Sanksionet kundër Rusisë janë një problem për Sardenjën, ku oligarkët shpenzojnë shuma të mëdha, shkruan korrespondentja e televizionit publik finlandez.
Porta e madhe rrëshqitëse prej druri të hapur është vepër e artizanatit italian. Është e stolisur me panele druri dhe shikohet firma e një artizani napolitan. Pronësia delimitohet nga një mur i thatë me gur të thatë gëlqeror që shtrihet deri në det, duke i fshehur pamjes vilës dhe kopshtin. Mbi mur është një telekamerë e vendosur nga banori. Në fund të fundit, nga këto anë është e vështirë të kalosh rastësisht apo gabimisht: vila është në ekstremitetin e një gadishulli shkëmbor të përshkuar nga një rrugë e gjatë dhe e mundimshme e thyer që përfundon mu përpara hyrjes së saj. Porta prej druri hapet në një botë që shumë pak njerëz mund të hyjnë. Kompleksi imobiliar, që i përket oligarkut rus Dmitrij Mazepin, vlen 105 milion euro.
Ky cep parajse ka tërhequr për dekada rusë të pasur dhe influentë, përfshi presidentin Vladimir Putin. Shumë kanë blerë vila luksoze në Bregun e Smeraldtë dhe këtu kanë ankoruar superjahtet e tyre dhe kanë kaluar lumturisht pjesë të kohës së tyre. Kanë ruajtur edhe raporte të mira me administratat vendore duke bërë donacione, duke ndërtuar parqe lojërash dhe duke punësuar shumë njerëz të vendit. Kështu oligarkët janë bërë pjesë përbërëse e komunitetit sard dhe më në përgjithësi janë mirëpranuar në Itali, ku liderët e partive qeverisëse shpesh e kanë lavdëruar Kremlinin edhe pas pushtimit të Ukrainës. Në raste të caktuara qëndrimi prorus nuk ka ndryshuar edhe kur janë demonstruar krimet e ushtrisë ruse në dëm të civilëve ukrainas. Qytetet e Sardenjës e frekuentuara nga oligarkët janë një shembull i shkëlqyer i raportit të veçantë që është vendosur midis Italisë dhe Rusisë. Këtë vit në Sardenjë sezoni turistik është rritur dhe më pas ka përfunduar si zakonisht, por diçka ishte ndryshe: dyert e vilave kanë mbetur të mbyllura dhe oligarkët nuk janë parë. Sipas Bashkimit Europian, pronari i vilës princërore të mbrojtur nga porta e drunjtë, pse jo edhe president i industrisë së plehërave kimikë Uralchem, ka lidhje të ngushta me Putinin.
Një mikroekonomi
Më 24 shkurt, ditën e sulmit ndaj Ukrainës, Mazepin ishte bashkë me Putinin dhe me biznesmenët më të afërt me presidentin rus, për të diskutuar efektet e sanksioneve të vendosura nga vendet perëndimore. Bashkë me të birin, pilotin e Formulës 1 Nikita Mazepin, është midis miliarderëve të goditur nga masat e Bashkimit Europian, që ka vendosur t’ua sekuestrojë përkohësisht pronat e këtyre 900 oligarkëve rusë dhe bjellorusë. Veç kësaj, Bashkimi Europian i ka penguar të hyjnë në shtetet që i bëjnë pjesë. Vetëm në Itali janë ngrirë prona, vila, jahte, automobila dhe kompani, për më shumë se 1.7 miliard euro. Pjesa më e madhe pikërisht në Sardenjë dhe sidomos Bregun e Smeraldtë. I pari që mbeti i goditur nga bukuria e Bregut të Smeraldtë qe Karim Aga Khan, një personazh shumë influent në botën e biznesit. Qenë vitet ’60 dhe në këtë pjesë të bregut kishte vetëm natyrë, nuk ishte ndërtuar asgjë. Aga Khan (një titull honorifik e islamit persian) filloi të investojë aty dhe më pas të tjerët ndoqën shembullin e tij. Këtë verë miliarderi Elon Musk, bashkëthemelues i Tesla dhe i SpaceX, ka kaluar pushimet në Bregun e Smeraldtë dhe, sipas gazetave sarde, është në kërkim të një vile në zonë. Deri midis celebriteteve të këtij kalibri, në Sardenjë pasanikët rusë gëzonin një reputacion të veçantë. Të gjithë banorët e ishullit thonë se rusët nuk ua përtonin shpenzimeve. “Janë vërtet unikë. Askush tjetër nuk ka kërkesa dhe nevoja të një niveli kaq të lartë kur janë me pushime”, thotë Roberto Ragnedda, kryebashkiak i Arzachena. I referohet shërbimeve të luksit të kërkuara nga rusët kur janë me pushime. Për t’u spostuar kanë nevojë për helikopterë, për aeroporte dhe makina luksi. Në garantimin e prestigjit të banesave kontribuojnë shërbimet e kateringut dhe puna e artizanëve, që kanë realizuar arredime me masë për vila dhe ibarkime.
