Nga Prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi
Vështirë të gjesh një periudhë të historisë moderne shqiptare në të cilën të mos jetë folur për një fillim të ri. Lëvizje të tërapatriotike, politike e ideologjike kanë premtuar një Shqipëri tjetër, ndryshe nga ajo e mëparshmja. Herë është folur për rilindje kombëtare, herë për revolucion, herë për njeriun e ri e herë për demokracinë e re. Këto ditë po dëgjojmë gjithnjë e më shpesh për “Shqipërinë e Re”. Përvoja historike tregon se diçka ka mbetur e pandryshuar: besimi se problemet e vendit mund të zgjidhen vetëm përmes një përmbysjeje të madhe, një reforme rrënjësore apo një revolucioni, dhe jo përmes punës së ngadaltë e të vështirë të ndërtimit të institucioneve dhe korrigjimit gradual të mangësive të shoqërisë.
Kjo mënyrë të menduari ka shoqëruar historinë shqiptare për më shumë se një shekull. Në forma të ndryshme, pothuajse çdo brez ka kërkuar të ndërtojë një Shqipëri tjetër nga ajo që ka trashëguar.
Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, me të drejtë rilindësit e patriotët synonin të krijonin një shtet-komb nëterritorin historik shqiptar. Për ta, problemi kryesor ishte mungesa e shtetit dhe forcimi i vetëdijes kombëtare. Shqipëria etnike që ata imagjinonin duhej të ishte e bashkuar dhe e aftë të mbijetonte mes fqinjëve më të fuqishëm. Në një farë mënyre, edhe asokohe po kërkohej krijimi i një shqiptari të ri, të çliruar nga ndarjet krahinore, fisnore dhe fetare që kishin karakterizuar shoqërinë tradicionale dhe me një ndjenjë të fortë identiteti kombëtar
Përpjekja e parë për të ndryshuar rrënjësisht kulturën politike shqiptare erdhi me Revolucionin e Qershorit të vitit 1924. Përtej konfliktit politik të momentit, ai përfaqësonte përplasjen midis Shqipërisë tradicionale që kishte dalë nga Perandoria Osmane dhe një Shqipërie që synonte të afrohej me modelet politike dhe kulturore të Europës Perëndimore. Noli kërkonte krijimin e një kulture të re shtetërore dhe qytetare. Programi i tij politikdemokratiko-liberal synonte reformimin e administratës, modernizimin e ekonomisë, kufizimin e privilegjeve tradicionale dhe krijimin e një elite të re shtetformuese. Në thelb, ai përfaqësonte përpjekjen e parë për të ndërtuar atë që sot do ta quanim pa hezitim një “Shqipëri e re”.
Dështimi i Revolucionit të Qershorit nuk e mbylli debatin mbi rrugën që duhej të ndiqte Shqipëria, por e thelloi edhe më tej atë. Triumfi i Legalitetit të Ahmet Zogut nuk solli thjesht restaurimin e rendit të mëparshëm. Vitet e para të regjimit të tij u karakterizuan nga një përballje e ashpër me kundërshtarët politikë, nga vrasjet, internimet dhe mërgimet e detyruara, nga kufizimi i jetës politike dhe dobësimi gradual i opozitës, deri te përpjekjet për të neutralizuar çdo sfidë ndaj pushtetit të ri. Shqipëria e viteve 1925–1930 ishte larg një modeli të qetë shtetëror institucional.
Megjithatë, me kalimin e kohës, regjimi autokrat zogist u përqendrua gjithnjë e më shumë te konsolidimi i shtetit. U ndërtuan institucionet qendrore të administratës, sistemi arsimorndonëse në fillesat e tij mori karakter rilindas e kombëtar, u reformua legjislacioni dhe u forcua autoriteti i shtetit. Edhe Zogu kishte projektin e vet për një Shqipëri të re. Ndryshe nga Noli, ai nuk besonte te revolucioni politik si instrument transformimi. Projekti i tij mbështetej mbi bindjen se një shtet i fortë, autoritar dhe funksional mund ta transformonte gradualisht shoqërinë shqiptare.
