Irani reagon pas sulmit izraelit: Kemi të drejtë të mbrohemi

26 Tetor 2024, 16:21Bota TEMA
Irani reagon pas sulmit izraelit: Kemi të drejtë të mbrohemi

Irani ka bërë thirrje për hakmarrje pas një sulmi izraelit të ndodhur mëngjesin e sotëm, ku dy ushtarë iranianë humbën jetën.

Ndërkohë, Teherani deklaroi se ka “të drejtë dhe është i detyruar të mbrohet,” por SHBA-ja dhe Britania e Madhe janë kundër këtij reagimi. Ndërkombëtarët kanë kërkuar nga Teherani të mos hakmerret, mes frikës në rritje për një përshkallëzim në Lindjen e Mesme.

“Iranit i kërkohet të ndërpresë sulmet ndaj Izraelit, në mënyrë që ky cikël luftimesh të përfundojë pa përshkallëzim të mëtejshëm. Shtetet e Bashkuara nuk ishin pjesëmarrëse në këtë operacion.

Qëllimi ynë është përshpejtimi i diplomacisë dhe ulja e tensioneve në rajonin e Lindjes së Mesme. I bëjmë thirrje Iranit të ndërpresë sulmet ndaj Izraelit për të ndalur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit,” – deklaroi zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Sean Savett.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se Izraeli “ka të drejtë të mbrohet kundër agresionit iranian,” ndërsa gjithashtu i bëri thirrje Teheranit që të mos hakmerret.

“Duhet të shmangim përshkallëzimin rajonal dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje. Irani nuk duhet të kundërpërgjigjet,” – tha Starmer në samitin e Commonëealth-it në Samoa.

Edhe vende të tjera, si Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dënuan sulmet kundër Iranit.

Sulmet izraelite kishin në shënjestër bazat ushtarake në provincat Ilam, Khuzestan dhe Teheran. Këto sulme erdhën si përgjigje ndaj një sulmi iranian të 1 tetorit ndaj Izraelit, i cili goditi bazat ushtarake dhe infrastrukturën civile. Izraeli deklaroi se është në “gadishmëri maksimale” për çdo përgjigje hakmarrëse nga Irani.

Lini një Përgjigje