Nga Jakin Marena
Dua të sqarohem që në fillim të herës, për të qenë korrekt me veten dhe lexuesin, në lidhje me përdorimin e fjalës “zogjtë’ që në titull, në opinionin tim për protestat e qytetarëve në Tiranë, por dhe në rrethe!
Meqënëse shoqatat ambientaliste dhe ato tjerat që s’po ua përmend emrin, si zanafillë të ngritjes në protestë, përpos tërheqjes zvarrë të banorit në Zvërnec nga dy të pajtuar nga kushedi se kush për të ushtruar dhunë pasi nuk ishin pjesë e rojeve private të kompanisë, preteksti ky, ishte dhe mbrojtja e Flamingove, Pelikanit Kaqurrel, të shapkave të veçanta si dhe zogjve të tjerë në këtë ligatinë, i përmblodha në një emër, “Zogu” apo “zogjtë’. Pasi nëse përmendim Flamingot ngjyrë rozë, përpos keqkuptimeve për përdorimin e tyre si simbol, do t’i mbetej ‘hatri’ dhe Pelikanit Kaqurrel dhe zogjve të tjerë!
Duke ditur si buka që hamë, që mbi 90 përqind e atyre që protestojnë nuk e kanë parë asnjëherë Flamingon nga afër, këtë zog shtegtar që vetëm para disa viteve u duk edhe në vendin tonë, në fillim u duk në lagunën e Karavastasë, e dha deputeti Braçe asokohe lajmin e mirë për të por dhe për Pelikanin Kaçurel, e pastaj në Zvërnec, madje jemi të bindur se po mbi 90% e protestuesve nuk e dinë se me çfarë ushqehen Flamingot, ajo që mund të themi është se kjo protestë është përtej hallit të disa shoqatave ambientaliste! Të cilat për hir të së vërtetës, pavarësisht dëmit që i sjellin vendit me krijimin e një klime tensioni në këtë kohë turizmi dhe investimesh madhore, në fund të herës e kanë për detyrë të protestojnë në mbrojtje të mjedisit! Marrin goxha financime për këtë! Të kuptohemi, si në të gjithë botën, edhe në Shqipëri, këta aktivistë janë në luftë me qeveritë dhe institucionet për mbrojtjen e ideve të tyre për habitatin, të cilin marrin në mbrojtje!
Nuk u hyj fare këtyre as këtyre teorive konspirative për shërbime sekrete që po përpiqen të ‘gllabërojnë’ Shqipërinë, të zhbëjnë Shqipërinë si shtet! Aspak nuk e ka ndërmend askush ta bëjë një gjë të tillë! Përkundrazi, Shqipërinë e duan të jetë ekzistenciale, por pa asnjë zhvillim! E duan të “virgjër’, pa investime, një eksperiment në mes të Ballkanit. Siç ishte në kohën e Enverit! Ndoshta dhe për në kohë më të hershme, ‘gjthi’ do ishte zgjidhja më e drejtë për njerëzimin, pa tymra, pa fabrika moderne madje as pa fabrika tezgjahu, leshi apo pambuku që mund të ndotnin ambientin! Pasi ne jemi të ekstremit për gjithçka, e duam në limite fare atë që mbrojmë!
Vendet e rajonit tonë kanë atë të ‘bekuar’ konkurrencë për turizmin, zhvillimin dhe lëvizjen e epiqendrës rajonale sa në një vend, në tjetrin. E frika se një investimi prej 4.5 miliardë dollarësh në Zvërnec dhe Sazan, ku investitor përpos vëllezërve biznesmenë nga Katari janë dhe vajza e dhëndri i preferuar i Donald Trump, Ivanka Trump e Jared Kushner, mund ta kthejë Shqipërinë në qendër të turizmit e sigurisë në rajon, ka bërë që të aktivizohen ‘sensorët’ e këtyre vendeve fqinje dhe në Shqipëri! Për ta zhbërë këtë investim madhor, pasi përpos të tjerash një investim amerikan tregon dhe besim e siguri për vendin tonë. Për më tepër që hap rrugën për investime të tjera të mëdha, në energji, minerale dhe naftë! Dhe në Shqipëri janë në ‘habitatin’ fqinjët tanë, gjejnë me ‘okë’ njerëz të tillë për t’i vënë nën shërbim, madje lirë apo falas fare!