Përgjigjja më radikale erdhi pas vitit 1944. Për herë të parë në historinë shqiptare, transformimi i shoqërisë nuk u paraqit më si reformë, por si rindërtim i plotë i njeriut dhe i botës së tij. Koncepti i “Njeriut të Ri” u bë një nga shtyllat ideologjike kryesore të regjimit komunist. Shqiptari i ri duhej të mendonte ndryshe, të besonte ndryshe, të jetonte ndryshe dhe të shkëpuste lidhjet me të kaluarën.
“Njeriu i Ri” ishte përpjekja më ambicioze për të krijuar një shoqëri të re në historinë shqiptare. Ishte bindja se politika mund të prodhonte një antropologji të re popullore dhe se historia mund të fillonte nga e para. Regjimi komunist transformoi ekonominë, zhvilloi arsimin dhe ndërtoi institucionet, por nuk arriti dot të krijonte njeriun e ri që kishte projektuar. Shoqëria shqiptare rezultoi shumë më komplekse sesa modeli ideologjik që kërkohej t’i imponohej.
Rënia e komunizmit nuk solli fundin e kësaj mendësie. Tranzicioni shqiptar u mbush me premtime për fillime të reja. Demokracia u pa si një shkëputje e plotë nga e kaluara dhe anëtarësimi në NATO dhe integrimi në BE u paraqitën shpesh si garanci se shumë prej problemeve historike të vendit do të merrnin zgjidhje. Reformat e para u prezantuan si pika kthese historike. Në këtë kuadër u morën disa masa për “revolucionarizimin e jetës demokratike të popullit shqiptar”, si teoria e çekut të bardhë, koncepti absurd i terapisë së shokut, firmat piramidale etj. Shqipëria nuk duhej të përmirësohej gradualisht, me qetësi e me këmbë në tokë, por ajo duhej të rilindej vazhdimisht, pasi “vdiste” radhazi.
Le të kthehemi te slogani i sotëm i “Shqipërisë së Re”, ndonëseideja nuk ka asgjë problematike. Të gjithë e kemi të qartë dhe duam që Shqipëria të jetë ndryshe nga ajo që ka qenë. Kjo më kujton fjalët e nënës sime, kur në janar 1997 më përcolli nëRinas, ndërsa isha duke u nisur për studime në Gjermani: “Shko bir”, - më tha. “Deri sa të kthehesh pas disa vitesh, këtu do tëkenë ndryshuar shumë gjëra”. Më vonë kuptova se pas atyre fjalëve fshihej më shumë një shpresë sesa një bindje e saj.Ndoshta ajo po shprehte pikërisht atë shpresë që e kishinasokohe shumë shqiptarë: bindjen se ndryshimi i madh ishtegjithmonë afër dhe se Shqipëria ndodhej vazhdimisht në prag të një transformimi vendimtar. Kanë kaluar pothuajse 30 vite, por për fat të keq fjalët e nënës sime të ndjerë mbesin ende aktuale.
Sigurisht që Shqipëria duhet të ketë institucione më të forta, drejtësi më funksionale, ekonomi më konkurruese, administratë më profesionale dhe standarde më të larta jetese. Në këtë aspekt, orientimi strategjik drejt BE-së është i qartë prej kohësh. Por çështja është se çfarë dhe si duhet bërë që të arrihet ky objektiv.
Historia moderne tregon se kultura politike nuk mund të importohet mekanikisht. Ajo mbështetet në traditën, zakonet, interesat, përvojën historike dhe ritmin e zhvillimit të vetë shoqërisë.
