Kreu i NATO-s, Mark Rutte, ka bërë ironi me gjendjen e flotës detare ruse, pas raportimeve se një nëndetëse e Rusisë është detyruar të dalë në sipërfaqe për shkak të problemeve teknike.
Flota ruse ne Detin e Zi deklaroi të hënën se nëndetësja me motor dizel Novorossiysk u shfaq në sipërfaqe pranë Francës, duke ndjekur rregullat ndërkombëtare të qarkullimit në Kanalin Anglez. Nëndetësja u shoqërua nga një anije luftarake britanike dhe një helikopter.
Ndërkohë, autoritetet holandeze njoftuan që të shtunën se nëndetësja ruse po tërhiqej në Detin e Veriut.
“Çfarë ndryshimi nga romani i Tom Clancy ‘Gjuetia për Tetorin e Kuq’ i vitit 1984. Sot duket më shumë si gjuetia për mekanikun më të afërt”, tha me humor Mark Rutte gjatë një vizite në Slloveni, duke e përshkruar nëndetësen si një mjet “të prishur” që “zvarritej për t’u kthyer në bazë”. Ai shtoi se “nuk ka më pothuajse asnjë prani të marinës ruse në Mesdhe”.
Sipas burimeve të rrjetit rus në Telegram, VChK-OGPU, i njohur për publikimin e rrjedhjeve të brendshme nga shërbimet e sigurisë ruse, më 27 shtator është raportuar se nëndetësja kishte pësuar rrjedhje karburanti në brendësi, gjatë kalimit në ngushticën e Gjibraltarit, duke rritur rrezikun e një shpërthimi.
Nëndetësja ishte në kthim nga një mision në Mesdhe. Marina Mbretërore Britanike deklaroi se e kishte ndjekur lëvizjen e saj për tre ditë, nga data 7 deri më 9 tetor. Si pjesë e operacioneve të përbashkëta të NATO-s, anija britanike HMS Iron Duke monitoroi nëndetësen ruse të klasit Kilo, e cila ndodhej në sipërfaqe, bashkë me rimorkiatorin që e shoqëronte.
Lini një Përgjigje