Nuk është e re, pasi dhe vetë mediat por dhe politikanë të Athinës janë shprehur kundër këtij investimi, kanë pranuar se është një investim madhor që dizbalancon turizmin në Greqi. Goditja ka shkuar deri në emetimin e lajmeve se ky investim amerikan i planifikuar në Shqipëri mund të shkojë në ishujt grekë, ku sipas këtyre lajmeve bëhet fjalë për ishullin Mikonos, pasi në mënyrë hipotetike hamendësojnë atë që dëshirojnë, tërheqjen e Kushner nga projekti dhe zhvendosja në Greqi, për ta ‘shkatërruar’ fare atë, e thënë kjo me kutin e aktivistëve tanë këty në Shqipëri! Në Greqi, nuk e kanë fshehur as mbështetjen për protestat në Tiranë, as nisjen e autobusëve plot me emigrantë, dhe as ato protestat në Athinë para ambasadës sonë, me pjesëmarrjen e hallexhinjve shqiptarë emigrantë, grekë dhe palestinezë, në ‘mbrojtje’ të Zvërnecit tonë! “Digjen’ fare për ne!
Në bulevardin qëndror të kryeqytetit në protestë marrin pjesë kategori të ndryshme njerëzish! Në vend të parë, kështu duam dhe ne ta evidentojmë, janë ata që janë të shqetësuar realisht për çfarë ndodh në Shqipëri! Që nga ambienti dhe halle të tjera! Këta janë të rinj, të reja, studentë dhe qytetarë që protestojnë për vete dhe mirë bëjnë! Ndërsa futesh në ‘thellësi’ të protestës, përbërja e saj është tepër heterogjene! Teksa sheh pankartat që shfaqin, thirrjet që aplifikojnë dhe përmes altoporlantëve, aty sheh thirrje që vijnë që nga ‘thellësia’ e luftës së Dytë Botërore ‘Shqipëria e shqiptarëve, vdekje e tradhëtarëve’. Dihet burimi i saj pasi në organizim shihet shumë aktiv ish nënkryetari i Partisë Balli Kombëtar, i konvertuar në konspiracionist i madh të cilit bota i duket e sheshtë, pra shesh e do vendin, si Fred Cako!
Në protestë dëgjon dhe thirrje të harruara në kohë, që përdoreshin në kohën e Fatos Nanos së ndjerë në vitet 1998-2005, por me ndryshim emri, “Edi Rama, ka maru ka maru...’! Këto parulla, e sigurtë që janë fryt i ‘memorjes’ së PD, e cila ka pasur dhe ka njerëzit e saj në protestë! Që nga Këlliçi e deri tek Alizoti e Klevis Balliu! Madje duke bërë dhe thirrje për pjesëmarrje masive të demokratëve, ku vetë kreu i PD, Berisha ka bërë ‘pirueta’ brenda disa ditësh, herë ishte pro projektit të Kushner dhe arabëve në Zvërnec e Sazan dhe herë kundër! Duke rimarrë pozicionin sot pro protestës për të kërkuar përmes saj, realizimin e ëndrrës së tij në ‘sirtar’ për 13 vite me radhë, qeverinë teknike! Të cilët zor se e merr për shumë e shumë arsye!
Ndërkohë që ‘shkëlqejnë’ me pjesëmarrjen e tyre dhe tre ‘musketjerët’ e partive të vogla në opozitë, përkatësisht Arlind Qori i “Lëvizja Bashkë’, Agron Shehaj i “Mundësia’ dhe Adriatik Lapaj i “Shqipëria Bëhet”! Të cilët lëvizin, sillen dhe deklarohen sikur ata të jenë ‘pronarë’ të protestës! ‘Vibrojnë’ dhe me sloganet e tyre, që nga ato marksiste që kërkojnë një Shqipëri pa investime të huaja e pa kapitalizëm e deri tek kauzat mobile, që lëvizin sipas ‘erës’ dhe kahjes së protestës! Por që janë të gjithë dyshues ndaj njëri tjetrit! Ka dhe kryetarë partish fantazmë, ‘gjuetarë’ të çdo proteste dhe lëvizjeje në bulevard, të cilët kanë vetëm një anëtar, por dhe vetë nuk votojnë për partitë e tyre! Nuk po ua përmendim emrat, për të mos lodhur lexuesin!