Një ligj mund të përkthehet dhe të miratohet brenda një kohe të shkurtër në parlament, por mënyra si njerëzit e kuptojnë shtetin, ligjin, përgjegjësinë publike e shtetërore dhe interesin e përbashkët kombëtar ndryshon shumë më ngadalë. Shqipëria mund të marrë ligje gjermane, modele franceze apo standarde të BE-së. Por kjo nuk do të thotë se shqiptarët bëhen automatikisht gjermanë a francezë në mënyrën si mendojnë e veprojnë. Strukturat institucionale mund të kopjohen e transplantohen, por kurrsesi kultura politike. Është pak a shumë si të vendosësh një motor Ferrari në shasinë e një FIAT 131 Mirafiori. Të dyja janë italiane, por nuk janë ndërtuar për të funksionuar njësoj.
Kjo është arsyeja pse fjala “revolucion” mbetet problematike. Ajo krijon përshtypjen se shoqëritë mund të transformohen përmes një akti të vetëm politik. Ndërkohë, historia tregon të kundërtën. Për më shumë se një shekull janë bërë përpjekje për të krijuar shqiptarin e ri, qytetarin e ri, socialistin a demokratin e ri. Megjithatë, ndryshimet më të thella nuk kanë ardhur nga revolucionet, por nga proceset e gjata sociale, ekonomike dhe kulturore.
Antropologjia e një populli nuk ndryshon me dekret. Ajo nuk ndryshon as me ligj, as me slogane dhe as me një projekt politik, sado ambicioz të jetë ai. Ndryshimi nuk është ngjarje, por është proces, i cili kërkon kohën e zhvillimit të tij.
Kjo nuk do të thotë se ndryshimi është i pamundur. Shqipëria e sotme është më e zhvilluar, më e hapur dhe më e lirë se ajo e para tri dekadave, madje edhe e një dekade. Por ky transformim nuk erdhi si rezultat i një revolucioni të vetëm. Ai ishte produkt i një procesi të gjatë, shpesh kontradiktor, ku përparimi dhe trashëgimia historike kanë bashkëjetuar njëkohësisht. Problemi i sloganit “Shqipëria e Re” qëndron te fjala “e re”, nëse ajo shikohet si një shkëputje e plotë nga ajo që jemi dhe nga historia që kemi trashëguar, pasi asnjë shoqëri nuk e fillon nga e para.
Kjo shpjegon edhe një pjesë të debatit të sotëm rreth Zvërnecit. Natyrisht, qytetarët kanë të drejtë të shprehin shqetësime edhe përpara përfundimit të një projekti, e sidomos në kushtet kur besimi institucional është tepër i ulët. Por në kushte të tilla, kërkesa logjike do të ishte për transparencë, informacion dhe debat publik me qeverinë, çka nuk po ndodh. Shohim se protesta për Zvërnecin brenda një kohe shumë të shkurtër kaloi në disa faza zhvillimi.
Faza e parë u fokusua kryesisht në kërkesën për anulimin e projektit. Paksa paradoksale pasi si mund të kërkohet anulimi i një projekti që ende nuk është paraqitur plotësisht? Si mund të gjykohet përfundimisht diçka që ende nuk është bërë publike në të gjitha detajet e saj?
Më pas ndodhi transformimi i dytë. Nga një kauzë lokale dhe mjedisore, protesta filloi të paraqitej si një çështje kombëtare, më saktë tradhtie kombëtare. Në protestë u shfaqën elementë të nacionalizmit deklarativ dhe identitarë që shkonin shumë përtej debatit ambientalist. “Shqipëria nuk është në shitje” ishte parulla kryesore e protestuesve, çka sigurisht shërbeu për mobilizimin e shumë qytetarëve të tjerë. Pikërisht në këtë moment debati filloi të largohej nga projekti konkret dhe të fitonte përmasat e një kauze simbolike.
Transformimi i tretë ishte edhe më domethënës. Në protestë filluan të shfaqeshin parulla kundër klasës politike në tërësi dhe kërkesat e protestuesve nuk kishin më lidhje të drejtpërdrejtë me projektin e diskutuar. Nga debati mbi Zvërnecin, fokusi kaloi te sistemi dhe nevoja për ndryshim të përgjithshëm politik.