Sardët përvishnin mëngët për të kënaqur kërkesat e rusëve, rreth të cilëve kishte lindur një mikroekonomi në kuptimin e vërtetë të fjalës: zdrukthtarë, agentë imobiliarë, shoferë, bahçevanë, të ngarkuar me pishinat, kuzhinierë, kamerierë dhe dj. Sardët që kanë punuar për rusët nuk flasin thuajse kurrë publikisht. Punëdhënësit nuk donin të përfundonin kurrë nëpër gazeta gjatë pushimeve dhe pretendonin heshtjen nga kushdo që ishte në varësitë e tyre. Një shitës lulesh ka treguar se gjatë pikut të sezonit turistik i ndodhte që t’i duhej të punonte ditë e natë dhe të fitonte dhjetëra mijëëra euro në javë. Rusët punësonin qindra njerëz. Në vilat e tyre kishte një njeri që merrej vetëm me ilaçin e larjes së rrobave, një tjetër me shpenzimet, një tjetër akoma për të larë pjatat. Megjithëse duke mos pasur shifrat e sakta, kryebashkiaku Ragnedda shpjegon se midis fitimeve që vinin nga turizmi, kuota e atribuar rusëve ishte domethënëse dhe se disa oligarkë shpenzonin miliona euro në Sardenjë. Kur banorët e vendit kanë kuptuar se këta turistë specialë nuk do të ktheheshin më me pushime, të frikësuar nga situata kanë shkuar në komunë për të pyetur se çfarë të bënin.
Sardët që punonin për rusët gjatë sezonit veror garantonin kështu pjesën më të madhe e të ardhurave vjetor, pa llogaritur që disa kishin kontrata për të gjithë muajt e vitit. Veç kësaj, fitimet e qindra bizneseve vareshin indirekt nga rusët. “Situata ku janë gjendur qytetarët tano na ka preokupuar shumë. Kishim frikë se mos mbeteshin papunë”, zbulon Ragnedda. Fatmirësisht, edhe pse oligarkët nuk kanë ardhur, një pjesë e elitës ruse mund të vijë akoma t’i kalojë pushimet në Bregun e Smeraldtë. Ragnedda referon se falë fluksit më të madh të turistëve nga Lindja e Mesme dhe nga Shtetet e Bashkuara, për sezonalët ka pasur punë të mjaftueshme. Një person, që dëshiron të mbetet anonim sepse i frikësohet pasojave të papëlqyeshme, tregon se ka humbur pjesën më të madhe të të ardhurave të tij. Ka punuar për më shumë se 10 vjet si shofer për oligarkët rusë që janë goditur nga sanksionet. I shëtiste nëpër ishull multimiliarderët dhe miqtë e tyre me makina luksoze. Kishte hyrë në një xhiro që i garantonte punë të mirëpaguara dhe tani nuk dëshiron të tradhëtojë besimin e kujt e kishte angazhuar. “Rusët janë punëdhënës jashtëzakonisht bujarë”, nënvizon ai. Përveç një page të mirë, oligarkët shpesh i ofronin personelit strehim dhe pagesë. Veç kësaj, u jepnin bakshishe të majme: një rrugë e vetme me makinë mund të sillte një bakshish prej 100 eurosh. Disa herë dhuratat qenë veshje firmato, xhaketa dhe këmisha. Sipas tij rusët qenë të dashuruar me ishullin, për të cilin kishin respekt dhe kujdes të madh. “Duheshin shumë nga të gjithë”, shpjegon ai, “dhe të gjithë donin të punonin për ta. Me të hyrë në atë xhiron dhe ke gjithë ato avantazhe, është e vështirë të mësohesh të punosh për dikë tjetër”.