Nuk kishte si të mungonte dhe ‘bërthama’ drejtuese nga ‘vëllai’ i vogël! Pasi në protestë, grupimit i bashkohen dhe grupi i strukturuar i Vetëvendosjes nga Kosova, i cili thërret se duhet Albin Kurti kryetar i të dy shteteve shqiptare! Për të izoluar dhe Shqipërinë me një fjalë, pasi Kosova vijon në krizë prej gati dy vitesh dhe e izoluar, vetëm e vetëm se Albini, megjithëse herë i ka dhe herë nuk i ka votat, nuk denjon të qeverisë shtetin e dytë shqiptar në Evropë! Siç mund të ndodhë me shumë gjasa dhe pas zgjedhjeve të ditës së dielë, teksa vendi për shkak të kokëfortësisë së Albinit mund të shkojë në zgjedhje sërisht në vjeshtë! E kështu me radhë!
Ka dhe thirrje të tilla “Rama e Berisha në burg”, thirrje për mbrojtjen e zogjve, si dhe ‘meme’ me të vërtetë interesante për nga shkalla e konceptimit, e deri në kërkesën për themelimin e një partie të re, që të bëhet nga ambientalistët, por dhe nga shoqatat e tjera si dhe të rinjtë, thirrje të cilave u shtohen dhe ato kundër Trump e Amerikës! Parë në këndvështrimin e ngushtë, këto shoqatat kanë të ‘drejtë’ të jenë kundër Trump dhe familjes së tij, jo pse i bashkohen trendit të ndarjes së botës përgjysmë, në pro e kundër presidentit aktual amerikan, por sepse Trump ka firmosur ca urdhëra të ‘nxehtë’, mes të cilëve dhe ndërprerjen e financimeve ndaj të gjitha këtyre shoqatave nëpër botë! Përfshirë dhe ato shqiptare. Eshtë dhe interes personal ky, Trump u ka ‘fikur derën’! Pra, s’ka lidhje me ‘virgjërinë’ e Zvërnecit, të cilin shprehen dhe protestojnë se duan ta ruajnë patjetër! Të paprekur me një fjalë, një ‘Safari’ në Shqipëri, për zogj shtegtarë, ngjashëm me ‘Safarin’ në Afrikë, por me një ndryshim, atje shumica e kafshëve dhe gjallesave nuk janë migratore, shihen gjatë gjithë vitit! Dhe ka hapësira të gjëra, ku ka të lësh e të marrësh!
Ka dhe nga ata të cilët kanë shkuar në protestë për të shfryrë dufin e tyre, ndaj gjithçkaje, që nga sharja me libër shpie dhe me një fjalor aspak dinjitoz, të kryeministrit Rama, e deri tek fjalori i fiksuar dhe në pankarta, i cili bën të ulin kokën dhe shumica e protestuesve që jan ë me të vërtetë seriozë! Me Berishën nuk e ‘kruajnë’ në fakt, i ‘sygjestionon’ ai me sa duket! Ka dhe panelistë, përfaqësues të biznesve, që janë borxh deri në grykë te tatimet, bankat e kudo ku kanë marrë para! Ka dhe influencerë e blogerë që ‘luftojnë’ për ndjekës, apo persona që duan të jenë gjithnjë në qendër të vëmendjes! Ka nga të gjithë ky lloj që paraqiten si shpëtimtarë të kombit! Por që asesi nuk mund të triumfojë alternativa “t.q.r” që u shpalos në protestë, pasi të gjithë shqiptarët në përgjithësi që kur lindin, lindin me këtë alternativë gati! Dhe janë pak më të frikshëm ata që nuk bërtasin podiumeve, të cilët rrezikojnë gjithnjë ta zbatojnë këtë alternativë në heshtje! Ata të podiumeve, thjeshtë i bëjnë pjesëmarrësit të ulin kokën nga turpi, pasi ‘qeni që leh s’të ha’!
Ka dhe përfaqësues të islamit radikal, që dalin me maska në protestë, kanë pankarta kundër Izraelit dhe pro Iranit e Palestinës, lëshojnë thirrje anti-semite duke na marrë erzin kudo në botë dhe duke u përpjekur të zhbëjnë arritjen në luftën e dytë botërore kur përballë represionit nazist, shqiptarët morën në mbrojtje hebrejtë! Ky fluks islamik vjen nga ‘Rruga e Kavajës’, i mbështetur nga ndonjë shoqatë anti-semite, si dhe nga Kosova, e vende të tjera të rajonit, deri në Sanxhak, Bosnje, Beograd dhe më gjërë! Ka dhe mbështetës nga Greqia për protestën dhe kjo kuptohet, janë në ‘mbrojtje’ të turizmit të tyre e shfrytëzojnë shqiptarët! Prandaj themi që protesta tashmë i ka kaluar ‘caqet’ e Zvërnecit dhe ambientit, duke kërkuar rrëzimin e qeverisë e anulimin e disa vendimeve dhe ligjeve të miratuara nga Parlamenti! Dhe në krye të herës, anulimin e projektit të Zvërnecit dhe Sazanit, investim i madh i arabëve nga Katari dhe i Kushner e Ivanka Trump!
