Kina, ekonomia e dytë më e madhe në botë dhe fuqia më e madhe ushtarake pas SHBA-së, është shfaqur si pengesa më e madhe e hegjemonisë së Uashingtonit. Kohët e fundit ajo ka ndërmjetësuar një marrëveshje të papritur të normalizimit të raporteve midis Arabisë Saudite dhe Iranit, dy rivalët e fortë në Lindjen e Mesme.
Nën sundimin e Xi Jinping, që sapo ka marrë një mandat të tretë të paprecedentë si president i vendit të udhëhequr nga Partia Komuniste, Kina po kërkon gjithashtu një rol më aktiv në konfliktin e Ukrainës sesa të qëndrojë mënjanë. Por si do të jetë ky rol?
Disa analistë mendojnë se Kina mund të luajë rolin e paqebërësit në këtë konflikt, ndërsa të tjerë tregojnë shenjat e fundit që vijnë nga Uashingtoni, ku ekziston shqetësimi se Xi mund të përgatitet për t’i ofruar ndihmë ushtarake mikut të tij të ngushtë Putin.
“Ata po e marrin seriozisht në konsideratë ofrimin e ndihmës vdekjeprurëse për Rusinë”- tha muajin e kaluar Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, duke cituar burime të shërbimeve sekrete të SHBA-së. Kina e hodhi poshtë këtë pretendim duke e quajtur atë një “spekulim”.
Por ekspertët dyshojnë se gjiganti aziatik mund ta bëjë këtë sepse Pekini nuk sheh ndonjë përfitim real nga dërgimi i armëve të rënda në Rusi për shkak të antagonizmit tashmë të madh të Perëndimit kundër Kinës, që ka interesa të forta tregtare si me Europën po ashtu edhe me SHBA-në.
“Unë pres që Kina të tregohet shumë e kujdesshme në lidhje me armatosjen e Rusisë në këtë luftë. Unë nuk parashikoj që Partia Komuniste Kineze (PKK) të nisë zbatimin e një një politike aktive të dërgimi të armëve”- thotë Çarli Parton, një ekspert i njohur i politikave kineze dhe ish-këshilltari kryesor i BE-së mbi Kinën.
“Por ka të ngjarë që disa sasi të vogla materialesh kineze të dobishme të dërgohen në Rusi. Edhe nëse ato zbulohen dhe publikohen, PKK do të mohojë se ka dijeni mbi to”- thotë Parton për TRT World. Kina thotë se eksportet e armëve të saj në Rusi “përputhen rreptësisht” me ligjet dhe rregulloret kombëtare të kontrollit të eksporteve të vendit, duke siguruar se “eksportet përkatëse janë në përputhje” me sigurinë kombëtare të Kinës dhe interesat ndërkombëtare.
Edhe Andreas Krieg, analist i çështjeve të mbrojtjes dhe lektor në Shkollën e Studimeve të Sigurisë në Kolegjin Mbretëror në Londër, mendon se Kina do të ndjekë një qasje balancuese në politikën e saj ndaj Ukrainës, pa e mbështetur në mënyrë masive Rusinë.
“Kina mund të mendojë se si mund të mbështesë në një mënyrë më aktive luftën e Rusisë, madje edhe në aspektin ushtarak, por pa ofruar drejtpërdrejtë armë dhe municione”- thotë Krieg për "TRT World". Ai beson se Kina do të preferonte opsione më të buta ndihme si investimi në industrinë ushtarake ruse sesa ta armatoste drejtpërdrejt Moskën kundër Kievit.
“Kinezët mund të eksportojnë në Rusi objekte dhe njohuri, për të ndërtuar disa nga sistemet e tyre të armëve”- mendon Krieg, duke shtuar se kjo gjë do t’i jepte Kinës mundësinë të ruante “distancimin zyrtar” në lidhje me mbështetjen ushtarake për Rusinë.
