Në ambientet e Galerisë së Arteve Pamore “Nikolet Vasia” në Durrës është çelur ekspozita personale e piktorit Edmond Hysi, një prej emrave të spikatur të artit pamor shqiptar. Përmes rreth 60 veprave të realizuara në grafikë, mix media dhe akrilik, artisti sjell për publikun një përzgjedhje të krijimtarisë së tij ndër vite.
Ekspozita përfshin kompozime abstrakte, monotipe, kolazhe dhe interpretime artistike që pasqyrojnë kërkimin e vazhdueshëm krijues të autorit. Vetë Hysi theksoi se në këtë ekspozim ka zgjedhur të prezantojë kryesisht punimet më të fundit, fryt i një përvoje dhe angazhimi artistik që shtrihet në më shumë se tre dekada.
“Në ekspozitë janë rreth 60 punime nga teknikat e grafikës, miks-media dhe akrilikut. Në përgjithësi janë punë abstrakte, me përzierje tematikash që nuk lëvrohen shumë nga artistët e tjerë. Janë punime në monotip, kolazh dhe teknika të tjera, të cilat i kam punuar gjatë gjithë jetës sime artistike”, tha Hysi.
Ceremonia e hapjes mblodhi artistë, kolegë dhe dashamirës të artit, të cilët vlerësuan jo vetëm nivelin artistik të veprave, por edhe individualitetin që karakterizon krijimtarinë e Edmond Hysit. Piktori Çaush Vathi e përshkroi atë si një artist që ka ndërtuar me qetësi dhe përkushtim një gjuhë të veçantë shprehëse.
“Është, sinqerisht, një nga ekspozitat më të bukura që ka kjo galeri këtu. Mondi tregoi talentin e vet, bagazhin që ka dhe, të themi të drejtën, teknikisht ka një evolucion të jashtëzakonshëm. Ai është një artist shumë i ndjeshëm”.
Vlerësime për ekspozitën shprehu edhe piktorja Marjana Goxhabelliu, e cila nënvizoi identitetin e spikatur artistik të autorit dhe mënyrën autentike me të cilën ai përcjell emocionet dhe botën e tij të brendshme.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Galerinë e Arteve Pamore “Nikolet Vasia”, duke u ofruar vizitorëve mundësinë të njihen nga afër me një krijimtari të pasur dhe me rrugëtimin artistik 30-vjeçar të piktorit Edmond Hysi. A.K./TemA
Lini një Përgjigje