Emri i një oligarku përmendet veçanërisht në rrëfimet e sardëve. Është një prej më të pasurve të Federatës Ruse: miliarderit Alisher Usmanov. Yzbek nga lindja, Usmanov posedon pjesë të kompanisë USM Holdings, aktive në sektorin metalurgjik, në industrinë nxjerrëse dhe në sektorin e teknologjive të informacionit. Sipas Departamentit amerikan të Thesarit, Usmanov është pjesë e rrethit më të ngushtë si i Putinit, ashtu edhe i ish presidentit Dmitrij Medvedev. Bashkimi Europian e konsideron një prej oligarkëve më të rëndësishëm, aq sa e ka ndihmuar personalisht Putinin në afera kur presidenti rus ka pasur probleme. Dy burime që kanë punuar në Sardenjë për rusët na kanë referuar se Medvedevi e ka vizituar ishullin, mysafir i Usmanovit. Duke filluar nga 1990 miliarderi ka ndërtuar në Sardenjë një perandori të vogël. Sipas vendalinjve, posedon 6 apo 7 vila në ishull, ku ka kaluar periudha të pandërprera prej disa muajsh. “Një lloj kumbari i ishullit”, e përcakton njëri prej banorëve. Oligarku vjen shpesh në afërsitë e Porto Cervo me jahtin e tij “Dilbar”, më i madhi i botës: është 155 metra i gjatë, ka dy pista për të aterruar helikopterët dhe një pishinë të madhe të mbuluar. Ka kushtuar 600 milion euro.
Usmanovi e ka mbështetur në mënyra të ndryshme komunitetin lokal: gjatë pandemisë i ka dhuruar gjysmë milioni euro rajonit të Sardenjës; për komunën e Arzachena ka blerë disa ambulanca, një autobus shkolle dhe ka financuar manifestime kulturore të ndryshme. Në 2018 i është dorëzuar qytetaria e nderit e komunës. “Na ka ndihmuar gjithmonë në momente të vështira”, pohon Ragnedda. Shpërthimi i luftës në Ukrainë ka ndezur diskutimin mbi rusofilinë e disa politikanëve italianë. Një pjesë e parlamentarëve të Movimento 5 Stelle ka bërë një fushatë kundër dërgimit të armëve për Ukrainën, por edhe liderët e tre partive qeverisëse kanë simpatizuar në të kaluarën apo simpatizojnë akoma për Rusinë. Ish kryeministri Silvio Berlusconi është një mik i dashur i Putinit. Presidenti rus ka kaluar një pushim në vilën e ish kryeministrit në Bregun e Smeraldtë. Këtë vit Berlusconi është distancuar nga presidenti rus, megjithatë në shtator i ka mbrojtur pozicionet e Rusisë në konflikt. Partia më proruse është Lidhja, që ka një marrëveshje bashkëpunimi me partinë e Putinit, Rusia e Bashkuar. Lideri i saj Matteo Salvini kohët e fundit ka vënë në diskutim sanksionet e Bashkimit Europian ndaj Rusisë.
Ruajtja e mallrave të sekuestruara
Edhe kryeministrja Giorgia Meloni, lidere e partisë së ekstremit të djathtë Fratelli d’Italia, në 2018 si i ishte kundërvënë rinovimit të sanksioneve kundër Federatës Ruse në vijim të pushtimit të Krimesë. Megjithatë Meloni e ka dënuar luftën në Ukrainë qysh nga fillimi dhe e ka mbështetur si dërgimin e armëve për Kievin, ashtu edhe sanksionet. Anëtari i Lidhjes Lorenzo Fontana, president i ri i Dhomës së Deputetëve, në të kaluarën kishte shprehur mbështetjen e tij për Putinin dhe me pushtimin e Krimesë. Megjithatë, shumë ekspertë janë të bindur se qeveria e re italiane nuk mund t’ia lejojë vetes sfidimin e Bashkimit Europian, as edhe për sa i përket sanksioneve. Ekonomia po kalon një krizë të rëndë dhe vendi ka nevojë urgjente për reforma, që duhet të realizohen me shuma të mëdha të alokuara nga Bashkimi Europian. Veç kësaj shumë politikanë italianë i kërkojnë Brukselit një bashkëpunim në nivel europian edhe për të përballuar problemet energjitike. Në realitet nuk është ndonjë risi që liderët politikë italianë janë në raporte të shkëlqyera me Kremlinin: mjafton të kujtohet se pas Luftës së Dytë Botërore Partia Komuniste Italiane kishte raporte konstante me Bashkimin Sovjetik. Veç kësaj, në afrimin midis dy vendeve kanë kontribuar sidomos shkëmbimet tregëtare. Nëse disa politikanë janë të afërt me Rusinë, disa mjete informacioni nuk janë më pak. Edhe pas shpërthimit të luftës ka ndodhur që janë rreshtuar në favor të Rusisë. Kjo e dhënë, e bashkuar me një antipati të përhapur për NATO, influencon mbi opinionin e italianëve në faktin e luftës dhe të sanksioneve. Në një sondazh të komisionuar prej Quorum/YouTrend në fillimin e shtatorit nga SKY Italia, 37% e të intervistuarve ishte kundër sanksioneve të vendosura Rusisë, ndërsa 43% ishte në favor. Edhe në Sardenjë është dashur të reflektojnë mbi varësinë e tyre nga oligarkët dhe të vendosin sesi të vendosen kundrejt tyre.
