Erdogan dhe Putin: Marrëdhënie të komplikuara me përfitime të ndërsjella

14 Gusht 2022, 09:05Bota TEMA

Erdogan dhe Putin: Marrëdhënie të komplikuara me përfitime

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan është në vështirësi politike përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.

Kjo lidhet me ekonominë e tij në rënie, një Bankë Qendrore pothuajse pa këmbim valutor dhe një inflacion që shkon deri në 80 për qind në vit.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka telashet e tij, me luftën në Ukrainë që po rrënohet dhe sanksionet e ashpra ekonomike që po godasin industrinë dhe ekonominë.


Sfidat e ndërsjella i kanë afruar dy liderët më afër se kurrë.

Ata janë takuar dy herë në tre javët e fundit, së fundmi duke shpresuar të pakësojnë dobësitë e tyre duke zgjeruar partneritetin dhe duke rënë dakord për bashkëpunimin ekonomik.

Është një marrëdhënie që ngre shqetësimet e aleatëve të NATO-s.

Kjo pasi Erdogan-i i siguroi Putin-it një “vrimë të konsiderueshme” në digën e sanksioneve që Perëndimi është përpjekur të ndërtojë për të penguar luftën në Ukrainë.

Disa pyesin se ku qëndron besnikëria e vërtetë e Erdogan-it, përtej interesit të tij personal.

Nuk ka dyshim se, tani për tani, lidhja po rezulton të jetë e dobishme e reciproke, pasi detajet e negociatave të tyre dalin në pah më pas.

Për Putin-in, përfitimet përfshijnë shitjen e energjisë dhe armëve, investimet dhe një lidhje të ngushtë me një anëtar të NATO-s, i cili po përpiqet ta izolojë atë dhe të ndihmojë Ukrainën të mposhtë ushtrinë e tij pushtuese.

Turqia, e cila nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, ka refuzuar të zbatojë sanksione perëndimore kundër Rusisë.

Ajo po eksploron mënyra për të punuar me bankat ruse dhe për të pranuar pagesa përmes kartave të kreditit ruse.

Gazi rus rrjedh pa pengesa përmes gazsjellësit “Rrjedha Turke”.

 

Ka gjithashtu raporte se Rusia po kërkon ndihmën turke në sigurimin e “nënsistemeve” për armët e saj, të cilat nuk mund të marrin më komponentë perëndimor drejtpërdrejt.

Për Erdoganin, përfitimet përfshijnë infuzionet e parave në bankën qendrore, energjinë e lirë, rëndësinë globale, një treg të madh eksporti, rinovimin e turizmit rus dhe, më e rëndësishmja, pranimin e dukshëm rus ndaj përpjekjeve të tij politikisht popullore për të shtypur separatizmin kurd në Siri, ku Rusia mbështet qeverinë siriane të Bashar al-Assad.

Por të dy udhëheqësit mbeten armiq të rendit të parë.

Kur ata u takuan në Teheran muajin e kaluar, Erdogan-i e la Putin-in të qëndrojë vetëm për gati një minutë, ndërsa lideri rus, i njohur vetë për trukun e lojës së pritjes, u zhvendos në mënyrë të pakëndshme përpara kamerave.

Lëvizja u interpretua si një kujtesë delikate e ndryshimit të ekuilibrit të fuqisë midis dy burrave – Putin-i e kishte detyruar Erdogan-in të priste më parë – ndërsa ata punojnë së bashku.

Diskutimet mes dy autokratëve janë mbajtur gjithashtu nga afër.

“Politika e jashtme turke ka hyrë në një periudhë shumë të rrezikshme”, tha Ilhan Uzgel, një profesor politik që jepte mësim për marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin e Ankarasë përpara se të pushohej me dekret presidencial.

Erdogan ka blerë raketa të sofistikuara kundërajrore ruse që minojnë sigurinë e NATO-s dhe i vetëm ka lëvizur për të bllokuar anëtarësimin në NATO për Suedinë dhe Finlandën, duke hequr kundërshtimet e tij tani për tani, por me shpresën se do të ketë më shumë dramë përpara votimit të Parlamentit turk.

Obstruksionizmi mund të kënaqte vetëm Putin-in, i cili ka paralajmëruar prej kohësh qëndrimin kundër bashkimit të shteteve nordike në aleancë.

 

Washingtoni po vëzhgon me kujdes, duke deklaruar zyrtarisht se “ne i kemi kërkuar Turqisë që të mos bëhet një strehë e sigurt për asetet ose transaksionet e paligjshme ruse” dhe duke i kërkuar Turqisë të reduktojë varësinë e saj energjetike nga Rusia.

Deklarata gjithashtu vuri në dukje se Turqia mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe se  Erdogan e ka quajtur pushtimin rus “të papranueshëm”.

Në të vërtetë, Turqia ka kundërshtuar pushtimin rus të Ukrainës, ka bllokuar anijet luftarake ruse të hyjnë në Detin e Zi dhe i ka shitur Kievit armë, duke përfshirë dronë të sofistikuar që kanë ndihmuar në vrasjen e ushtarëve rusë.

Për Perëndimin, aftësia e Erdogan-it për t’u marrë me Putin-in nuk ka qenë e keqe.

Turqia ka mbajtur lidhje të ngushta diplomatike me Moskën dhe po vepron si ndërmjetësi kryesor midis Rusisë dhe Ukrainës për dërgesat e grurit dhe bisedimet e mundshme të paqes.

Erdogan ose ndihmësit e tij kryesorë flasin me Putin-in dhe presidentin Volodymyr Zelensky të Ukrainës disa herë në javë.

Të kesh një aleat të NATO-s me linja të mira komunikimi me Putin-in është një gjë e mirë.

Synimi kryesor i Erdogan-it, pranojnë analistët turq, është rizgjedhja e tij dhe ai po kërkon ndihmë si me ekonominë ashtu edhe me përpjekjet e tij për të luftuar atë që ai e konsideron si terrorizëm kurd në Siri dhe në shtëpi.

“Objektivi i qeverisë Erdogan nuk është të lehtësojë Putin-in, është të krijojë kushtet e duhura për veten në rrugën drejt zgjedhjeve”.

Aftësia e Erdogan-it  për të bashkuar ministrat e jashtëm rus dhe ukrainas dhe për të ndërmjetësuar marrëveshjen për nxjerrjen e grurit ukrainas (dhe rus) nga Deti i Zi i bllokuar vleftëson qasjen e ekuilibruar të Turqisë ndaj Rusisë.

Marrëdhënia Putin-Erdogan është një marrëdhënie e çuditshme, me të dyja vendet që “bashkëpunojnë hapur, por edhe luftojnë” në Siri dhe Libi.

Marrë nga New York Times, përktheu: Albanian Post

Lini një Përgjigje