Historia tregon se lëvizjet spontane mund të mobilizojnë pakënaqësi dhe të krijojnë presion publik. Por kur pretendojnë të prodhojnë transformim politik, ato duhet të kenë program, drejtim të identifikueshëm, përfaqësim dhe përgjegjësi publike.
Për fat të keq, në Shqipëri është bërë zakon që dështimet e vendit t’u atribuohen gjithmonë politikanëve, sikur pjesa tjetër e shoqërisë është jashtë këtij procesi. Kjo është një mënyrë e rehatshme për t’u çliruar nga përgjegjësia qytetare. Politika shqiptare nuk është krijuar në vakum dhe as është fanepsur nga lart. Ajo është produkt i kësaj shoqërie. Për më tepër, shumë nga dukuritë që kritikohen te politika nuk janë ekskluzivisht politike. Kultura e favorizimit, klientelizmit, lidhjeve personale, kërkimi i ndereve e ndërhyrjeve, shmangia e rregullave kur ato bien ndesh me interesin individual apo pritshmëria për privilegje nuk janë fenomene vetëm politike. Ato janë dukuri që hasen në masëedhe në jetën e përditshme të shoqërisë.
Të mos keqkuptohem, nuk po relativizoj përgjegjësinë e politikës për luftimin e këtyre fenomeneve. Politikanët mbajnë përgjegjësinë më të madhe, pasi ushtrojnë pushtet publik dhe marrin vendime që prekin jetën e qytetarëve. Por një analizë serioze e realitetit shqiptar nuk mund të mbështetet mbi ndarjen e thjeshtë midis një populli të virtytshëm dhe një kaste politikanësh të korruptuar. E ftoj lexuesin të reflektojë me ndershmëri për këtë fenomen.
Shumica e lëvizjeve që kanë lindur nga një pakënaqësi janë shuar sapo është zbehur kauza që i solli në jetë. Të tjera janë përthithur e manipuluar nga klasa politika dhe kanë humbur gradualisht identitetin e tyre. Edhe në protestën tonë nuk kanë munguar përpjekjet e aktorëve politikë për ta interpretuar apo përvetësuar atë në shërbim të interesave të tyre.
Deri tani protesta ka treguar aftësi për të mobilizuar njerëz, për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe për të imponuar një debat kombëtar. Por njëkohësisht ka nxjerrë në pah edhe kufijtë e saj. Ka prodhuar emocione të forta nacionaliste, të cilat duhen menaxhuar me shumë kujdes, por nuk ka shpalosur ende një vizion të qartë. Ka ngritur akuza dhe shqetësime serioze, por ende nuk ka arritur t'i shndërrojë ato në një platformë të qartë argumentesh dhe alternativash.
Mbi të gjitha, ajo mbetet një lëvizje pa një qendër të identifikueshme vendimmarrjeje. Pikërisht kjo e bën të vështirë të kuptohet se ku synon të arrijë. Kush flet në emër të saj? Kush merr përgjegjësi për qëndrimet? Kush negocion nëse vjen momenti i dialogut? Kush merr përgjegjësinë nëse kërkesat e saj shndërrohen në kërkesa politike?
Këto nuk janë pyetje të parëndësishme, por janë ato që kanë përcaktuar fatin e shumë lëvizjeve politike gjatë historisë.
Nëse synimi është mbrojtja e mjedisit, atëherë debati duhet të rikthehet te projekti, te transparenca, te studimet, te faktet dhe te pasojat konkrete. Nëse synimi është ndryshimi politik, atëherë duhet të ketë qartësi mbi alternativën që propozohet. Dhe e fundit, nëse synimi është revolucioni, atëherë historia na mëson se asnjë revolucion nuk është bërë ndonjëherë vetëm duke hedhur parulla nacionaliste, duke shfrytëzuar zemërimin e një grupi qytetarësh dhe duke e drejtuar atë në anonimitet.