Bashkimi Europian është i bindur se Usmanov e ka favorizuar pushtimin e Ukrainës. Për fatin e oligarkëve ka filluar të flitet në muajt e fundit, në vijim të vdekjes së papritur të disa prej tyre. Misteri që rrethon fundin e tyre ka ngritur dyshime mbi rolin e Kremlinit. Shumë prej të pasurve të përfunduar në darën e sanksioneve nuk e kanë pranuar situatën dhe kanë cituar në gjykim Bashkimin Europian. Alisher Usmanov është midis këtyre. Kryebashkiaku i Arzachena e ka dënuar luftën: “E papritur dhe e dënueshme në shumë këndvështrime”. Por komuna nuk ja ka tërhequr qytetarinë e nderit Usmanovit. “Për sa na përket, ka qenë gjithmonë i respektueshëm, ka sjellë në komunën tonë rritje ekonomike dhe të mira të tjera pozitive”. Megjithatë Ragnedda shpreh afërsinë e tij me ukrainasit që vuajnë pasojat e konfliktit dhe uron që lufta të përfundojë shpejt. Krimet e luftës të rusëve në Ukrainë janë më shumë se evidente. Përveç sulmeve raketore, ushtarakët rusë janë bërë fajtorë për tortura dhe përdhunime kundër civilëve në zonat e pushtuara, por kryebashkiaku mendon se faktet për momentin janë pak të qartë: “Nuk njohim ende të gjitha pikëpamjet e këtij konflikti. Koha do t’i zbulojë përgjegjësitë. Është përshtypja e qartë se kjo është një luftë e dëshiruar nga një njeri i vetëm, Putini”.
Pavarësisht gjithçkaje, Ragnedda shpreson që oligarkët të kthehen një ditë në Bregun e Smeraldtë. Për momentin vilat dhe jahtet përkohësisht të sekuestruara janë bosh dhe mirëmbajtja e tyre i kushton milion euro shtetit italian. Ligji parashikon që Italia të sigurojë ruajtjen dhe mirëmbajtjen e mallrave nën sekuestrim dhe, në rastin e rezidencave luksoze, nuk është e lehtë. Vilat janë dhjetëra vetëm në Sardenjë dhe, po t’u qëndrosh mendimit të agjentëve imobiliarë, mirëmbajtja e secilës kushton qindramijëra euro në vit. “Shërben shumë personel, nga bahçevanët tek teknikët”, konfirmon Paolo Costi, agjent i specializuar në të paluajtshmet luksoze në Sardenjë. Ligji parashikon edhe që oligarkët ta shpërblejnë shtetin për shpenzimet e bëra për mirëmbajtjen e pronave të tyre, por vetëm pasi që këta t’i kenë vënë në posedim. Përderisa disa njerëz vareshin totalisht nga rusët për mbajtjen e tyre, ekziston preokupimi edhe për sektorë të caktuar punësimi. “Kemi të gjithë një familje për ta çuar përpara”, komenton shoferi sard. Sipas tij, do të ishte e vështirë të gjendej një alternativë që kompenson të gjitha benefitet ekonomike që rusët i sillnin Sardenjës. Duke e ditur mirë se oligarkët këtë vit kanë kaluar pushimet në Azi dhe në Lindje të Mesme, ka frikën se mos elita transferohet tjetërkund dhe Bregu i Smeraldtë do të bëhet objekt turizmi masiv dhe për kë punon në sektorin e luksit sigurisht që do të ishte një dëm. “Miliarderët rusëe do të vazhdojnë të ruajnë të njëjtin nivel jetese në vende që nuk do t’ua ndërpresin aksesin”, thotë shoferi. Pohon se është kundër luftës, por situata që po krijohet në Bregun e Smeraldtë, bashkuar me rritjen e kostos së jetesës dhe të energjisë, e ka çuar që të jetë kundër sanksioneve. “Janë njerëz normalë, si ne, ata që i paguajnë pasojat. Oligarkët janë aq të pasur sa që sanksionet nuk u bëjnë asgjë”, konkludon duke i shtuar dozat.
(Jenna Vehviläinen është korrespondente nga Roma e televizionit dhe e radios publike finlandeze Yle)
Përgatiti
ARMIN TIRANA
Lini një Përgjigje