Çështja e bujshme në SHBA, avokatët e Mangione ndryshojnë strategji në gjyqin për vrasjen e Brian Thompson

19 Qershor 2026, 11:15Bota TEMA
Çështja e bujshme në SHBA, avokatët e Mangione

Avokatët e të pandehurit të akuzuar për vrasjen e Drejtorit Ekzekutiv të UnitedHealthcare, Brian Thompson, kanë hequr dorë nga mbrojtja psikiatrike në gjyqin shtetëror ndaj tij.

Luigi Mangione, 28 vjeç, është deklaruar i pafajshëm për akuzat federale dhe shtetërore që lidhen me vrasjen e Thompson në Manhattan në fund të vitit 2024.

Fillimisht, avokatët e tij kishin deklaruar se do të argumentonin se ai vuante nga “shqetësime ekstreme emocionale në kohën e ngjarjes”, por një ditë më pas ndryshuan qëndrim, pa dhënë një shpjegim publik për këtë vendim.

Ky ndryshim erdhi pak para afatit të vendosur nga gjykata, që kërkonte nga mbrojtja të dorëzonte prova për mbrojtjen psikiatrike në zyrën e prokurorit të Manhattanit.

Sipas ekspertëve ligjorë, një mbrojtje e tillë mund të kishte çuar në një dënim më të lehtë nëse pranohej nga juria, duke e klasifikuar ngjarjen si vrasje të paqëllimshme dhe jo si vrasje të qëllimshme.

Mangione përballet gjithashtu me akuza federale për përndjekje, të cilat mund të sjellin dënim me burgim të përjetshëm.

Seanca e radhës gjyqësore është caktuar për 11 gusht, ndërsa gjyqi shtetëror pritet të nisë më 8 shtator.

Ai u arrestua disa ditë pas vrasjes së Brian Thompson, i cili u qëllua në Manhattan më 4 dhjetor 2024 teksa po hynte në një hotel për një konferencë investitorësh.

Lini një Përgjigje