Një valë ekstreme të nxehti ka përfshirë pjesën më të madhe të Europës, duke sjellë temperatura deri në 40 gradë, paralajmërime kombëtare, dhe probleme në transport.
Rritja e ndjeshme e temperaturave më 21 qershor, ditën e solsticit veror në hemisferën veriore dhe që zakonisht shënon fillimin e tre muajve më të nxehtë të vitit, ka ngritur shqetësime për një nisje të hershme dhe të zgjatur të kushteve ekstreme të motit.
Pas disa ditësh me temperatura 35 gradë Celsius, autoritetet italiane lëshuan alarmin e kuq në 8 qytete, përfshirë Bolonjën, Milanon, Firencen dhe Torinon.
48 nga 96 rajonet e Francës janë po ashtu nën alarm të kuq, teksa vendi përgatitet për temperatura përvëluese. Vlera mbi 40 gradë Celsius priten rreth zonave perëndimore të Francës, me të mërkurën që parashikohet të prekë 43 gradët në Bordo.
Rreth 845 shkolla janë mbyllur, ndërsa 1800 nxënës do të lejohen ta mbyllin mësimin më herët. Dhjetëra rajone të tjera janë nën alarm portokalli, me gati 63 milionë njerëz që preken në total në të gjithë vendin.
Vapa e madhe në fundjavë çoi autoritetet të ndalonin alkoolin në festën vjetore të muzikës. Në rajonin jug-perëndimor të Gironde, autoritetet lokale thanë të dielën se tre persona të moshuar kishin vdekur, pjesërisht për shkak të vapës ekstreme.
Operatori hekurudhor në vend, SNCF, u bëri thirrje qytetarëve të shmangin ose shtyjnë udhëtimet me tren këtë javë, ndërsa në Paris shumë linja reduktuan shërbimet. Po ashtu, në Belgjikë, operatori hekurudhor njoftoi anulim të shërbimeve në orët e pikut.
Spanja po ashtu pritet të regjistrojë temperatura rekord.
Shkollat qenkan akoma hapur andej? Në këtë muaj të vitit?