Gati pesë muaj pas përplasjes së avionit Air India 171, që mori 260 jetë njerëzish vetëm 32 sekonda pas ngritjes nga aeroporti i Ahmedabadit më 12 qershor, hetimi zyrtar është kthyer në një debat të ashpër publik mes ekspertëve, kompanisë dhe gjykatave.
Raporti paraprak i publikuar në korrik u kritikua për fokusin e tepruar tek pilotët, duke lënë në hije mundësinë e një defekti teknik në avionin Boeing 787. Gjykata e Lartë e Indisë, që po shqyrton kërkesën e babait të kapitenit të avionit për një hetim të pavarur, u shpreh të premten se “askush nuk mund ta fajësojë kapitenin për këtë tragjedi”.
Raporti i përkohshëm sugjeronte se pak sekonda pas ngritjes, komandat e karburantit ishin kaluar gabimisht në pozicionin “cutoff”, duke i prerë furnizimin motorëve. Kjo u interpretua si gabim njerëzor ose veprim i qëllimshëm, por ekspertë të sigurisë ajrore kanë hedhur poshtë këtë version.
Kapiten Amit Singh nga Safety Matters Foundation në Indi tha se provat teknike “mbështesin fort teorinë e një defekti elektrik” që mund të ketë shkaktuar mbylljen automatike të motorëve përmes sistemit kompjuterik FADEC. Ai argumenton se regjistrimet mund të kenë regjistruar urdhra dixhitalë, jo lëvizje fizike nga pilotët.
Këtë teori e mbështet edhe Foundation for Aviation Safety në SHBA, e drejtuar nga ish-menaxheri i Boeing, Ed Pierson, i cili e quajti raportin “jashtëzakonisht të mangët” dhe akuzoi autoritetet se po përpiqen të largojnë vëmendjen nga vetë avioni.
Në anën tjetër, ish-inspektorja e Departamentit Amerikan të Transportit, Mary Schiavo, mendon se raporti u hartua me nxitim për shkak të presionit publik dhe se është e mundur që shkaku të ketë qenë “një dështim kompjuterik ose mekanik”.
Hetimet zyrtare po drejtohen nga Byroja Indiane e Hetimeve të Aksidenteve Ajrore (AAIB), me pjesëmarrjen e ekspertëve amerikanë për shkak se avioni dhe motorët janë prodhuar në SHBA. Raporti përfundimtar pritet brenda vitit, megjithëse autoritetet rrallë respektojnë afatin 12-mujor.
Deri atëherë, misteri për shkakun e tragjedisë që tronditi Indinë mbetet i pazgjidhur, ndërsa familjet e viktimave kërkojnë transparencë dhe drejtësi.
Lini një Përgjigje