Pra ka një kakofoni kërkesash, idesh, lëvizjesh e përfaqësimi, normale për një protestë qytetare, por që në fund të herës, realiteti duhet të triumfojë, pasi një protestë pa kokë dhe pa qëllim final, aq më tepër pa fund, nuk arrin të formësojë asgjë, përkundrazi do të shuhet aq shpejt sikurse nisi! Duhet një lidership të cilit duhet t’i drejtohen institucionet për të dëgjuar kërkesat e tyre apo dhe gazetarët, ata që s’janë bashkuar me protestën, për të marrë ndonjë prononcim. Ndoshta duhet lidershipi që dhe ta kanalizojë këtë protestë në një parti politike, apo në një lëvizje ambientaliste apo islamike nëse përputhet me ligjin, balliste apo konspiracioniste! Si të jetë më e lehtë për t’u bërë, por ama duhet një lidership, pasi deri më tani nuk kemi parë në protestë një bërthamë organizatore! Duke ngjallur dhe keqkuptime, ndoshta dhe të panevojshme! Sepse nëse vijon kështu do të mbeten në rrugë duke bërë xhiro e duke u rrudhur përditë! Thjeshtë do të kthehet në bezdi por dhe argëtim nëpër rrjetet sociale, pasi kanë shpërthyer ‘meme’-et dhe adresat e rreme! Siç ka ndodhur me opozitën e drejtuar nga Basha, e tani nga Berisha! Të paktën Basha këndonte himnin kombëtar, para flamurit me shqiponjën dykrenare, ndërsa tani ka thirrje para Flamingos!
Por ajo që shihet me sy të lirë, është fakti se tre partitë e reja opozitare, që kanë dhe deputetë në Kuvend, 4 të tillë gjithsej, Qori, Lapaj e Shehaj po përpiqen për të marrë drejtimin e protestës! Dhe deri diku ia kanë arritur, pasi kanë nisur të bëjnë përzgjedhjen e njerëzve që do të flasin, të parullave e të thirrjeve anti-kapitalizëm, anti-Trump, anti-Ramë, anti-Berishë dhe për gjithçka! Kjo ka sjellë shqetësim dhe tek organizatorët fillestarë të protestës, të cilët po tentojnë t’i mbajnë sa më larg, por pa rezultat! Madje dhe konspiracionisti ballist, Cako është shqetësuar shumë nga prania e Qorit, teksa është shprehur se Arlind Qori është një nga njerëzit kryesorë që manipulon protestën, duke shtuar se bashkëshortja e tij ka pasur në dorë fondet e Sorosit. Eshtë përzierë dhe Salianji, bashkë me mbështetësit e tij që kërkojnë të dominojnë, duke shfrytëzuar mungesën e një qëndrimi zyrtar të PD deri më tani, në mbështetje të protestës!
Duke parë këtë ‘intervenim’ të partive të reja, Berisha ka lëshuar alarmin për të kapur lidershipin e protestës e për të mbajtur aq sa mund të mbajë për PD-në! Ka krijuar dhe një pol tjetër proteste me tribunë vetjake ku i bën thirrje turmës për rrëzimin e Ramës! Janë bërë ambientalistë dhe demokratët, duke filluar nga Këlliçi, e vijuar me Alizotin, Klevis Balliun dhe deputetë e zyrtarë të tjerë të PD! Madje protestën e Shkodrës e ‘privatizuan’ fare, duke zhdukur Berishën nga burgu dhe lënë vetëm Ramën! Nuk pretendohet të shkojnë Noka apo Strazimiri në protestë, pasi gjuha e ashpër e tyre këto ditë kundër protestës, e përjashton një gjë të tillë! Do të bëhej nami!
