Tërmeti shembi ndërtesat e vjetra, ekspertët hedhin dyshime: Cilësi e dobët

7 Shkurt 2023, 20:50Bota TEMA

Tërmeti shembi ndërtesat e vjetra, ekspertët hedhin dyshime:

Numri i ndërtesave të shkatërruara nga tërmeti në Turqi mbërrin në 6000. Pamjet tregojnë se mes pallateve të rrafshuar, ngjitur me to qëndrojnë më këmbë ndërtesa të tjera shumëkatëshe, të cilat në dukje nuk kanë pësuar dëmtime madhore.

Një rast i ngjashëm u pa edhe në Shqipëri pas tërmetit të nëntorit 2019 në godinat fqinje.

Inxhinieri britanik, Thomas Moore thotë se ndërtesat e shembura janë rezultat i një pune të dobët inxhinierike, ku ndërtuesit nuk kanë zbatuar kodet e ndërtimit që duhet t’u rezistojnë lëkundjeve sizmike mbi 7 ballë. Në mediat e huaja ai ka thënë se nëse muret nuk janë të fiksuara siç duhet në dysheme dhe tavane, ndërtesa bie si një shtëpi prej letre kur toka dridhet.

Karakteristikë e qyteteve turke pranë epiqendrës ku ra tërmeti, janë ndërtimet e vjetra me moshë mbi 40-vjeçare, të cilat në raport me ndërtimet e reja, që  janë më të pakta në numër, janë shkatërruar masivisht.

Ndryshimi i kodeve të ndërtimit në Turqi, u bë pas vitit 1999, nxitur nga shkatërrimi masiv i qytetit të Izmirit ku vdiqën mbi 17 mijë njerëz.

Do të duhet kohë për kryerjen e një ekspertize të plotë për godinat e shembura dhe përgjegjësitë ligjore, por në terma të përgjithshëm duket se në ndërtimet e reja të 20 viteve të fundit, rezistenca është e fortë.

Nevojën për të pasur një vlerësim për ndërtimet në Shqipëri e Kosovë, e kanë shprehur këto ditë edhe inxhinierët shqiptarë.

Lini një Përgjigje