“Ky është ndoshta skenar më i mirë, ku Kina do ta gjente një mënyrë për të mos u armiqësuar më tej me Perëndimin përmes rritjes së mbështetjen e saj për përpjekjet ushtarake dhe mbrojtëse në Rusi", - shton eksperti.
Kinezët nuk do ta kishin problem një konflikt të zgjatur në Ukrainë. Madje do të ofrojnë çdo gjë që për momentin lufta të mos ndalet, sepse Pekini po përfiton shumë nga statuskuoja aktuale. Në këtë kuptim, ai thotë se qëndrimi neutral në konfliktin e Ukrainës do t’u shërbejë interesave kineze në planin afatgjatë.
Si Rusia po edhe NATO, rivalë të fortë kundër Kinës, po i shterojnë burimet e tyre në Ukrainë për të arritur objektivat e tyre, thotë Krieg. Përballja Perëndim-Rusi në Ukrainë ka krijuar një mundësi të mirë për Kinën që “të vazhdojë të bëjë gjithçka që dëshiron, pra duke e ndërtuar ushtrinë dhe forcuar ndikimin e saj ndërkombëtar dhe global”- vëren analisti.
Edhe pse disa mund të thonë se kinezët mund të duan të ndryshojnë paksa ekuilibrin në favor të Rusisë nëse Moska do të jetë në prag të humbjes së luftës në Ukrainë, Krieg mendon se aktualisht nuk është kështu. Përkundër qasjes së balancuar të Kinës, ekziston një argument i dobët që favorizon pretendimin e inteligjencës amerikane se Pekini mund të marrë një qasje konfrontuese kundër aleancës perëndimore.
Prova më e fuqishme e kësaj qasjeje mund të jetë emërimi i radikalit Wei Fenghe si Ministri i ri i Mbrojtjes i Kinës. Wei, që tashmë është nën sanksionet e SHBA-së për disa marrëveshje armësh me Rusinë, nuk është një teknokrat tipik që vjen nga radhët e ushtrisë.
“Askush s’do të habitej nëse ai do të promovonte një sasi eksportesh më të mëdha të sistemeve të armëve kineze në Rusi ose të paktën mund t’i ndihmojë rusët të ndërtojnë armë brenda Rusisë”- thotë Krieg. Wei Fenghe është “shumë konfrontues” kur bëhet fjalë për Perëndimin dhe është ndoshta një nga ata që thonë: “Le të ndërmarrim këtë veprim të rrezikshëm”.
Ai mund të mos ketë asnjë problem me dërgimin e dronëve kinezë në Rusi. “Padyshim që mund të ketë një ndryshim të situatës, sidomos nëse këta dronë dërgohen në sasi të mëdha”- thekson Krieg. Rusia ka blerë tashmë shumë dronë kamikazë nga Irani, një aleat i saj. Qasja luftarake aktuale në Kinë mund të jetë gjithashtu më e hapur ndaj kërkesave ruse.
“Nëse vazhdon lufta në Ukrainë, Putini nuk do të ketë zgjidhje tjetër veçse të ushtrojë presion ndaj Xi për dërgimin e armëve dhe municioneve. Dhe kjo sepse kapacitetet industriale ruse nuk mund të vazhdojnë të përballojnë ritmin e humbjeve në front.
Ushtria ruse ka nevojë për municione, raketa, tanke dhe dronë”- thotë Eduard Erikson, profesor në pension i historisë ushtarake në Departamentin e Studimeve të Luftës në Universitetin e Marinës. "Në këmbim të shitjes së armëve te Rusia, Kina do të ketë mundësi të blejë energjinë ruse me një çmim shumë më të ulët sesa vlera aktuale e tregut dhe për pasojë nga kjo do të përfitojnë që të dyja vendet", nënvizon Erikson.
“Një disfatë e Rusisë nuk do i sillte ndonjë dobi Kinës, pasi do t’i jepte mundësinë Amerikës që të zhvendoste forcat ushtarake nga Europa dhe Lindja e Mesme në Paqësor. Unë mendoj se lufta në Ukrainë do të vazhdojë, prandaj është e pashmangshme që Kina ta armatosë Rusinë”-thekson Erikson për "TRT World".
