Ylli Zhusti, Testamenti i Bungos dhe Ta-rrasi i III

20 Shkurt 2024, 15:13Blog Ernest Bunguri

Këmbët i tërhoqa gjysëm zvarrë drejt Turbinës (Teatri Kombetar) për të parë pjesën e radhës, i ftuar me këmbëngulje nga mikja ime e dashuruar me mjeshtërinë e aktorit Viktor Zhusti. Po të mos kishte qenë për këtë të fundit, do të kisha humbur një prej pjesëve ndoshta më të bukura teatrale që kam parë ndonjëherë në një skenë shqiptare gjatë gjithë jetës time.
Mjerimi ku lëngon sot arti shqiptar (jo vetëm ky) dhe të mësuarit « keq » me skenat evropiane (jo për mburrje) bëjnë që sa herë që shoh ndonjë pjesë të vënë në këtë nahijen tonë, mesazhi që përpiqen të përçojnë të gjorët regjisorë e aktorë pa teatër, t’i nënshtrohet gati gjithnjë peshës të një loje sa për të thënë, sa për ta mbyllur, sa për të bërë teatër në këtë teatrin tragjikomik të quajtur Shqipëri, pak a shumë si çdo gjë tjetër në këtë vend : teatri politikë, teatri qeveri-shërbim, teatri bashki, teatri administratë, teatri punë, teatri meritokraci, teatri spitale, teatri arsim, teatri biznes…që të mos e zgjas më tej me teatrot e hapur plagë ngado që hedh sytë përreth secili prej nesh ditë për ditë në tokën e gënjeshtrave pafund, ku duket sikur të gjithë ne kemi lindur e duhet të rrojmë duke luajtur teatër, bash si në komunizëm, e madje edhe me profesionalizëm më të lartë se ata vetë që e kanë profesion.
Kur pashë instalacionin bunker sa gjysma e skenës, antenën e televizorit me letër alumin, mullarët me kashtë të vendosur poshtë një ylli flamur me mbishkrimin Partia e Punës së Shqipërisë, mezi mbajta dorën për t’i rënë ballit sa të kërciste në të gjithë sallën e Turbinës si për të thënë: prapë një pjesë për komunizmin ? Nuk ka sot e 32 vjet më pas material për të mos folur më veçse për komunizmin ? Sërish ndonjë pjesë sa për të mbushur sallën e për të marrë paratë e biletave për t’i mbushur gotat e rakisë artistëve tanë « të panjohur » nga publiku, xhepshpuar e të pikëlluar pa teatër ?
E mbajta veten që të mos zhgënjeja sërish ftuesen me kritikat e mia të helmëta e me pakënaqësitë e pashterrshme e të pashpjegueshme për moshën e saj pas-komuniste. Ia mbusha mendjen vetes të përgatitesha të shtrëngoja fort dhëmbët për të kaluar atë një orë e një çerek pa zhurmë, pa ufe e pufe, për të mos i parë më ata sy të trishtë nga vreri që më del nga goja sa herë përballem me zhgënjime përsëritëse. Shkurt nuk prita asgjë, e kjo në rastin më të mirë të paktën të bën të mos mallkosh a shkelmosh me të dalë nga ajo sallë.
Krejt e kundërta ndodhi kur papritur u përballa me një mrekulli artistike, nga ato që e meritojnë plotësisht peshën e vërtetë të ndriçimit nga arti që ndez zemra e mëndje. E këtu nuk flas vetëm për lojën e mjeshtrit 81 vjeçar Viktor Zhusti, që lë në bisht çdo forcë moshe, vullneti, a energjie më të re këtej pari, por edhe për Testamentin më të bukur që mund të na linte një regjisor si Leka Bungo, megjithë humorin e tij të zi.
Komunisti Kuqo, një plak megalloman në kërkim të famës aty ku "yjet" na i rrëmben Big Brother, ndërmjet shurrosjeve të shpeshta e të shtyra nga prostata, me qiri në dorë në vendin, ende dhe sot pa drita, rrethohet nga fotografi udhëheqësisht komunistë dhe nga kujtime bëmash imagjinare krah tyre, të cilat kërkon t’i hedhë në kartë për brezat e rinj. Gënjeshtrat që mendja e tij i ka kthyer në ngjarje të vërteta e kanë degdisur personazhin të provojë dy gisht-mjaltin e një qyp-mutin e komunizmit të djeshëm e të sotëm.
Por kësaj here, mjeshtëria e penës së Leka Bungos ka qëlluar në shenjë. Komunizmi në këtë pjesë nuk është më themeli, por simbolika, e cila përzien themelimin e partisë komuniste me fitoren e partisë socialiste të sotme, takimet e udhëheqësit tonë legjendar Taras (pseudonimi i Shokut Enver) me 21 janarin e partisë demokratike në ballkonin me dylbi të Ta-rrasit të II. Vrasjet e burgosjet e shokëve të kryekomunistit, me vrasjet, burgosjet e dëbimet e Tarasëve të «demokracisë».
Bunkeri instalacion të kujton, bashkë me mjeshtërinë e regjisorit dhe aktorit, që Shqipëria mbetet sot e kësaj dite një bunker, edhe pse i hapur përgjysmë, fort larg Evropës që pretendon se e kërkon me të madhe, tamam si në teatër. Shqiptarët lakuriqë nate në komunizmin me tela me gjemba, sot janë kthyer në lakuriqë nate që shtegtojnë në perëndim për t’i shpëtuar Tarasëve të sotëm e të djeshëm.
Pjesa më ndërmendi edhe vrasjen e Aleksit të gjorë që doli të bërtiste kundër korrupsionit 13 (e jo 50 vjet më parë) dhe hëngri plumbin ballit. Por edhe faktin që sot e kësaj dite, Ta-rrasi i III fshihet pas kohëzgjatjes që kërkuaka « drejtësia e re », pa e lëvizur gishtin kundër korrupsionit që gërryen prej 11 vjetësh çdo hallkë që drejton e që po i shtie një e nga një « shokët e luftës » në burgje a po i degdis në « emigrim të detyruar », pa mbajtur asnjë grimë përgjegjësi. Por, si një Ozymandias i vërtetë, gropos Shqipërinë e shqiptarët nën beton strategjik (lexo para me babëzi pa fre), tamam si në një bunker të kohëve moderne. « Imagjinoni 3 milionë lakuriqë nate që fluturojnë të lumtur drejt Evropës », bërtet Zhusti me zërin që i dridhet nën dritën e qiririt.
Si për dreq, dy të rinj në skenë fshihen pas mullarit për të bërë dashuri, njësoj si në komunizëm, nëpër ferra, pasi sot e kësaj dite, pa një kacidhe në xhep për ndonjë hotel të paktën, mbajnë sytë nga shtëpitë e barit në Evropë për të kapur qiellin me dorë e për të ndërtuar edhe ata ndonjë kullë në bunkerin Shqipëri nga Tarasët me strategji për beton e jo për të luftuar seriozisht ndonjë korrupsion. Akoma më keq, frika më e madhe e Leka Bungos e shprehur nëpër intervista, të cilat renda t’i zbuloj fill pas teatrit, u vërtetua kur ftuesja ime e lindur pas komunizmit nuk kishte kuptuar asgjë nga alegoria me bunker, Taras, Stalin e Spak, revolucion kulturor me Telebingo e burg-Spaç, sepse edhe historia e treguar këto 32 vjet ka qenë dhe mbetet veçse teatër.
Në ato pak lajme që gjeta mbi këtë pjesë që ju ftoj me zemër ta ndiqni me patjetër, pashë që numri i shikimeve nuk ishte më i lartë se 127. Si për ironi të fatit, apo si për t’ia kthyer sarkazmës së Lekës, në krah të lajmit më dilte një podcast i Ta-rrasit të III me shpikësin e makinës Illyrian TSX me vlerë 1.7 milion euro që numëronte 65 mijë shikime.
Siç interpreton dhe Viktor Zhusti para se të hedhë lakun e një litari në fyt, që më kujtoi të ndjerin Ardian Klosi : « Mund të vrisni një, tre apo edhe 1000 komunistë, por komunizmit i hani (lexoni i hëngrëm e po i hamë) mutin » !

