun natyrshem , pa implementime siç bejne rendome dentistet apo gjinokollogjistet Brest implent etj . Besoj Qeveria se pari ta studjoje e konspektoje dhe le te mendoje ! Sa e trishtueshme ndodhia para pake ditesh, Pensionisti shkon te marre pensionin dhe … Tak- FUCK vdes ne Poste !!!…

      Përgjigjjuni
      1. p
        perepetum mobile( levizje e perjeteshme) tallava n

        Papagjoni eshte nje intelelktual dhe filozof i vertete,me nje tentative per katarsis,fjale krejt e huaj dhe vetvrasese, kjo ne kete vilajetDhe i vetmi qe cfaqet.Pa tjeter mund te kete dhe ndonje intelektuale tjeter te rralle,qe mediton skutave,ne kete vend muti,,i gjithe i pushtuar nga shpellare dhe sherbetore pervers te parase dhe mejhane televizionesh pa fund,ku degjohen te njejtat lehje qensh,nga raca te ndryshme.Dhe kjo ka bere te cfaqet tragjikomikja,ku te rinjte jane me te vjeter se te vjetrit,dhe vendi shume shume mund te duket si nje trup i beshem,por i deformuar,me nje tru te atrofizuar.

        Përgjigjjuni
        1. f
          fredi

          artist, sheh gjithcka qe nuk duket. Rrofsh 100 vite te bardha

          Përgjigjjuni
          1. k
            kete kisha tani per tani

            Perse na duhet kjo teme?! Shiko, sot kerkojne transparence kur vete çdo gje e fshehin, bejne ligje se u vjen keq per kriminelet dhe ata vazhdojne te vrasin, apo luftojne korrupsionin gjoja kur vete vjedhin me shume. Popullsia e sotem, shumica, nuk ka nevoje as per libra, as per nder, respekt, dije, jane vulganizuar sa as kafshet nuk i kane krijuar vese te tilla por kane standartet e tyre. Shkrimi ketu mbase eshte i mire per nje njeri qe e thithe embelesine e tij te sinqerte, por i keni pare filmat qe nga Hollivudi e deri ne Tirane? Filma ku tregohet se si vidhen bankat, se si vriten njerezit se si pornohet se si njeriun ta vdesin dhe jo te japin shprese per jeten. Sot gezojne ata qe varrosin qe te kete sa me shume te vdekur se pasurohen, doktori te kete sa me shume te semure, avokatet te kete sa me shume kondravajtje , krime, vjedhje sepse marrin para....pra gezimi ketyre eshte vdekje e te tjereve ose si thuhej: sot njeriu per njeriun ujk. Po e kam gabim kundershtome. Prandaj dola kunder shkrimit se sa me pak duhet ttu reklamoje nga keto te verteta ketyre te rinjeve sot, se keta thone: o o e paska bere dhe ky qe hiqet per burre i mire, pse mos ta beje une?!

            Përgjigjjuni
            1. A
              Adria

              Po,po marrin pjese ne kete gare udhetimi te jetes plot delirante e narcisiste qe me egoizmin e tyre e mohojne dhe vdekjen. Shkrim I bukur.

              Përgjigjjuni
              1. E
                Ela

                Respekt per shkrimin brilant , por duhet te jete baze per nje edukim per shkolla

                Përgjigjjuni
                1. s
                  studenti

                  Mendim filozofik, gjuhë e pasur, stil orogjinal... shkrim brilant!

                  Përgjigjjuni
                  1. H
                    Humoristi

                    Ku matufi nuk e di cfare shkruan,kjo eshte arsyeja se nuk e di cfare dreqin kerkon ne shkrimin e tij te matufepser!?!?

                    Përgjigjjuni
                    1. E
                      ENTSOE

                      Shkrim mjaft I bukur, filozofik, kenaqesh kur e lexon, shume mire mund te jete nje novele e tipit Cehov! Respect per autorin!

                      Përgjigjjuni
                      1. A
                        Aqif Gjeraqina

                        Trajtim fantastik. Kembane per delirantet dhe shume politiqener qe na i shpifen. Sduhet fol me frike per vdekjen se te gjithe jane te vdekshem. Respekt per njerezit e mencur dhe modest. Kujtese: Shendeti mendor vendos per jetegjatesine.

                        Përgjigjjuni
                        1. D
                          Drini

                          Me pelqeu

                          Përgjigjjuni
                          1. D
                            Dritan hilja

                            Bravo, të lumtë panda, rroftë agjitacioni dhe propaganda.

                            Përgjigjjuni
                            1. ¿?

                              NUk e di ne eshte gabim shtypi apo jo, por o Josif i thone "eutanazi" jo "autanazi". Kaq, sa per hir te saktesise, per te tjerat cdo njeri shkruan ate qe do, filozofi apo jo sic thone ca te egzaltuar ketu, harrojne qe per shkak te nje mender FILOZOFIE na shkerdhyen 45 vjet rresht.

                              Përgjigjjuni
                              1. A
                                Altin Pellumbi

                                Ju lejme pergjigje dhe nuk i pasqyroni! Nejse dite e shtune… Per rrespekt te prof. Papagjonit po shkruaj per nje shkrim mjafte te mire dhe ne kendveshtrimin tim personal nje ftese e sinqerte per eksperte te fushes qe te prononcohen! Urime prof.Papagjoni

                                Përgjigjjuni

                                Lini një Përgjigje