Por nga ana tjetër, Kreig thotë se armatosja e Rusisë do të kishte një kosto dhe rrezik të konsiderueshëm për kinezët, pasi do të nënkuptonte rrezikimin e interesave të saj tregtare me anëtarët e BE-së dhe NATO-s. Po ashtu kjo lëvizje do të dëmtonte fuqinë e butë të Kinës në të gjithë globin, dhe do të binte ndesh me narrativën paqebërëse të Pekinit, sipas së cilës ky vend mbron sovranitetin dhe integritetin territorial të çdo vendi.
Duke sulmuar Ukrainën, Rusia shkeli sovranitetin e Kievit dhe aneksoi territore ukrainase, gjë që shkel parimin e së drejtës ndërkombëtare të integritetit territorial. Parton është në një linjë me Krieg. “Amerikanët e kanë bërë të qartë se nëse Kina apo kompanitë kineze zbulohen duke transportuar armë në Rusi, do të vendosen sanksione ndaj atyre që lehtësuan marrëveshjet”-thotë ai.
Megjithatë, Erikson, një ish-oficer i ushtrisë amerikane, dallon nga dy ekspertët e tjerë në një pikë. “Përveç sanksioneve, Perëndimi nuk mund të bëjë asgjë nëse Kina e armatos në mënyrë të konsiderueshme Rusinë. Amerika dhe BE-ja kanë vendosur tashmë disa sanksione ekonomike kundër Kinës dhe vendosja e sanksioneve të reja do të dëmtonte Perëndimin po aq sa edhe vetë Kinën”, - thotë ai.
Kohët e fundit falimentuan 2 banka të mëdha amerikane, ngjarje që krijoi më shumë pasiguri dhe zbuloi shenjat e një krize të mundshme financiare globale. Erikson thotë se krahas luftës Rusi-Ukrainë, ekonomia globale tashmë është tronditur nga një mori faktorësh. “Prandaj, çdo reagim perëndimor kundër Kinës do të jetë kryesisht një kritikë ndaj Xi-së në media dhe në OKB, sesa një veprim konkret me masa ndëshkimore”- përfundon ai./ Përkthyer nga CNA.al
lërini pordhët! kina nuk ka për ta ndihmuar!!përveç humbjeve që mund të pësojë kina nga një përballje me perëndimin,leverdija nuk i del!!në radhë të parë nuk ka siguri që rusia mund ti paguaj tërë armatimin!kjo duket dhe nga ngjarjet në frontin e luftës!!ky front të jep përshtypjen e një lufte irak-iran të viteve '80,dhe jo të një superfuqie botrore!!edhe me shitjen e armatimit nuk do të ketë ndonjë përparim,sepse ai armatim duhet të jetë aq i shtrenjtë sa kina duhet të jetë çmëndur në tërësi për ta hedhur në erë me shpresë se mund të marrë nonjëherë ndonjë kacidhe!! pas kësaj do të vijnë sanksione perëndimore,do mbyllen tregjet europiane dhe ndoshta do hapen ato afrikane!!akoma sot është e vështirë të kuptohet se çfarë fitojnë kinezët me ato çmime që i shesin mallrat e tyre në amerikë,europë,ose në perëndim!përfytyro diferencën e çmimeve në afrikë a indi,për të njëjtat mallra,me atë në perëndim!!pra fitimi kinez do të ishte në mos zero,afër zeros!!në fund,pas tërë këtyre llogarive,ata bëjnë dhe llogarinë tjetër!kanë të bëjnë me një diktator që gjatë gjithë kohës ka gënjyer,nuk ka mbajtur fjalën asnjëherë dhe nuk ka asnjë problem për të sakrifikuar popullin e tij!!kësaj i shtohet dhe kërcënimet për përdorimin e armëve bërthamore!!një gjë e tillë e çon leverdinë kineze në një ngrirje të thellë!! kina nuk do ta furnizojë rusinë me armë!!