Kremlini është detyruar të reagojë ndaj raportimeve që thonë se ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka humbur mbështetjen e presidentit Vladimir Putin. Këto spekulime dolën pas anulimit të një samiti të planifikuar mes Moskës dhe Washington-it për çështjen e Ukrainës.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i hodhi poshtë këto pretendime, duke thënë: “Nuk ka asgjë të vërtetë në këto raportime. Lavrov vazhdon të jetë ministër i Jashtëm.”
Raportet për pakënaqësinë e Putin-it ndaj Lavrov-it u shtuan pasi presidenti amerikan Donald Trump anuloi papritur takimin me liderin rus në Budapest muajin e kaluar. Sipas Financial Times, anulimi erdhi pas një telefonate të tensionuar mes Lavrov-it dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio. Burime të gazetës thanë se Lavrov ishte kokëfortë dhe nuk tregoi gatishmëri për dialog.
Një burim tha për Financial Times: “Lavrov duket i lodhur dhe sikur nuk ka më dëshirë të merret me SHBA-të, pavarësisht nga ajo çfarë kërkon Putin.”
Pas anulimit të samitit, Lavrov mungoi në një mbledhje të rëndësishme të Këshillit të Sigurisë, ku Putin kërkoi propozime për rifillimin e testeve bërthamore. Gazeta Kommersant raportoi se mungesa e Lavrov-it ishte e planifikuar.
Ndërkohë, Lavrov nuk do të udhëheqë delegacionin rus në samitin e ardhshëm të G20 – rolin do ta marrë Maxim Oreshkin, zëvendës shefi i administratës presidenciale. Edhe në samitin e ASEAN-it, që zakonisht drejtohej nga Lavrov, këtë vit delegacionin e udhëhoqi zëvendëskryeministri Alexei Overchuk.
Kanali Nezygar në Telegram, me 400 mijë ndjekës, raportoi se Putin pati një “bisedë serioze” me Lavrov-in pas telefonatës me Rubio-n. Sipas burimeve, Lavrov ishte i papërgatitur dhe refuzoi të angazhohej në diskutim, duke ndjekur udhëzimet e Kremlinit fije e për pe.
"The Moscow Times" shkruan se një burim nga Ministria e Jashtme tha se artikulli në Financial Times ishte i organizuar dhe shumë i dhimbshëm për Lavrov-in, i cili më pas uli daljet publike. “Artikulli përmban shumë pasaktësi, por është e vërtetë që Lavrov është i lodhur dhe ka fituar kundërshtarë të rinj brenda Kremlinit,” tha burimi. “Ai duket se ka humbur mbështetjen e Putin-it dhe shihet si hallka e dobët.”
Ish-diplomati rus Boris Bondarev i hodhi poshtë këto raportime, duke thënë se “media e pëlqen të ekzagjerojë këtë version.” Ai shtoi se Lavrov nuk ka thënë asgjë që mund të ketë shqetësuar amerikanët dhe se ka punuar pa probleme me Putin-in për 21 vjet.
Megjithatë, Bondarev pranoi se Putin mund ta ketë fajësuar Lavrov-in për anulimin e samitit, për të shmangur përgjegjësinë për dështimin e bisedimeve me SHBA-të.
Lavrov, 75 vjeç, është ministër i Jashtëm i Rusisë që nga viti 2004 dhe anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurisë. Ai është nën sanksione personale nga SHBA-të, BE-ja, Kanadaja, Australia dhe vende të tjera që nga pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022.
Lini një Përgjigje