Kostoja e vërtetë e axhendës ekonomike të Donald Trump

6 Gusht 2025, 18:42Bota TEMA
Kostoja e vërtetë e axhendës ekonomike të Donald Trump

Gjashtë muajt e parë të mandatit të dytë të Donald Trump janë shënjuar nga një valë urdhrash ekzekutivë dhe aktiviteti legjislativ të paprecedent në historinë amerikane, me përjashtim të mundshëm të 100 ditëve të para të Franklin D. Rooseveltit në detyrë.

Dallimi kryesor është se New Deal-i i Roosevelt-it ishte një përpjekje radikale – dhe përfundimisht e suksesshme – për të nxjerrë Shtetet e Bashkuara nga Depresioni i Madh. Në krahasim nga kjo, nisma e Trump nuk i përgjigjet ndonjë krize të menjëhershme, pasi ekonomia amerikane po funksiononte mirë përpara se ai të merrte detyrën.

Në vend që t’i përgjigjet një krize, qëllimi i Trump është të riorientojë ekonominë amerikane përmes ringjalljes së sektorit prodhues, dikur dominues. Por suksesi i kësaj përpjekjeje mbetet shumë i pasigurt.

Në qendër të axhendës ekonomike të Trump është përdorimi agresiv i tregtisë ndërkombëtare si armë. Që nga prilli, ai ka vendosur tarifa të gjera “reciproke” ndaj pothuajse çdo vendi në botë, duke i rregulluar më pas vazhdimisht – duke i hequr disa, ulur të tjera dhe rikthyer apo rritur shumë të tjera. Si rezultat, norma mesatare efektive e tarifave amerikane është rritur nga 2% në vitin 2024 në mbi 16% – niveli më i lartë që nga vitet 1930.

Megjithëse shumë analistë kanë paralajmëruar se rritja e mprehtë e tarifave mund të nxisë inflacionin, rreziku real qëndron diku tjetër. Duke rritur koston e lëndëve të para të importuara nga vende si Meksika, Kanadaja dhe India, tarifat e Trump i rrisin kostot e prodhimit në SHBA dhe dobësojnë konkurrueshmërinë globale të vendit.

Kjo rënie e konkurrueshmërisë pritet të sjellë një ulje të eksporteve amerikane, duke goditur të ardhurat e klasës punëtore. Ligji One Big Beautiful Bill Act i Trump, që kombinon ulje taksash për të pasurit me shkurtim të fondeve për shëndetësinë dhe ndihmën ushqimore, do ta përkeqësojë më tej situatën, duke dëmtuar në mënyrë disproporcionale amerikanët me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ndërkohë që rrit borxhin federal me triliona dollarë.

Nëse këto politika nuk përmbysen së shpejti – një skenar i pamundur – ndikimi i tyre në ekonominë amerikane mund të jetë shkatërrues. Edhe pse efektet e menjëhershme në çmime mund të jenë të kufizuara, tarifat e larta do të ngadalësojnë rritjen e PBB-së dhe do të gërryejnë pagat, veçanërisht për amerikanët e klasës punëtore. Kjo rënie ka gjasë të kthehet në një trend afatgjatë, me pasoja të thella për performancën ekonomike të vendit.

Ekonomistët kryesorë shpesh anashkalojnë një fakt thelbësor: performanca ekonomike ndikohet nga shumë më tepër sesa vetëm vendimet e politikës ekonomike. Siç ka argumentuar Francis Fukuyama, ajo varet nga fuqia e institucioneve vendase dhe niveli i besimit brenda dhe midis vendeve. Ajo gjithashtu ndikohet nga ajo që Joseph S. Nye, Jr. e quajti “fuqi e butë” – aftësia për të bindur, jo për të detyruar.

