Një ekonomi e nxitur nga lufta. Nga ekranet televizive deri te klasat shkollore, një narrativ gjithëpërfshirës i konfrontimit me Perëndimin. Mijëra ushtarë të plagosur në luftë, disa prej tyre që ishin të dënuar për krime të rënda që u nxorën nga burgu dhe u dërguan për të luftuar në beteja të përgjakshme në Ukrainë, po kthehen në qytete dhe qyteza në mbarë Rusinë.
Në forumin ekonomik të prezantuar nga presidenti rus, Vladimir Putin, në Shën Petersburg, në fillim të këtij muaji, shtëllungat e tymit nga sulmet me dronë ukrainas ndaj objekteve të naftës pranë qytetit të tij të lindjes ishte një simbol i qartë i telasheve me të cilat po përballet Rusia në vitin e pestë të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, luftë që ai kishte shpresuar se do ta gjunjëzonte Kievin brenda disa javësh.
Këto dhe sulme të tjera ukrainase thellë brenda territorit rus kanë shërbyer si kujtesë dramatike se, për të pasur ndonjë shans për të arritur objektivat kryesore të luftës së Putinit, përfshirë edhe marrjen nën kontroll të gjithë rajonit ukrainas të Dobasit, forcat e Moskës do të duhet të vazhdojnë luftimet.
Më pak të dukshme në forum janë një sërë faktorësh të brendshëm të cilat për Putinin përbëjnë një pengesë të madhe për t’i dhënë fund luftës që ai e nisi.
Sipas analistëve, bëhet fjalë për një rrjet që ai vetë e ka krijuar – dhe që do të ishte i vështirë për t’u zhbërë pa krijuar rreziqe të konsiderueshme për Rusinë, si dhe për pozicionin e tij politik, pas më shumë se një çerek shekulli në pushtet si president ose kryeministër.
Putini, në fakt, ka krijuar një përbindësh. Ose, siç e kanë përshkruar politologët Seva Gunitsky dhe Jeremy Morris në një artikull të publikuar së voni në revistën Foreign Affairs, ai “ka rënë në një kurth lufte që… askush nuk mund ta çmontojë aq lehtë”.
“Po flasim për ekonominë në hije, tregjet e punës, buxhetet rajonale, madje edhe hierarkinë sociale brenda vendit – të gjitha të riorientuara rreth konfliktit”, tha për Radion Evropa e Lirë, George Gunitsky, që është shef i katedrës për studime të paqe dhe konfliktit në Universitetin e Torontos.
“Në këtë kuptim, ajo është shndërruar në një rend institucional dhe ekonomik mbarëkombëtar, inercia e të cilit kufizon edhe Putinin”.
“Ndalimi e saj do të nënkuptonte çrregullim ekonomik, tronditje sociale dhe ndoshta edhe një krizë politike që regjimi thjesht nuk është i përgatitur që ta përballojë”, tha ai.
Që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, rajone të tëra, industri dhe segmente të popullsisë janë bërë të varura nga rrjedhat financiare të lidhura me luftën, nga burrat që i bashkohen ushtrisë për pagesat e larta e deri te prodhuesit e armëve.
Këto flukse parash “nuk i sjellin përfitim popullsisë së gjerë. Por, për sektorët që varen prej tyre, si industria e armatimit, e cila punëson miliona njerëz, vazhdimi i konfliktit është kyç”, tha Gunitsky. “Çdo ndërprerje do të ishte thellësisht destabilizuese”.
“Gjakderdhje e ngadaltë”
Një përfundim i luftimeve do të sillte kthimin e shumë ushtarëve në shtëpi të cilët do të përballeshin me një të ardhme të pasigurte, përfshirë edhe kriminelë të dënuar që iu bashkuan ushtrisë në këmbim të lirisë së tyre. Veteranët e burgut dhe të luftës tashmë kanë kryer një sërë krimesh të dhunshme në të gjithë Rusinë.
“Rusia përballet me kosto në çdo rast – por, janë lloje shumë të ndryshme kostosh”, tha Gunitsky. “Kostot e vazhdimit të luftës janë të ngadalta dhe të shpërndara: inflacioni, mungesat e fuqisë punëtore, stagnimi civil. Kostot e ndalimit të luftës janë të menjëhershme dhe të përqendruara: papunësi masive, krizë e veteranëve dhe një kolaps i mundshëm i industrive të mbrojtjes”.
“Historikisht, regjimet pothuajse gjithmonë zgjedhin gjakderdhjen e ngadaltë në vend të krizës akute”, tha ai.
Deri tani, Putini ka bërë të njëjtën zgjedhje ose, të paktën, ka refuzuar që të ndryshojë kursin.
Pavarësisht se Kremlini e shfaq Putinin si një njeri vendimtar dhe të palëkundur të veprimit, eksperti për Rusinë Mark Galeotti e përshkruan atë si një person “të pavendosur”, që gjithmonë shtyn marrjen e vendimeve apo ndryshimeve të rëndësishme.
Për më tepër, Putini mund të frikësohet se ndalimi i luftës tani do ta linte me shumë pak për të treguar, pas gati pesë vjetësh lufte në të cilën forcat ruse kanë arritur fitime të kufizuara, ndërkohë që kanë pësuar humbje të mëdha – pothuajse 500.000 të vrarë, sipas një vlerësimi të inteligjencës britanike, që u publikua në maj.
Shumë nga vdekjet kanë ndodhur në beteja të gjata, të lodhshme dhe vdekjeprurëse në Donbas – në rajonet Donjeck dhe Luhansk në lindje të Ukrainës – të cilat kanë lënë të shkatërruara qytete. Putini ka pretenduar pa bazë se këto dy rajone, si dhe Krimeja, Zaporizhja dhe Hersoni, tani i përkasin Rusisë, duke krijuar presion mbi vetë shtetin e tij për t’i kontrolluar ato plotësisht.
“Nëse ka një marrëveshje paqeje që nuk mund të shitet si fitore, kjo krijon tension të jashtëzakonshëm”, i tha Gunitsky Radios Evropa e Lirë.
“Çdo marrëveshje – qoftë edhe armëpushim – do të duhet t’i lejojë Putinit që ta paraqesë si fitore bindëse, ose të paktën si hap bindës drejt një fitoreje”, tha ai.
Kjo mund të jetë një arsye e madhe pse Putini duket i vendosur të marrë pjesën e mbetur të Donbasit, të paktën, qoftë përmes forcës apo diplomacisë: disa herë Kremlini ka deklaruar se tërheqja e Ukrainës nga pjesa me rëndësi strategjike që ende e kontrollon Kievi është një parakusht për bisedime.
Sondazhet e opinionit publik tregojnë se shumica e rusëve janë në favor të bisedimeve të paqes në vend të vazhdimit të luftës, teksa disa analistë thonë se Putini mund të shesë pothuajse çdo rezultat si fitore ose të paktën si një fitore në tentativë.
“Gjithmonë duhet të kujtojmë se Rusia e ka mundësinë të shpallë paqe në çdo kohë”, tha Galeotti në podkastin e tij më 14 qershor. “Ajo mund të thotë se po ndalet me vijat e frontit, që janë ngrirë, por mban mbi kokën e Ukrainës – dhe edhe të Perëndimit – mundësinë e një ofensive të re si një ‘shpatë të Demokleut”.
“Në Rusi… qartësisht ka një fushatë brenda disa segmenteve të elitës, veçanërisht elitave të biznesit dhe atyre teknokratike, për të bindur Putinin se ai mund të deklarojë thjesht një triumf dhe t’i japë fund luftës”, tha ai, duke shtuar se Putini, i cili ka ruajtur pushtetin duke i vënë kampet rivale brenda Qeverisë dhe strukturave të sigurisë kundër njëri-tjetrit, “qartësisht e ka lejuar këtë që të ndodhë”.
“Pra, Putini është i gatshëm të lejojë një debat, por deri tani nuk ka asnjë prova se ky debat po ia ndryshon mendjen: aktualisht ai ose ende mbështet qëndrimin e linjës së ashpër se forcat ruse do të marrin pjesën tjetër të Donbasit këtë vit nëse vazhdojnë presionin, ose të paktën, nuk është bindur nga argumenti tjetër”, tha Galeotti. “Dhe, në mungesë të çdo vendimi nga Putini, status quo-ja vazhdon, prandaj lufta vazhdon”.
“Një lloj i ri problemi për Putinin”
Sam Greene, profesor në Institutin për Rusinë në Kolegjin e Mbretit të Londrës, po ashtu ngriti mundësinë që Putini të përpiqet të qetësojë si linjën e ashpër ashtu edhe ata më liberalë – ose duke kërkuar armëpushim “në të cilin Rusia do të ruante pretendimet mbi territorin ukrainas dhe në të cilin Evropa mbetet e mobilizuar për të frenuar dhe për të konfrontuar Moskën”.
“Kjo ka gjasë të kënaqë disa, duke ulur kostot e luftës, ndërkaq njëkohësisht të kënaqë edhe një kamp tjetër të cilët do të vazhdonin të merrnin investime ushtarake dhe do të përfitonin peshë politike në një Rusi që mbetet e orientuar drejt konfliktit”, shkroi Greene.
Do të ishte gjithashtu më pak e rëndë për narrativin e Kremlinit mbi luftën si pjesë e një përballjeje ekzistenciale kundër një Perëndimi imoral që synon shkatërrimin e Rusisë – një narrativ që është imponuar në shoqërinë ruse, në çdo nivel.
Megjithatë, Putini, “i prirë ndaj shmangies së rrezikut”, ka gjasa që të vazhdojë të “zvarrit luftën”, shkroi Greene. “Por, nuk duhet të pretendojmë se kjo zgjedhje është pa kosto për Kremlinin”.
Teksa “ka shumë arsye pse vazhdimi i luftës për Putinin është më i lehtë sesa përfundimi i saj”, shkroi ai, si linja e ashpër dhe ajo më e moderuar në elitën ruse po zhgënjehen gjithnjë e më shumë me status quo-në.
“Ajo që po shohim gjithnjë e më shumë… është se asnjëri kamp nuk beson se mënyra aktuale e zhvillimit të luftës i shërben interesave të tyre”, shkroi Greene. Ndërsa ata janë thellësisht të ndarë për të ardhmen, “ata gjithnjë e më shumë pajtohen se e tashmja është e paqëndrueshme, sikurse edhe e padëshirueshme. Dhe, kjo krijon një lloj të ri problemi për Putinin”./ REL
Mero, vazhdon te mbushesh gazeten me bajga, qe thjesht kuterbojne dhe ndjellin buburecat (i tille je dhe ti e zorraxhinjte qe paguan...) Evropes kurve, shume shpejt do t'i bien breket e palara dhe atehere do kerkoni vrimen e miut per te shpetuar...!!!
Nga lufta nuk ka fitimtar veç të humbur! Ja ke numëruar humbjet e Putinit, po për krahun tjetër perendimin s'na the asnjë gjë?! Kurse për Ukrainën s'është nevoja t'i numuroni humbjet, ato janë katastrofike! Të fituar janë vetëm lobet e armëve...!!