5 Komente

  1. M
    MEMEDHETARI

    ...Dhe t'ju beje mire ishalla!...

    1. N
      Nari

      Nuk e di,por me duket sikur ketij fyelli qe ka bere shkrimin,i pelqeka shume vetja dhe paska pordhe te medhaja,bile pretendon t'u jap men te gjitheve ! Disa nga keta qe jetojne jashte,kur vine ndonjehere disa dite ne memedhe,u duket sikur ne qe banojme ketu jemi akoma si para 30 e kusur viteve dhe perpiqen me "shume modesti" te na "ndricojne" sado pak ne eresiren ku jetojme !

      1. X
        X...

        Ça s'bo vaki në Shqipni, mund të bëjë kryeveper dramaturgjike dhe nje bandit-hajdut... Ky autori osht klysh besnik i atij 46 vjetshi barbar... Pi si? do pyesni ju. Po ja, duke e trajtuar atë periudhe në përgjithësi, pa u futur ne hollesi konkrete ku fshihet dhe djalli...

        1. D
          Dursakja

          Në këtë teatrin e madh ne Shqipëtarët po luajmë keq me vetveten. Duhet të mendojmë më shumë për të ardhmen tonë, për të ruajtur tërësinë e vlerave që po i braktisim për të keqen tonë.

          1. k
            kirurg

            Nuk lexohej më tutje se rreshti i 11-të kjo diarre e mbushur përplot fjalor ndryrësirash.

            Lini një Përgjigje