Mbijetoi 32 orë nën rrënojat e tërmetit në Venezuelë, 12-vjeçarja tregon momentet e tmerrit: Mendova se do të vdisja

6 Korrik 2026, 12:55Bota TEMA
Mbijetoi 32 orë nën rrënojat e tërmetit në

Një vajzë 12-vjeçare në Venezuelë ka mbijetuar për 32 orë e bllokuar nën rrënojat e pallatit të saj, pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 7.5 që goditi vendin më 24 qershor.


Fabiana Blanco u shpëtua nga ekipet e kërkim-shpëtimit pasi kaloi më shumë se një ditë nën beton, duke mbijetuar vetëm me ketchup dhe djathë që gjeti pranë saj.

Tërmeti shkatërroi ndërtesën 10-katëshe ku jetonte familja në Caraballeda, në shtetin La Guaira. Në momentin e lëkundjeve, Fabiana ndodhej vetëm në apartament. Ajo vrapoi drejt kuzhinës për t’u mbajtur pas banakut, por muret u shembën dhe e lanë të bllokuar nën rrënoja.

“Pashë gjithçka të dridhej, të binte dhe të shembej. Mendova se do të vdisja dhe se askush nuk do të mund të më shpëtonte”, tregoi 12-vjeçarja, duke kujtuar momentet e para pas shembjes së ndërtesës.

Nëna e saj, Karina Blanco, ishte duke u përgatitur të zhvillonte një orë spinningu kur ndjeu lëkundjet. Sapo kuptoi fuqinë e tërmetit, u nis me shpejtësi drejt shtëpisë. Kur mbërriti, ndërtesa ishte zhdukur pothuajse plotësisht.

“Pashë një ndërtesë, pastaj një boshllëk aty ku ishte pallati ynë dhe më pas një ndërtesë tjetër. Fillova të bërtisja se vajza ime kishte vdekur”, rrëfeu ajo.

Ndërsa ishte e bllokuar, Fabiana arriti të komunikonte me një infermiere që ndodhej gjithashtu nën rrënoja. Infermierja e inkurajoi të qëndronte e qetë dhe, pasi u shpëtua rreth gjashtë orë më vonë, njoftoi ekipet e emergjencës se vajza ishte ende gjallë.

Lajmi i dha shpresë nënës së saj, e cila kishte filluar të pranonte humbjen e së bijës. “Po i lutesha Zotit të më jepte forcë për të jetuar pa Fabianën, kur dikush më tha se ajo ishte gjallë”, tha Karina.

Pas 32 orësh kërkime intensive, ekipet e shpëtimit arritën ta nxirrnin Fabianën të gjallë nga rrënojat. Historia e saj është kthyer në një simbol të qëndresës dhe shpresës pas një prej tërmeteve më të fuqishëm që ka goditur Venezuelën në një shekull.

 

Lini një Përgjigje