Për fat të keq, Trump ka vepruar si me çekan ndaj institucioneve amerikane. Për shembull, qindra studentëve ndërkombëtarë në universitetet kryesore amerikane u janë revokuar vizat e tyre në mënyrë të papritur nga administrata Trump, duke dëmtuar më tej besimin ndaj angazhimeve afatgjata të Amerikës dhe duke shtuar dëmet që tashmë janë shkaktuar nga sulmet e pandërprera të Trump ndaj aleatëve tradicionalë të SHBA-së dhe përbuzja e tij ndaj shtetit ligjor.

Rreziku më i madh është humbja e besimit në dollarin amerikan, i cili, si valuta rezervë kryesore globale, ka qenë për dekada themeli i dominimit ekonomik të SHBA-së. E kujtoj qartë 5 gushtin e vitit 2011, kur agjencia Standard & Poor’s uli vlerësimin e kreditit të Amerikës nga AAA në AA+. Në atë kohë, shërbeja si këshilltar për qeverinë indiane dhe përjetova pasigurinë e gjerë që u përhap mbi ndikimin e mundshëm në tregjet financiare globale.

Si për ironi, ajo ulje e vlerësimit shkaktoi një rritje të fluksit të kapitalit drejt SHBA-së, pasi investitorët në kërkim të një strehimi të sigurt nxituan të blinin asete në dollarë. Besimi i përgjithshëm ishte se SHBA-ja ishte një vend që nuk do të dështonte kurrë në shlyerjen e borxhit të jashtëm.

Ajo besueshmëri, e ndërtuar përmes dekadave, ka qenë thelbësore për dominimin global të dollarit. Ajo i ka lejuar gjithashtu SHBA-së të grumbullojë një borxh të jashtëm prej 28 trilionë dollarësh – më shumë se çdo vend tjetër në botë. Ndërsa kjo i jep Amerikës një përparësi strategjike të rëndësishme, ajo përmban edhe një dobësi të madhe: nëse besimi ndaj dollarit fillon të zbehet, baza e të gjithë ekonomisë amerikane mund të shembet.

Luhatjet e paparashikueshme të politikës amerikane nën drejtimin e Trump kanë bërë që tregjet financiare të bëhen gjithnjë e më të tensionuara. Nëse tendencat aktuale vazhdojnë, pasojat mund të jenë të shpejta dhe të rënda – duke çuar në një humbje historike të besimit në dollar dhe një tërheqje masive nga asetet amerikane.

E vetmja shpresë është që qytetarët amerikanë të kundërshtojnë fort politikat e dëmshme të Trump, duke e detyruar atë të ndryshojë kurs. Pavarësisht sfidave afatshkurtra, ekonomia amerikane mbetet mjaftueshëm elastike për t’u rikuperuar dhe për t’u stabilizuar. Por nëse Trump vazhdon edhe për tre vjet e gjysmë të tjera ashtu si gjatë gjashtë muajve të parë të mandatit të tij të dytë, SHBA-ja mund të përballet me kushte të ngjashme me ato që adresoi Roosevelt-i, vetëm se këtë herë rënia ekonomike mund të jetë e pakthyeshme.

1 Komente

  1. v
    vezhguesi

    Nje faktor tjeter i rende per ekonomine amerikane ka afrimi i BE-se me Kinen. Shtetet kryesore te BE-se kane teknologjine qe i nevojitet Kines per produktet e saja me kosto relativisht te ulet. Sot per sot, pjesa me e madhe e kesaj teknologjie sigurohet ne Kine nga SHBA-ja, por po qe se Trump vazhdon me politikat shtrenguese, do shenoje fundin e mbreterimit te dollarit dhe te Amerikes si superfuqia ekonimike e botes. Trump eshte nje idjot, qe kujton se ka ne dore fatet e botes. Metodat e tija do ti kushtojne rende amerikaneve qe do shohin se si cdo dite qe kalon, produktet e tyre do refuzohen nga pjesa tjeter e botes. Ketu do jemi dhe do shikojme se si do fundoset Amerika nga idjotesite e presidentit te vet.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje