Nga Florian Çullhaj
Vendimi katër me katër i Gjykatës Kushtetuese për çështjen Balluku është një nga ato momente kur ligji funksionon, por drejtësia mungon. Formarisht, gjithçka është në rregull, procedura është respektuar dhe rregullat janë zbatuar. Por, në thelb ky është një vendim pa vendim, një akt institucional që prodhon boshllëk dhe shmang përgjegjësinë. Në një shtet normal, barazimi i votave do të ishte thjesht një incident teknik, ndërsa në Shqipëri, ku pushteti politik është i përqendruar dhe kontrolli institucional shpesh i dobët, një barazim i tillë merr kuptim politik. Ai lë në fuqi status quo-në, dhe praktikisht favorizon pushtetin ekzekutiv. Gjykata, në vend që të ishte arbitër u bë spektatore.
Problemi nuk është vetëm juridik ai shtë thellësisht politik dhe normativ. Pyetja nuk është nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të përfundonte qoftë edhe në barazim. Pyetja është nëse Gjykata kishte detyrimin të shkonte përtej formalizmit dhe të merrte përgjegjësinë që i jep Kushtetuta. Një rast klasik si Higgs v. Palmer (1889), i jurisprudencës amerikane na ndihmon ta kuptojmë më qartë këtë dilemë. Atëbotë, gjykata u përball me një situatë ku ligji, i lexuar ngushtë, lejonte që një person të përfitonte nga një krim që kishte kryer vetë. Gjykata vendosi të mos fshihej pas tekstit dhe të mbështeste një parim themelor, gjegjësisht, askush nuk mund të përfitojë nga veprimi i tij i gabuar. Ky është bash dallimi mes një drejtësie formale dhe një drejtësie parimore.
Në rastin shqiptar, Gjykata Kushtetuese zgjodhi rrugën e parë, ajo nuk prodhoi një standard, nuk dha një mesazh të qartë për kufijtë e pushtetit ekzekutiv, dhe mbi të gjitha ajo nuk adresoi interesin publik.
Teoricieni Lon Fuller, e quante këtë qasje si ‘shkëputje nga morali i brendshëm i ligjit’. Sipas tij, ligji nuk është thjesht një mekanizëm teknik, por një marrëdhënie besimi mes institucioneve dhe qytetarëve. Kur gjykatat prodhojnë vendime që duken korrekte, por që lënë shije padrejtësie, ky besim dëmtohet. Vendimi katër me katër është pikërisht një rast i tillë, ai nuk është neutral, përkundrazi, ka pasoja reale. Në një klimë ku qytetarët presin që gjykatat të jenë garante ndaj abuzimit të pushtetit, ky vendim përçohet si mesazh i kundërt. Përkatësisht, sistemi di të mbrojë veten, por jo domosdoshmërisht interesin publik. Po ashtu, teoricieni Ronald Dworkin do ta konsideronte këtë një dështim të interpretimit kushtetues. Për të, gjykatësit nuk janë thjesht zbatues rregullash, por garantë të parimeve që e bëjnë rendin juridik të drejtë dhe koherent.
Një gjykatë që shmang vendimmarrjen në çështje të ndjeshme politike nuk është e paanshme, ajo thjeshtë heq dorë nga roli i saj.
Nga këndvështrim jurisprudencial, ky problem është edhe më i thellë. Ligji nuk mund të jetë thjesht mburojë proceduriale për pushtetin por duhet të shërbejë për barazi, përgjegjësi dhe drejtësi materiale. Kur një vendim është ‘plotësisht ligjor’ por perceptohet gjerësisht si i padrejtë, kemi të bëjmë me një krizë legjitimiteti. Rasti Balluku nuk është vetëm për një funksionare apo një konflikt kompetencash, ai është simptomë e një modeli ku institucionet shmangin përballjen me pushtetin, duke u strehuar pas teknikaliteteve proceduriale. Barazimi i votave bëhet kështu një shfaqje sipërfaqësore e një problemi më të thellë, atë të mungesës së guximit institucional për të vendosur kufij ndaj një ekzekutivi azat.
Si përfundim, drejtësia kushtetuese nuk matet vetëm me korrektësi formale, ajo matet me aftësinë për të thënë ‘jo’ kur pushteti tejkalon kufijtë e veprimtarisë së tij. Kur Gjykata Kushtetuese nuk arrin ta bëjë këtë nuk është neutrale, ajo thjeshtë ka zgjedhur heshtjen, dhe në një demokraci fasadë si kjo e jona, heshtja e saj është gjithmonë në favor të më të fortit./mapo.al
Shune llafe.Asgje kokrete.
Kjo nuk eshte gjykat por nje celul politike qe don te bjere ne pushtet sali serbin
DREJTESINE E PICKUAR ZEKTHI