Ndoshta rasti i Zvërnecit është interesant jo aq për atë që na tregon mbi një projekt madhor turistik, sesa për atë që zbulon mbi kulturën tonë politike. Këtu qëndron edhe paradoksi i gjithë kësaj historie. Një projekt që ende nuk është bërë publik në të gjitha detajet e tij u kthye brenda pak ditësh në “rrezikkombëtar”. Amplifikimi që kjo çështje gjeti në media të ndryshme jashtë Shqipërisë është një fenomen që meriton analizë më vete. Nga ana tjetër, një protestë pa drejtues të shpallur, pa program dhe pa ndonjë strukturë të qartë organizimi filloi të flasë për revolucion dhe për një Shqipëri të re.
Kjo nuk do të thotë se shqetësimet e ngritura janë të pavlefshme. Sigurisht që ato meritojnë të dëgjohen dhe të marrin përgjigje. Por zhvillimi i ngjarjeve tregon edhe diçka tjetër. Në Shqipëri vazhdon të ekzistojë prirja për të kaluar shumë shpejt nga debati konkret te betejat e mëdha.
Kjo nuk është hera e parë që ndodh në Shqipëri. Kemi parë lëvizje që shpesh kanë nisur me pretendimin se po hedhin themelet e një epoke të re. Disa kanë ndryshuar qeveri, të tjera kanë ndryshuar sisteme, por shumë më e vështirë ka rezultuar ndryshimi i vetë kulturës politike.
Prandaj, ndoshta pyetja më e rëndësishme nuk është nëse Shqipëria ka nevojë për një revolucion tjetër, por nëse kemi mësuar diçka nga revolucionet e mëparshme. Historia e këtij vendi tregon se institucionet mund të ndërtohen e të rrëzohen, ligjet mund të ndryshohen dhe pushtetet mund të zëvendësohen. Më e vështirë është të ndryshojë mënyra se si shoqëria shqiptare mendon, vepron, kupton, respekton dhe e do shtetin.
O rrushi shalgjati ka 13 vjet ne pushtet dhe mendwr nje m..t te madh ka bere ndaj jane egersu njerzit. Shkak donin te shprehin dufin. Ca thuj ti ta leme dhe kete skizon nja 45 vjet si dullen, qe pastaj te marrim jo malet e detet, po te kerkojme vrimat e zeza qe te mos kthehemi me. Mjaft me kete bajge hajdut ordiner qe do te duket si i rafinuar. Mjaftttt
Nuk ka 13 vjet por vetëm 1 vit. Në maj 2025 u zhvilluan zgjedhjet, jo në 2013-n. Kështu maten vitet në qeverisje. Sepse mandati i vitit 2025 ka certifikuar edhe punën e bërë më përpara. Ai mund të rrijë edhe 45 vjet në shumica e popullit e do në krye çdo 4 vjet. Kaq e thjeshtë është.
Rama ik se e ndote dhe me shume. Vetem ik se nuk ke zgiidhje tjeter
O JARI.Heren tjeter bjeri me shkurt se skemi kohe te te lexojme ty.Jemi ne proteste vllai.Ti e kape koken e kuklles me Mero jarushin
Jo se ka shkruar keq, por që t'i biem shkurt. Ç'pjell macja, do gjuajë minj! Ujku qimen e ndërron, po zakonin s'e harron. Grerëza gjithë ditën zukat, po nuk bën ndonjëherë mjaltë. Një shoqëri që ka akoma gjakmarrje, që ka për idhuj kriminelë e horra lagjesh, e ku gjysma voton një tufë hajdutësh e gjysma tjetër voton një tufë vrasësish nuk duron dot kur i prekin pelikanin me balluke te dredhura te balli. I vetmi revolucion që bën punë është napalmi.Ai i zgjidh të gjitha, problemin e pronave, gjakmarrjen, korrupsionin, mendësinë dhe çështjet mjedisore. Sa më i madh zjarri, aq më vrullshëm rilind natyra.
O Marenglen Kasmi sa gjate I ke rene! Artikull kilometeik. Duhet me jja kalu Chat qe ti nxjerri koken muhabetit