Nga Paolo Salom, Corriere Della Sera
Në traditën shintoiste, kur forcat e Natyrës shqetësohen, kami, shpirtrat që ndodhen në të gjitha gjërat, të gjalla apo jo, zgjohen dhe shfaqin zemërimin e tyre. Si? Për shembull me një shpërthim: llavë, hi dhe gurë të zjarrtë.
Dhe kështu, në Japoni, disa po interpretojnë zgjimin e vullkanit Sakurajima, dje, si një shenjë të pakënaqësisë për grindjen që nuk ndalet midis Kinës dhe ‘Tokës së Diellit’ në Lindje.
Janë javë që dy vendet shkëmbejnë akuza dhe fyerje, madje edhe kërcënime fizike, pas deklaratës fatkeqe të kryeministres së re në Tokio, Sanae Takaichi, e cila përmendi mundësinë e pushtimit të Tajvanit nga ushtria kineze, si arsye për të «mobilizuar forcat e vetëmbrojtjes».
Konsulli i përgjithshëm kinez në Osaka reagoi i pari, duke kërcënuar, pa marrë parasysh rregullat diplomatike, t’ja «priste qafën» kujtdo që guxonte të lëvizte për «ishullin rebel». Pastaj u thirrën përkatësisht ambasadorët në Tokio dhe Pekin, me qortime të ndërsjella.
Më pas, Kina ndërmori hakmarrje diplomatike: fillimisht këshilloi që mos bëhen udhëtime turistike në Japoni; më pas publikoi një njoftim ku nxiste studentët kinezë që janë ose planifikojnë të studiojnë në Japoni të vlerësojnë me kujdes rreziqet, të marrin masat e nevojshme dhe të planifikojnë me kujdes studimet, duke theksuar se «janë rritur rreziqet për sigurinë e studentëve kinezë në Japoni».
Për të përkeqësuar situatën, Rojet Bregdetare kineze rifilluan patrullimin e ujërave të ishujve Senkaku, të administruar nga Japonia, por të pretenduar nga Kina, e cila i quan Diaoyu. Kina deklaroi se operacioni u bë «në respekt të ligjit» dhe për «mbrojtjen e të drejtave» të saj.
Pra, 80 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, rivaliteti midis dy superfuqive të Lindjes së Largët duket se është përsëri në rend të ditës.
Kujtimi i mizorive të pushtimit japonez në Kinë është ende i freskët për qytetarët kinezë, ndërsa ish-armiku nuk ka bërë shumë për t’u falur. Shumë politikanë japonezë vizitojnë rregullisht Tempullin Yasukuni, ku nderohen edhe kriminelët e luftës.
Nga ana tjetër, japonezët mund të kujtojnë dy tentativat kineze për të pushtuar arkipelagun në shekullin e 13-të, të dështuar sipas legjendës falë tajfuneve, prej nga vjen termi «kamikaze», era hyjnore.
Pra, natyra është gjithmonë e përfshirë. Shpresojmë që kësaj here të mos shpërthejë një tjetër ‘tsunami’.
Lini një Përgjigje