Ndërsa Berisha qëndron në prapaskenë, po lëviz fijet, për ta dominuar lidershipin e protestës, gjë që po ia arrin pak e nga pak, përmes njerëzve të tij që kanë marrë në dorë frenat vende vende! Madje po lëshojnë thirrje më të ashpra se vetë protestuesit më kamikazë, po ndërhyjnë dhe në rrjetet sociale, duke qënë në të njejtin ‘nivel’ fyerjesh ndaj kundërshtarëve të protestës, me ata që kanë marrë ‘flamurin’ për këtë punë! Kanë paraqitur si paketë ndryshimet ligjore dhe 4 kërkesa e protestuesve të artikuluar kështu në mënyrë klandestine, paketë ligjore që përfshin: Shfuqizimin e ligjit për Investimet Strategjike, shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura, shfuqizimin e ligjit për Paketën e Maleve, shfuqizimin e disa dispozitave në ligjin për Trashëgiminë Kulturore. Të cilat ndoshta janë artikuluar nga vetë përfaqësuesit e PD në protestë, për t’i paraqitur në emër të protestës së qytetarëve!
Pra, përtej numrave pjesëmarrës në protestë, përtej parullave, thirrjeve për rrëzimin e qeverisë, përtej kërcënimeve për burgosjen e politikanëve aktualë pa gjyq, përtej mbrojtjes së ambientit apo zhbërjerjes së projektit turistik në Zvërnec dhe Sazan, përtej thirrje anti-Trump, anti-semite dhe pro Kurtit apo Palestinës e Iranit, ‘beteja’ e vërtetë që po zhvillohet brenda kësaj proteste, është ajo e marrjes së lidershipit të saj! Prandaj po kërkohet me insistim krijimi i një partie politike. Ia kanë ‘gjetur’ dhe emrin, “Shqipëria e re” e “Partia e Bulevardit’, për të amortizuar ‘intervenimin’ e partive opozitare dhe mbi të gjitha të Berishës dhe PD, të cilët po kapitalizojnë ditë pas dite këtë protestë! E nisur si protestë qytetare!
Zgjatja pafund e protestës, me indikacione nga jashtë e nga brenda, pa një kokë publike drejtuese e akoma më tepër pa një lidership dhe një lider real e funksional, me thirrje kërcënuese ndaj kujtdo që mendon kundër tyre, me thirrje për burg dhe jakobinizëm ndaj popullatës indiferente, duke shkuar kafe më kafe e derë më derë dhe kërcënuar, rrezikon që kjo lëvizje e nisur si qytetare të tjetërsohet dhe të kapitalizohet pikërisht nga ai, Sali Berisha, ‘baba dhe nëna’ e molotovit, dhunës dhe vrasjeve politike, të cilin një pjesë e protestuesve e duan në burg bashkë me Ramën!
Megjithëse sharjet me libër shpie ndaj tij kanë munguar, janë vetëm për Ramën! Berisha nuk duron aty dhe këtë e dinë aktivistët, panelistët, albinistët, të ardhurit nga rajoni e deri këta radikalët e podiumëve të alternativës “t.q.r”, që nuk dinë shumë fjalë, vetëm ato të ndyrat, sa kanë tmerruar gratë e kalamajtë që janë pjesë e protestës, një pjesë e të cilëve po reagojnë! Rreziku është real për protestën, dhe mund të dështojë ky revolucioni i “zogjve’, i nisur për të rrëzuar Ramën por që mund të forcojë në krye të opozitës Berishën! I cili dihet sa mbështetje reale ka, në ballafaqimet elektorale! ‘Bërthama’ qytetare e aktiviste e protestës është dobësuar!
Ti as emer, as mbiemer e as zemer shqiptari nuk ke. Sa para te ka dhene sali e Edvin o bytheqire qe do ta cosh ujin e protestes tek mulliri i Sali Edvinit?! Cfare origjine ke ti pleher?!
Asgjë të veçantë nuk ke thënë o Jakin. Të gjitha gjëra që dihen. Duket se je hapur kundër protestës dhe nuk e duron dot. Por kjo protestë ishte e domosdoshme për një Shqipëri ndryshe. Për t'i hequr pluhurin që e kishte mbuluar. Që t"i ringjallte shpresën se ajo bëhej.
Bravo z Gazetar.......... Te jene kunder Greku. Serbi. Malazezi.. eshte normale............ Te jene kunder Tik Lapanjozi. Kone Shehaj. Marrin Mema. Qorri. Alfred BOLJA etj NEVOJTORE dihet se per ate pune paguhen...........Po c'mutin duan koqevaret e Albin Tartakutit ne proteste........ Kjo verteton ate te qe thuhet qe Koqevaret me shume duan Serbine se Shqiperine....njerzit me te pa bese ne bote
Vet prania e te derguarve te qelbesires Albin, apo dhunimi i flamurit kombetar per te mbuluar qenin, e nxjerrin protesten jashte kufijve te pranimit si normale. Ajo eshte antikombetare dhe duhet frenuar, sipas ligjeve ne fuqi.