Themelet që nuk duken

8 Shtator 2025, 19:32Blog TEMA
Themelet që nuk duken

Nga Adrian Thano

Një komb që nuk investon sot në shkollë, do paguajë nesër për pasojat. Fjalë të bukura nga libër citatesh?

Jo, llogari e thjeshtë: Nëse nuk merret seriozisht edukimi sot, nesër do duhet të ndërtohen burgje, qendra rehabilitimi, fushata sensibilizimi, struktura mbështetjeje.

Të gjitha më të shtrenjta dhe më të dhimbshme sesa një arsim i mirë.

Sot në ditën e parë të një viti të ri shkollor shikoni ku jemi: vrasje, shpërthime, adoleshentë me thikë në çantë, rini përtace që ngatërron suksesin me shkëlqimin e rremë, dhunë në familje, arrogancë në rrugë.

Dhe një kurvëri e re – jo vetëm ajo e hershmja në trup, por në mendje, në ideale, në shpirt.

E kemi lënë shkollën pas, në listën e prioriteteve. Rrugët, stadiumet, fasadat, resortet që duket sikur janë për vende pa halle, ndoshta janë të nevojshme. Por a ia vlejnë kur mungon edukimi bazë?

I panxëni nesër do t’i prishë rrugët apo stadiumet, rrufjanë do pjellin resortet.

Vetë Kryeministri, që ka një pasion për dukjen e bukur dhe rrokaqiejt, duket se e vuan i pari këtë realitet. Nervozizmi i tij me ata që dëmtojnë apo ndotin stadiumet bizhu dhe plazhet ku po tentojmë klasin e lartë është dëshmia se vizioni i tij për luksin dhe madhështinë, pa një bazë edukimi dhe respekti, është i gabuar dhe i pafrytshëm.

Nuk mjafton të ndërtojmë beton e xham, nëse nuk ndërtojmë edhe njerëz të qytetëruar, që dinë ta vlerësojnë dhe ruajnë atë që kanë. Në fund të ditës, të dekadës, të shekullit, cilësia e një kombi nuk do matet me lartësinë e kullave apo me kilometrat e asfaltuar

Më mirë të kemi më pak stadiume dhe më shumë biblioteka; më pak resorte dhe më shumë laboratorë; më pak drita e shirita për lajmet TV, më shumë dinjitet për mësuesin.

Mësuesi është misionar. A mund të kërkosh misionarë në një sistem që shpërblen fort improvizimin dhe mediokritetin?

Prindërit e sotëm kanë nostalgji për mësuesin e dikurshëm. Rikthimi i seriozitetit të “mësuesit të kohës së Enverit” (jo në ideologji, por në përkushtim dhe autoritet moral) kërkon që mësuesi të mos jetë viktimë e sistemit, por themeli i tij.

Është një ironi e madhe e historisë që shumica e elitës politike, institucionale dhe kulturore që sot mallkon komunizmin, është pikërisht produkt i sistemit arsimor të atij regjimi.

Bij e bija të ish-elitës komuniste, të shkolluar me rreptësi, me disiplinë e me themel, janë sot në krye të institucioneve, partive, bizneseve e universiteteve. Jo pse ishin të privilegjuar, por sepse arsimi ishte serioz dhe i barabartë në mënyrë brutale për të gjithë. Ai sistem mund të ketë rënë, por trashëgimia e tij arsimore i ka mbajtur këta njerëz në majë.

Ndërsa sot, kur arsimi është kthyer në biznes, diploma në mall, dhe shkolla në fasadë, brezat e rinj rrezikojnë të mos kenë më as meritë, as barazi, as mundësi. Dhe kështu, rrota e padrejtësisë vazhdon të rrotullohet.

Edukimi është urgjencë kombëtare.

 

8 Komente

  1. n
    niku

    Bravo z Adrian.Ky eshte realiteti I vërtetë qe jetojme.

    Përgjigjjuni
    1. k
      k

      Ja shumë të drejtë zotëria, po si vend eshte i vdekur dhe nuk mund te ringkallet më.

      Përgjigjjuni
    2. M
      Mësuesi i ri

      Ja dhe një meritë e regjimit socialist? - O ba, thotë vajza. - Po paska qenë i mirë sistemi socialist. Mësuesit e shajnë, thonë mos ardhtë më ai regjim. Pastaj sikur harrojnë, pas 5 minutash shtojnë. - Atëherë po. Në atë kohë bëhej mësim. Kishte lezet. Kishte autoritet mësuesi...

      Përgjigjjuni
      1. X
        XhaLipja

        E po talleshit ju te mencurit Kur thuhej :krijimi i njeriut te ri....... Hani nje MUT tani

        Përgjigjjuni
        1. U
          Uranjaku

          Zoti Thano meqenese drejton nje media te shkruar, sensibilizoi koleget te mos merren me mesuesin gjate gjithe vitit ne emisionet e tyre investigative, kur nje mesues qorton nje nxenes, apo qoft se dhe i shkuli pak veshin. Nese doni qe mesuesi te kete autoritet, jepini ju te medias kete te drejte, te kritikoni edhe ministren kur pezullon nje mesues nga puna sepse nje emision e denancon mesuesin dhe shkarkimi i tij vjen pa verifikim nga ministria thjesht se doli te STOPI,PIRANJA,KANGURI apo turli lloj emisionesh qe nuk merren dot me qeverine dhe kane bere mesuesit tabele qitje.

          Përgjigjjuni
          1. M
            Mendimi ndryshe.

            Të fortiët dhe të fuqishmit u takuan për të shtruar shinat e trenit për të ardhmen. Deri diku jam dakort me analizën e gazetarit. Ata të fortët e tjerë perëndimor duhen menduar. Se si do reagojmë ne. Mendoj se nuk mundë të reagojnë menjëherë, qė autori foli në fillim të analizës. Pse???. Sepse Be duhet te flas si bllok i unifikuar. Kur dhe si e bën të presim. PO Shba të si do reagojnë. Bota po krijon realitete të reja gjeo-politike (shoku gazetar). Mbi bazën e ekonomisë, fuqisë, interesave vjen dhe reagimi. Të paktën ky është një mendim. Notën ma jep mësuesi i historisë.

            Përgjigjjuni
            1. E
              Epirioti

              Do të shkatërrosh një komb shkatërro arsimin dhe ja ku ja arrite qëllimit... po nuk u ndërgjegjësuam të gjithë dhe ta ngremë zërin për atë që na përket askush nuk do ta bëj për ne... Fillon nga ato më të thjeshtat nga drejtshkrimi në një artikull pa futur fjalë të huaja e duke përdorur vetëm gjuhën tonë e pastaj duke folur për problemet e vërteta e jo për të faturuar...

              Përgjigjjuni
              1. s
                shperthyesi

                shume e vertete duhen ndertuar shkolla, duhet riorganizuar struktura arsimore, te ri-indeksohen pagat ne menyre qe rinia ta shikoje mesuesine si nje opsion dinjitoz dhe jo nje profesion me te cilin nuk shtyn dot as muajin e detyrohet te beje kurse neper prinder paralinj qe e trajtojne sic trajtojne shoferin personal.

                Përgjigjjuni

                Lini një Përgjigje