Mbahen sot në Doha bisedimet mes Iranit dhe Katarit, të cilat sipas zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, do të përqendrohen në zbatimin e memorandumit të mirëkuptimit mes Teheranit dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe në çështjen e aseteve të ngrira të Iranit. Baghaei deklaroi se diskutimet me palën katariote do të fokusohen në zbatimin e disa dispozitave të marrëveshjes, përfshirë atë që lidhet me lirimin e fondeve të kufizuara të Iranit.
“Diskutimet që pritet të zhvillohen sot në Doha do të jenë me palën e Katarit mbi zbatimin e disa dispozitave të memorandumit të mirëkuptimit, duke përfshirë dispozitën që ka të bëjë me lirimin e aseteve të kufizuara të Iranit”, tha ai.
Zëdhënësi iranian theksoi gjithashtu se delegacioni negociator i Iranit nuk ka plan të zhvillojë takime me përfaqësuesit amerikanë në ditët në vijim.
Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, bëri të ditur se i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, kanë mbërritur në Doha për t’u takuar me ndërmjetësuesit katariotë. Megjithatë, al-Ansari theksoi se nuk është planifikuar asnjë takim mes zyrtarëve amerikanë dhe delegacionit iranian. Ai shtoi se fondet prej 6 miliardë dollarësh të Iranit mbeten ende të ngrira dhe nuk janë transferuar në Teheran, duke theksuar se lirimi i tyre do të varet nga përparimi i negociatave.
Lini një Përgjigje